Shkrimtari dhe një nga zërat më aktivë të shqiptarëve të Shkupit, vjen në një rrëfim për “shqiptaritë”, raportin me besimin dhe rrezikun prej fanatizmit fetar gjithnjë e në rritje. Ç’ndodh me shqiptarët përtej Vardarit ... ?

Pasqyrë e një populli të pambrojtur nga askush. Kështu e quan Kim Mehmeti, shkrimtar dhe një nga zërat më aktivë të shqiptarëve të Maqedonisë, atë çfarë ndodh me lagjen shqiptare në anën tjetër të lumit Vardar … “Nga ana tjetër e Vardarit, ku banojnë shqiptarët, me të vërtetë ngjan se feja është strehimore e vetme, ngaqë nga do që ta kthesh kokën, përballesh me dështimin e shqiptarisë së këtushme, përballesh me veprat e ‘banditëve’ partiakë, të cilët jo vetëm që nuk bënë gjë për popullin, por ia ngushtuan hapësirën jetësore, e getoizuan, madje edhe gjimnazin e vetëm në gjuhën shqipe që dikur ndodhej në një lagje moderne të Shkupit, e morën dhe e çuan në një cep të qytetit …”, thotë Mehmeti. Më poshtë, në një intervistë, Mehmeti vjen në një rrëfim për raportin historik të trekëndëshit që atij i pëlqen ta quajë “shqiptari” me besimin, nisur nga libri i Volterit “Traktat mbi tolerancën”, sjellë në shqip nga “Saras” …

Le ta nisim bisedën nga një thënie juaja, se “islami e ka shpëtuar shqiptarinë”, ku merreni me rastin e ortodoksëve apo katolikëve që pothuajse nuk mund t’i gjesh në Shkup?

Kam thënë vetëm atë që ka të bëjë me një hapësirë e me një periudhë të caktuar kohore, siç është rrethina e Shkupit gjatë dekadave të socializmit, kur vetëdija etnike ishte e ulët, kur shqiptarëve të këtyre trojeve u lejohej të bëheshin hoxhallarë, por jo edhe të shkolloheshin. Pra, kam thënë atë që ka të bëjë me një hapësirë e periudhë kohore, kur feja myslimane dhe gjuha e qumështit të nënës, ishin të vetmet strehimore që na mundësonin ta ruanim dallueshmërinë ndaj sllavëve të jugut, e me çaka ia dolëm ta shpëtojmë shqiptarinë e këtushme nga zhdukja e plotë e saj. Them nga zhdukja e plotë, ngaqë me qindra mijë shqiptarë që shkuan në Turqi, humbën gjuhën dhe përkatësinë etnike, njësoj siç humbën etni e gjuhë edhe qindra mijë shqiptarë ortodoksë e katolikë, që u sllavizuan dhe përgjithmonë u ndanë nga trungu ynë kombëtar. Kur e konstatoj këtë, nuk akuzoj e as merrem me llogaritjen se vallë kryqi apo çerekhëna ka gllabëruar më shumë shqiptarë, por vetëm konstatoj atë që shihet qartë: se në Maqedoni u zhdukën thuajse tërësisht të gjithë shqiptarët ortodoksë e katolikë dhe mbetën vetëm ne shqiptarët me përkatësi fetare islame, që nuk u shpërngulëm në Turqi.

Feja dhe identiteti, sa bashkëjetojnë mes tyre?

Identiteti të legjitimon dhe ai e përcakton dallueshmërinë mes individëve e grupeve. Identiteti është vetëdije për atë që jam, ai është si një lloj “adrese” e imja që më përcakton edhe grupin të cilit i përkas dhe si i tillë, identiteti është i ndryshueshëm. Dhe është i ndryshueshëm, sepse përbërësit e tij biologjikë e sociologjikë, janë të ndryshueshëm. Sido që të jetë, feja është pjesë e identitetit individual e grupor dhe pashmangshëm bën pjesë në përgjigjen e pyetjes: cili jam unë, e cilët jemi ne? Por kuptohet, feja është vetëm një nga elementet që e përcaktojnë identitetin individual e grupor. Dhe në atë “adresë”, siç e quajta kushtimisht identitetin – duke qenë se fetë janë të mbarbotëshme, ato të identifikojnë se banorë i cilit “planeti” fetar je, por nuk e tregojnë edhe adresën e saktë të “shtëpisë”, gjë të cilën e tregon përkatësia etnike. Dhe fetë në përgjithësi nuk merren dhe as e kanë për obligim të merren me çështje etnike, e as me mbrojtjen e interesave kombëtare. Por ato nuk e luftojnë përkatësinë etnike që na identifikon dhe as e dobësojnë patriotizmin. Nga ana tjetër, etnikja, kombëtarja, i ngërthen në vetvete të gjitha vlerat e një populli, përfshi edhe ato fetare. Andaj unë e them se ai që mbron kombin dhe atdheun e vet, është mbrojtës i të gjitha veçorive të tjera identitare të shqiptarisë, përfshi edhe ato fetaret.

