Aloja erdhi më në fund me një fytyrë si prej të shpëtuari.
- Ç’thotë qyteza Ç? – e pyeti hareshëm Isufi.
- Ç-ëja si Ç-ëja, - tha tjetri duke e hapur fare pak lëvozhgën e bisedës.
- Ia kishit bërë fora atje, dëgjova, hi hi hi…
- Lëre, se më mirë syri se nami.
- Po si qe puna në të vërtetë?
- Lëre më mirë.
- Hë më qafsh. Nuk del gjë nga ne, o jo, mos paça njeri! 
Arifit ishte e pamundur t’i qëndroje.
- Nafija ishte, - tha më në fund Aloja.
- Ç’Nafije? 
- Po një Nafije ka në Ç.
- Ëhë?
- E ja, i pari që e palosi Nafijen ishte Kadriu.
- Ëhë? 
- Po qysh e palosi?
- E gjitha nisi kur Nafija u vonua për të dalë nga shtëpia gjatë një prove alarmi kundërajror.
- Shih, shih.
- Po. I mban mend si nisën alarmet një herë moti? Ishte koha kur u shkëputëm nga Traktati i Varshavës. Binin sirenat natën, duhej dalë në vendstrehim ose në pikën e grumbullimit.
- I mbajmë mend. 
- Mo’ i trego babait arat. Trego ato të tjerat.
- Mo’ e ndërpri!
- Kadriu duhej të mblidhte skuadrën e tij. Shkoi shtëpi më shtëpi duke trokëllitur, o Irfan, o Kudret, o Milazim… o burra dilni, në mos paçi dalë akoma. E fundit i erdhi radha Nafijes. Tak tak tak, troket në derë edhe thërret: Nafije! Erdha, Kadri, i thotë ajo nga brenda. Errësirë pus, asnjë dritë nuk lejohej se mos diktonte aviacioni armik. Kadriu po priste duke e pirë fshehur cigaren, gjithnjë për punë të dritës, e mbulonte me pëllëmbë mos diktohej si ata gjimnazistët pas murit. Një cingar mund të shihet nga pesë kilometra larg në terr…
Aloja tregonte me habinë e mirë që nuk po e ndërpriste më njeri. Ishte një skenë e njohur prove alarmi kundërajror. Rrëfimi shtillej bashkë me tymin e cigares, që në të thatët e ajrit nuk tretej, por varej si një re e mërzitur. Pra ishte hapur papritur një perde, me saktë një batanije leshi ushtrie, me të cilën ishte zënë dritarja kanat me kanat. Një dritë si prej qiriri kishte veguar dobët. Mesa duket kishte njerëz në shtëpi që nuk po dilnin në alarm e nuk po rendnin drejt asnjë vendstrehimi apo pike grumbullimi, por po rrinin brenda: lloji më i keq i dezertorëve. 
Cepi i batanijes u mbyll me ngut dhe nga katrori i dritares rrodhi prapë terr i zi, por për atë grimë kohe feksi figura e Nafijes që po vishej për të dalë përjashta, recipeti i bardhë vetëtiu edhe më i mprehtë se sirena që kuiste vazhdimisht. Kadriu kishte ndezur cigaren pasardhëse duke i kafshuar bishtin. Papritur armiku parashutist u bë një engjëll që shpërndante petale të bardha, në qiell nuk dallohej asgjë, edhe pse sirena po bënte çmos, më të keqen e saj, atë “kuje, o kuje,” që lajmëronte fundin e botës. Ca vrapues të vonuar feksën përbri dhe i kish tretur terri sakaq. Nafija kishte dalë më në fund, një masë e plotë gruaje, së cilës gjoksi i madh ia mbulonte çdo të metë; në fakt ajo nuk ishte tjetër veçse dy gjinj që donin të çanin çdo natë për një pikë-grumbullimi. Do gjoks lufta! Ky mendim kishte vetëtirë nëpër natë me një rrezik diktimi nga ana e armikut. Më fal që u vonova, kishte thënë Nafija duke ecur krah për krah me Kadriun, i cili gjithnjë e më shpesh po përplasej me supin e saj, e si padashur me gjoksin e saj të majtë. Kishte qenë një copë e errët rruge, terrin e së cilës e shtonin me shumë pemët e larta dhe ferrat anësore, të hapura si plagë në të zezë. Bëjmë pak pushim, kishte thënë Kadriu, vonë që vonë jemi, dhe e kishte kapur nga supet duke dihatur kushedi ç’viruse ngjitëse, sepse edhe Nafija kishte dihatur pas tij, - çdo gjë ishte aq e lehtë dhe e vetkuptueshme aty nën atë sirenë me ligje, fundi i botës ishte aq pranë… “Të qihemi një herë, pa bota të përmbyset”, - avionë imagjinar po buisnin keqaz nëpër qiell, mbase jo për sulm, por për të festuar atë çast lumnimi, ata po vinin me shpejtësi kontinentesh, ndërsa Kadriu mezi po arrinte tek qendra e Nafijes, bluzë pas bluze, shtresë pas shtrese, nuk mbaronin kurrë ato cipa tekstili e punëdoresh, kishte diçka qepe në tërë atë zhvoshkje, idenë e misrit fallik fshtjellë nën fletë e kishte flakur me tërbim nga koka, kur në fund kishte ndjerë ashpërsinë e qimeve pubike në mollzat e gishtave kërkimtarë, paska Zot, mirëseardhet avionë belgë a argjentinas, kurora e ferrës bënte një panteon dhe gulçi i seksit të shkurtër dhe të rrufeshëm ishte vërtet militar, një art popullor ushtarak i shkëlqyer, zbatuar me përpikmëri në kushtet e terrenit dhe të manaferrave, dhe nën vajin e sirenave që tani ngjante si klithmë gëzimi dhe shprese për fitore.

