Bashkimi Europian e ka çuar integrimin europian – të shtyrë prej vullnetit të lirë të anëtarëve të tij, dhe jo forcës ushtarake – në nivele të paprecedentë, duke zënë një vend në reshtin e parë të inovacionit institucional. Por sot, ndjenjat në BE duket se priren drejt “konfliktit”, dhe jo “bashkëpunimit”.

Disa shtete anëtarë po tundin në ajër të drejtën e tyre sovrane për të mbështetur veprime të njëanshëm, madje edhe teksa kërkojnë asistencë financiareë, ndërkohë që të tjerë po veprojnë thjeshtë si kredidhënës, duke injoruar vuajtjet sociale që ka shkaktuar kriza aktuale e borxheve. Për t’u rikthyer në rrugën e integrimit inovativ, Bashkimi Europian ka nevojë për një kuadër të debatit publik, i cili të përforcojë bashkëpunimin e efektshëm mes partnerëve dhe miqve, në vend që të nxisë konflikte mes rivalëve në dukje të papajtueshëm.

Në tërësinë e tij, integrimi europian ka qenë një proces i harmonishëm, i rregullt dhe i drejtë. SHtetet anëtarë më pak të pasur përfituan nga instrumenta si Fondet Strukturorë dhe Fondi i Kohezionit, të cilët ofronin burime të konsiderueshëm për t’u bërë të mundur që të rrisnin të ardhurat për frymë. Por kriza e zgjatur ekonomike e ka ndryshuar perspektivën e qytetarëve të tyre, teksa një pjesë gjithnjë e më e madhe e sheh anëtarësinë në BE si diçka që ka më shumë kosto, se sa përfitime.

Nuk është habi që ky ndryshim ka nxitur thirrjet për më shumë “sovranitet kombëtar”, të cilat partitë populiste, si përshembull Syriza në Greqi, i kanë përkthyer në suksese elektoralë. Të gjitha këto parti, qofshin në të djathtë apo në të majtë, vendosin sovranitetin kombëtar përballë të ashtuquajturave “fuqi të huaja”, dhe përpiqen që sipas këtij këndvështrimi të anojnë edhe boshtin politik të BE-së. Kjo pikëpamje reduksioniste është edhe zamka që mban të bashkuar koalicionin qeverisës në Greqi.

Në këtë debat shumë në modë, sovraniteti nënkupton “fuqizim” dhe institucionet europianë janë “jodemokratikë”. Kështu që, sovraniteti është bërë një koncept veçanërisht joshës për qytetarët e shteteve anëtarë të jugut të Europës, të cilët kanë ardhur duke besuar gjithnjë e më shumë se struktura “e ngurtë” e BE-së u është imponuar atyre. Ndërkohë, shtetet veriorë të BE-së po bien pre e një mesazhi tjetër thjeshtësues: se shtetet e jugut janë shpenzues të papërgjegjshëm që duhen lënë t’i zgjidhin vetë problemet e tyre.

Në rrënjë të të dy këtyre pikëpamjeve është frika dhe pasiguria që ka prodhuar globalizimi, me qytetarët që shqetësohen për sigurinë e tyre dhe janë të pasigurtë për vendin që kanë në botë. Por nuk ka kthim pas në një rend global të përcaktuar prej shteteve-kombe të izoluar – ndonëse kjo nuk del prej retorikës që dominon diskutimet e sotëm.

Sigurisht, shtetet anëtarë të BE-së janë shtete sovranë, dhe ata negociojnë mes tyre si të tillë. Por ata janë gjithashtu të ndërvarur, teksa veprimet e secilit shtet anëtar ndikohen prej faktorëve të jashtëm. Kjo ndërvarësi buron jo vetëm prej monedhës së përbashkët: është fryt i ndërveprimeve të pafundëm socioekonomikë, që i endin shtetet anëtarë të BE-së në një rrjetë dinamike.

Kjo është arsyeja përse një debat publik që merr në konsideratë vetëm dy skenarë ekstremë – integrimin e imponuar, apo sovranitetin kombëtar absolut – është ngatërrues dhe i rrezikshëm. Ai i vendos pjesëmarrësit në qoshe të kundërta, duke i përgatitur për konflikt – një rezultat i cili duhet të shmanget me çdo kusht.