Ka pasur shumë zëra skeptikë mbi mënyrën sesi besimi dominon te shqiptarët e Maqedonisë, zëra që arrijnë deri aty se në të vetmin rast mund të thuhet se “në këtë vend përpara është feja, pastaj kombi”?

Nuk e besoj se etnikja e kombëtarja janë në garë mes veti dhe se me çka do qoftë, ato e përjashtojnë njëra-tjetrën. Por e di se në këto hapësira shpesh është ngatërruar kufiri mes fetares e kombëtares, e di se fqinjët tanë kanë bërë çmos që përkatësinë tonë kombëtare ta barazojnë me atë fetare, vetëm që ta kenë më lehtë të na asgjësojnë dhe ta fshehin numrin tonë të vërtetë, duke na regjistruar si turq, grekë apo serbë. Pra, unë e di se shumë shqiptarë kanë humbur etninë, duke dashur të mbrojnë fenë, por nuk njoh asnjë rast që ndonjë shqiptar të ketë humbur përkatësinë fetare, shkaku i mbrojtjes së kombëtares. Unë e kam jetuar kohën kur ne shqiptarët e këtushëm nuk mund ta dinim se vallë hoxhallarët tanë i shërbenin Zotit apo djallit komunist, por megjithatë, nuk kishim ku shkonim më larg xhamive, ngaqë shkollat, libraritë, kinematë, teatrot, shtëpitë e kulturës … u takonin të tjerëve dhe në to nuk flitej shqip. Dhe si i ardhur nga ato kohë, mua nuk mund të më bindë askush se rinia e sotme e këtushme shqiptare mund të jetë më pak patriotike sesa ne të dikurshmit, të cilët as nëpër autobusët urbanë të Shkupit nuk guxonim të flisnim shumë zëshëm në gjuhën amtare.     Dhe është e vërtetë se xhamitë e këtushme kurrë nuk kanë qenë kaq shumë të mbushura me të rinj shqiptarë sa sot. Njësoj siç është e vërtetë se në lagjet dhe vendbanimet shqiptare, kurrë nuk ka pasur kaq shumë kafene e klube nate sa sot, e ku dehen, i mbushin hundët me “miell” dhe dëfrehen me prostitutat e ardhura nga larg, të rinjtë tanë. Gjithashtu, është e vërtetë se kurrë si sot nuk ka qenë kaq i madh përfitimi i agjencive turistike, që me autobusët e tyre transportojnë “mallin” e vetëm që bota shqiptare e “eksporton” në Perëndim – rininë. Pa mëdyshje, se as në kohën e socializmit, Partia Komuniste nuk e ka pasur nën kontroll rininë shqiptare kaq sa partitë e sotme “hajdutokrate”, siç janë BDI-ja e PDSH-ja. E pranoj se nuk e di se sa të rinjtë e këtushëm shqiptarë do i mbushnin bibliotekat, sallat sportive apo shtëpitë e kulturës që nuk i kanë, por e di se nuk më dhimbsen të rinjtë që mbushin xhamitë, por ata që mbushin kafenetë, ata që braktisin vendlindjen e që mbase do të asimilohen e kurrë më nuk do të kthehen, ata që janë bërë argat të partive, vetëm për të siguruar një copë bukë për vete e për familjarët e tyre. Pse e bëra tërë këtë hyrje? Që të them se sot, më shumë se kurdo qoftë më parë, qarqet antishqiptare investojnë në përçarjen tonë ndërfetare. Dhe bëjnë çmos që të riun e këtushëm shqiptar ta tregojnë si të ndryshëm nga ai në Shqipëri e Kosovë, bëjnë çmos që të riun e këtushëm shqiptar ta portretizojnë si një fanatik injorant, i cili nuk di të dallojë flamurin e vet kombëtar me shqiponjën dykrenore në të, nga ai i Arabisë Saudite. Dhe, përderisa e kam të qartë se cili është qëllimi i qarqeve antishqiptare, përfshi edhe ato këtu në Maqedoni, assesi nuk ia dal ta kuptoj se ç’duan të arrijnë disa gazetarë e opinionistë shqiptarë nga Tirana apo Prishtina, që merren me disa idiotë të këtushëm me çallma në kokë, të cilët i shërbejnë djallit antishqiptar, duke i ngritur ata në emblemë identifikuese për shqiptarinë e këtushme!? Unë pra e di ç’duan të arrijnë ata që financojnë radikalizmin fetar te shqiptarët, duke dashur të na përçajnë fetarisht, por nuk ia dal ta kuptoj pse disa intelektualë mendjehapur nga Tirana kozmopolite e Prishtinën properëndimore, nuk i shohin “talebanët” e këtushëm partiakë të BDI-së e të PDSH-së, të cilët shpeshherë, të përkrahur edhe nga Tirana e Prishtina zyrtare, njësoj si komunistët e dikurshëm, këtij populli e kësaj rinie, ia morën të gjitha, përfshi sheshet që shërbejnë vetëm për mitingje partiake, universitete që janë bërë degë të BDI-së e ku punësohen si profesorë partiakët e dështuar të kësaj partie, pra duke i lënë kësaj rinie vetëm xhamitë, kafenetë dhe autobusët që e çojnë në Unionin Europian.

