Zgjedhjet lokale të 21 Qershorit vijnë me dy risi krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Përveç ndarjes së re administrative, ato duket se po sjellin edhe një dinamikë të re gjinore në politikën shqiptare, e cila deri më sot është dominuar nga burrat.

Kështu, për zgjedhjet lokale, u vendos në sajë të angazhimit dhe këmbënguljes së Aleancës së Grave Parlamentare, një kriter i rëndësishëm për përfshirjen e grave me 50% në listën e këshillave bashkiakë. Por nuk mbetet me kaq. Partitë kryesore politike kanë vendosur të garojnë me më shumë kandidate gra për kryetare bashkie se zakonisht. Janë dymbëdhjetë zonja, të cilave u është besuar sfida e këtyre zgjedhjeve lokale.

Në Shkodër, në ndryshim me qytetet e tjera, kemi dy kandidate gra përballë njëra-tjetrës: Keti Bazhdari nga mazhoranca dhe Voltana Ademi nga Partia Demokratike. Kjo garë, në kuptimin e emancipimit gjinor, është e fituar që në fillim: Shkodra do të ketë pas 21 Qershorit një grua në krye të bashkisë. Duket pra se kemi të bëjmë me hapa konkretë të kalimit nga njohja formale tek zbatimi në praktikë i barazisë gjinore në nivel qeverie rajonale.

Ky “imponim” i faktorit grua në politikën shqiptare e ndan opinionin publik në disa qëndrime. Ka prej atyre që e përshëndesin pa rezerva një nismë të tillë. Këta janë kryesisht ajo pjesë e shoqërisë e cila është mjaft e ndjeshme ndaj çështjes së barazisë gjinore dhe që kërkon me çdo kusht përfshirjen sa më të gjerë të gruas në politikë dhe jo vetëm. Nga ana tjetër ka një pjesë të opinionit publik i cili nisma të tilla i sheh si të nxituara, të sforcuara dhe jo të mirargumentuara. Qëndrimi më ekstrem është ai, i cili nuk beson në asnjë mekanizëm që mbështet apo nxit barazinë gjinore, si për shembull kuotat, por kërkon një garë të hapur mes burrave dhe grave, në kushte të barabarta. Problemi është se barazia e mundësive nuk është dhënë akoma. Për këtë arsye, vende me demokraci më të zhvilluar dhe traditë më të gjatë në çështje të barazisë gjinore, kanë futur mekanizmin e kuotës, si zgjidhjen më të mirë të mundshme deri në arritjen e një harmonizimi gjinor në sfera të ndryshme të jetës qofshin ato politike, ekonomike apo profesionale, të cilat për shekuj me radhë janë dominuar nga burrat. Në këto kushte, kuota për gratë konceptohet si një masë e përkohshme, si një mjet për të arritur tek barazia gjinore, tek shanset e munguara dhe të mohuara të grave për të qenë në pozicione të larta drejtuese, vendimmarrëse dhe politikëbërëse. Nëse instrumenti i kuotës arrin të japë efektin e shpresuar, do të kemi njëkohësisht edhe një ridimensionim të roleve gjinore në shoqëri duke u ndarë njëherë e mirë nga stereotipat favorizuese për njërën palë dhe përjashtuese për palën tjetër.

Përqasje të tilla dominojnë tashmë prej kohësh politikat e demokracive të zhvilluara perëndimore dhe janë temë e rëndësishme e emancipimit të shoqërisë drejt mundësive të barabarta për të gjithë, qofshin burra apo gra, djem apo vajza.

Në këtë kontekst, edhe përpjekjet për përfaqësim më të madh të gruas në këto zgjedhje lokale – qoftë përmes listave të këshillave bashkiakë apo kandidateve gra për kryetare bashkie – nuk mund te shihen ndryshe, veçse si një hap pozitiv drejt një normaliteti të ri gjinor, përpos të gjithë vështirësive që lidhen me to.

Përveçse një e drejtë dhe vlerë themelore për një demokraci funksionale, çfarë i sjell barazia gjinore politikës në tërësi dhe asaj në nivel qeverie vendore në veçanti? Çfarë mund dhe duhet të presim ne si shoqëri, nga kandidatet gra për këto zgjedhje lokale?
Mendoj se, jo më pak se çfarë kemi pritur nga të gjithë kandidatët dhe drejtuesit e mëparshëm. Përkundrazi, presim më shumë pikërisht sa i takon punës në praktikë për zhvillimin socio-ekonomik dhe demokratizimin e mëtejshëm të shoqërisë përmes politikash që synojnë barazinë mes grave dhe burrave në aspekte të rëndësishme të jetës.

