Debatit për zgjedhjet vendore i bashkohen edhe institucionet fetare. Kisha Katolike shprehet se në prag të zgjedhjeve lokale të 21 qershorit, forcat politike duhet të tregojnë vullnet për dekriminalizimin e politikës. Përmes një qarkoreje, ipeshkvijtë katolikë shprehen se në përcaktimin e kandidatëve të kihet parasysh se nuk duhet të kenë të kaluar kriminale dhe korruptive. Po ashtu, ipeshkvijtë katolikë shprehin shqetësimin për fenomenin e shitblerjes së votës, që sipas tyre u verifikua në zgjedhjet e 2013. Sipas tyre, shitblerja e votës heq mundësinë e kërkimit të llogarisë nga ana e qytetarit ndaj të zgjedhurve. Gjithashtu, drejtuesit e lartë të Kishës Katolike, kërkojnë garantimin e një proces i drejtë zgjedhjesh nga organet përkatëse, por në mënyrë të veçantë nga subjektet pjesëmarrëse.

 

QARKORE E IPESHKVINJVE KATOLIKË ME RASTIN E ZGJEDHJEVE VENDORE 2015

Fort të dashur besimtarë dhe të gjithë Shqiptarë vullnetmirë, Kisha katolike, si pjesë e gjallë e jetës së vendit, ne barinjtë dhe besimtarët e saj, reflekton vazhdimisht mbi të mirën e përbashkët të qytetarëve të Shqipërisë.

Zgjedhjet janë një moment i rëndësishëm në zhvillimin e rendit demokratik të një vendi. Ne jemi të vetëdijshëm se janë bërë hapa përpara në drejtim të mbajtjes së zgjedhjeve të ndershme e me standarde demokratike.

Këtë e kanë konfirmuar edhe vendet demokratike mike të Shqipërisë. Kjo na bën krenarë e na jep shpresë për të ardhmen. Që këto standarde të përmirësohen gjithnjë e më shumë është e nevojshme të lexojmë e të reflektojmë mbi kërkesat e aktualitetit të shprehura nga zëri i shumë njerëzve të thjeshtë, por edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë.

Me anë të kësaj letre qarkore dëshirojmë të vendosim theksin e të tërheqim vëmendjen e subjekteve politike, por edhe të gjithë njerëzve vullnetmirë, mbi disa problematika që kërkojnë një zgjidhje para zgjedhjeve e disa të tjera pas zgjedhjeve.

Së pari dëshirojmë të themi se duhet të tregohet nga forcat politike një vullnet i pakthyeshëm për dekriminalizimin e politikës në tërësi. Këto zgjedhje vendore janë një rast mjaft i volitshëm që të shfaqet hapur prej forcave politike vullneti politik për dekriminalizim. Prandaj në përcaktimin e kandidatëve të kihet parasysh gjetja e atyre kandidatëve të cilët nuk janë të përfshirë në një të kaluar kriminale dhe korruptive. Korrupsioni fatkeqësisht në këto vite ka përfshirë shumë persona të angazhuar në politikë. Ne urojmë që në këto zgjedhje të shkëputemi nga kandidatët që kanë qenë të korruptuar, që kanë blerë vota me para apo në forma të tjera, që kanë korruptuar të tjerë apo kanë favorizuar gjatë mandateve të tyre marrjen e fondeve publike në mënyrë të pandershme. Ka shumë burra dhe gra, të cilët janë të papërlyer me logjikat korruptive të cilët si kandidatë do t’i bënin nder vendit e do të garantonin zhvillimin e zonave të veçanta ku do të zgjidhen. Në përzgjedhjen e kandidatëve, i ftojmë partitë politikë që të konsiderojnë vlerën e një përfaqësimi logjik të gjinive, përkatësive fetare dhe kulturore që janë pasuri shpirtërore e morale e populli tonë.

