Në ‘Aventurat e Shpirtit’, nji copëz e vogël teatrale për radio, autorja Lizzie Mickrey don t’ na piksojë vemendjen qysh herët me nji gremç të tjetërsojtë dramatik. Në hymje të pjesës, nji ‘Coup  de theatre’ në formën të nji zhdukje të frigshme mbërthen përnjiherë ndigjuesin. Dikush me theks evropiano-lindor hyn në shtëpinë e kësaj grueje të quejtun Clare me pretekstin se asht i dërguem kah kompania e gazit, zbret me kadalë shkallëve të bodrumit kinse me këqyrë sahatin, e mandej hupën pa shenjë në terrin e kthinës. Para syve të zonjushës shpalohet ky rreng magjik i pashpjegueshëm i cili jo vetëm nuk ka përgjegje por përmatepër nuk asht i besueshëm prej askujt. E përndjekun kah ky agor i tmerrshëm Clare pajton dhe ndihmën e nji hetuesi privat me i dalë në krye misterit por përfundimisht kupton se e gjitha kjo zhdukje e pangjashme nuk asht gja tjetër porse nji histori fantazme e nji shpirti qi flet e rishfaqet e nuk gjen qetësi. Zhurmhuri qi ajo ndien përposhtë shkallëve janë thirrjet e shpirtit të të jatit së saj të vdekun, qi lypën shelbim, (shpëtimin e shpirtit), ndaj dikujit qi ia ka marrë e po ja përdorë emnin e nuk e len të prehet i qetë.

Si ndodh shpesh në kësi rastesh gishti për këte vjedhje i vehet njifarë Afrimi, nji shqiptari të pafan, i cili i shtytun kah përfitimi i çastit asht tash i zanë në kurthin e përhershëm të hijes të së atit të Clare-s, Stephen Hope. Nëse do të lejonim veten me u zhgërrye në steriotipet e paraqitjeve mund të thojshim me njifarë sigurie se, metafora e kurthimit në podrum qendron për humbjen e identitetit, metaforë kjo qi i paraqet të dy personazhet, Stephen Hope dhe Afrimin, si viktima të së njajtit fenomen, por ndërsa asht e qartë se i pari asht i keqpërdorun për emrin e tij të mirë, asht gjithashtu e dallueshme se i mbrami asht keqpërdorë për emnin e tij të keq! Në këto kallupe deridiku të parashikueshme flejnë disa supozime edhe ma të përgjithshme. Nga pikëvrojtja e autores, protagonistja Clare na paraqitet si e pështjellë në shikën e kulturës së sajë, e mosdashun a indiferente ndaj dëshpërimit qi i ekziston jashtë dere, kurse Afrimi në anë tjetër asht i përshkruem si tejet i vetëdishëm për hendekun e madh qi e ndan ate me kulturën vendase.

Natyrisht paraqitja nuk asht aq e drejtpërdrejtë por me ngjyresa e dritëhije. Përmes fjalëve të Philip-it, hetuesit privat të çashtjes, Mickrey shpjegon qasjen dashamire ndaj të shoqes së Afrimit kur thotë se:  “Ajo e shkretë ka mbetë vetëm fillikat në nji vend të huej, pa të holla, pa njerëz, s’flet dot gjuhën. Burrri i saj ... dreqi t’a hajë, nëse dikush ka humbë identitetin asht bash ajo!”

E jo se Mickery mund të kishte nji qasje të tjetërsoshme; ajo asht kundërshtare tipike e vendosjes së njerzve nëpër kallupe. Lavruese temash shoqnore, shkrimtare për BBC-në, dramaturge, ajo ka nji primje të natyshrshme me u sjellë me gjithsecilin sipas meritave e të metave të veta, jo me i nda veçmas prej emni a kombësie. Megjithatë problemi qi ka Mickrey me pjesën e Afrimit asht i natyrës praktike. Për arsye të prekshme apo të përfytyrueme ai rol s’mund t’i lehet dikujt tjetër përpos nji shqiptari. Mënyra e parashikueme e pjesës përjashton kah ky rol shtetasit e kombësive të tjera evropiano-lindore, le të themi, polakë, romunë, bullgarë e të tjerë, qi të paktën në teori mund t’ luejnë rolin e nji bardhoshi vendali. Qytetarë të këtyne shtetësive me çashtjet e qëndrimit e të punës tashma të ftillueme nuk detyrohen me mëshehë se kush janë e aq ma pak me u heqë si dikush tjetër.