Nga përfaqësueset gra kërkohet vëmendje e posaçme për sensibilizimin e shoqërisë në lidhje me nevojat e grave dhe vajzave si dhe për mbrojtjen e të drejtave të tyre nga çdo abuzim dhe diskriminim që vjen si rrjedhojë e pabarazisë gjinore, por edhe fenomeneve të tjera të realitetit shqiptar. Për këtë nevojiten vendimmarrje që do të kenë si rezultat një ndikim pozitiv në jetën e grave duke e përmirësuar ndjeshëm atë në të gjitha sferat e jetës, si në ato politike, ekonomike, sociale dhe kulturore.

Ky është ndryshimi që duhet pritur nga gratë e kandiduara. Ato duhet të jenë zëri dhe forca e qindra dhe mijëra grave që luftojnë çdo ditë me varfërinë, me dhunën në familje, krizën ekonomike, me mundësitë dhe zgjedhjet e kufizuara për të zhvilluar veten dhe aftësitë e tyre. Dhe që të arrihet ndryshimi, kërkohet besim dhe mbështetje edhe nga vetë gratë për gratë, natyrisht përsa kohë zgjedhëset identifikohen me ato vlera që kandidatet e tyre përfaqësojnë. Mbi gratë politikane, ato me pushtet dhe në poste drejtuese duket se peshon një barrë më e rëndë sesa tek kolegët e tyre burra. Nga to pritet më shumë, që të jenë të drejta, të ndershme, jokonfliktuale dhe gjithëpërfshirëse.

Sesa do t’u përgjigjen gratë kandidate këtyre pritshmërive, kjo mbetet për t’u parë. Sidoqoftë, suksesi i tyre përballë sfidave të mësipërme i hap rrugën një modeli të ri emancipimi, identiteti civilizues i një Shqipërie evropiane që aspirojmë.

16 Komente

Ëndra në diell ose gazetari nga çadra e plazhit. Detyra jote si gazetare, zonjë, është të kërkosh se çfarë kanë bërë deri më sot gratë që kemi pasur dhe kemi në nivele ministresh, kryetaresh parlamenti, deputetesh, dhe sigurisht anëtaresh këshillash bashkiakë, në lidhje me të qenët "zëri dhe forca e qindra dhe mijëra grave që luftojnë çdo ditë me".

Shpresoj te mos jene te gjitha si sekretar-dashnorja e Frrokut. 

Nuk kam asnjë njohuri të përgjithshme për shumicën e kandidateve të tjera për bashki, 12 gjithsej. Për kandidatët për këshillat bashkiake (meshkuj a femra) jo e jo, e le të jemi të sinqertë që s'para është vënë uji në zjarr më parë për ta/për to për të parë sekretarë a dashnorë të kujt janë.

Por gara për Shkodrën është e rëndësishme sepse sic do theshte Nard Ndoka, kur garojnë dy femra, njëra do fitojë.  Dhe përbën risi sepse do të jetë e para krye-bashkiake në Shqipëri.  U nisa para disa ditësh të shkruaja dicka për këtë garë, por s'pata kohë.  Për më tepër, ndërsa Keti Bazhdari e ka bërë publik programin e saj për Shkodrën, Voltana Ademi, të paktën me aq sa pata kohë të kërkoj, nuk është prononcuar.  Kështu që artikulli dhe informacioni do ishte disi i njëanshëm.  Ndoshta edhe mospasja akoma një program përbën lajm, por edhe kandidatë të tjerë (meshkuj e femra) për bashkitë nuk kanë hartuar akoma programe të mirëfillta.  Të mos shkojmë larg, mjafton shembulli i Tiranës. 

Por mund të themi pa frikë që kandidatet e Shkodrës s'janë tekstualisht "sekretare-dashnore të Frrokut."

Voltana Ademi ka qënë nënkryetare, këshilltare, prefekte e Bashkisë se Shkodrës, dhe deputete e PD-së. Keti Bazhdari, përvec angazhimit politik në strukturat e PS-së, është administratore e një kompanie të suksesshme konfeksionesh, dhe është marrë po ashtu me filantropi në fusha të ndryshme nëpërmjet fondacionit të saj.  Nëqoftëse këto zgjedhje shihen si zgjedhje administrative* , duke lënë mënjanë siglat partiake (dhe vrerin e mllefet ndërmjet tyre) votuesit në Shkodër do të zgjedhin midis arritjeve konkrete të Ademit në Bashkinë e Shkodrës, apo vizionit të Bazhdarit për Shkodrën.     