- Nc nc nc…, - Isufi nuk e fshihte dot entusiazmin. Pa nga dy të tjerët me një farë krenarie, eee, a e shihni, a më besoni tani?
Fytyra e Arifit po vishtullohej drejt ngazëllimit, ndërsa ai u urgus edhe më tej. Donte të ikte, duke shprehur indinjatën e tij, por Aloja zu të rrëfente përsëri, dhe, ç’ish e drejta, edhe fare-fare i painteresuar për të dëgjuar nuk se ishte… ja, sa për të parë se deri ku mund të ulej njeriu.
- Është vështirë të ruash të fshehtën në Ç, - tha Aloja me zë të thyer. - Një copë vend është, jo si këtu ku asnjë nuk e njeh tjetrin, atje të njohin dhëmbë e dhëmballë, nga origjina e fisit te çfarë hëngre sot për drekë. Doli edhe një këngë shpotie sipas adetit: “Të thirra Nafije, por ti s’m'u përgjigje”. Ai që e thuri këngën bënte be e rrufe se e kish dëgjuar më parë, diku në kryeqytet, por kot e kish, dihej ku e hidhte fjalën. 
Pëshpërima mori dhenë, në fillim shpotitën Zylyfin, të shoqin e Nafijes, që me sa dukej nuk e navaskësh mirë Nafijen. Si gjithnjë, ai nuk dinte asgjë, vazhdonte të shkonte në klubin e lagjes, pa teklif, bënte shaka, qeshte me shakatë e të tjerëve… Mirë thonë: ai që s’di është më i lumturi, ore! 
Pastaj u kujtuan: kur Nafija shkokësh me Kadriun, pse të mos shkojë edhe me ne? Çfarë ka Kadriu më shumë? Një copë teveqel është. Sa më shumë e dëshironin Nafijen, aq më budalla e bënin Kadriun dhe aq më e mundur u dukej që ta shtinin në dorë Nafijen. Dhe kur e beson fort një gjë, e arrin! Besimi tund malet!
Nuk dua të mbroj Nafijen, më kuptoni drejt, ajo punë e alarmit është një gjë që ndodh, po ashtu edhe llafi që hapet, sado të fshehtë ta mbajnë të mpleksurit, se jam i sigurt që edhe Nafija, edhe Kadriu nuk kanë dashur të merrej vesh punë e tyre, dhe e kanë mbyllur gojën, vetëm ata të dy dhe ferra ku u mballosën atë natë e ditën. Po atëherë si u mor vesh? Qysh e shpjegoni? Edhe në pastë qëlluar ndonjë kalimtar që vraponte për në pikën e grumbullimit, si i shqoi në atë vrimë pus ku mund të të fusë tjetri gjishtin në sy?
- Errësira nuk pengon për gjë, o Alo! As për të futur gjishtin në sy, as atë mikun në… hi hi hi…
- I kanë diktuar avionët armiq. 
- Po të mos doni të dëgjoni, më thoni. Vetë pyetët, - tha i fyer Aloja.
- Mos e merr për ters… Shaka bëjmë… Thona, thona…
- Pra nuk dua të mbroj Nafijen, siç u thashë, puna është që burrat e sërës së Kadriut nuk po druanin më t’i afroheshin asaj, t’i hidhinin çik, t’i bënin isharete që ata donin, po të donte edhe ajo, pse jo domethënë, njerëz të Perëndisë jemi të tërë. Dhe këtu ndodh më e çuditshmja: sefte Nafija u dokëndis, ç’më pandehni ju mua, turp të keni, s’jam e atilla unë, e kështu me radhë, por më pas sikur u mësua me dëshirën e burrave, e sikur zu t’i vinte mirë, po të mos e ngacmonte kush, kish një si sëkëlldi të panjohur, shikonte gratë e mëhallës që e linin veten pas dore, me gjinjtë që u vareshin deri në brez, nën ca triko avdalle me ngjyra të mbërdhihura, edhe seç ndjente një si mëshirë për to, në mos përbuzje. Zuri të mbahej më mirë, e kuptonte se çfarë i tërhiqte burrat ishte sidomos gjoksi i saj i bëshëm, që nuk donte të varej përposhtë, sikundër thashë, si të tjerave, dhe bënte kujdes që t’i binte në sy më mirë, me ca blluza e këmisha ngjyrëndezura si ajo punë.

Aloja pushoi pak duke nxjerrë kutinë e duhanit nga xhepi i xhaketës. Tani ai mund të nxirrte gjithçka andej, gjithfarë arturinash e llullash prej fildishi, qostekë e orë të çmuara me kapak, tespije me margaritarë në fije ari, s’do të çudiste njeri, ai ishte një mbret i çastit, ngase rrëfimtar që kish mundur të rrëmbente vëmendjen e tre dëgjuesve, çdonjëri prej të cilëve ishte vënë në vendin e atyre pleqve dëshirorë e mëtues, që rrekeshin ta arrinin Nafijen me sisët e mëdha qumështore. Dhe si çdo mbret, Aloja e dinte se pushteti shijohet vetem duke abuzuar. Teksa po e ndukte me gishtat e trashë shiritin e njomur të kartës së cingarit, e pastaj me një kafshim qeni përgjatë brinjës së letrës së sapombështjellë, që e kafshuar ngjiste më mirë, ai e mbaroi rrëfimin me një frymënxjerrje fundore: 

- Kështuuu… Sa më të ndezura ngjyrat e bluzës së saj, aq më shumë prushoheshin pleqtë e Ç-ësë.
Kumarxhiu i mirë e ndërpret lojën në kulmin e fitimit.
Isufi e shfaqi i pari dokëndisjen. 
- Po, edhe? - tha me pamjen e atij që kërkon drejtësi. - Çfarë ndodhi më tej? Po shtëpia publike? Thona, thona…
- Pastaj dihet si vazhdojnë këto punë. – Aloja shijoi ngadhënjimin e vet duke parë gjetkë.
Askush nuk pyeti “si”. Pritjet e të dyja palëve u ngjeshën si dy gurë bluajtës mullinjsh të vjetër guri. Një pluhur i hollë kureshtjesh të ndenjura ra mbi barin e tharë edhe më ndërkaq të lulishtes. Shtatë shpirtra paskësh patur ai bar në tharjen e vet të pafund. O vdis, o gjelbëro, veç kështu i venitur mes së verdhës dhe ish së gjelbrës, mos na rri! 