Dy - tre kombësitë e tjera evropiane me këto çashtje ende të pazgjidhuna, p.sh, maqedonët apo boshnjakët, të humbun në  anonimitet siç janë, nuk gëzojnë bujën e nevojshme të nji emni qi nallmon tamam aq sa duhet vemendjen e nji auditori. Roli përmbushet në menyrë të përsosun prej nji Afrimi shqiptar. Arsyet e përfytyrueme, në kët mes përshtypjet negative, nuk janë veç almica skenike qi zhvendosen me lehtësi prej skene në botën e përditshme e anasjelltas, por edhe pengesa të vërteta në paraqitjen e vetes e përballjes ndaj të tjerëve.

Mos-shkundja dot kah vetja e emnit të keq asht nji dukuri aq e përveçme sa qarkohet me disa veti të tjera të pashoqe, gjithasi jo aq të lehta me i sheshue me mendje. Sëpari, për nji vend kaq të vogël nami i Shqipnisë asht tepër i madh për me zanë kaq shum vend në vetëdijen publike, gjithashtu e krahasueme me shtetësi të tjetra evropiane shqiptarët çuditnisht e gjejnë veten gjithnji në krye të rendidjeve derogative, e përsëfundi përshtypjet negative të përballuna tregohen të qëndrueshme e të palëvritëshme prej vendi me nji kambëngulje tashma disa dhjetra vjecare. Nji pasqyrë interesante e kësaj paraqitje janë rezultatet e nji sondazhi ndrëmarrë në fillim të muajit tetor të 2014 kah YouGov, (zyrë kërkimore e statistikore). Në kët tabelë shqiptarët renditen të fundit me përqindjen ma të ulët me 15%, prej kombësive të tjera me pritshmëni për nji kontribut pozitiv ndaj vendit bujtës, (Mbretnisë së Bashkueme). 40% e të marrunve në pyetje shprehen se shqiptarët kanë nji ndikim negative në vendin e tyne, 18 % të pavendosun dhe 28% pa mendim në këte çashtje.

Kah pikëvrojtja krahasuese, fakti qi MB përfaqson nji qendrim liberal mund t’na bajë me supopozue se, leximet e YouGov-it janë konservative përbri leximeve të përngjashme me pjesë të tjera të kontinentit. Mund të supozohet gjithashtu me njifarë lehtësie se, ‘bota e re’  për shkak të përkufizimit e largësisë asht e çlirueme prej këtyne kategorizimesh. Sakaq, për shumicën e atyne qi jetojnë në kontinentin e vjetër shenjëzimi shpesh i përciptë e i pavend asht kthye në praktikë qi përsëritet me rregullsi të bajatshme. Me të drejtë Peter Kellner, drejtori i YouGov-it, tue u përqendrue në rastin kurioz të shqiptarëve shprehet se; ‘pikëpamjet e njerëve të pyetun janë ma së shumti të mbrueme me frigën e përgjithsueme sesa përvojë vetjake prej shkëmbimeve njerzore’. Ajo qi Kellner nuk arrin të përmendi asht fakti se pavarsisht sesa të rreme a subjektive mund t’medojmë se janë përshtypjet, ato janë njisi thelbsore të perceptimit të vetes e të tjerëve. Indetintetet kulturore përveçse ngrehina sociale janë njikohsisht edhe ngrehina psikollogjike, andaj nuk ash aq largmendjes me mendue për nji lidhje sëpaku të tërthortë ndërmjet këtyne përshtypjeve negative e drojës së Afrimit me qenë vetvetja.