Së dyti, sikurse kemi thënë edhe në qarkoren me rastin e zgjedhjeve të vitit 2013, e që për fat të keq u verifikua dukshëm në ato zgjedhje, dënojmë dhe bëjmë thirrje që të mos verifikohet më shitblerja e votës. Kush shet votën, me çfarëdo çmimi, ka shitur dinjitetin, nderin e vet dhe të familjes. Kush e blen votën është i paskrupullt dhe poshtëron dinjitetin e të tjerëve dhe të vetin. Shitblerja e votës heq mundësinë e kërkimit të llogarisë nga ana e qytetarit ndaj të zgjedhurve. Lidhur me këtë, po ashtu edhe premtimi i votës nën be pasi janë paguar para, është një fyerje ndaj Zotit dhe kundër moralit të shëndoshë njerëzor e fetar.

Së treti, dëshirojmë të garantohet një proces i drejtë zgjedhjesh nga organet përkatëse, por në mënyrë të veçantë nga subjektet pjesëmarrëse. Kemi asistuar në vite fatkeqësisht në një gjuhë të dhunshme dhe mjaft problematike në të kaluarën. Të ruhet gjatë fushatës etika e komunikimit verbal qoftë nga kandidatët e qoftë nga subjektet politike.

Së katërti, ne këmbëngulim që subjektet politike dhe kandidatët për pushtet vendor në programet e tyre dhe në paraqitjen e platformave politike të kenë parasysh të mirën e të gjithë njerëzve, por në mënyrë të veçantë një kujdes ndaj të varfërve dhe ndaj rinisë.

Të varfrit, sidomos familjet me shumë fëmijë, kanë nevojë për punë e jo vetëm për ndihma sociale. Të sigurosh bukën e familjes me anë të punës do të thotë të kesh dinjitet.

Parimi i subsidaritetit duhet të promovohet për krijimin e bazave e kushteve që familjet shqiptare të zhvillohen e të mbajnë vetveten me dinjitet. Të rinjtë gjithashtu duhen inkurajuar që të mos braktisin vendin, por të vihen në shërbim të tij.

Edhe në këtë rast garantimi i studimit dhe i punës kthehen në instrumenta efikase që të rinjtë të vazhdojnë të jetojnë në Shqipëri. Qytetarëve të Shqipërisë, të krishterë ose jo, u bëjmë thirrje të marrin pjesë në votime me kulturë dhe me dinjitet.

Të mos jemi indiferentë ndaj votimit. Nëse nuk votojmë sot nuk mund të kërkojmë llogari nesër.

Votimi është një detyrë morale pavarësisht cila është zgjedhja. Gjithashtu u bëjmë thirrje ndërgjegjeve të qytetarëve që nëse kandidatët janë të njohur për të kaluarën e tyre kriminale apo korruptive të mos i votoni.

Edhe abstenimi apo vota e bardhë është një opsion dhe një zë që duhet dëgjuar dhe një e drejtë që duhet ushtruar në kushte specifike.

Nëse askush nga kandidatët nuk përmbush kriteret atëherë abstenimi kthehet në një detyrë morale.

Në fund duam të themi se Kisha Katolike në Shqipëri, besnike ndaj detyrës së saj dhe të mirës së vendit, do të vazhdojë të ofrojë bashkëpunimin e saj me organizmat vendorë për çdo nismë që ka për zemër të mirën e përbashkët, zhvillimin integral të personit njerëzor, të familjes dhe të shoqërisë.

10 Komente

Ka lezet!

Institucion fetare bashkohore!

Faleminderit Kisha Katolike!

Faleminderit per promovimin e vlerave Perendimore!