- Unë po iki tani, - tha ai me një ton të vendosur, i penduar për kureshtjen e tij kotanake. S’kishte faj: Ç ishte vërtet një qytezë e kurrëfartë në paqe, por sapo e shihje nga këndi i luftrave, të shkuara apo të ardhshme, bëhej metropol, mitër që ngjizte mijëra spartanë, epikë e rrëfyer me shalle të kuq rreth qafës dhe zjarresh partizane nën qiell të hapur nga veteranët prej strralli – ish e tepërt të thuhej se një “kuplara” në Ç ishte diçka që ia vlente ta dëgjoje.
Pa e ditur ai kishte thënë fjalët magjike, të cilat e bënë pluhur sipëraninë e Alo rrëfimtarit që e rrëmbeu sakaq përsëri lahutën për t’i mbajtur tok dëgjuesit me pjesën tjetër të epit, duke e thënë kundërformulën magjike, një antiabrakadabra që do të ngërthente edhe mosdashësin më të vendosur: “Në këtë mesele thuhet që është përzjerë edhe shoku Xhevahir”! Shoku Xhevahir në kuplara do të ulte në atë stol dëgjues edhe më të shurdhëtin e spartanëve pleq. Mos more!
- Thonë, - tha Aloja.
- Vërtet? Po si? Thona, thona.
- Më shumë nuk di, por kështu thuhet.
- Nc nc nc.
- Mos more.
- Thonë, - tha Aloja.

Xhevahiri kishte luftuar me të gjitha armët dhe kundër të gjithë armiqve që kur ishte shpikur baruti të paktën, me martinë, dogra, mauzer, patickë, belxhik, kundër grekeve, serbeve, turqve, austriakëve, italianëve, malazesve, gjermanëve, grekut të dytë, italianit të dytë, jugosllavëve, rusëve, kinezëve, Xhevahiri, po të dilte nga shtëpia, ose do të ngrinte e do të bëhej gur në shtatoren që i mungonte qendrës së Ç, ose do të rrëmbente në dalje e sipër dyfekun e varur në odën e miqve për të pritur dushmanin e radhës dhe krisma e tij e vetme do ta çante ajrin e luftës për të bërë ndonjë këngë tjetër “shtive shtatë e vrave tetë”, por kurrësesi nuk mund të mendohej që Xhevahiri të ngrihej e të dilte për të vajtur tek kuplaraja e fshehtë. 
- Dëgjova që thuhet, - tha Aloja.
- Mos more!
Xhevahiri s'ish përfytyruar ndonjëherë duke qirë, por vetëm në pozicione pritash, me syrin në shqekëz, duke thirrur “këtu nuk kaloni”, - ishte e vështirë ta shkulje nga ata shkëmbinj e llogore e ta shpije në një shtrat bordelloje, t’ia zbusje ato mollza guri dhe gishtin e këmbëzës t’ia bëje që të kërkonte tjetër gjë veç këmbëzës, mes ca shalëve të liga, të mbushura plot faj. 
- Hë më i lumtë, - tha Arifi me një qeshje që nuk dihej ku fillonte e ku mbaronte. – Burrë, jo llafe!
- E pamundur, - belbëzoi ai. Por mosbesimi i tij ishte si një frymë e dobët që nuk shuante dot asnjë qiri, e jo më kopaçen gjithë prush që Aloja kishte hedhur së fundi. 
- E pamundur, - belbëzoi prapë ai. – Armiqësore!
- Mirë, o mirë, armiqësore, po Xhevoja i qëroi hesapin asaj, ti akoma te armiqësorja…, - tha Aloja i padurueshëm.
- Mendje si e jotja s’plaken kurrë, - tha ai hidhtazi. Donte të ikte, mirëpo tani ikja mund të merrej si humbje: e gjitha kjo po kishte një urgusje patatesh jeshile.

Tjetri nuk u përgjigj, ndërsa në fytyrën e tij lëngëzonte një gazmim i lig. Kishte disa kohë që atë e vriste ai lëng gëzimi. Ajo vetësiguri e thartë që i rrëshqiste çdo diskutimi. Ishte ndryshe në debatet e pafund tek tryeza e kafes në lokalin e ushtarakëve dhe ish-ushtarakëve, ku datat e aksioneve kundër pushtuesve fashiste shtyheshin si një tufë delesh gjithnjë e më pranë 8 nëntorit të vitit 1941, datës së themelimit të Partisë Komuniste, organizatorët dhe pjesëmarrësit në to qenë të gjithë me ide të qarta gjeopolitike qysh në atë fillim dhe ishin njerëz të nderuar sot, pesëmbëdhjetëvjeçarë të atëhershëm ngrinin në këmbë krahina të tëra me fjalimet apo hartimet e tyre entuziaste - e pra të gjitha këto thuheshin me zjarrin e atij që pret në mos kundërshtim, të paktën dyshim të butë nga dëgjuesi në llogoren tjetër, tek e fundit kishte një lloj respekti, sado të mehur, për grindjen dhe oponentin, dhe kur gënjeshtra të respekton, ajo merr diçka nga fisnikëria e së vërtetës, ndërsa ngërdheshje si të Alos ishin një kancer pa shërim, Aloja thoshte ç’i desh qejfi e stomaku atij, duke u zgërdhirë, dhe nuk pranonte debat për ç’këpuste, as dëshmi, prova, logjikë… Për të ishte e sigurt që Xhevahiri qinte Nafijen në një apartament të vogël, një çerdhe e ngrohtë sevdash e gili-vilesh që pakkush e dinte, kundrejt një pagese të paracaktuar, dhe ky ish fillimi e fundi i gjithçkaje, përpjekja për ta vënë në dyshim proçkën e heroit tallej me një të qeshur: “Hë hë hë, vërtet je kaq naiv, mo?”, ose më keq akoma, “Mirë, o mirë, për ty s’ndodh kurrë, asgjë, asnjëherë, i lumi ti”! 