Ideja se kush jemi asht e lidhun jetësisht me ate qi nuk jemi, e ajo qi nuk jemi gjindet e simbolizohet në mënyrë ma të lehtë e shembullore tek fqinjët. Kësi ne shqiptarët themi se ne nuk jemi si serbët, grekët apo maqedonët e me rend, tue përcaktue vetveten në hapsinën e dhanme. Por ka kohë qi ky parim vetpërcaktimi i vetes si njisi kulturore asht i ç’rregulluem, disa mund t’thojnë, kthye kryeposhtë. Ndërsa identiteti kulturor i njanit asht i mbështetun kryesisht në konceptin e tjetrit, dëshira jonë me u ba ky dikush tjetër, dashtas apo padashtas, qoftë synimi ynë afatshurtën apo afatgjatë, ndërlikon edhe ma tej vijshmëninë e këtij përcaktimi. Katunde të tana qi applikojnë për shtetësi të hueja si bullgare, me të cilat shtete nuk ndajmë as kufi, njerëz qi rrëmojnë me ngulm me gjetë ndonji lidhje të huej në fillin farefisnor, e të tjerë qi mezi presin t’a lëshojnë vendin me çfarëdolloj mënyre. Kush prej nesh përballun me nji zgjedhje nënshtesie tjetër kish me e marrë e me shkue ka sytë kambët. Mbase shenja ma treguese e këtij shndërrimi mbetet aftësia jonë e hatashme me mësue gjuhët e hueja e me i mësue ato tue u përshtatë sa asht e mundun të folmes vendase.

Kjo gjendje e mjerueme mund të interpretohet sëpaku si nji pasqyrë e vetbesimit të shkërmoqun në kulturën e përbashkët. Me daljen kah izolimi, pellgu i referencave kulturore të përbashkta filloi e t’ bahet gjithnji e ma i cekët e ma i vogël, në afërsi të asaj pike ku mund t’quhet i papërfillshëm. Brumi i landës së i rilindasve i pështetun në dyjoren e gjakut dhe gjuhës mendohet se e kah tejkalue frutshmëninë e vet, e se me pikëvrojtjen e saj determinaliste na ndihmon pak në shkëmbimet e sotme. Ora liberale e neoshqiparizmës nuk pati mundësi as me lëshue rranjë emancipuese e vuejti kah nji dorë e randë naiviteti e pavendësie. Shkretina qi na ndoqi pas ish e ngrehun mbi nji fallsitet, e pamundun me prodhue diçka me vlerë e  kësi e paracaktueme me avollue në vitet e anarkisë së mandejme. Kjo, e shoqnueme me vobeksinë e skjashme qi përkufizon kahdo, pa përmendun mandej ndryshimet e botës rreth nesh, po shkaktojnë turbullime të matejshme në vendosjen e vetes në fjalëkryqin ku mund të marri njifarë kuptimi e të ketë nji ndjesi vendodhje.

Tërheqja e shtetit e la peshën e randë të vetpërcaktimit bash mbi shpinën e ngushtë të individit e identiteti evropian asht tepër i dobët e i  vagullt me plotësue shpraztinë e krijueme. Shteti-komb qe i sukseshmëm në shtypjen e ndrydhjen e pluralizmit të kulturave por kjo drydhje qe veç e përkoshme, polikulturalizmi duket se do t’jetë tash e tutje nji dukuri e zakonshme. Në kët polikulturalism pyetja shtrohet çka e kush jemi. Zygmunt Bauman shpreh mundësinë e pranisë së xhepave hapsinorë ku nuk ekzistojnë vlera të veçanta e ky boshllik mund t’na përshkruejë fort mirë gjendjen tonë të tashme.

Po t’i besojmë Alastair Campbell-it, këshilltar strategjist i kryeministrit shqiptar, ky boshllik mund të formohet e të mbushet me pak përpjekje e vullnet të mirë. Ri-etiketimi profesional i imazhit të vendit e të njerzve asht pjesë e randësishme e lojës së sotme mediatike, andaj ndryshimi asht natyrisht i krejtësisht i arritshëm,  për nji çmim të arsyeshëm kuptohet. Parrulla “Shqipnia e gjeneratës tjetër” të krijon përshtypjen se problemi i imazhit fobozhenik i shqiptarit asht inter-breznor, i tejkalueshëm e për rrjedhojë i përkohshëm. Tekembramja askush nuk mund të shënohet negativisht gjatë gjithë kohës së lume.

