Një kujdestar muresh, një qëndistare dhe një poet të lidhur pazgjidhshmërisht me muret e gurta të kalasë, së cilës, në njëfarë mënyre i kanë kushtuar jetën. Kështjella e gurtë është lidhur pazgjidhshmërisht me jetën e vetë qytetit duke u imponuar e shkrirë njësh me historinë e njerëzve të saj.

Dhjetëra njerëz dhe personazhe në qytet vazhdojnë që jetën e tyre ta shohin të lidhur në mënyrë të pandashme me Kalanë e gurtë të Gjirokastrës. Artistë, poetë, artizanë, restauratorë, këngëtarë popullorë të festivaleve folklorike kombëtare, e ndjejnë kështjellën si pjesë të veçantë dhe të pandashme të jetës së tyre.

Kujdestari

 Prej gati 25 vitesh, 51-vjeçari Vladimir Llaziku vazhdon të largojë nga muret e gurta të kështjellës së Gjirokastrës bimësinë parazitare, e cila rrezikon dëmtimin e tyre. Për Ladin, megjithëse puna është disi e lodhshme, sërish ajo i jep kënaqësinë e përkujdesjes për këto vlera historike dhe arkitektonike. “Të largosh bimësinë parazitare nga muret e kështjellës do të thotë që të ndihmosh mbijetesën në kohë të këtyre vlerave, sepse rrënjët e bimësisë pasi depërtojnë në mure mund të shkaktojnë edhe çarjen  tyre”, thotë Ladi.

Këtë gjë e ai e bën plot pasion dhe dëshirë prej vitit 1983, kur në prag të edicionit të radhës së Festivalit Folklorik Kombëtar do t’i duhej të kacavirrej mureve dhe kullave të gurta të kështjellës për të larguar bimësinë parazitare. “Më kujtohet që herën e parë kisha pakëz ndrojtje për të kryer këtë gjë”, thotë ai. Megjithëse prej vitesh kishte ushtruar dhe sportin e alpinizmit, sërish pastrimin e mureve të kalasë nga bimësia kacavjerrëse nuk e kishte kryer askush. “Më kujtohet që në ato vite shkurret kishin mbuluar gjithandej muret dhe bedenat e gurta, duke rrezikuar seriozisht dëmtimin, madje edhe shembjen e fragmenteve të tëra të mureve të gurta të kështjellës”, – vazhdon bisedën Ladi ndërsa qëndron mbi njërën prej kullave të gurta. Zbritjen e parë në muret e gurta në ato ditë shtatori të 1983-it ai vazhdon ta kujtojë ende me emocion.

“Në fëmijërinë time dhe kur ushtroja sportin e alpinizmit, isha ngjitur dhe zbritur me dhjetëra herë në muret e kalasë, – vijon bisedën ai, – por kësaj radhe kishte diçka të veçantë, pasi zbrisja për të mbrojtur muret e gurta nga dëmtimi, duke bërë që ato t’i rezistonin sa më shumë kohës si një dëshmi e vlerave historike dhe arkitektonike për brezat e ardhshëm”. Puna e Ladit për mbajtjen pastër dhe mbrojtjen e mureve të gurta do të vijonte edhe në prag të festivaleve folklorike të viteve 2000 dhe 2004. Sërish në prag të Festfolkut 2009, ai do të ngjitej sërish në muret e gurta të kështjellës për të larguar prej tyre bimësinë parazitare. “Kësaj here puna ime ishte më e lehtë”, – thotë ai ndërsa tregon djalin e vet, i cili ka filluar ta ndihmojë Ladin në mbrojtjen e mureve të kështjellës. Ndërkohë të dy, babë e bir të familjes Llaziku vazhdojnë të kujdesen me dëshirë dhe pasion për muret e gurta të kështjellës.

Qëndistarja

Kështjella e gurtë e Gjirokastrës mbizotëron në shumicën e punimeve të saj në qëndisje me dorë. Prej 15 vitesh Vjollca Mezini vazhdon të punojë plot pasion dhe dëshirë dantella dhe qëndisje të ndryshme në tekstil. “Me pëlqen dantella me dorë, qëndisjet në makinë janë shumë të mira”, – thotë qëndistarja Vjollcë ndërsa me gjilpërën dhe perin e bardhë po ravijëzon format e para të qëndisjes së radhës në tekstil. Gjatë këtyre viteve, prej duarve të saj janë zbukuruar me dhjetëra shtëpi gjirokastrite. “Njerëzit janë mjaft të dhënë pas punëve në qëndisjen me dorë, ndërkohë që preferojnë gjërat e bukura dhe artistike”, – thotë qëndistarja gjirokastrite.

