Analiza e një psikanalisti për suksesin e ISIS-it dhe organizatave të tjera ekstremiste.

Nga Luciano Casolari
Mjek psikoanalist

Vitin e fundit, i ashtuquajturi Shtet Islamik ka qenë pa diskutim, në vëmendje të mediave. Edhe pse bëhet fjalë për një numër të kufizuar luftëtarësh, ku sipas vlerësimeve në media flitet për afro 50 mijë, ISIS-i ka arritur që të imponohet në rrafshin mediatik duke përhapur terror tek kundërshtarët e tij, dhe tërhequr përkrahës të rinj.

Kohët e fundit, historia e 3 vajzave të reja, që u nisën nga Perëndimi, për të shkuar në atë zonë lufte, ka shkaktuar ndjesi të ndryshme. Sidomos për ne, është e vështirë të kuptojmë, sesi një vajzë e emancipuar, sipas modelit perëndimor, dëshiron të udhëtojë në një zonë lufte, ku gratë vuajnë pasojat e pushtetit mashkullor.

Pikë së pari, duhen analizuar marrëdhëniet midis individualizmit, dhe ndjesisë së përkatësisë në një komunitet të caktuar. Në Perëndim në shekujt e fundit, i është dhënë gjithnjë e më shumë rëndësi individit, i cili duket të jetë bartës i dëshirave të veta, dhe që kërkon të ruajë të drejtën, për të kërkuar lumturinë e tij personale.

Njeriu perëndimor ndjehet vetëm pak, pjesë e një komuniteti fetar, politik apo territorial dhe gjithnjë e më tepër pjesëtar i një bote globale, në të cilën, i vetëm, duhet të kërkojë hapësirën e tij të jetesës. Përkundrazi, ai i ISIS-it, është një mesazh që i drejtohet një komuniteti të padiferencuar. Është e vërtetë se ka një Kalif, por sikurse ndodh në realitetet fisnore, udhëheqësi kryesor është pjesë e masës, që nga ana e saj shfaqet e padiferencuar dhe e shkrirë së bashku. Pamja e tyre me fytyrat e mbuluara, vizualisht shpreh imazhin e grupit në përgjithësi, në të cilën të gjithë të ndjehen pjesë e një homogjeniteti unik.

Është e qartë se, veçanërisht në adoleshencë, mesazhi i përkatësisë ka një joshje të madhe. Edhe në Perëndim, adoleshentët kërkojnë ndjenjën e përkatësisë; nganjëherë fiziologjikisht, të gjithë të veshur në të njëjtën mënyrë, apo duke marrë pjesë në të njëjtin koncert. Por ndonjëherë edhe patologjikisht, duke iu bashkuar bandave të rrugës ose drogës, apo ndonjë lëvizjeje ekstremiste.

Forca tërheqëse e Shtetit Islamik qëndron tek sigurimi, kryesisht tek adoleshentët, i një pike referimi, që ofron siguri në krahasim me pasigurinë e individualizmit dhe sfidat, të cilat të qënurit të vetëm kundër botës, i vendos para jetës tonë. Pika e dytë, e cila është e lidhur me të parën, ka të bëjë me dinamikën e grupit.

Sipas psikoanalistit të famshëm W.Bion çdo individ, kur bëhet pjesë e një grupi, ka disa “supozime themelore”, që përputhen me një mentalitet, impulset irracionale, mendimet dhe dëshirat. Një nga supozimet themelore më të zakonshme, është ajo e domosdoshmërisë për të luftuar kundër një armiku.

Të delegosh kompleksitetin e funksionit tonë dëshërimtar tek një dëshirë kolektive, që ofron mundësinë e daljes nga një situatë e sikletshme, të cilën me gjasë ne e ndjejmë nga brenda, na lejon papritmas të ndihemi në paqe me veten. Ndjenja e ankthit, që na kaplonte më parë, papritmas zbehet.

Nga ana tjetër, të njëjtin mekanizëm, e shohim gjithashtu në politikë, kur grupe të mëdha njerëzish ndjekin një udhëheqës, i cili është në gjendje të tregojë një kundërshtar, të tillë si një politikan tjetër apo emigrantët, duke kanalizuar kësisoj ankthin kolektiv drejt një armiku. Dinamika e grupit të ISIS-it, ndjehet në mënyrë dramatike tek ekzekutimet kolektive, ku një “ne e padiferencuar” masakron “ata gjithashtu të padiferencuar”.

