Disa thonë se lumturia nuk është gjë tjetër sesa një libër i mirë dhe aroma e një kafeje të sapobërë. Kështu libri gjen aleatin e vet në formën e një kafeneje-librari, një tendencë mes pasionit të letrave dhe shpirtit sipërmarrës që prej kohësh ka gjetur vend edhe në kryeqytetin tonë.

Kafe-libraritë apo libraritë kafene, një vend ku gjen një libër të mirë, një kohë të mirë, një kafe dhe një komunitet…

 

Nëse do të doje të takoje për të intervistuar shkrimtarin e njohur Fatos Kongoli, nuk ishte një sekret –as për një rishtare në gazetari –se atë e gjeje pa dyshim në kafenenë librari “Friend’s Book House”. Edhe kur kthehet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si para pak kohësh për promovimin e librit “Gjemia e mbytur”, nuk e braktis ritualin e vjetër duke i çuar gazetarët atje, në shenjtëroren e tij, në sallën e leximit në katin e nëndheshëm, duke folur me atë zërin tipik, të qetë dhe të ulët…

Të tjerë shkrimtarë, akademikë, ithtarë të librit gjejnë strehë e prehje në vende të tilla, ku libri bëhet mik me një filxhan të mirë kafeje dhe pak muzikë të mirë.

Disa thonë se lumturia nuk është gjë tjetër sesa një libër i mirë dhe aroma e një kafeje të sapobërë. Kështu libri gjen aleatin e vet në formën e një kafeneje-librari, një tendencë mes pasionit të letrave dhe shpirtit sipërmarrës, që prej kohësh ka gjetur vend edhe në kryeqytetin tonë. Edhe pse jo shumë e përhapur, i numëron disa syresh në zona të ndryshme të Tiranës, që prej vitesh i kanë mbledhur ithtarët e tyre, të cilët tashmë janë shndërruar në komunitete të ngjashmish ku shkëmbehen shije letërsie dhe biseda të këndshme.

Për të krijuar një hartë të këtyre kafeneve-librari, vitin e shkuar, në Ditën Botërore të Librit, 23 Prill, Ministria e Kulturës shpalli nismën “Një kafe & një libër”.

Duke parë interesin e disa bareve në Tiranë që nxisin të rinjtë drejt librit apo aktiviteteve me natyrë letrare, Ministria e Kulturës e pa të duhur t’u ofronte ofruar partneritet këtyre sipërmarrjeve.

Synimi i vërtetë ishte nxitja e të rinjve drejt një kohe të lirë aktive, të angazhuar me kulturën e librit, ku përfshihen promovime autorësh, përkthyesish, botuesish, redaktorësh, lexime publike me aktorë apo me vetë protagonistët e letërsisë. Kjo do të rriste potencialisht edhe rolin e kafeve të tilla si streha lexuesish dhe shkrimtarësh të rinj premtues, që mund të nxiten, sikundër e ka treguar përvoja europiane dhe botërore e letërsisë, nga një klimë e tillë pozitive ndaj artit dhe letërsisë.

Për realizimin e nismës, ministria bëri një thirrje për të gjitha subjektet që dëshironin t’i bashkoheshin idesë, sigurisht duke përmbushur më parë disa kritere të vendosura si; garantimi i hapësirave leximore dhe promovuese në mjedise të përshtatshme me jo më pak se 100 libra të ekspozuar në rafte të hapura për klientët, të kryejnë të paktën një promovim në muaj (autor, përkthyes, libër, kolanë, lexime publike vepre), të krijojnë, nëse nuk kanë, faqe të posaçme në rrjetet sociale, si edhe të kenë një kalendar 3 dhe 6-mujor aktivitetesh të shpallura që më parë.

Presim miq…në shtëpinë e librit

Një vit më pas, në faqen online që është krijuar “Rrjeti i kafeve letrare” gjen disa të tilla që i janë bashkuar nismës, ndër to Friend’s Book House, E Për7shme, Tirana Times, Tirana Ekspres, Zenit, Bar Radio, Artizan. Duke klikuar më tej, përveç hartës virtuale me informacione praktike, gjen të publikuara edhe aktivitetet letrare që zhvillohen në këto mjedise.

Shtëpia e miqve të librit apo siç e njohin të gjithë frekuentuesit, por edhe kalimtarët në rrugën Sami Frashëri, pranë Drejtorisë së Policisë, është edhe e para librari –kafe në Shqipëri, e cila i hapi dyert për publikun më 25 tetor të vitit 2001

Nuk ishte rastësisht ideja e themeluesve ta zhvillonin idenë nga një librari klasike në një librari-kafe. Kjo ndodhi 10 vjet pas hapjes së të parës librari private në Shqipëri. ‘International Book shop AMA’, në qoshen e parkut Rinia, e cila asokohe u bë vendndalesa e shkrimtarëve, politikanëve të ardhshëm, publicistëve të rinj, gazetarëve, studentëve, të moshuarve, prindërve dhe fëmijëve.