Ngjan krejt ndryshe gjithçka në anën tjetër të Vardarit, ku janë shqiptarët… duket sikur feja është streha e vetme ku ata kanë gjetur shpëtim?

Ngjan, ngaqë nga ana tjetër e Vardarit, është duke u ngritur “Gaza” e shqiptarëve të Shkupit. Ana shqiptare e Shkupit pasqyron injorancën politike të përfaqësuesve shqiptarë, të cilët të dhënë pas “tenderokracisë”, nuk e shohin se si Shkupi deshqiptarizohet, si çdo lagje maqedonase e kryeqytetit të Maqedonisë ka bibliotekë, sallë sportive, parqe ku lozin fëmijët, e në lagjet shqiptare, fëmija del nga dhoma e drejtë në rrugë dhe ku thuajse vetëm rreth xhamive ka gjelbërim dhe ulëse ku mund t’i çlodhësh eshtrat. Po, nga ana tjetër e Vardarit ku banojnë shqiptarët, me të vërtetë ngjan se feja është strehimore e vetme, ngaqë ngado që ta kthesh kokën, përballesh me dështimin e shqiptarisë së këtushme, përballesh me veprat e “banditëve” partiakë, të cilët lëre që nuk bënë gjë për popullin, por ia ngushtuan hapësirën jetësore, e getoizuan, madje edhe gjimnazin e vetëm në gjuhën shqipe që dikur ndodhej në një lagje moderne të Shkupit, e morën dhe e çuan në një cep të qytetit, kështu që një i shkollar nga ana perëndimore e këtij qyteti, më shpejt arrin në Tetovë, se sa te gjimnazi “Zef Lush Marku”. Shkurt e shqip, matanë Vardarit, atje ku jetojnë shqiptarët, çdo gjë është më ndryshe, thuajse si e dalë nga kohët e Perandorisë Osmane, gjë që më së miri e pasqyron fatin e një populli të papërfaqësuar dhe të pambrojtur nga askush. Pra Shkupi shqiptar më së miri rrëfen si na është rrudhur territori etnik përpara hundëve tona, mbase për shkak se e kemi mbajtur kokën shumë thellë në grazhdin e sunduesve. Pra matanë Vardarit, jetojnë të zhgënjyerit, ata që besonin se përtej robërisë është liria, për të cilën vlen të flijosh gjithë më të mirat që posedon, e të cilët, pas ardhjes së “lirisë”, u përballën me diçka shumë të dhembshme: se mbase liria nuk ekziston fare, por vetëm mundësia që të zgjedhësh se a do jesh rob i armikut, apo i “çlirimtarëve” të tu. Pra sot për sot, në pjesën shqiptare të Shkupit, rritet një rini që për çdo ditë përballet me të vërtetën se edhe patriotizmi, edhe vlerat që i takonin tërë popullit, u bënë pronë e BDI-së, pronë e “hajdutokratëve” të veshur me petkun proeuropian e properëndimor, të cilët bënë çmos që t’i pëlqejë bota, duke e ditur se vetëm ashtu të papenguar do mund ta nënshtronin e ta plaçkitnin popullin e vet.

Nëse bëjmë një vëzhgim kronologjik të raportit historik që shqiptarët kanë pasur me fenë, në trekëndëshin Shqipëri-Kosovë-Maqedoni, si ka qenë ky raport?