Ka një rrugë të mesme. BE duhet të angazhohet për vazhdimin e demokratizimit të institucioneve të vet, ashtu si bëri kur i dha parlamentit europian të zgjedhur demokratikisht, një zë për zgjedhjen e presidentit të Komisionit Europian. Nga ana e tyre, vendet anëtarë të BE-së duhet të pranojnë se ata, si aktorë sovranë, zgjedhin integrimin sepse përfitimet e bashkimit të sovraniteteve janë më të mëdhenj se sa kostot.

Institucionet europianë e reflektojnë këtë dinamikë. Mekanizmi Europian i Stabilitetit (MES), për shembull, është një projekt kolektiv që synon të ruajë stabilitetin fiskal të eurozonës, dhe nuk është një instrument dominimi apo konfrontimi. Burimet e MES i përkasin gjithkujt, ashtu sikurse falimenti i një shteti prek gjithkënd. Kur vendet me qëndrueshmëri fiskale injorojnë telashet e shteteve të tjerë anëtarë, atëherë ata po veprojnë kundër interesave të tyre.

Po kështu, transfertat ekonomike që u kryen përmes Fondeve Strukturorë dhe Fondit të Kohezionit përfshinë shtete sovranë dhe demokratë. Dhe ishin qeveritë sovrane të Greqisë, Portugalisë, Qipros dhe Irlandës që kërkuan fonde shpëtimi nga partnerët e tyre europianë. Greqia ka marrë tashmë ndihmë sa 117% e GDP së saj; në Qipro, shifra është 55.9% dhe në Irlandë e Portugali, respektivisht 45.1% dhe 46.6%.

Eshtë e qartë se ndërvarësia nuk mund të shmanget; as edhe përgjegjësitë që ajo mbart. Ideja që, kur gjërat vështirësohen, një shtet i BE mund të zgjidhë problemet e tij duke iu kthyer sovranitetit kombëtar është intelektualisht e gabuar, është një fantazi politike, e si pasojë një burim frustrimi të konsiderueshëm social. Sovraniteti nuk e mohon ndërvarësinë.

Eshtë koha që shtetet ta braktisin idenë që ekziston një forma magjike sovraniteti, e cila do i lejojë t’u shpëtojnë përgjegjësive që kanë si anëtarë të BE, pa pësuar kosto të rënda. Në botën reale të Europës sot, huamarrësit nuk mund të prishin marrëveshjet që kanë bërë në këmbim të ndihmës, dhe huadhënësit duhet të pranojnë nevojën për të vazhduar duke kontribuar për fondin e shpëtimit.

Do të ndihmonte gjithashtu që huadhënësit të kuptonin se kontributet e tyre, ashtu si dekadat e mbështetjes për fondin e kohezionit, nuk do i varfërojnë (për shembull duke shteruar fondet e pensioneve). Përkundrazi, vendet huadhënës do të përfitojnë nga partnerë më të qëndrueshëm tregtarë për eksportet e tyre.

Miti i sovranitetit është përsëritur për një kohë shumë të gjatë në BE, duke nxitur ndjenjat e rrezikshme nacionaliste dhe frikën “nga tjetri”. Shtetet anëtarë, duke filluar nga Greqia, duhet ta pranojnë se ndërvarësia është e pashmangshme – dhe në të vërtetë ajo është e dëshirueshme nëse menaxhohet si duhet.

Siç e ka pranuar kohët e fundit Kryeministri grek, Alexis Tsipras, “Europa është një hapësirë për negociata dhe kompromise me dobi të ndërsjellë”. Integrimi ishte një zgjedhje – dhe ishte pozitive. Europa ka shumë punë për të bërë, për të forcuar identitetet e shumtë që nevojiten për të shmangur konfliktin. Qofshim nga veriu apo nga jugu, nga Gjermania apo nga Greqia, ne jemi të gjithë europianë. Dhe për këtë arsye jemi më të pasur.

 

Artikulli origjinal: Project Syndicate "Europe's sovereignty illusion"

Përktheu Bota.al

1 Komente

Ky Javjeri me duket se eshte socialist kshu me bindje. Tek e fundit se mos ka jo-socialiste ne Evrope...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).