“Kuptuam se hapësira në dispozicion të librave dhe lexuesve duhej zmadhuar, distanca midis librave dhe lexuesve duhej ngushtuar, koha në dispozicion të librave dhe lexuesve duhej shtuar, komoditeti në marrëdhënien me librin duhej përmirësuar dhe motoja udhëheqëse ishte: ‘Libra për të gjithë –sipas interesave dhe mundësive’. Jo të gjithë kanë kohë, mundësi dhe parà ta blejnë librin, ka lexues që duan ta studiojnë në bibliotekë, siç ka lexues që kanë nevojë të komunikojnë me njëri – tjetrin për librin, ka grupe lexuesish që kanë nevojë të takojnë shkrimtare dhe botues, siç ka shkrimtarë dhe përkthyes që kanë nevojë të përballen me lexuesin”,- shprehet Ferhat Muhedini, nga Friend’s Book House.

Librari – kafe, bibliotekë “Friend’s Book House” është një kompleks shërbimesh për lexuesit dhe librin. Nuk është vetëm një kafene, një bar, një dhomë çaji, një librari, një bibliotekë, sallë leximi apo një qendër informacioni e promovimi. Nuk ofrohen vetëm kafe apo pije standarde, ofrohet ngrohtësi në produkte shtëpie që mund t’i shijosh në faqe librash.

“Salla e leximit është krenaria jone. Që kur u hap, pati një “Uaauu!” me gëzim nga ata që e kishin dashur të ndodhte kjo. Ajo është edhe zemra e “Friend’s Book House”, vendi ku studiohet dhe lexohet ose konsumohet produkti i barit thjesht nën arredimin e librave, arredim i cili mban tërësisht firmën e familjes sime, sepse ne kemi dashur të ngremë një shtëpi, ku të ndihesh si në shtëpi, ku zhvillohen aktivitete letrare shpesh, disa herë gjatë muajit dhe ku ndihesh shumë mirë, ku veshët të dëgjojnë vetëm muzikën e fjalëve të shkrimtareve, larg zhurmës e politikës”- vijon Muhedini, i cili pas 13 vitesh në këtë sipërmarrje – ku shprehet se e dashamirës nga e gjithë Shqipëria, Kosova e Maqedonia kanë kërkuar dhe marrë eksperiencë për hapjen e qendrave të ngjashme – iu bashkua rrjetit të librari- kafeneve, fill pas thirrjes së Ministrisë së Kulturës në vitin 2014.

Në Tiranë është kohë leximesh

Një tjetër kafe-librari e pozicionuar në rrugën “Andon Zako Çajupi” në kryeqytet, është edhe “Tirana Times”. E ka nisur aktivitetin në vitin 2008, por deri dy vjet më parë funksiononte si një librari tradicionale. Më 2013-n ajo u ideua për të funksionuar si kafe-librari

“Libraria Tirana Times së bashku me disa kafe-librari të tjera është pjesë e nismës së Ministrisë së Kulturës, që u prezantua para një viti në Panairin e Artit Pamor që u zhvillua në prill 2014 në ambientet e Muzeut Kombëtar ‘Një kafe një libër’”, – shprehet menaxheri i kësaj librarie, Ervin, Carka, i cili vijon se qëllimi i Tirana Times ishte t’i ofronte publikut një ambient ndryshe, ku lexuesi krahas një kafeje apo një filxhani çaji, apo edhe të një gote verë mund të ketë si shoqërues librin në shpenzimin e kohës së lirë.

“Gjithashtu, një nga qëllimet kryesore të Tirana Times është të afrojë më tepër lexuesin shqiptar me librin, duke i vënë në dispozicion ambientet dhe mundohet t’i largojë njerëzit sadopak nga rutina e bar-kafeve të zakonshme, të cilat në ditët tona janë shumë të frekuentuara”, – vijon Carka.

Në ambientet e librarisë “Tirana Times” zhvillohen dhe aktivitete të ndryshme kulturore, ku mund të përmendim: promovime librash të rinj, diskutime të ndryshme për librin apo autorë të ndryshme vendas dhe të huaj; seminare të ndryshme të karakterit social dhe kulturor, Net Poetike. Ishte pikërisht ky mjedis që mirëpriti komunitetin e poetëve shqiptarë, të njohur e të rinj, në Ditën Botërore të Poezisë, në aktivitetin e organizuar në kuadër të kësaj dite, ku u diskutua rreth poezisë dhe u recituan vargje të poetëve vendas dhe të huaj.