Deri në Luftën e Dytë Botërore, ky raport ka qenë i barabartë. Ai raport u prish gjatë periudhës së socializmit. Siç u prish edhe shumëçka tjetër që ka të bëjë me mbarë shqiptarinë. Dhe tani, ne jetojmë periudhën kur duhet t’i barazojmë gjërat, gjë të cilën duhet bërë sa më shpejt, sepse vetëm ashtu do mund ta shmangim edhe këtë zhurmë që bëhet lidhur me atë se cila pjesë e shqiptarisë sonë është më e dhënë pas fesë.

Sa ka ndikuar feja në çështjen e kombit?

Janë gjëra që nuk mund t’i përcaktosh, por ka diçka që është e dukshme: në të kaluarën, kur pjesa më e madhe e popullit ishte e paarsimuar, klerikët ishin ata që ndihmuan dhe mirëmbajtën boshtin kurrizor kombëtar. Por gjithashtu, mjafton të shfletosh kalendarin e së kaluarës sonë që të shohësh se në emër të feve, shqiptarisë i janë bërë dëme nga më të paimagjinueshmet. Pra ka ndodhur që ushtritë e popujve fqinjë të pushtojnë territoret shqiptare, e klerikët e po këtyre popujve, t’i deshqiptarizojnë shqiptarët.

Më lini t’ju kujtoj një thënie të Volterit, i cili thotë se: “Edhe pse shumë i madh, në Paris arsyeja triumfon mbi fanatizmin: kurse në provincë, fanatizmi e tërheq arsyen prej hundësh”…

Sa më i paarsimuar është një popull, aq më lehtë u dorëzohet fanatizmave të llojeve të ndryshme. Andaj injoranca dhe mbyllja në vetvete, janë atdheu i fanatizmit. Vendlindje e fanatizmave janë edhe shoqëritë ku zhbëhen të gjitha vlerat njerëzore, ku ndërtohet sistem që e përjashton të ndryshmen.

A është kthyer fanatizmi sot në një rrezik. A mund të flasim për gjurmë të këtij fanatizmi në Kosovë. p.sh., ku numri i atyre që i bashkohen ISIS shtohet çdo ditë e më tepër?

Vlerësoj se jo vetëm Kosova, por gjitha “Shqipëritë” tona janë shoqëri të mbuluara nga rrënojat e vlerave që e mbajtën në këmbë këtë shqiptari edhe gjatë shekujve kur nuk kishim asnjë mbrojtje institucionale. “Shqipëritë” tona sot, e veçanërisht Kosova, janë shndërruar në ara pjellore të fanatizmave, ngaqë ato janë në kthetrat e një fanatizmi destruktiv politik, fanatizëm i cili i flijon të gjitha të vërtetat dhe të gjitha vlerat e kësaj shqiptarie, vetëm për të mbetur në pushtet. Sipas meje dhe parë nga ky këndvështrim, “Shqipëritë” tonë nuk janë të rrezikuara nga destruktivët tanë që i bashkëngjiten ISIS-it, apo që marrin pjesë në luftërat që nuk kanë të bëjnë me shqiptarinë, por janë të rrezikuara nga “fanatikët” tanë partiakë, të cilët janë të gatshëm të flijojnë edhe shtetin edhe popullin, vetëm për të mbetur ne pushtet. Në fund të fundit, askush nuk ka manipuluar me ndjenjat fetare të votuesve aq sa partitë e këtushme politike, me çka edhe krijuan hapësirë që manipulimi të shkojë edhe më thellë dhe më larg.

Ka tendenca për të gjetur një truall otoman nën vendbanimet ku janë shqiptarët. Vetëm pak kohë më parë, një imam në Kosovë deklaroi që kosovarët duhet t’i jenë mirënjohës Turqisë që i solli në këto toka…?

Të merresh me historinë që ndonjë hoxhë e ligjëron në xhami, do të thotë të pranosh se je popull që shkencën e zhvillon nëpër berberhane. Pastaj të kesh frikë nga hija e perandorive të vdekura, do të thotë se nuk e lexon drejt kalendarin e së sotmes. Ne shqiptarët nuk guxojmë ta kopjojmë mendësinë e disa popujve tanë fqinjë sllavë, të cilëve askush ende nuk u ka treguar se Perandoria Osmane është zhbërë qysh para një shekulli dhe se me të, as turqit e sotëm nuk merren aq sa ne. Pra ne sot nuk duhet të bëhemi ushtarë që luftojnë kundër, apo në mbrojtje të perandorive të vdekura. Po sot ringjallen perandoritë e dikurshme, ama të cilat të pushtojnë ndryshe: me ekonominë, nëpërmjet sistemit arsimor, atë të shëndetësisë …! Me Turqinë e sotme neve nuk duhet të na lidh e kaluara, por e sotmja. Dhe duhet të shohim si do ta ndërtojmë “Shqipërinë” tonë në këtë Turqi, ku thuhet se ka aq shqiptarë sa në gjitha trojet tjera shqiptarë marrë së bashku!