IPESHKVINJVE... pse jho iPeshQinjve

Edhe unë gëzohem pasi qekemi në rrënjë të fjalës së tyre si iPeshq .. Deri tani këtë të drejtë më duket e kishin fituar vetëm iBerishët

Po pse nënçmohet femra njëherë ? Po iPeshka nuk ka ? Feminizmi Sotëm që Lufton për Liri Atme e Fe me shekuj për me u përfaqësue , ku asht me protesta !

iPjeshkasmileysmiley

Besoj se kjo ka të bëjë me arrestimin e Mark Frrokut, kryetarit të Partisë Kristian Demokrate, megjithëse qarkorja harron ta përmendë këtë detaj. Ndoshta një qarkore tjetër e frymëzuar nga kreu i Partisë Demokristiane do të qarkojë debilitetin në politikë. Vërtet e guximshme është thirrja për bojkot: "[n]ëse askush nga kandidatët nuk përmbush kriteret atëherë abstenimi kthehet në një detyrë morale", që mund të interpretohet edhe si distancim publik nga këto parti, duke pasur parasysh se, gjithmonë prej respektit për inteligjencën e popullit, këtij asgjë nuk i jepet e gatshme por i lihet përherë të interpretojë.

Megjithese letres nuk i heq asnje presje , kjo levizje e Kishes katolike dhe perzjere me politiken eshte tejet e gabuar. Nuk i takon aspak kishes te perzjehet ne ceshtjet politike ne vend, se keshtu pa dashje hapet kutia e Pandores per subjektet e tjera fetare dhe ligjesimin e platformave politike me baze fetare. Kjo do te conte de fakto ne Libanizimin e vendit

Ne fakt eshte veshtire te gjesh raste kur Kisha nuk eshte perzier ne politike.  Nga me te njohurit, "Teologjia e Liberacionit" ne Ameriken Latine ne vitet 60'te.  Ne vitet 80-te Kardinali Ratzinger (Papa Benedikt) e kritikoi hapur pavaresisht se shprehu mirekuptim per disa aspekte.  Por Papa Francis ka mbajtur nje qendrim me miqesor me eksponente te asaj periudhe.  

Sa per Qarkoren e Kishes Katolike, mendoj se duhet te vleresohet edhe per faktin apo mbi te gjitha ngaqe bie ndesh me idene qe u qarkullua ne media se po sulmohen katoliket.  

Per me teper, nuk shoh ndonje rrezik neqoftese subjekte te tjera fetare do te shpreheshin ne te njejten menyre.  Dekriminalizimi i politikes, korrupsioni, blerja e votes me leke apo me betim mbi Bibel e Kuran, papunesia, varferia etj, jane probleme qe duhen adresuar edhe me forcerisht se kjo qarkore.  

Kisha katolike ne krahasim me fete e tjera te medha ka qene me pak e predispozuar drejt politikes dy shekujt e fundit, po kjo eshte e vertete por kjo vjen nga nje evolim i vete fese katolike paralelisht me shoqerite kryesisht ne vendet e zhvilluara. Ne Ameriken Latine ishte paksa e veshtire per kishen te perqafonte rrymat e luftarake te majta te cilat binin ne kundershtim me vete filozofine e saj.

Per qarkoren, kisha mos te perfitoje nga situata e Frrokut dhe te perzihet ne politike por ta adresoje sipas filozofise dhe statusit te vet, fetar-hyjnor. 

Pater, mos u perzi me punet e shtetit se pastaj do t'perzihet edhe shteti me punet e lterit dhe s'pa per t'pelqy hic! 

Pse cfare zgjedhjesh ka ne Maj? Une e di se zgjedhjet per pushtetin lokal, pra per pushtetaret me kote te vendit qe vetem livadhisin dhe vjedhin behen ne Qershor, andej nga fundi i muajit. Do zoti jom me pushime ne ndonje vend larg dhe ja hudh votimit. 

Mesazhi mu duk i mire, i paanshem, mirpo kur lexova komentin e Art-it, thashe me vehte se ndoshta do ishte mire qe Kisha Katolike te mos perzihej ne politike, mundet qe Art-i ka te drejte, megjithse them (prap me vehte) se populli yne veshtire te kaloje ne ekstremizem fetar, siç kalojne racat e Azise se Vogel. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).