Sjellja e egër, është shprehje e forcës së grupit, që në kontrast me një person të vetëm, nuk pendohet e nuk njeh dallime, duke përzënë nga vetja ndjesinë e fajit, dhe kësisoj veçmas askush nuk paralajmërohet. Elementi i tretë është ndoshta më delikati dhe kompleksi.

Shoqëria e konsumizmit, bazohet tek nevoja që konsumi të rritet vazhdimisht. PBB-ja e famshme, duhet të rritet në mënyrë të qëndrueshme, për të ushqyer procesin e prodhimit të të mirave materiale, që individi duhet të dëshirojë. Por si t’ia imponosh një personi, që ka çdo gjë, të dëshirojë dhe të dojë të blejë diçka tjetër? Duke e vendosur atë në gjendjen ekzistenciale, të vuajtjeve të vazhdueshme.

Nëse dikush është i lumtur, ai nuk dëshiron dhe nuk do të blejë. Edhe ata që janë të dëshpëruar, nuk dëshirojnë. Duhet pra, që të bësh miliarda njerëz të pakënaqur, përmes reklamave agresive dhe të bezdisshme, ku duket se ka gjithmonë një performancë më të lartë të telefonit celular, sesa ai që ju keni aktualisht në përdorim, një makinë e modelit të fundit, që ka diçka të cilën automjeti juaj nuk e ka, një modele, e cila tregon një elegancë, që ju nuk do të arrini kurrë.

Kjo pakënaqësi ekzistenciale, është një përbërës thelbësor i konsumizmit që “përmbyt” shoqërinë tonë. Përkundrazi, mesazhi themelor i Shtetit Islamik, është ai i thjeshtësisë dhe i delegimit të dëshirës për diçka që të tërheq, siç mund të jetë imazhi i Zotit dhe triumfi i një ideje mbi botën.
Forca që shpreh, shfaqet në mundësinë që një individ, për të mirën e përbashkët, vendos të humbasë jetën e tij, duke u bërë një kamikaz. Përballë butësisë së të riut perëndimor, që dëshiron iPhone 6, ai qëndron si një gjigant, që është i gatshëm të rrezikojë jetën e vet, për një të mirë më të madhe të përbashkët.

Këto 3 elemente që kam listuar deri tani, nga një këndvështrim psikoanalitik, paraqesin rebelimin e Esit, në raport më Superegon. Esi, në psikologji, është një amalgamë e nevojave të pandërgjegjshme, dëshirave, impulseve dhe instinkteve, mes të cilave qëndron ajo, që Frojdi e përshkroi si instinkti i vdekjes, domethënë dëshira e përndërgjegshme, për një kthim në gjendjen primitive të padiferencuar nga ajo, që ne kemi ardhur.

Superegoja, pjesërisht e përndërgjegjshme, por veçanërisht e vetëdijshme, nuk është përbërësi psikologjik që dikton rregullat morale dhe ndalimet. Shteti Islamik, i liron militantët e saj nga ndalimet e superegos, për të mundësuar ushtrimin e instinkteve themelore të Esit. Për këtë arsye, ai është tepër tërheqës për adoleshentët e rinj perëndimorë.

Sigurisht, përveç këtyre elementeve psikologjikë të thellësisë, ka elemente të psikologjisë më sipërfaqësore, mbi ndjenjën e margjinalizimit që grupe njerëzish, për shkak të besimit apo për arsye ekonomike, mund të përjetojnë ndjesinë se nuk janë të mikëpritur, si dhe ndaj ndjenjës reciproke të refuzimit.

Në kundërshtim me atë që thonë disa komentatorë, unë nuk mendoj se besimi fetar është i rëndësishëm, por më tepër është një justifikim, siç ndodhi në rastin e Hitlerit me hebrejtë. Njerëzit perëndimorë, që i bashkohen rradhëve të ISIS-it, në përgjithësi nuk janë të sëmurë mendorë. Ata mund të kenë tipare problematike të personalitetit.

Ne besojmë se shumë djem, ndjehen të joshur nga mesazhet e zymta, si ato të propaganduara nga ISIS-i, veçanërisht në qoftë se i kap ata, në fazat e hershme të adoleshencës. Nëse ju lexoni në “Facebook”, ato që shkruajnë adoleshentët, do të gjeni shumë mesazhe ekstremiste, dhe një marrëdhënie tërheqëse ndaj dhunës dhe vdekjes. Për fat të mirë, vetëm pak prej tyre kanë kurajon ose bindjen, për t’u bërë pjesë e organizatave të tilla. 

”Il Fatto Quotidiano”
a.g./www.bota.al

3 Komente

Bukur! 

kafsha met kafshe.....

Si bicim borgesh 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).