Flitet për një ecje drejt bashkimit kombëtar të Shqipërisë dhe Kosovës… ju si i shihni këto ide?

Po të mos ishte ëndrra jonë e madhe për një komb, një gjuhë e një shtet, ne shqiptarët nuk do t’i kishim sot as këto “Shqipëritë” që i kemi. Ajo ëndërr duhet mbajtur gjallë, sepse pa të, mund të mbetemi pa të nesërmen. Dhe çfarë populli do ishim ne, po të mos synonim bashkimin tonë?

Cili është raporti juaj me besimin?

Nëse e keni fjalën për besimin si fe, unë jam besimtar dhe besoj në Zot. Më në fund unë jam rritur e jetoj në një mjedis ku pesë herë në ditë dëgjohet ezani dhe ku qysh si fëmijë, je i detyruar t’ia shtrosh vetes pyetjen se kujt i drejtohet ajo thirrje. Dhe gjatë rritjes të vjen përgjigjja.

Tashmë i keni kthyer përgjigje vetes se çfarë është të besuarit?

Njeriu beson në shumëçka. Ai beson në të nesërmen dhe të ardhmen, që nuk e ka të garantuar se do t’i takojnë. Besimi në vetvete dhe në shumëçka tjetër, është një ndër shtyllat bartëse të jetës. Njeriu beson edhe në gënjeshtrat e shumta, që për çdo ditë i plasohen atij nëpër media.

Për një shkrimtar deri ku është kufiri që feja mund t’i vendosë imagjinatës?

Imagjinata dhe bota e ëndrrave nuk janë nën sundimin e askujt. Andaj për të ëndërruarit e për atë që pjell imagjinata, as Zoti nuk të shpall mëkatar. Imagjinatës nuk i vë kufij feja, por vetëdija jote. Dhe sa më i vetëdijshëm që je, aq më shumë e kupton se pa imagjinatë nuk ka art, njësoj siç e kupton edhe atë se jo çdo gjë që pjell imagjinata është art. Pa dyshim se lëndë përbërëse e vetëdijes është edhe qëndrimi yt ndaj fesë. Dhe feja e kufizon imagjinatën time po aq sa edhe çdo gjë tjetër njerëzore në mua, e që më çon të bëj çmos që në imagjinatën time të mos banojë destruktivja dhe jonjerëzorja.

3 Komente

keto pyetjet sikur i ka bere acdc-ja!

gazetaret,medemek ateiste shqiptare,jane bere me katolik nga papasmiley

nje gazetar sllavo-donas do ti kishte  bere edhe ndonje pyetje tjeter vec isis-i dhe terrorrizmit islamik.

ca te thote i ziu kim!   me qe patriotizmin ,lubonjizmi qe qeveris shqiperine keto 24 vjet e ka shpallur non grata,merrini ere islamizmit dhe iliatolizmit

Për një shkrimtar deri ku është kufiri që feja mund t’i vendosë imagjinatës?

Ahaha, ahahaha, ahahahahahah...

Mehmeti është shumë i shtruar dhe veçanërisht i nevojshëm.

   Tre shtete me shqiptare ne Ballkan, Tre kendveshtrimete ndryshme per te ardhmen, shperndare ne tre e me shume besime,  qe disa as nuk i kane te rrenjes, asnje strategji kombetare zhvillimore.30.000 shqiptare ne Mal te Zi, 27 parti te cilat i vertit Gjukanovici si i don qejfi.Shekulli u " foli shqiptareve "  me zerin e pendeses per te shkuaren.Shqiptaret po i le treni i prosperitetit dhe i besimit ne vetzhvillim duke mobilizuar resurset shqiptare .... se jane mesuar tu hipin  mbi kurriz,  por jo ata te hefhin cap per..... tu ngjitur.!

    Sot kane klase politike te degjeneruar dhe intelektuale pa nerv ideali kombetar.Kemi goxha mergate, por te molepsur prej ndasive, meskiniteteve dhe injorances.Asnje here feja nuk ka qene pengese,  sepse per arresye te shumta, besimin shqiptaret e shikojne si problem anesor.Kushdo ne shqiperi mund te sajoje nje tip " feje " dhe te gjenden ca ndjekesa .Kombi yne perjashtimish  nga gjitonet, nuk u formatua si komb nen flamur feje , por vetem perbashkimi ! 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).