Në përditshmërinë e saj, në orët që qëndron e hapur vizitohet nga studentë, dashamirës të librit, akademikë, shkrimtar e të huaj që jetojnë në Shqipëri. Sepse, sipas Carkës, një kafe në shoqërinë e librit është më e shijshme sesa një kafe në shoqërinë e rutinës së çdo dite…

Një qoshk i përshtatshëm për librin

Ndonjëherë thonë se emri përmbush një lloj profecie. I tillë është edhe në rastin e “E Për7shme” – kafenesë librari në rrugën “Jul Variboba” në kryeqytet. Mjedisi i ndarë me disa ambiente të mbyllura të një shtëpie tipike tiranase dhe një oborri që në pranverë gjallon nga lulet, me një arredim në shije ‘vintage’, që i rri për shtat botës së librit, që rrethon çdo kënd të këtij vendi, kafe-librari “E për7shme” është një vend i përshtatshëm për ata që duan të kalojnë ca kohë të mirë në universin e letrave.

Ata që kanë krijuar panoramën e një ambienti vetmitar, prej eremitësh, gabohen sepse kjo kafe-librari është vend, që gjallon nga zhurma edhe rinia, si para pak ditëve ku u mbajt edhe Panairi i Librit të Përdorur. Të rinj e më pak të rinj nxituan të kapnin me çmime të mirë libra të vyer akademikë e artistikë. E7E, ashtu siç e ka emrin të vendosur në pllakatin në hyrje, përfshin shumë gjëra në një të vetme. Disa e quajnë kafene, të tjerë librari ku leximin mund ta shoqërosh edhe me një picë. Të tjerë e dinë se është një vend ku shfaqen filma dhe organizohen ekspozita arti. Sipas dy djemve që e drejtojnë këtë vend, asnjë nga këto mendime nuk është i gabuar.

“E7E është një platformë kulturore që mirëpret ekspozita arti, shfaqje filmash dhe mbrëmje poetike, një librari, një shtëpi botuese (Pika pa Sipërfaqe), një kafene, një restorant dhe piceri me ushqim të shijshëm e çmime të arsyeshme” – kështu e përshkruajnë drejtuesit sipërmarrjen e tyre.

E hapur më 2004 nga poeti Ervin Hatibi, “E për7shme”, e ka ruajtur funksionin e saj të parë, një vend që mblidhte bashkë shkrimtarë dhe dashurues të librit.

Në një intervistë të disa viteve më parë, një prej bashkëpronarëve, Arlind Novi e ka quajtur këtë vend si epifani të kulturës.

Tek “E për7shme” Novi nga lexues dhe frekuentues, u shndërrua në librar derisa u bë drejtues i saj.

Bashkë me partnerin në biznes, Ataol Kaso, dy djemtë vendosën të bënin një gërshetim mes biznesit dhe letërsisë për të mos e lënë këtë “shtëpi të dytë “ për ta të falimentonte.

Ndërkohë kishin themeluar shtëpinë botuese “Pika pa sipërfaqe”. Kafetë dhe ushqimet e shijshme krahas librave mund të rezultonin në të ardhura të mira edhe për botimet.

“Kafeja, ana komerciale e sipërmarrjes, shërben si mbështetje për pjesën tjetër të projektit,” shprehej Kaso, duke e quajtur këtë aventurë sipërmarrëse të tyre si një flakë të vogël për të mbajtur gjallë pasionin për librat.

Më të rejat në rrjetin letrar të kafeve

Në rrjetin e kafeve letrare veç atyre të mirënjohurave dhe më një lloj tradite, ndonëse të re, po ta krahasonim me Parisin e viteve ’30- ’40 ku këto kafe-librari ishin më në modë se kurrë

Dhe frekuentoheshin prej shkrimtarësh, filozofësh e artistësh, janë bashkuar edhe emra të tjerë si “Zenit” ; një shoqëri që operon në fushën e artit, botimeve, si dhe turizmit kulturor. “Zenit” e ushtron veprimtari prej vitit 1991, me organizimin e eventeve kulturore, është zgjeruar më tej në atë të artit dhe librit. Ajo përfshin galerinë dhe shtëpinë botuese me të njëjtin emër. Shtëpia Botuese “Zenit editions” ka mё shumё se njё dekadё qё operon nё fushёn e botimeve dhe pёrmban në katalogun e saj disa nga kryeveprat mё të spikatura tё letërsisë botёrore.

Përtej ekspozimit të artit pamor në mjediset e tij, në Zenit vijnë të trajtuara artit pamor me letërsinë, filozofinë e artit dhe aparatin kritik, përmes temave e bisedave me një audiencë që përfshin lexuesit, artdashёsit, studiuesit dhe studentёt nё evenimente arti mes fjalёs dhe imazhit dhe ekspoze të formave të ndryshme tё shprehjes së artit dhe shkrimit.