Kulmi arriti kur poftisën detaje të pështira, se si arrinte ta ngrinte atë mikun Xhevahiri, duke përdorur ujë të ngrohtë e të tjera fëlligështira që më mirë të mos i dëgjonte kurrë. Ai Xhevahir që kur e kapte dyfekun shtangte edhe malin e Tomorit! Ose, kur përmendën çmimin e një “seance” (o tmerr, flisnin për atë punë sikur të ish ndonjë plenum!), dyqind e pesëdhjetë lekë të vjetra, a thua kishin qenë atje kur Xhevahiri linte paratë në komodinën afër shtratit të kobit, teksa dilte i kënaqur dhe i drobitur njëkohësisht, ai që s’e kishte lodhur dimri e gjermani nazist, e lodhte ajo ruspija… I tmerruar e kapte veten duke përfytyruar skenën, pra duke e marrë atë si të vërtetë, duke ndihmuar edhe ai që ajo lloj e vërtete të ngjizej në magjet e palodhura të përfytyrimit, dhe i përmendur nga nomatisja, dilte që aty me mundin e një mize të kapur në rrjetën e merimangave të hollësive, fijëza të vogla prodhuar nga sytë e lagët të Alos dhe Isufit, të cilët edhe kur ai çlirohej pak, nuk e linin të shpëtonte me fijëzën tjetër të hazërtë të detajit, dyqind e pesëdhjetë lekë hera, kupton, domethënë që i gjithë njëmijëlekëshi i shpërblimit mujor të veteranit shkonte sa për katër herë me Nafijen, që i bie një herë në javë, birinxhi, birinxhi, por pyetja shtrohet: a e bënte dot një herë në javë Xhevahiri? Hi hi hi, sa herë e bën me gruan tënde ti, më qafsh, ha ha ha, kot prishesh në fytyrë, s’ta thashë me të keq, nuk dua ta di, or jo, por sa për një krahasim ashtu… Merimanga arrinte e pamëshirshme me panxhën e saj mbi kurrizin e tij ikës dhe hushta e saj ngulej prapë, që t’ia thithte dhe atë pak limfë që i kish mbetur… Ia vlen të rrezikosh, mos u vrano, dëgjomë, a nuk thoshim që po luftojmë për ditë më të mira, e ku ka më mirë se kaq, me shpërblimin e asaj lufte mund të shkosh katër herë tek "zogu i zi", të dëftesh se mbahesh akoma, se do palcë burri ajo punë, të gjithë mund të parakalojnë në paradën jubilare para tribunës së udhëheqjes, prova e vërtetë është atje, mes shalëve të Nafijes! Rrjeta e përfytyruar e merimangës tundej lehtë nga një erë akshami: skeleti i tij do të thahej i pavlerë në ditët që do të vinin, midis venitjes së jeshilit dhe së verdhës së tharë, si bari me shtatë shpirtra i lulishtes. I kishte parë ato karkasa të zbrazëta insektesh, të cilat ishin krijuar për të treguar zbrazëtinë e njëmendtë të vdekjes. Skeletet më të vërtetë në botë.

Kur arriti më në fund të shkëputej prej tyre, vuri re se ora e kish kaluar njëshin e pasdites. U tërhoq hosh deri tek stacioni, të cilit nuk kujtohej kush t’i vinte një strehë. Njerëzit, të rrëgjuar nga vapa si hijet e tyre mbi asfaltin e zhveshur, kishin mbërritur aty me një durim të sosur. Një siklet hapej si sqetull djerse. Dikush tha “s’po vjen që i ardhtë koka” për autobuzin, dhe ai arriti të nënqeshte hidhët. Me siguri mallkuesi nuk e dinte që mallkimi i tij vinte nga kohë të vjetra, nga zakoni i sjelljes së kokës së armikut në sini argjendi. Përballë, monumenti i partizanit fitimtar me kushtrim në gojë, grushtin lart dhe me armën në dorën tjetër dukej si i sapovënë – edhe pse piedestali ishte masiv dhe i rëndë. Ka ca gurë që nuk e gjejnë kurrë vendin e vet, mendoi ai. Midis tij dhe monumentit gërryhej guva e nëndheshme e nevojtores publike, ku ai nuk guxonte të hynte për shkak të erës mbytëse. Një pastrues i përjetshëm i saj me kovë në dorë nuk arrinte ta pastronte kurrë atë, sado që e shpëlante vazhdimisht. Ai dilte nga guva - Herkul i dëshpëruar - dhe ndizte cigaren e radhës për të marrë veten, ndërsa kalimtarë të panumërt, duke marrë frymë thellë si para ndonjë zhytjeje në zemër të detit, nxitonin të theqafeshin atje brenda, duke u lutur që të kish një urinore të lirë, përndryshe do ish e pamundur ta mbanin frymën më gjatë se një urinim pa pritje, e pamundur të mbanin fillin e ajrit nga bota e sipërme që e lidhinin në hyrje për të dalë prapë nga ai labirinth kur të mbaronin… Ai ndjeu djegien e lehtë të fshikëzës së urinës - kishte ndenjur vërtet gjatë duke dëgjuar dërdëllitjet e pafund të atyre pleqve kopukë. Njerëzit vazhdonin të hynin në nevojtore heroikisht, duke lidhur frymëmarrjet e tyre në të hyrë të humbellës, dukej vërtet sikur do të vrisnin ndonjë bishë atje poshtë, ndërsa karshi monumenti heroik vraponte papra për diku, pa u kthyer asnjëherë tek nevojtorja. Njerëzit në nevojë vazhdonin edhe ata me trimëri për tek guva nën tokë, ishte si një garë heroizmi… e popullit tonë në shekuj… Ai mundohej të mbante mend hyrësit e nevojtores që t’i shikonte prapë tek dilnin, kjo ish një mënyrë e mirë për ta kaluar më lehtë pritjen e atij autobuzi të pamundur, por gjithnjë i harronte, pasi tipin e fundit që mundohej ta ngulte në tru e zëvendësonte tjetri që futej, heroikisht edhe ai, duke hedhur kushedi ç’gunë mbi ato shkallë xhehnemi, kështu që ata që dilnin mbesnin po aq të panjohur sa ata që hynin, me ndryshimin e vetëm se çdo kush që dilte, veç fitores mbi bishën e murrme atje poshtë, kishte edhe një të zbehtë meiti në fytyrë, me siguri prej mbajtjes së frymës. Shtati i pastruesit të nevojtores publike, për të cilin thuhej se ishte edhe poeti i qytetit, shfaqej herë pas here me dëshpërimin e pamundësisë; kova e tij e madhe shpëlarëse dukej edhe më e dëshpëruar në zbrazëtinë e vet.
Ç’ditë e rënduar, mendoi. Aloja i kishte vazhduar molloisjet dokëndisëse edhe më tej, pa mëshirë, një makinë e vërtetë rrëfyese qenkësh ai njeri. Pasi kishte zotëruar debatin me shembullin e kryeveteranit M, i cili ishte edhe më legjendar se Xhevoja dhe kishte bërë proçkën tjetër, të marrjes së një gruaje të dytë, gjë që ishte toleruar nga “i madhi fare”, nga “udhëheqësi dhe arkitekti”, Aloja kishte vazhduar me një sipërani të padiskutueshme me një tjetër veteran të kurrfartë të Ç-ësë, asaj qyteze provinciale që dukej sikur prodhonte vetëm pleq qejfllinj. Ai ishte munduar më kot ta kundërshtonte për legjendarin M, fakti ishte fakt, zakoni i marrjes së disa grave mendohej se ishte zhbërë qysh me ndalimin e fesë, mirëpo s’ish e thënë, legjendari M e kishte marrë nusen e re në shtëpi të vet pa çak, pa bam, pastaj kishte shkuar tek Udhëheqësi, duke i thënë “Baba ka bërë një gabim, o Komandant”. Dhe ia kish treguar punën si e qysh. S’ka gjë, kishte thënë Udhëheqësi, e dija, ta gëzosh. Kjo sipas Alos, gjithnjë, që bënte sikur kishte qenë atje, për të gjitha. Nuk kish ditur çfarë t’i thoshte. Gruaja e dytë e legjendarit M nusëronte pa fund në një cep të dhomës së miqve, ta gëzosh nusen e re, me hajër, me hajër. Të rrojë Partia! Që aty Aloja ishte hedhur tek dy standartet, a flasim për barazi, kishte thënë, pse legjendari M u dashkësh të trajtohet veçanërisht? “Pse u dashka që loqja e M të jetë e favorizuar?” – kjo ishte fjalë për fjalë fraza e tij gërryese. Dhe që aty ishte hedhur tek rasti i veteranit të kurrfartë të Ç, të cilin nuk e njihte kush, e për këtë arsye nuk e qasnin as në shtëpizën publike. 

