Arturo Ui, personazhi i njohur i Bertold Brehtit, ka bërë dy prej ngjitjeve të veta të rezistueshme në skenat teatrore të Tiranës këtë prill. Në fillim tundimi im ishte që dy pjesët ti sillja në një shkrim të vetëm për tu mbështetur edhe në kuptimin që ofron krahasimi, por pas shfaqjes në Teatrin e Metropolit mendoj se secila shfaqje meriton vëmendjen e vet. 

Teatri i Metropolit gëzon një status të lezetshëm në qytetin tonë. Megjithëse një teatër komunal ai ka akses në burimet njerëzore të zgjedhura  të shoqërisë teatrore në vend dhe ka mundësinë ti gëzohet bollikut të madh në spektatorë që ofron kryeqyteti ynë gati milionç banorë. Ky status i lejon shfaqjeve të këtij teatri që të jenë edhe ambicioze edhe modeste njëkohësisht. Në rastin e shfaqjes së Arturo Uisë ky kushtëzim vinte shumë mirë për shtat. Pjesa e Brehtit kishte fituar popullaritetin e vet para spektatorëve shqiptarë me vënien në skenën e Teatri Kombëtar dikur nga fundi i viteve 70-të një project i madh me regji të Pirro Manit dhe pjesmarrje të thuajse gjithë pararojës së aktorëve të teatrit kombëtar të kohës.

Shfaqja në Teatrin e Metropolit më pëlqeu për përmasën e vet njerëzore, pa pretendimet që nxisin spektatorin në egocentrizma të pashëndetëshme; për gjetjen regjizoriale që kaq shumë kishte kontribuar për të vendosur në ekuilibrin delikat barrën e mesazheve, që një pjesë kaq qartësisht politike sjell, me nevojën për tu ushqyer me ndjesi, pamje e tinguj; për Alfred Trebickën.

Mesazhi, ky mineral vlerëmadh për skemat e lashta që organizojnë ushtarët dhe pleqt, të ndriçuarit dhe nevrikët, është një barrë për aktorin dhe regjizorin, megithëse edhe atë e organizon njësoj si ushtarin, plakun, të ndriçuarin dhe nevrikun. Menaxhimi i mesazhit është detyrë e rëndë e regjisorit, që duhet as mos ja marrë veprën e as mos ja lerë. Dhe gjithë kjo në njësinë e zvogluar të përtypjes së informacionit për spektatorin bashkëkohor që ka një varësi të rritur prej larmisë, për shkak të bollëkut që ofron teknologjia.

Regjizori Armand Bora kishte vendosur të devijojë gravitetin e pjesës nga personazhet, e për pasojë aktorët, për ta çuar rëndesën tek loja, tek bashkëveprimi, përfshirja e spektatorit. Një zgjedhje e mirë duke vlerësuar rrethanat. Rozi Kostani, Violeta Trebicka, Suela Konjari, Kastriot Ramollari dhe gjithë të tjerët janë të ndërgjegjshëm për karakterin kolektiv të qasjes prej regjizorit dhe bashkëpunimi i tyre duket i sinqertë e i përkushtuar dhe kjo përçohet tek publiku që është afër. 

Kostumografia kishte kontributin e vet në sjelljen e aktualitetit si element të pjesës. Veshjet e zgjedhura për të shkulur personazhet prej çdo kohe konkrete lehtësonin zhvendosjen e pjesës në kohën tonë. Vec kohës, kostumet lejonin që personazhe, që sulmuan ndërgjegjen njerëzore, si nazistët Romer, Gering, Gebels të vinin prej artistesh që ishin edhe personazhe të tjerë.

Arturo Ui për ata që nuk e dinë pjesën tregon se si gangsteri Arturo Ui shfrytëzon nevojën e biznesit të lulelakrës dhe grykësinë e politikanit babaxhan dhe vullnetpakët për të dominuar atë biznes. Natyrisht si një gangster, me dhunë e gjak, me pabesi dhe manjakllëk. Fillimisht tregtarët e zarzavateve në Çikago shpallin problemin që kanë. Biznesi po bie, për të siguruar ca para ata marrin në dorë ca pjesë të portit të qytetit dhe pastaj ja dhurojnë shumicën e aksioneve plakut Dogsborou një politikan i njohur për ndershërinë dhe pleqërinë e vet. Siç edhe ishte plani, ky me namin dhe pushtetin e vet siguron një kredi për rindërtim të portit. Një shumë që biznesmenët e perimeve e përpijnë furishëm. Arturo Ui kur gjen plakushin të sulmueshëm prej përlyerjes korruptive, e shantazhon dhe pastaj e shpëton prej shantazhit. Duke siguruar edhe trembjen e policisë e drejtësisë ambicja e tij tërbohet. Pasi merr tërësisht në kontroll Çikagon ai synon edhe qytetin tjetër, dhe pastaj të gjithë me radhë, dhe vret kë e pengon. Vret mikun e vet, Romën, vret dëshmitarin në gjyqe që i ka trembur tashmë, vret gazetarin që e denoncoi, megjithëse tashmë ka siguruar nënshtrimin e tij.

Skena e Arturo Uisë në qendër të sallës tetëkëndëshe nuk e vuante ndonjë kompleks prej paraardhësit të vet madhosh. Ndoshta pjesë të trupës mund të ishin më pak modeste por shfaqja mbështetej ca në muzikë të luajtur e interpretuar, ca në lëvizje karateje, në komunikim të dretëpërdrejtë me publikun, ca feminilitet, dhe në përfundim dobsitë nuk ishin aq problem. Qasja e përfshirjes së pjesës në diskursin politik të ditës, që ishte promovuar edhe më herët në njoftimet e aforizmat që e reklamuan shfaqjen prej vetë teatrit po protagonistëve ishte realizuar me elegancë. Unë pata fatin ta kem pas kurrizi edhe komentatorin e pjesës që thoshte emra politikanësh shqiptarë të sodit, sipas gjykimit të vet, për personazhet e gangsterëve. Natyrisht, dikur nga fundi u bë i tepërt, por fillimet e veta i pati dëfryse. 

Në dy orë e 15 minuta, veç një lodhje që u tejkalua shpejt  diku aty nga minuta e 100-të spektatori ishte i  përqëndruar dhe i kënaqur.

Alfred Trebicka ishte në një rol që i rrinte mirë e që e mbante mirë. Natyrshëm, pa teprime, me mimikë adapte, me fytyrë e fizik të përshtatshëm për personazhin, Trebicka ishte në një ndër rolet që do kujtohen prej këtij viti. Ai ishte shtylla e pjesës. 
 

3 Komente

   ''qe ne koherat me te lashta fisi i korbave jetonte nga nami i mire i shume te famshmit korb te bardhe te cilin dikush...dikur...diku, na e paskesh pare...''

(nga epitafi mbi rrasen e varrit te plakut te ndershem Dogsborou, sipas Xhivola)

Xhivolen e ka pas qa Kop Mima rp.

Nigjo, teater si ai nuk bohet mo ne Shqipni. Ashtu sic nuk bohet mo Pallat 176, sado qe te munohet Shkaba. smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).