Edhe “Tirana Ekspres”, një tjetër kafene në qendër të kryeqytetit, i është bashkuar nismës së Ministrisë dhe në përshkrimin e saj thuhet se është një hapësirë ku takohen alternativat e artit, koncertet, ekspozita, kinemaja e shumë të tjera. Qëllimi i kësaj qendre të kulturës alternative është të shërbejë si burim për përhapjen e aktiviteteve kulturore e sociale, për promovimin e artistëve e shkrimtarëve të rinj, si dhe të shërbejë si platformë për bashkëveprimin social.

Edhe pse nuk gjendet ende në hartën e rrjetit të kafeve letrare, librari-kafe “ Lajmi i mirë” është ndoshta një nga mjediset më të rinj që i është bashkuar rrymës së leximeve në kafene. Aty gjenden shërbim bari, libra me tematika të ndryshme nga autorë të njohur vendas dhe të huaj, kënd leximi si edhe mjedis për fëmijët.

Megjithëse janë ende pak për t’u quajtur “në modë”, ata janë alternativa e shumë preferuar e lexuesve, studentëve dhe atyre që thjesht duan të shijojnë një kafe dhe të lexojnë shtypin e përditshëm. Ndoshta epoka e librarive klasike ka ardhur drejt fundit dhe ajo e reja ngjan me një mjedis të këndshëm, të ngrohtë e miqësor të një kafeneje. Një dolli për librin! Me kafe…

16 Komente

Keto nismat e kafene-librari, ku klienti duke pire kafe edhe lexon, me duken nje gje shum e mire. Disa kafene, aplikojne gazetat, duke i terhequr klientet nepermjet gazetes .

opo kur do bejne ate nismen  qofte-birre-librari, Pjero..  ku  klienti me nje dore i ngul pirunin fort qoftes, dhe me doren tjeter rrekellen nje krikell birre te ftohte, pa haruar me pare te kete kthyer faqen e librit.. keshtu po, shijon leximi!.smiley  

smiley

smiley

Bellul, ke harru kamarjeren, dhe çer ka ngambrapa ajo!

 

Vallai o Belul mos e qorrolleps kot kete mega-ide ketu. Coja km-se si enderr (tek ai programi i qeverrrise, Pallati i Enderrave a si quhet), se me gjithe ato zgarra korcare qe jane hap ne Tirone, ke per te ngel ne histori per rolin tend lexues ncites.  

Me hape syte per nje start-up Belul; Qofte-Birra-Audiobooks. Njerzit vijne, zgjedhin librin qe duan te degjojne dhe porosisin qofte e birra, ne tavoline (tavolinat do jene te gjitha teke) gjejne kufjet gati, dhe ulen degjojne kryeveprat e letersise boterore duke i pas te dyja duart e lira per birren dhe qoftet smiley

djema, djema.. mo na i vidhni idete..smiley   po gjene e mire qe e thashe ketu te ppu  thuaj, se peshku ka arkive..smiley

 

p.s  te ajo qe thashe me siper, mendoj qe qoftet duhet te kapen direkt me dore, pa pirun,  pasi yndyra ne gishta sherben  per te shfletuar faqet e librit kollaj...  1 rruge e 3 pune, tha..smiley

Bile ndonje qofte mund ta perdorin si bookmarker per te majt men faqen ku e lane. smiley

si i behet nga pikepamja e fitimit kur klienti pi je kafe dhe okupon tavolinen duke lexuar me ore te tera?

Amani bre te uruar, beni sevap per ne qe nuk proftasem te jemi ne Anravutistan, dhe na perktheni pak nga inglizcja ne arnvautce kuptimin e Friend's Book House.

Ndoshta pronaret kane dashur te thone ne inglizce smileyhtepia e Mikut te Librit, por sipas kesaj qe kane shkarravitur nga arnavutcja, ne inglizce ka dale Shtepia e Librit te Mikut.

Ne e paca jangellesh, uzgunum

 

e ke mire por si tha Luftari, jermani qe veshur si jerman, qe na ta merrnim , per partizan

Permbledhje nga supermbesa te kujtimeve te supergjyshit?

vendi ku studiohet dhe lexohet ose konsumohet produkti i barit thjesht nën arredimin e librave

E keni fjalen per barin e Lazaratit?

Sa e trashe qe behesh. Flet per barin qe ndodhet ne librari brenda. Bar, lokal. Keta kane produkte si kafe apo kakao. Bari i lazaratit eshte vete produkt. Si mund te jete vete bari atehere produkt i barit? Ehh su bone iher su bone. 

Faleminderit i holli i bome disa here!

P.S. ndonjehere merri gjerat lehte. Se ka raste qe e kam me shaka e ironi. Sic ishte ne kete rast, per te vene ne dukje cfare mendoj une jane gabime ne te shkruar te autorit/es.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).