- Ah, pse nuk qenkesh me të paguar ajo shtëpizë? Nuk qenkësh “I paguhet prurësit me të parë”? Hi hi hi. 
- Jo, jo, nuk ish e tillë, aty shkonte majë e gjësë së qytezës Ç, duhej të ishe dikushi që të qaseshe atje, të kishe gjëra në dorë, si i thonë tani: të kishe “status”, kupton, ja për shembull, të gjithë fëmijëve të Nafijes iu dhanë bursa studimi në degë goxha të mira. 
- Shiko, shiko. 
- Po, more byrazer, gopi ka shembur mbretërira, jo të mos nxjerrë një bursë. Eeehhh… Po si qe puna e atij veteranit të panjohur që po thoshe? 
- Eh, po, pasi u refuzua nga Nafija, atij iu bë xhongël ajo punë. E ndiqte me sy Xhevon e “kompaninë bella” që shkonin tek foleza, zakonisht paraditeve, me kohë mori vesh të gjitha shenjat, perden e anuar pak që do të thosh “tani jam e lirë”, si duhej trokitur, hapjen me kujdes të derës, mbylljen e të gjitha perdeve, dhe ndërsa ata bënin qejf atje brenda, ai qyqi rrinte dhe i shikonte nën bezdinë e mizave. Kur “myshterinjtë” dilnin pas ca, të nginjur e të navasur, duke mos dashur tjetër gjë nga jeta, veç lërmë o Zot të rronj, atij i dukej vetja aq pa vlerë, sa donte t’i hapej ndonjë gropë e ta përpinte e të mbaronte ajo histori më mirë. Me kohë e kuptoi gjithë tertipin e kuplarasë, iu bë si zakon ajo punë, rrinte në një ledh betoni nga ku dukej mirë shkalla e Nafijes, dhe priste mu si ai gjuetari që pret kunadhen të vejë tek burimi. Priste me durim. Derisa bumbashiri i radhës vinte, këta njiheshin menjëherë, që nga mënyra se si ecnin, u bë usta i pikasjes së tyre edhe kur ishin nja njëqind metra larg hyrjes, rrallë gabonte. Pikasi që aty vinin edhe nga rrethe të tjera, madje që nga Tirana, të gjithë të shtyrë në moshë, të gjithë "peco groso".
- Shiko, shiko.
- I do, more, shpirti, të gjitha. Mor edhe helmin e do! 
- Ëhë, ëhë…
- Kështu praaa… Kur “rroçkadëni” i radhës hynte në apartamenin e qejfit, ditëziu që përgjonte nga larg kalonte në jerm. Përfytyronte se ç’po ngjiste pas atyre mureve me tulla të kuqe dhe penxhereve të zëna me perde, dhe këndellej si kurrë më parë. Një lloj i ri englendisjeje ky. Do të donte që muret të ishin prej xhami, që të shihte ç’behej vërtet pas tyre, mirëpo edhe vetë e dinte se mbase ashtu, me tulla të kuqe e perde të zëna ishte më mirë, mendja e tij mund të lozte si të donte, dhe më mirë se mendja e tij, ata atje brenda zor se loznin. Kështu vazhdoi shumë kohë, atij iu bë huq ajo punë, në ditët kur askush nuk vinte, i dukej sikur i kishin bërë ndonjë të padrejtë, ikte si i vrarë në shtëpi dhe zymtohej me gotën e rakisë përpara. Nuk i flitej me gojë për ca orë. 
- Shiko, shiko.
- Helbete, ditë e shkuar kot.
- Thashë, punë shpirti këto. Mbase i dukej sikur ia kishin për borxh, korbit, atë lloj kinemaje ashtu, atë ëndërr me ditë, si të thuash. Njerëzit e kishin parë tek përhumbej gjithnjë tek ai ledhi i betonit me skeletin e hekurave që ngjante si ndonjë kufomë kafshe në shtuf, dhe filluan të besonin që ai nuk ishte aq mirë nga kallaballëku, djemuria talleshin tek e shihnin në atë zjarmi të pakuptueshme, ca madje thoshin se ai shihte shpirtra, të cilët i fanepseshin gjithnjë tek ai ledh betoni i rrënuar, shkuan deri atje sa e krahasuan me një Hamlet, a Alem, djemuri hesapi, merr vesh, lexojnë dhe sebep duan për të savitur. Kur e ngacmonin, ai përmendej e u kanosej: “Hajt qërohuni!”
- E kështu, kjo punë mbase do të kish vazhduar si një shaka pa zarar, sikur një ditë të bukur ky karafil të mos e kishte ujdisur me një pastruese rrugësh të qytezës. Nuk u mor dot vesh se si e qysh e ujdisi, por i panë kur shkuan nga shkurret mbi qytezë, e djemuria që mezi presin, njoftuan shoshoqnë, edhe vanë t’i përgjonin. E zuri haka e përgjimeve të tij. I ndoqën pa u ndjerë, pritën sa ata të dy po bëheshin gati për atë punë, dhe zunë t’i qëllonin me gurë, sa për t’i trembur, për t’ua zënë në grykë, si thotë kënga, nuk të rashë për të vrarë, të rashë për të parë…
- Hi hi hi… 
- Jalla, o Alo…
- Eeeee… Po aty nisi një betejë e vërtetë me gurë e popla, mllefi të bën ezhdërha, ore, papo iu kthye djemurisë ai duke mbajtur poturet me një dorë, poplat në tjatrën, me gurë edhe ai, krisëm, djemuria u zmbraps, ai u kthye prapë tek pastruesja, djemuria e ndoqën prapë me gurë, e ai prapë me poturet në dorë, me tërsëllëmë, skuqur e ndërkryer si ajo punë, duke iu marrë goja, donte t’u thosh si zakonisht “Hajt, qërohuni”, por i doli një “Aj’ qou”, "Aqou" me shkumë, teksa vërviste gurët si bomba sulmi. Por sulmi nuk mund të vazhdonte gjatë, pasi tek shkurrja e priste pastruesja.
- Hi hi hi. Jalla, o Alo, që mbetsh pa të, mbetsh, dëgjove, dëgjova thuaj.
- I do o, shpyrti, thamë. Të nesërmen djemuria që e kishte xhugarë, zunë t’i thërrisnin njëri-tjetrit: “Aqo”! Ishte si një e fshehtë midis tyre, kupton, mirëpo kjo filloi t’u pëlqente edhe të tjereve që nuk dinin gjë hiç se qysh e pse. U hap loja. Dhe ashtu pa ditur gjë, vetem me berihaj, brenda javës të gjithë meshkujt e qytetit nuk i thërrisnin shokut në emër, por “Aqo”. Duket kumbon më mirë se sa të thërrasësh “o Alo”, ta zëmë, ose “o Isuf”. “Aqo” mbush më mirë, jehon më thellë, apo jo?
- Ëhë, ëhë.
- Po mirë, s’na the, a mbaroi punë ai ditëzi me pastruesen?
- Kjo është e panjohura më e madhe e qytetit, që nuk do zgjidhet kurrë, - kishte përfunduar kinse dramatik Aloja, pa e fshehur dot atë qeshjen e parruar nofullore që ngjante sikur përtypte shumëkëmbësha shiu.