“Në punimet e mia, – vijon ajo, – mundohem të nxjerr gjëra të reja, të artizanatit, të traditës së vendit tonë”. Të preferuara për të ngelën që nga punimet e thjeshta në qëndisje deri tek ato me motive të veçanta, si qëndisja me pe të bardhë e Kalasë së Gjirokastrës, Qafës së Pazarit etj. “Më pëlqen shumë të punoj në qëndisjen me dorë, – thotë ajo, – sidomos të qëndis me pe profilet e shtëpive të gurta gjirokastrite apo motive të tjera artistike”. Madje krahas punës së saj të përditshme, qëndistarja Vjollcë është në kërkim të motiveve të reja për punët e saj. “Jam duke kërkuar në familjet gjirokastrite punët që realizoheshin në qëndisje këtu e 50 vjet më parë, disa si rrjeta me shkopinj dhe punime të tjera që për momentin janë lënë në harresë”, – thotë ajo ndërsa plot emocion rrëmon mes disa dantellave të realizuara vite më parë nga qëndistarët gjirokastritë. Megjithëse disi të dëmtuara nga koha, këto lloj qëndisjesh sërish nuk e kanë humbur bukurinë e dikurshme.

Poeti

Ai do t’i thurte me dhjetëra vargje të krijimtarisë së tij historikut të kështjellës së gurtë. Këngët popullore të shkruara prej tij do të këndoheshin në të gjitha festivalet folklorike kombëtare të Gjirokastrës. “Kështjella vazhdon të ngelet pjesë e veçantë e jetës sime”, – thotë poeti gjirokastrit, Engjëll Fino ndërsa tregon njërin prej librave të tij të fundit, në kopertinën e të cilit bie në sy një fotografi e kështjellës së gurtë. Ai ka ende emocionet e krijimtarisë poetike dhe hartimit të teksteve të këngëve popullore, të cilat nëpërmjet interpretimit të artistëve të folkut janë ngjitur në skenën e gurtë të Kalasë së Gjirokastrës. Për gati 40 vite rresht, prej Festivalit të vitit 1968, ka shkruar tekste për këngët popullore, të cilat janë interpretuar në FFK-të e ndryshme, përfshirë edhe atë të vitit 2004. “Kontaktet e mia me folklorin janë të hershme”, – thotë Engjëlli.

Pas përfundimit të shkollës së lartë, për disa vite rresht ai do të organizonte jetën kulturore, përfshirë edhe krijimin e grupeve të këngës popullore në zonën e Mashkullorës, Lazaratit etj., në rrethin e Gjirokastrës. Gjatë kësaj periudhe Engjëlli do të konstatonte tek vetja prirjen që kishte për të shkruar tekste për këngët popullore. “Në vitin 1968 unë do të përfshihesha në Festivalin e Parë Folklorik të Gjirokastrës, në grupin e hartimit të teksteve”, – thotë Engjëlli ndërsa kujton vargjet e para, të cilat do të shërbenin si bazë për këngët popullore. Me kalimin e viteve dhe pjesëmarrjen në festivale, ai do të bëhej një nga penat më të spikatura përsa i takon teksteve të folkut.

“Janë me dhjetëra vargje që kam krijuar, të cilat më pas janë kënduar si këngë popullore në skenën e festivaleve, – thotë Engjëlli ndërsa nis të mërmërisë këngën popullore “Moj Kala ç’nur të ka rënë/ këndej armë e andej këngë”, e cila është kënduar në Festivalin Folklorik të vitit 1978 dhe teksti i saj mban firmën krijuese të tij. Poeti gjirokastrit i festivaleve kujton me emocion falenderimet që merrte nga artistët popullorë, kur teksti përputhej artistikisht me vijën melodike të këngës popullore.

“Në fillim spektatorët dëgjonin këngën dhe pastaj, kur ajo iu pëlqente, interesoheshin edhe për autorin e tekstit duke më dhënë komplimente”, – thotë ai. Gjatë jetës së vet poetit i është dashur që të shkelë me këmbë pjesën më të madhe të fshatrave të Jugut për të zbuluar motive të reja të këngëve popullore. Ndërkohë në Festivalin Folklorik të vitit 2004, ai do të hartonte tekstin e këngës popullore, e kënduar nga bilbili i isopolifonisë labe, Arjan Shehu dhe grupi i tij.

“Më kujtohet se kur erdhi Arjani dhe më kërkoi një këngë për atë festival, në fillim hezitova pasi mendoja se pena më ishte plakur, por m’u bë qejfi që ajo këngë korri sukses”, – thotë poeti dhe me sytë që i shkëlqejnë reciton vargjet e këngës: “Ndezi këngën Shqipëria / në Kalanë e Festivalit / tek ky shesh që s’harron kurrë / këngën e Xhevat Avdallit”. “Ajo ishte një këngë homazh për gjithë këngëtarët e folkut, duke filluar nga Xhevat Avdalli, Demir Zykja, Fatime Sokoli etj., të cilët mbajtën gjallë këngën popullore shqiptare në vite prandaj dhe u pëlqye nga publiku”, thotë poeti Fino. Madje falë pasionit për folklorin, ai ka përgatitur edhe një botim të titulluar “Vargje në rrjedhën e viteve”, në të cilin ka përmbledhur me dhjetëra tekste këngësh popullore.

 

*Ky shkrim është pjesë e projektit Reporterë Jashtë Metropolit

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).