*Shtesë: Patjetër që c'ka shkrova aty hyn në kategorinë "qiqra në hell" sidomos në klimën politike shqiptare, apo edhe përtej Shqipërisë për qytete që njihen gjatë fushatave elektorale si bastione partiake.  Megjithatë ...

Burr Eli so qytet,mvje keq. 

Mea culpa.  Me thënë të drejtën, me aq sa e kam lexuar shtypin shqiptar, që për shkak të peshkut fatkeqësisht goxha, nuk ia kam hasur asnjëherë emrin.   

Nje rast shume interesant, qe s'ka marr vemendjen e nevojshme.  

Këtej ka një shprehje "no news is good news".  Por s'jam e sigurt nëse vlen për këtë rast.  

Jam kunder kuotave. Te sforcuara, inorganike dhe jo-demokratike ne thelb. Jam 100% per barazi gjinore dhe te ishte per mua doja kministre presidente dhe kr parlamenti femer, madje edhe lesbike po të qe. Po ta fitojne vete me aftesite e tyre jo me lëmoshë aforfe. 

Keti si shpirt smiley

Xhibi, a s'mendon se është e drejtë sipas parimit të barazisë gjinore që edhe kandidatet femra t'i trajtojmë si copa mishi, siç bëmë dhe bëjmë rregullisht me kandidatët meshkuj? Zonja Bazhdari për shembull vjen e butë dhe e ngrohtë si një Rubens, ndërsa zonja Ademi të kujton profilin e hequr fiorentin të Skënderbeut. Bazhdari duket se kombinon të gjitha të mirat e Veliajt, Kosovës dhe Bojaxhiut, ndërsa Ademi shfaqet si antitezë e tre kandidatëve të Tiranës, me një nofull që sfidon në mënyrë të pacipë rrumbullakësitë e këtyre.

Kur keni fshirë komentet Keti është yll e Keti është zemër, i keni këputur një copë të mirë arsyes pse ekziston ky koment.

Kush i mbledh keto kuotat e grave? Kryetari?

Dhe nje shtese te vogel pasi lexova kete

Për këtë arsye, vende me demokraci më të zhvilluar dhe traditë më të gjatë në çështje të barazisë gjinore, kanë futur mekanizmin e kuotës, si zgjidhjen më të mirë të mundshme deri në arritjen e një harmonizimi gjinor në sfera të ndryshme të jetës

Shume e vertete. Me kuote moren edhe Sara Palin nga Alaska dhe ua beri gropen republikaneve... 

Xhibi tani eshte duke imagjinuar gjera qe nuk duken-te buta dhe te ngrohta.

Pas Gjakoves dhe Tetoves,si duket dhe Shkodra do te udheheqet nga gjinia me e bukur.Pergezimet e mia te sinqerta me kete rast dhe njeherit uroj qe normaliteti i barazise gjinore te mos ndalet vetem tek politika,por kjo kulture te trasohet dhe ne fusha e sektore tjera  ( sektoret e xehetarise dhe ndertimtarise per shembull).Fundja,gabohen rende te gjithe ata qe mendojne se çekani,sharra dhe turiela elektrike jane vegla te dedikuara ekskluzivisht  per pune  meshkujsh  smiley

https://www.youtube.com/watch?v=JPtQ4K-evBo

 

 

Per nje Ndryshim te vertete  ne nje vend qe po shkon(te) mbrapsh ,duhet te jete e sanksionuar me Kushtetute qe femrat te jene te perfaqsuara ne vendimmarrje  ne perpjesim te drejte me % e tyre ne Vend. (+- dicka ). 

Kush mendon se ato duhet te "Konkurojne"  ne menyre te "Barabarte" ne kete ambjent te  Talebanizuar   mendoj se jane gabim.

Ne kete rast do te vecoja meriten e padiskutueshme te #Rilindjes per rritjen e numrit te femrave ne pozicione vendimarese dhe perfaqsuese, 

    Me sa po ndjek keto kohe, sa flitet per barazine gjinore, problemi duket se eshte bardhe e zi .Eshte bardhe se vertet do te kete nje raport mes gjinive.Por nuk do te kete vlere reale raporti si cilesi.Sepse kryetaret e partive , qe i konsiderojne prona partite , perzgjedhin jo me prurjet sipas garave ne radhet e gjinise femrore, por piketojne marioneta, e kjo perben pikerisht  ate pjesen e zeze te problemit.

   Shoqeria ka nevojen e individualiteteve me personalitet nga gjinia femrore dhe jo thjesht numra te gjinise femrore.Boll kemi " gra " te gjinise mashkullore ne politike, perse te na bejne lazem,  " burrecer " ....por ... te gjinise femrore  ! 

Me shum femra ne popull, ne parti, ne byro..pse jo dhe ne krie smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).