 

64 Komente

Gruaja e dytë e legjendarit M nusëronte pa fund në një cep të dhomës së miqve, ta gëzosh nusen e re, me hajër, me hajër. Të rrojë Partia! Që aty Aloja ishte hedhur tek dy standartet, a flasim për barazi, kishte thënë, pse legjendari M u dashkësh të trajtohet veçanërisht? “Pse u dashka që loqja e M të jetë e favorizuar?” –

Ja kto privilegje te udheheqjes e moren ne qafe ate sistem smiley

 teksa vërviste gurët si bomba sulmi.

Ezdërha Ezdërha ..tha Hoxh Efenia . Kështu i ka gjet dhe këta mitingashët e PD-hit , me poture në dorë e Vuuuu me gurë smiley

Dilemat qënkan të thella që nga koha e Aqove  E bëri apo nuk e bëri ! Do fitojmë apo jo ..dhe vuuuu gurët smiley

Ec aty ...

 

Pytje: ca dmth vojerist? Se perdite po shpiken fjale te reja. 

Vojerist, nuk eshte fjale e re e as e shpikur.

 

Si i thone shqip tike? Se se filloj dot leximin pa ditur titullin. Na fal per njorancen. 

AtaqegjemojnetekaçifteteKishashenLlagopit.

 

Me kujtohet si ndonja 20 vjet me pare kolegu i zyres po perkthente nje liber psikologjik.Si t'i quaj ata qe gjemojne ciftet nga Liqeni,tha.Te me kishte pyetur tani mund t'i kisha sugjeruar kete variantin tend,me gjithe pasaktesine qe mbart.Ata gjemonin vetem ciftet,se per teke ishin vete.Keshtu qe marr guximin te bej ndonje modifikim:TeketqegjemoninciftetteGjiriiKurvave.Tani te mos hedhe njeri gurin mbi ta,se do ta hidhte mbi veten.Ne mos kemi pare cifte te Liqeni,i kemi pare ne filma porno.

nuk di llaf shqip per keta qe shofin se si te tjeret bejne seks nga ferra ose nga vrima e celesit, ndaj eshte ashtu. nga halli dmth. smiley

pishtar mbajtes, pishtarist?

sehir dafllak  smiley

Kureshtar maniak, do thoja.

Pervert me mire!!!

Omg Tiku!! smiley

Lere se e mora vesh. Pergjues seksual. Emigranti, ajo fjala 'qirë' sikur nuk shkon aty. Do qe më mire seks, akt seksual, akt dashurie, ja mbështolli, i depërtoi etj se qirje eshte shume sade. Mendimi im. 

Eshte sade, por ti akoma nuk ke lexuar markez de Sade.

 

Ajo eshte gjuha e personazhit  katundar i cili bukes  i thote buke

On remarquera que dans un très grand nombre de langues le mot français « Voyeur » a été adopté pour désigner cette pratique. On a ainsi en anglais Voyeurism, en allemand Voyeurismus, en bulgare Воайорство, en bosniaque Voajerizam, en catalan Voyeurisme, en croate Voajerizam, en danois Voyeurisme, en espagnol Voyeurismo, en finnois Voyeurismi, en indonésien Voyeurism, en islandais voyeurismi, en lituanien Vojerizmas, en néerlandais Voyeurisme, en polonais voyeuryzm, en portugais Voyeurismo, en russe Вуайеризм, en serbe Воајеризам, en slovaque Voyeurizmus, en suédois Voyeurism et en tchèque Voyeurismus.

smiley

U fut edhe ne shqip, u fut.smiley

 

Ke te drejte.Ja per shembull,rrefimtari i qyteteruar "politikisht korrekt" i thote seks te q... dhe qime pubike qimeve te pi... Nejse,si kane qene femrat atehere,natyrore,bio,gjithe qime,jo si sot te shpelara nga rruajtjet e depilimet.Tani me shume blejne brisqe rroje femrat se meshkujt.

vezhgues (dhe kundrues)  intimitetesh..

per  vojeristet ka lindur edhe ajo shprehja e urte popullore:  çi sheh syri, ja ben dora!.smiley

O Ziko! smiley

Kemi dhe pak kohë të kuptojmë Vojerizmin , se na pengon të zgjidhim Dilemën e Aqo-ve . Pastaj do ryjmë më thellë ! Mo na u mërzit me kritikën sipërfaqësore . Alua aq e ka smiley , jo për "veglën" !

