2 Marsi i këtij viti, dymbëdhjetë ditë më parë nga dita e sotme, shënoi të qe dhe 90-vjetori i vrasjes së njërit prej figurave më të mëdha të Kombit tonë, Luigj Gurakuqit. Ndërsa një grusht i vogël njerëzish, mes të cilëve gazetari Ben Andoni, Fritz Radovani në anën tjetër të globit, si dhe ndonjë tjetër (përgjithësisht shqiptarë që jetojnë jashtë shtetit aktual shqiptar) u përpoqën të lëshojnë në faqet e ca gazetave të rralla ndonjë klithmë dëshpërimi për këtë përvjetor të harruar, shoqëria shqiptare preferoi heshtjen dhe mospërfilljen, sikur të qe fjala për përvjetorin e një dëshmori të fshatrave të Mallakastrës, të Tepelenës a të Domosdovës, rënë heroikisht nja dyzet vite më parë në mbrojtjen e një pusi të naftës gjatë përpjekjeve të pasuksesshme të armikut për sabotazhimin e pasurisë socialiste…Atë, më i madhi ndër më të mëdhenjtë, i qarë menjëherë pas vdekjes nga vajtuesit e mëdhenj të Kombit, të quajtur Fan Noli, Gjergj Fishta, Lazër Shantoja, Spiro Vinjau e plot e plot të tjerë, në 90-vjetorin e vrasjes, tani kur më tepër se kurrë shoqëria shqiptare do të kishte nevojë për Modelet që i mungojnë, duket sikur e kanë fshehur qëllimisht mënjanë në një qoshe të errët të një muzeu fshati që të mos shihet nga askush. Ai, i vrarë një herë nga pabesia, vritet sërish po nga pabesia…veçse këtë radhë jo nga plumbat, por nga heshtja e qëllimshme dhe zyrtare, nga krimi i organizuar i politikes shqiptare, nga banaliteti i dhjamur dhe cinik, nga arroganca e hajdutëve dhe e vrasësve, të cilët i kemi me shumicë mes nesh, nga tru-shplarët dhe analfabetët e diplomuar dhe të shpërblyer me poste të fosilizuara shtetërore, diplomatike a politike, nga varrmihësit e shpresave dhe nga kriminelët e intrigantët mackbeth-ianë, por për fat të keq, dhe nga mosmirënjohja e qytetit të vet, Shkodrës.

Një mik i Gurakuqit, një tjetër i harruar i madh dhe kurrë i përmendur, poeti, atdhetari, përkthyesi dhe publicisti Lazër Shantoja, duke folë për Gurakuqin vetëm disa muaj pas vdekjes së tij, në tetorin e vitit 1926, pat parafrazuar Emersonin: Ka njerëz të cilët përmes forcës së sharmit të tyre, përfshijnë në vetvete një komb të tanë dhe kësisoj mund të drejtojnë aktivitetin e racës njerëzore…Luigj Gurakuqi kjé Ura e Artë e Bashkimit Kombëtar.. Ai dijti me ju dhanë  shpirtë natyrave ma të ngathëta dhe me u ndalë hovin esktremistave ma të shtyemun. Aj kje si një fjaluer i domosdoshëm që do t’u konsultonte pa prà. Tash nga një ministër, mandej nga një malëcuer, ma vonë nga një dokushdo,nga- njëherë nga një përfaqësues i huej,një herë tjeter nga një gazetar….Lazër Shantoja vetë, veç disa vite pas botimit të këtij shkrimi, ka për t’u torturuar dhe pushkatuar dhe për t’u hedhur për së vdekuri në një gropë pa emër në periferitë e Tiranës nga komunistët kolaboracionistë që vijnë në pushtet (më 5 Mars të vitit 1945, çka do të thotë se dhe Lazër Shantoja paskësh patur përvjetorin e vet të vdekjes, 70-vjetorin e vrasjes. Natyrisht, një përvjetor kurrë i përmendur askund.). Sikur të qe duke ndjellë fatin e vet, Shantoja shkruan: Zogu e vrau Gurakuqin me kobure; Musolini me gjyqe…me armën e civilizimit e të drejtësisë…Dhe këtu mund të shtonim, po në stilin e Shantojës …Komunizmi e vrau me antikombëtarizëm dhe me antikatolicizëm; ndërsa ata që erdhën më pas e vranë me gangstjerizëm turmash dhe me injorancën arrogante të pushtetit.

