Tinka Kurti, Mirush Kabashi, Enada Hoxha, Robert Radoja, Fatos Qerimaj e Lorenc Radovani ishin disa nga emrat që nderuan edicionin e gjashtë të këtij koncerti, i cili kishte si synim promovimin e rolit të gruas si pishtar i paqes në botë

Qendra Kulturore “Horizontet e Reja” në bashkëpunim me Universitetin Epoka dhe Kolegjet Turke organizuan të dielën në mbrëmje programin artistik “Simfonia e Jetës”.

Edicioni i gjashtë i këtij koncerti, i cili përkon edhe me 10-vjetorin e veprimtarisë së kësaj shoqate, nën sloganin “Unë jam paqja”, synoi promovimin e rolit të gruas si pishtar i paqes në botë. E kthyer tashmë në traditë për promovimin e vlerave, këtë vit kjo qendër kulturore vlerësoi me çmimin “Trëndafili i Artë” tri zonja me kontribut të rëndësishëm në shoqëri.

Artistja e madhe Tinka Kurti, duke theksuar domosdoshmërinë e vlerësimit të figurës së gruas, dha mesazhin se “në prehrin e nënave rriten kombet”. Ndërsa zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, e ftuar për të dorëzuar këtë çmim, tha se “Nëna Tinkë mbetet një trëndafil me aromë të përhershme”.

Dy çmimet e tjera u dhanë për zonjën Melda Pencapligil, shtetasen turke që financoi mbjelljen e 102 fidanëve ullinj në 102-vjetorin e Pavarësisë në shenjë paqeje dhe miqësie, si dhe zonjën Emanuela Pepkola Zaimi, themeluese dhe drejtuese e shoqatës “Down Syndrome Albania”.

Mesazhe të shumta urimi dhe vlerësimi, pjesë artistike si vargje, muzikë, këngë kushtuar nënës dhe mësueses dhe valle popullore u performuan për rreth një orë e gjysmë në skenën e sallës së TKOB, të mbushur nga personalitete gra të fushave të ndryshme të artit, kulturës, arsimit, politikës dhe jetës akademike.

Spektakli u çel nga një pjesë baleti klasik interpretuar me mjeshtëri nga Enada Hoxha, për të vazhduar më tej me pjesë instrumentale nga artistët e mëdhenj të “Tirana Art Cafe”, Robert Radoja, Fatos Qerimaj, Lorenc Radovani etj. Një urim të veçantë të ftuarat morën edhe nga mjeshtri i madh i skenës, Mirush Kabashi.

1 Komente

smiley  bukur

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).