Prti prit se nuk të kanë hedhë ...Bombat e Sulmit smiley

Me që ra arsti me këtë Alon më vdes ..se ashtu është një Punë e vjetër smiley

Shqiperoje titullin: Pergjuesit e p>>ilafit smiley

Bato plaku me dy zemra..... nje per vete e nje per femra.....

Tiku qeka i papermbajtshem ktu...xhind, xhind qeka bo! 

Mesiguri duhet te jete subjekti i shkrimit qe ja ndez imagjinaten! 

gjithmone nga cels-brim-veshtrimi i nje syri kritik...

Është sistemi nuhatës hundoro-fundor i nxitur . Shif rrëfenjën . Ka drejtim tjetër nga pamorja .  Edhe z. Heretik në fillim ishte në rrugë të mbarë si Vojerist , pak të përzier po e pranueshme .  Alua e ka hundoro - perparor..

Saliu e kishte ullishtoro shegor dhe motello-bordellror ! Nuk mund të pengohet nuhatja , por të zhvillohet ajo . Pranej pëjeti i famshmi Driteo

Si të shojmë Nuhatjen ? Nëpërmjet ritjes së sasisë Hundëve ao ritjes së cilësisë Nuhatjes

Dilmë e re e Aqove smiley

vojeristi me i famshem ne Vlore: Muçua i Tanës.

Në fakt ka një shqetësim nga shtëpia e Librit smiley që shpeh vjen "automtikisht " , lidhur me leximin . Bile - Bile përkthyesi i nderuar Hu përdori si InteliDjencë raportin Lëçitës apo Shkrues ku u përfshinë një Vandak Komentuesish me Debat për xhvillim .

Paske qenë fanua Emigrant smiley Edhe me Poture në dorë edhe Vuuuu me gurë , arrive që dilemën e  AQO-ve ta  shtrishë në shumë fusha . Sos në nuhatje a , Vëzhgime a , Çpengim fjalësh a , "vegla"  të ndryshme a .....po ja së fundi dhe në Qështjet e leximit

Të lexosh apo mos të lexosh ..Kjo është çështja smiley

Je suis dans une cabine téléphonique, après la fin du monde. Je peux passer autant de coups de téléphone que je veux, il n'y a aucune limite. On ignore si d'autres personnes ont survécu, ou si mes appels ne sont que le monologue d'un désaxé.

                                                                                                                          Houellebecq

 

Me pelqeu , veç ate fjalen sade qe e permendi edhe nje komentator, duhej ta bente me pika, q.... smiley

Lee.., pse i bini me qafe.., autori shtjellon mire si u qikërka ne Verzhezhen e Poshtme..., me perloti te belçiku.., po ç'them?.. jo vetem mua, por dhe Pelen e Hekurt (Gjyzel me çika), Fiçorin dhe Shefin e Armatimit Hazdenarin Nevzat.

ejjj...o rono, alo alo kape içik smiley

me qafe? smiley

ene ti po rrike skic si verleni?

lexues i ndershem, emo...po ti beje icik si native americans...rrinin gjys dite pa ti kthenin purrgjigje shoshoqit...

Po c'lexues i ndershem o ballçekan? Ti ne vent te komentosh per tregimin, te thuash si vjen ne leximin tend si lexues i ndershem, e banalizon dhe thua: ja si q...ne Verzhezhde!! Kjo alergjia puriste per gjuhen e shkrimit (q..) ngjan pak si mendesi puniste ne socrealizem.Ja , supozojme se perdorimi disahere i fjales qiu, jo vetem ne zhargonin e personazhit por edhe nga vete narratori/autori mund te evitohet, kaq eshte problemi?

lexues i ndershem ne kuptimin e vleres letrare, i nderuar, jo te qirjes...per ate s'jemi kondra!

Mu kujtu kur botoi librin Helena Kadare. me duket qe nja 1000 flete. Ne 4 flete tregote per kurvlliqet e Ismailit. Tu sulen katunaret yyyyyyyyy paska qi Ismaili. Banaliteti eshte karakteristike e provinces. Vetem banaliteti ja ngacmon imagjinaten provincialit. 

po normal...aty ja fillun Kadarese  katnaret e i kendojshin at kongen: Do ta hedhim apo jo? Po! Po! Po!

smiley ejjj o emo m'qafsh mu.. Sa eshte kilja e Bostanit aty ne Verrdzhezhe?

nuk besoj se kemi ate lloj afersie per "me qafsh mu".

me tastjeren tende ben c'te duash, xhanem, mund ta perdoresh edhe si toaster. demokraci mo.

sidoqoft, flm qe harxhove pak nga koha jote tek kjo teme.

hajt me te mira!

po, pershendetje!

Pas nje studimi te hollsishem te kritikave dola ne perfundimin se kritika e z. Pjerin Thomai ish me e goditura.

Heretiku si gjithmone a rebel without a cause! 

 

Ore paska ardhë prap me çarçaf mbi vete smiley Do ketë qenë në Berat se atje thonë

"Ha bukë e foli Kalit "

I nderuar HereTik etj , nuk është keq ta mbash me vete nr eTelfonit të Urgjecës për çdo të papritur . Çfarë nuk i ndodh robit !

Nuk hoqe dorë o Gjëmb nga simpathisja e anonimit që vinte me kakë të lyer me vija të mos ta njohëm na .Të rënçin qimet e fshesës ishalla ! Po hiq dorë nga këto dy standartet se le nam le .Vetëm debilët e zgjuar i lë në ballë si gjithmonë smiley

Xhibi kishte filluar korigjohej nga vojerizmi smiley

Xhevahiri dikur "me paticke" e tashme me mesele "kuparash" (ose historia qe perseritet si farse) rrezikon t'i pelqeje deri edhe Albes smiley. Pjesa e banjes publike dhe e pastruesit te saj m'u dha vertet e trishtuar.