Të krijohet gjithashtu përshtypja se Campbell ka kapun diçka të mungueme ma parë në mbamendjen shqiptare, veçse s'duhet njikohësisht me harrue se bota qi ai vepron asht bota e paraqitjeve dhe e sendergjimeve. Në të vërtetë, ajo cka thotë Campbell asht pjesë e së njajtës rrenë shfajsuese qi asht ushqye kushedi sa mot me përligjë skamjen e mizerjen e tashme. Qysh prej vetdijësimit kombëtar na asht thanë vazhdimisht se jemi në nji gjendje të mjerueshme por kjo jo për faj t’onë, e se ne në të vërtetë duhet t’ishim ku-e-ku ma mirë. Tue u këqyrun në pasqyrën e vetvetes,  jemi gjithnji tue shkue pas kohës së humbun e s’do të vonojë shum derisa të dy realitetet, ai i andërruem e ai i jetuem të përputhen në nji të vetëm e të përkryem. Nëse psykollogjia e dikujt asht po aq thelbsore në përcaktimin e identitetit kultunor të njanit sa dhe kushtëzimi shoqnor i individidit, a s’mundet vallë qi përballja e vetetes ndaj vetvetes të jetë krahasimi ma i parë e kryesor qi ban shqiptari. Afrimi duket sikur asht kapun peng i nji papërcaktimi në kohë, i zanë midis vetes së padëshirueshme e vetes të projektueme në të ardhme,  në nji gjandje qi shkakton gjithnji arrati kah vetja. Të zanë përmes periferisë dhe aktualitetit të skamit dhe shpresës evropiane, Afrimat e Fatmirat e kësaj toke nuk kanë drejtim kah t’ia mbajnë. Ky asht tharmi i paradoksit shqiptar evropian, ku anise jemi të padashun e mbase të përbuzun ne jemi të parët entuziastë të këtij projekti qi ka shum gjasa të përfundojë në qorrsokak. Të pasigurtë se çka presim na parresht rrahim shuplakat e shpresojmë, qi me urdhën peshku, kjo andërr t’na transformojë si plastelinë në evropianët e flaktë qi jemi.

Tue shpalosun konceptin e tij për të huejin, si nji njeri qi sjell shqetsim, ankth, e frigë tek të tjerët (audienca e synueme ktu janë evropian-perëndimorët), Zygmunt Bauman shpjegon se tash nuk asht ma e mundun t’a mbash larg të huejin e frigshëm, ai mund të jetë shum ma afër sa mund t’jetë e mendueme. Ndjellja e ndjenjës të parehatisë e gërshetueme me afrimitetin fizik, e bajnë ate pikëshënjestre të prozhektimeve të gjithnduerme. Ai mund të ulet i paftuem në sofrën tande, mund t’marri si pagja vendin e punës, ai mund të përfundojë edhe i ndryem në podrumin tand pakujtue. Për Bauman në nji epokë post-holocaust, çifuti asht i hueji universal. E megjithse për arsye të kuptueme ai e tejkalon shtrimjen e argumentit, (çifutët në perëndim s’mund të quhen ma të huej), ne e kuptojmë për çka ai ban fjalë. Ai i referohet pakicave të pëbuzuna e të nëpërkambuna qi bahen fli të paragjykimeve.

Atbotë nëse çifuti asht për Bauman i hueji universal, shqiptari asht pa kurrfarë droje i hueji evropian.

 

https://yougov.co.uk/news/2015/02/02/imm...

https://d25d2506sfb94s.cloudfront.net/cu...

http://www.transcomm.ox.ac.uk/working%20...

http://www.prweek.com/article/1290084/al...

2 Komente

Nqs do ndonjoni kopjen elektronike te Lizzie Mickery, "Adventures of the soul", t'me coj zo se ia nisi.

Fatkeqsisht nuk gjindet ne internet.    

Ma fshinë o be ma fshinë ...

Po sinqerisht e kisha që Perla të kësaj Natyre janë të rralla edhe nëpër Botë .Ja që u desh Blogu PPU që të shpërtheje edhe në diallekt direkt prej Anglishtes.  Po ku ka besë Gjëmbi . Po doli ndonjë më shumë i ditur për të kuptuar Perlat e kësaj natyre dhe e komenton si në rastin Tuaj , e fshin në mënyrën më Brutale smiley

Poshtë Gjëmbi kur ka radhën e fshesaxhiut !

Ma fshinë o be ma fshinë ..

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).