Gurakuqi është mishërimi i një kombi. Fati i tij është fati i kombit shqiptar. Është fati i Shkodrës dhe fati i secilit prej nesh. Më ka qëlluar të ec me një nostalgji të madhe nëpër Serreq, njëra ndër lagjet e njohura të Shkodrës…Duke ecë kuturu, sa futesh në Serreq, jo larg nga Dugajat e Reja, shoh një pllakë të fshehur, të ndrojtur, sikur të qe duke mbartur ndonjë faj, shkruar me germa të vogla, e ngjashme me një pllakë ilegale: Në këtë shtëpika jetuar dhe ndejtë familja e Nënë Terezës…Veç disa metra më larg është pllaka që na kujton shtëpinë e braktisur ku kanë lind dhe jetuar Ernest Koliqi, njëri ndër shkrimtarët më të mirë të shekullit të njëzet të letërsisë shqipe, dhe Mikel Koliqi, Kardinali i parë shqiptar, të cilin e pata takuar menjëherë pas shugurimit si Kardinal, me ftesë nga ai vetë, të mbështjellë me një batanije të hirtë e të vjetër nga ato të ushtrisë së dikurshme, ngaqë ishte dimër dhe shtëpia nuk kishte as ngrohje…Edhe kjo një shtëpi e fshehur, gati-gati ilegale. Kërkoj shtëpinë e Marubëve. Muzeu i Marubëve ndodhet në një qoshe të strukur, pranë Kishës Ortodokse, dhe të duhet një mjeshtri investigative nga ato të Sherlok Holmsit, që ta gjesh, kaq mjeshtërisht e kanë fshehur në një kuadrat apartamentesh…Por dhe kur e gjen, takohesh me një roje të përfjetur dhe apatik, i cili të sheh ty që interesohesh për Muzeun e Marubit me bezdisje si një specie që duhej të mos ekzistoje më…Kërkoj shtëpinë e Luigj Gurakuqit, një shtëpi të cilën nuk mungoja kurrë ta vizitoja sa herë kam ardhur në Shkodër. Këtë radhë është një gërmadhë e mjeruar, një nga ato shtëpitë që na i tregon televizori në Siri pas bombardimit të ISIS-it famëkeq…Më vjen prapë ndërmend Lazër Shantoja, i cili shkruan se ...Loti që derdhim mbi emërin e Bajram Currit asht loti i dhimbjes…Loti që derdhim për Luigj Gurakuqin asht loti i dëshpërimit…’’. Më vjen ndërmend guximi i paturpësisë kur në 100-vjetorin e Pavarësisë shqiptare, atij, njërit ndër themeluesit e Kongresit të Manastirit dhe njërit ndër Hartuesit dhe Nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë, nuk ia përmendën as emrin. Kurse emrat e atyre që dekoroheshin, duke lënë jashtë emrin e të Madhit, lexoheshin teatralisht pikërisht nga ata që përfaqësonin Shkodrën, po atë Shkodër që Luigj Gurakuqi e kishte prezantuar me dinjitetin më të madh në historinë e vet…Është po aq ironi tek mendon se skulptori Kristaq Rama është i pari që guxoi të rrëfente se si Ramiz Alia ishte i preokupuar personalisht që emri i Luigj Gurakuqit të mos gdhendej në relievin e Pavarësisë në Vlorë. Është katolik dhe ka patur marrëdhënie të mira me klerin katolik - kujtonte ai fjalët ankuese të Ramiz Alisë…Ata që erdhën më pas u kujdesën që emri i këtij kolosi të atdhetarisë shqiptare të harrohej, të injorohej, të margjinalizohej…

Në fund të fundit, faji është i vetë Luigj Gurakuqit: Shtatlartësia e tij vazhdon t’i tregojë më të vegjël se kurrë xhuxhët e politikës së sotme; një Guliver mes liliputëve të sotëm; një i Madh mes të vegjëlve; ndershmëria e tij proverbiale e bën më të dukshme hajdutëninë bërtitëse të politikanëve e zyrtarëve të sotëm; atdhedashuria e tij e bën më të shfaqur klounllëkun retorik të hipokrizisë patriotike të politikanëve të sotëm; kultura, talenti, gojëtaria, mençuria, burrëria, dinjiteti, karakteri i fortë dhe i papërulur, veti që aq shumë ia çmuan Fan Noli dhe Spiro Vinjau me shokë, janë veti që mungojnë tek politikanët e sotëm. Dhe ajo që mungon dhe nuk arrihet, urrehet.

Prandaj Luigj Gurakuqi, për një kohë të gjatë, fort të gjatë, do mbetet një figurë e papëlqyeshme për politikanët e ditës në vendin tonë. Dhe për ata të qytetit të vet të lindjes…

20 Komente

edhe Luigji, si Noli, paskerka pervjetorin.......smiley

Edhe qe te dy kan shkolle ne tirane. Nolin e kemi ber ne shkolle kurse kte luigjin e kisha harruar fare. Si esht puna ne globalizem, me shume njeh robi mario&luigi sesa kte luigjin tone, sad (:  

Nashi sikur e tepron ky kur e nxjerr Gurakuqin si te percmuar e te harruar nga komunizma.Eshte e vertete se u lane jashte historise e mohuan pa te drejte  shume figura por Gurakuqi nuk ishte nje nga ata.Per hir te se vertetes nuk u vra nga Zogu por nga djali i tezes se tij(te cilin me vone e vrane komunistet per ate qe beri)  per pune femrash.