Me shum se vojeristet nga kjo pjes è noveles me ngeli n'menje aloja thashethemexhiu, dhe lidhja me shurrtoren è dikurshme ke partizani i panjohur.

Duket si e futur arbitrarisht Haleja Publike (poshte) me Partiazanin e Panjohur (lart)  por ne fakt aty kulmon  ridikulizimi autorit jo vetem me pleqte veterane dhe vojeriste por edhe me Historine ku bemat e medha te luftrave (heroizmi popullit tone ne shekuj)  kontrastojne me heroizmin e zbritjes ne halene nentokesore .Guva ,ne muret e te ciles shkruheshin gjithfare pislleqesh dhe deshirash erotike (kush ka shurruar aty dikur, e kujton)   funksionon, besoj, ne kontekstin e noveles,  si njelloj subkoshience kolektive e instikteve te shtypura te cilat grryenin nga poshte themelet e historise butaforike (Partizani Panjohur lart , historia e mitizuar ne kontrast me veteranet mitomane).

Nafija eshte e cthurura  , AntiPenelopa  rreth se ciles thuret pelhura e thashethemeve dhe perfytyrimeve erotike nga   Alo mitomani . Eshte nje pjese novele dhe, megjithate, Heroika dhe Erotika e veteraneve  qefellinj percillet me nota groteske. Madje autori nderhyn, e nderpret  protagonistin (Alua) , perfytyrimet e tij i letrarizon dhe  perforcon tonet/qendrimin e tij ridikulizues . Nese do i referohemi realitetit, ngjarje te tilla si rasti Nafijes, sidomos ne zonat rurale, shpesh perfundonin ne menyre dramatike. Edhe nqs kishte dicka te vertete, pra nje afere pasioni, miza behej buall, thashethemi kthehej ne makine vrastare. Autori-gjykuar nga pjesa e postuar ketu-e shperfill ekuilibrin  midis komikes dhe dramatikes dhe me shume anon nga  qasja groteske.

Spiritus, fundin kjo e ka shume te hidhet - qe te mos perdor ndonje llaf te madh si "tragjik".

T presim , jam kurioz.
 

Shoh që qeka dorëzuar heretiku. Prisja me shume nga ty tike. Je katandisur ne bashkues fjalesh. 

kjo eshte kenga me intemporale qe ka bere ndonjehere muzika lexhera italiana ! Do e vendosja ne nje top5 italiapersempre !

Wow, that's reaching bro, don't you think? Edhe Matia vete do kishte ngrys vetllat me mosbesim. No disrespect, po muzika italione deserves better than that. Matia Bazar ne top 5 !!! .... Po qetri bo qef me qefn e vet, I give you that.

KET MOS MA PREK ! Ja psh, e thu dot kur eshte shkrujt ajo kenge, nese e degjon ketu ?? (dhe mos kopjo smiley )

Sa per kopje i thone i llaf knej : If you're not cheating you're not trying. Po ta thash i here ajo pune osht me gusto. Po ne vend te dyte ke ajo pescja mos osht kjo ? 

https://www.youtube.com/watch?v=BM331pd0...smiley

pjo  smiley

(ps: Battiato-n e kujtojme per 'te tjera kenge')

ps2: meqe rà fjala, debolesa ime per at' periudhe shkon per ... Drupin !

Stalker, per filma s'ta ha qeni shkopin, po nga muzika italiane s'ia thoke fare. smiley

Nigjoje pak kete shoqen

ose edhe kete tjetren po deshe

Pa hy ke rradha e burrave.

Një përshëndetje relaxuese ja vlen Emigrant.Po vetëm këngë nuk është kjo . Një gërshetim melodi-muzikë kabaresh me romanca nuk mund të japë KËNGË !

Një kolonë zanore për ndonjë film melodarmatik , ku dikush qan i penduar për të dashurën që e la në mëshirë të ALOS dhe nuk arriti të vlerësojë Talentin e saj nëpër kabare !

Për këtu jam dhe nuk ha debat !

emo, ke guxuar te prekesh nje  tabu, te papershfire  ne letrat e shqipes.Dhe kjo per mua eshte nje risi, per kete gjini.Problemi eshte qe ky proces njerezor te mund te rrjedhi ne menyre te atille qe gjithkush te perjetoje castin tek personazhi.

Edhe pse neve e kemi  disi te manget fjalorin e proceseve te qejfit, sepse  llafin e dyte ne ate qe e quajne rendom "dashuri" dhe dora shkon tek ushkuri,  do te thote se ne pergjithesi kultura seksuale eshte e gjitha nje mangesi, gje   qe ka sjelle mentalitetin e pergjithshem rreth ketij problemi jo te vogel, te emrtuar ne zhargonin popullor..;"gjera turpi"! Mirepo nga nje statistike e vjeter e nxjerre prej meje, ne te dhenat e  "Bibliotekes Kombetare" , libri me i lexuar  ka qene Dekameroni, i Xh.B.

Intriga  eshte shume terheqese sepse ti perdor zhargonin popullor   ku gjuha  ka larmine dhe tringellimen si te zileve qe kumbojne behareve Rreze Tomorrit.Ne ato avaze edhe zogjte edhe peshqit e Osumit,  naten nden hene ..bejne dashuri!Dihet qe  kur dikush ben sex, ka plot kurioze qe nuk mbeten dot indiferente.Ka plot dhe nga ata, qe si i thone çobanet skrapallinje laber ; " kur dhia ben ate pune, ..cjapit i kruhet e pasmja".Mene mene kjo dynja .Por dije se ke gdhendur nje personazh real i cili  u kap aty nga vitet 1985, ke Liqeni se pergjonte ciftet poshte stolave.E rastisi ne nje hunde me lesh, qe e beri çeço per spitale.Sot i biri ne menyre te habitshme, ka per" limer " "..Zonen e Lire "!

   Nuk e di ne mundemi ti zevendesojme, disa prej barbarizmmave, te  turqishtes me tonat, sepse çoç do kemi dhe na....

Te inkurajoj  ne tema te kesaj natyre, dmth te problemeve te qejfit... e te "turpeve"!

 

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).