Realiteti i frikshem

Dëshira për t’u pasuruar shpejt, shpesh bashkëjeton me varfërinë. Dhe kur zgjidhjen nuk e sheh tek puna, kjo dëshirë bëhet edhe më e rrezikshme. 

Shqipëria është kthyer në një parajsë të mirëfilltë të kumarit. Madje ky treg njeh zgjerim nga viti në vit duke mos shkuar në të njëjtën linjë të shumë sektorëve të tjera të ekonomisë, të cilët janë përballuar me një stanjacion gjatë këtyre pesë viteve të fundit.

Por nëse ekonomia po rritet shumë ngadalë dhe sektorë si ndërtimi apo industria janë tkurrur ndjeshëm, kumari është zgjeruar aq shumë sa në çdo rrugicë lagjeje mund të gjenden një ose më shumë pika basteshsportive apo kazinosh elektronike.

Shqetësues është fakti se tregu i kumarit po gjen zgjerim në Shqipëri në një kohë kur të ardhurat e familjeve janë tkurrur, pagat dhe pensionet nuk janë rritur prej të paktën dy vitesh dhe kur vërehet një rritje e ndjeshme e çmimit të energjisë elektrike apo karburanteve. 

Duke parë këto tregues, portali Albeu ka bërë një vëzhgim të tregut të kumarit në Shqipëri duke e krahasuar edhe me vitet e mëparshme. Të dhënat tregojnë se ka një zgjerim të vazhdueshëm të këtij tregu duke u kapilarizuar në të gjithë rrethet e vendit por edhe në fshatrat më të largëta. 

Statistikat
Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, është instucioni që kontrollon tregun e kumarit në vend. Sipas të dhënave më të fundit në saj, në Shqipëri ushtrojnë aktivitet 10 kompani kazinosh elektronike, 6 kompani bastesh sportive dhe 4 kompani që ofrojnë bingo tradicionale. 

Kazinotë
Dhjetë kompanitë që ofrojnë kazino elektronike kane qendrën e tyre kryesisht në Tiranë dhe kanë në total nëpër rreth plot 131 salla kazinosh elektronike. Pjesa më e madhe e tyre, 66 salla, gjenden në qytetin e Tiranës, 10 në Durrës dhe pjesa tjetër është e shpërndarë në qytete si Fieri, Saranda, Elbasani etj.

Sipas ligjit për Lojërat e Fatit, që një sallë të marrë licencën ajo duhet të ketë minimalisht 10 makineta elektronike në të. Aritmetikisht, në 131 salla kazinoshelektronike duhet të gjendet 1 310 makineta elektronike. Por, një pjesë e mirë e këtyre sallave kanë më shumë se 10 makineta elektronike. 

Ka prej tyre që kryesisht në Tiranë vendosin deri në 50 apo 80 makinetaelektronike për çdo sallë. Në këtë mënyrë, numri i makinetave elektronike ku shqiptarët lenë lekët çdo ditë përllogaritet në rreth 2 400-2 500 në të gjithë vendin.

Të gjithë këto më sipër janë kompani dhe salla kazinosh elektronike të licencuara nga institucionet shtetërore. Por, një numër i madh sallash të tilla funksionojnë pa licencë kryesisht në rrethet periferike duke rritur frikshëm numrin e pikave të kazinove elektronike në vend. 

Bastet sportive
Kazinotë elektronike janë një realitet gjerësisht i prekshëm nga qytetarët në përditshmërinë e tyre, por kur fjala vjen tek pikat e basteve sportive, shifrat duhet shumëzuar me më shumë se 15 herë. Tek bastet sportive, krahas skedinave, përfshihen edhe garat me kuaj apo garat me qen. 

Gjashtë kompanitë e mëdha të basteve sportive në Shqipëri kanë hapur gjithsej 2 117 pika në të gjithë territorin e vendit. 

Krahasimi i shifrave me disa vite më parë tregon se tregu është zgjeruar në vazhdim. Për shembull, në fillim të vitit 2012 numri i pikave të basteve në të gjithë Shqipërinë ishte rreth 1 800 ose rreth 300 pika më pak krahasuar me fillimin e këtij viti. 

Me një përllogaritje të përafërt, kemi të bëjmë me një pike bastesh sportive për çdo 1 300 banorë të Republikës së Shqipërisë. 

Nëse kësaj shifre i shtojmë edhe numrin e pikave të kazinove elektronike dhe atyre të bingove tradicionale, përllogaritet që të gjithë vendin të kemi një pikë kumari për çdo 1200 banorë të Shqipërisë. 

Në Shqipëri ushtrojnë aktivitet edhe 12 salla bingosh tradicionale. Ato janë të vendosura kryesisht në Tiranë dhe Elbasan. 

Shifrat e mësipërme por edhe shtrirja e gjerë e tyre tregon se kumari është kapilarizuar në shoqërinë shqiptare duke mos qendruar vetëm në qendra të rendësishme urbane por duke shkuar në çdo lagje apo fshat në vendit.

/albeu.com/

7 Komente

Nuk eshte e vertete Sajmja e mbylli bixhozin .

Çështja është pak e koklavitur, se pa të ardhurat nga kumari qeveria nuk ka me se t'i ndërtojë shtëpitë për të pastrehët që kanë lënë shtëpitë në kumar.

Uroj ta beje sa me shpejt kjo qeveri ate planin per te mos lene dyqane llotosh ne me pak se ca qindra metra prane, s'e mbaj mend sa, e t'i perqendronte te tjerat jashte zonave te banuara, sepse eshte vertet problem. Vetem kjo qeveri mund ta beje, se keta te PD jo keta, por as duhanin nuk hiqnin dot, as lazaratin nuk hiqnin dot, as faturat e dritave nuk vilnin dot. 

Dhe e forta eshte se lozin edhe te varferit smiley

+1

Sipas ligjit për Lojërat e Fatit, që një sallë të marrë licencën ajo duhet të ketë minimalisht 10 makineta elektronike në të. Aritmetikisht, në 131 salla kazinoshelektronike duhet të gjendet 1 310 makineta elektronike. Por, një pjesë e mirë e këtyre sallave kanë më shumë se 10 makineta elektronike

Ku e paskan thyer ligjin kur paskan me shume se minimumi i percaktuar me ligj?

Lujn bixhoz me fatet e popullit smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).