Gjatë vitit 2014, borxhi publik u rrit me 1.8 milionë euro në ditë, ndërsa PBB-ja është rritur me afro 960 mijë euro në ditë. Në këtë nivel të ardhurash, qeveria detyrohet të kërkojë financime shtesë. Borxhi publik i qeverisë në fund të muajit shtator 2014 vlerësohet 960,801 milionë lekë ose 67.95% e PBB-së. Borxhi i brendshëm dhe i jashtëm janë vlerësuar përkatësisht 39.25% dhe 28.70% e PBB-së. Ndërkohë, borxhi deri në fund të vitit 2014 vlerësohet në nivelin 69.06% ose 71.64% në raport me PBB-në. Gjatë vitit 2014, rreth 78% e financimit është arritur të realizohet nëpërmjet emetimit të instrumenteve afatgjata. Huamarrja nuk është realizuar plotësisht nëpërmjet instrumenteve afatgjata, për shkak të vështirësive të hasura në treg, si për shkak të ristrukturimit të portofolit të bankave në kuadër të uljes së ekspozimit ndaj borxhit sovran dhe në veçanti ndaj borxhit me afat të gjatë maturimi. Për sa i përket borxhit të garantuar, gjatë vitit 2014 janë emetuar dy garanci në tregun e brendshëm në favor të KESH sh.a., përkatësisht në vlerat 1 miliard lekë dhe 6 milionë euro. Ndërkohë, deri në fund të vitit pritet që garancitë e brendshme të rriten deri në nivelin e 10 miliardë lekëve. Ndërsa garancitë e jashtme, gjatë vitit 2014, janë vlerësuar me ulje, për shkak të nivelit të ulët të disbursimeve. Qeveria parashikon që gjatë vitit 2015, investitorët kryesorë (sistemi bankar), për shkak të orientimit të bankave mëma, si dhe në kuadër të kufizimeve lidhur me raportet e likuiditetit, do të tentojnë më së shumti të orientohen drejt bonove të thesarit. Nga ana tjetër, mbështetja e borxhit vendas, në më shumë se 75% te sistemi bankar, përbën risk për ecurinë në terma afatgjatë. Për menaxhimin e këtij borxhi, që sa vjen e rritet, Ministria e Financave, në strategjinë e saj, ka parashikuar katër skenarë alternativë të marrjes së borxheve të reja.

Strategjia bazë

Për vitin 2015, strategjia bazë e menaxhimit të borxhit publik ka marrë në konsideratë faktin që investitorët kryesorë të titujve qeveritarë brenda vendit, që vitin e kaluar kanë dhënë shenja të qarta tërheqjeje. Gjatë vitit 2015, nga një informacion paraprak prej bankave, mbeten të pambuluara gati 30 mld lekë financim i brendshëm. Duke vlerësuar këtë fakt, si dhe treguesit e rrezikut të rinovimit të shpeshtë të borxhit (rreth 320 mld lekë rinovohen çdo vit), në vitin 2015, synohet zgjerimi i huamarrjes në tregun ndërkombëtar për të mbuluar nevojat shtesë për financim dhe, nëse krijohet hapësira, për të zëvendësuar dhe një pjesë të borxhit afatshkurtër të brendshëm. Dalja në tregun e huaj do të arrihet nëpërmjet përdorimit të huas së garantuar pjesërisht nga Banka Botërore (Policy Based Guarantee – PBG) në një vlerë prej 300 milionë USD (250 milionë euro). Sipas strategjisë bazë, një objektiv i rëndësishëm është edhe rifinancimi i Eurobondit të emetuar në vitin 2010, në vlerën prej 300 milionë eurosh, nëpërmjet daljes dhe shfrytëzimit të oportuniteteve në tregun ndërkombëtar të instrumenteve financiare.