"Per hir te se vertetes nuk u vra nga Zogu por nga djali i tezes se tij(te cilin me vone e vrane komunistet per ate qe beri)  per pune femrash"

E pasakte, dhe dy here!

Pasaktesia e pare: Ka prova qe fajesojne Zogun dhe Cetin Saracin. Ky i fundit eshte takuar me Baltjon Stambollen perpara vrasjes, ne Itali. Ndersa Zogu i ka paguar avokatet Baltjonit dhe ekzistojne letra te shkruara nga ky i fundit per Zogun, qe ti jape para, pas vrasjes.

Pasaktesia e dyte: Baltjon Stambollen e kane vrare me urdher te Mustafa Krujes, qe ishte mik i Luigj Gurakuqit, perpara se komunistet te vinin ne pushtet.

 

Kjo e dyta ke te drejte por e para eshte vrare nga djali i tezes per pune xhelozie qendron.

Ndonje informacion me shume? Kane shkruar per kete apo keshtu flitet!

Prit se akoma nuk kemi gjet:

Kush e vra karporal Pelegrinin?

Doli prape ne skene ky sharlatani, genjeshtar e mashtrues qe po ben sikur jo dogj shpirti per Luigj Gurakuqin. Edhe ata qe dhane jeten per pronen e perbashket qofte kjo edhe socialiste jane per tu nderuar. Po autori e ka pak problem se jep mend si shumica qe ka dale ne maje ne kete vend po me vepra jane krejt e kunderta.

Gjithsesi standarti i zotit Luigj me zonujsh Nikollen dhe stafin e saj te paafte jane dimensione te ndryshme as nuk mund ti krahasojme.

nëno moj, mbaj zi për vllanë, 
Me tre plumba na i ranë, 
Na e vran' e na e shanë, 
Na i thanë trathëtor.

Se të deshte dhe s'të deshnin, 
Se të qante kur të qeshnin, 
Se të veshte kur të çveshnin, 
Nëno moj, të ra dëshmor.

Nëno moj, vajto, merr malin, 
Larot t'a përmbysnë djalin 
Që me Ismail Qemalin 
Ngriti flamur trimëror.

Nëno moj, m'a qaj në Vlorë 
Ku të dha liri, kurorë, 
Shpirt i bardhë si dëborë; 
Ti s'i dhe as varr për hor.

Nëno moj, ç'është përpjekur 
Gojë-mjalt' e zëmër-hekur, 
Syrgjyn-gjall' e syrgjyn-vdekur, 
Ky Vigan Liberator.

;

Po ci ka bo pusit te sat'ome ai puntori qe dha jeten per mbrojtjen e pusit te naftes, o Rudolf Marku?! 

Gurakuqi Liberator qe perdoret nga ky miu i halese! 

Koha do ta shuaj kete kaste ndryrsirash e serivlesh mij gjirizesh. Viganit vetem sa do ti amplifikohet sakrifica ne shekuj.

e lexon ti kte? smiley

e bera at gabim... ndyrsillik ala MAPO... Cudi me bo admini...

jo, un kom ra rehat. smiley dikur na kan pas kujtu qe nuk duhet detyrimisht me komentu ne cdo teme smiley

tashi kjo ka evolu i cik. nuk duhet me lexu detyrimisht cdo tem e sidomos autor.

Nje njeri i letrave, te shkruaje " duke qare",  pa e rrahur kush,  se vec per keto krahesimet e pavenda me puset e meriton te rrihej dhe ashtu te bindej kushdo ...se e meritonte hurin..  sjell habi  se s'bo vaki ndryshe.

Por kete kollos te kombit, dihet qe e vrau me dallkauku i kombit.Ahmet " bej " kusari! Ashtu sic vrau dhe Avniun.

Vu Ahmeti millonane

Te mirr hakun per ..Esane..

     Keshtu nisen vargjet elegjike per  Avni Libohoven, nje jave si e vrane dorasit e zogollit. 

Vrasja e Rustemit nga Ahmet Zogolli, përveç trumbetimit komunist, më duket se s'ka prova konkrete grava.

Madje, politikisht, vrasja e Esatit për Ahmet Zogun ishte vetëm nder se i hiqte qafe një kundërshtar të rrezikshëm.

Nejse, të gjitha supozime. Shumë vjet manovim historik e bëjnë gati të pamundur gjetjen e të vërtetës.

Kur eshte fole se e vrau Ahmeti, ...nuk ishte formuar as Grupi Komunist i Shkodres..!Kenga eshte e thurur nga populli jo nga ...komunistet ...

Pak analogji.megjithese atentatoret jane ende gjalle dhe deshmojne ndryshe mund te kete e pakta 400-500 mije shqiptare te cilet besojne se A Hajdari u vra me urdher te  Fatos Nanos...

Kusuri besojne qe e ka vra Kundeshtari, njesoj per analogji qe Avniun e ka vra Fan Noli per t'ja hudh fajin Zogut.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).