Strategjia 2

Kjo rrugë është konceptuar si skenar alternativ i strategjisë bazë dhe merr në konsideratë dështimin e daljes në tregjet ndërkombëtare të kapitalit, për arsye nga më të ndryshmet. Në një skenar të tillë është parashikuar që rifinancimi i Eurobondit ekzistent të realizohet nëpërmjet një linje krediti. Linja e kreditit parashikon një kredi në vlerën e 200-250 milionë eurove, me afat maturimi pesë vjet, por në dallim nga Eurobondi, supozohet që të jetë me norma më të larta. Pjesa e mbetur për të rifinancuar Eurobondin do të financohet nëpërmjet huas pjesërisht të garantuar nga Banka Botërore. Një skenar i kësaj natyre do të rriste kostot e shërbimit të borxhit dhe në të njëjtën kohë do të ushtronte më shumë presion në tregun e brendshëm, për shkak të rritjes së financimit 7 deri në 14 miliardë lekë.

Strategjia 3

Ky është skenari më i keq i mundshëm dhe supozon dështimin e daljes në tregjet ndërkombëtare të kapitalit për rifinancimin e Eurobondit. Njëkohësisht, presupozon edhe mosrealizimin e huas pjesërisht të garantuar nga Banka Botërore. Në këtë rast është menduar që rifinancimi i Eurobondit të realizohet nëpërmjet linjës së kreditit në vlerën e 300 milionë eurove, ndërkohë që do të kemi një rritje të konsiderueshme në huamarrjen e brendshme në më shumë se 35 miliardë lekë. Kjo strategji ka një risk rifinancimi dhe likuiditeti të lartë, si dhe rrit interesat. Ky skenar vlerësohet nga Ministria e Financave që të ketë një probabilitet tejet të ulët ndodhjeje.

Strategjia 4

Ky skenar merr në konsideratë rastin e mossigurimit të huas së garantuar pjesërisht nga BB-ja. Në këtë rast, me qëllim përmbushjen e objektivit për uljen e presionit të financimit të brendshëm dhe lehtësimin e kreditimit të sektorit privat, është parashikuar që emetimi i Eurobondit të realizohet në vlerën e 500 milionë eurove.

6 Komente

Te kjo teme duhet te vij te flase vetem pjerini se ai eshte njohes i rafinuar i ekonomise. Te tjeret jane bylmezër. 

.

Sot çështja e borxhit publik, është shndërruar në temën e ditës në Shqipëri. Prej kohësh borxhi e ka kaluar nivelin mbi 60% të GDP-së këtu flasim për borxhin publik zyrtar (duke i shtuar ”borxhet e fshehura” ai ka kaluar 100% të GDP) duke rrezikuar të shndërrohet në një humnerë të thellë për perspektivën e vendit. Pasi për 3-4 vjet rresht, Qeveria, manovroi duke fshehur ose zbutur nivelin real të borxhit. Ndërsa sot jemi në kushtet kur çligjëroi ruajtjen e nivelit të borxhit, duke ”fshirë” kufirin nga ligji përkatës. Pa as më të voglin dyshim është minimumi që ne të rivendosim një kufij cilido qoftë ai. Çdo shqiptar, madje edhe çdo foshnjë që do të lindë në vitin e ardhshëm, do të ketë një borxh 3 mijë dollarë në vit, apo tri herë më të lartë se në vitin 2005 dhe çdo familjeje sot i duhet të paguajë 800 mijë lekë në vit vetëm për shërbimin e borxhit, pra më shumë se për konsumin e ujit dhe energjisë marrë së bashku. 

17 decembruar 2012.

 

Ku ka pyetur ndoihere " i mbyturi" , prej te lagurit ! Koha e salibollekut,  do mbahet mend gjate ! 

Gjatë vitit 2014, borxhi publik u rrit me 1.8 milionë euro në ditë,

.."dale dale se nuk keni pare gje akoma"  keshtu osht kur ja beson financat nje komunisti fanatik ,ish ministrit i patates i Ramiz Alise  Cani smiley

 

Skenaret qe qeveria (me sakte), ministria e Financave ka menduar, tregojne jo zhvjerdellsi mendimi. Kam frike se qeveria po mbytet ne nje lug ujti, fale paaftesise qe po tregon. Uroj tu dali mire, megjithse Shqiperia nuk ka nevoje shume per borxhe te medhaja. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).