50 + hijet e “pjeshkave”
Woman Reading with Peaches by Henri Matisse

 

Gjthçka ndodh në tokën ku balta të duket më e ëmbël se mjalta edhe pse “mjaltën” e sheh rrallë ose kurrë, në tokën ku “pjeshkat” janë aty, në të katër stinët e vitit edhe pse disa syresh shkojnë në punë të vet dhe nuk kanë asfarë lidhje me pjeshkën dhe as me kuptimin gjithëpërfshirës që mbart me ose pa dashje kjo fjalë. Disa zonjëza e zonja me çantë, siç thotë i miri Dritëro, me ca më shumë sens humori, i kanë gjetur madje edhe mashkulloren ketij fruti që tingëllon ngacmues dhe veçanërisht femëror në gjithë rrumbullaksinë e vet, ngjyrën, aromën dhe shijen; duke e quajtur kështu në zhargon me shoqet e tyre: “pjeshku”. E për të vijuar me të njëjtën linjë sarkazme, frymëzuar as më shumë e as më pak se prej bisedave që ne gocat, bëjmë me njëra- tjetrën, në përpjekje për të gjetur kështu një ekuivalent/barazvlerës mashkullor, i cili na jep për një çast ose dy, iluzionin se meqë nuk kemi një realitet aq të drejtë- prerë mes seksesh, këtu në Shqipëri, të paktën, të gëzojmë lirinë e të marrurit me ironi, të asaj që nga brenda është tragjedi: një pjeshkë e bukur dhe e freskët në fytyrë, por e kalbur nga bërthama e më tej.

Tragjedi, e cila nuk ngjet gjëkundi në tingullim e as në përmbajtje me fjalëzën e ëmbël e të dashur “pjeshkë”. Pyetja më shumë se e natyrshme që lind në këtë rast është: cilët janë shkaktarët e vërtetë të tragjedisë së pjeshkave: pjeshkat ose gratë apo të dashurit a shokët dhe vëllezërit e tyre?

Kjo është gjithsesi e përsëri edhe më e fortë se dilema e vjetër; “veza- pulën apo pula- vezën”. Nga ato dilema që nuk dihet nëse nisën me “çarjen” e fortë liberalizuese të post ’90- ës, e cila duke ardhur ashtu furtunë, si surrogato e demokracive të pjekura perëndimore, la nga pas edhe viktimat e saj të para të prostitucionit, (vite, ku as për shaka nuk do të donim të ktheheshim), apo nisën që në gjak e deje të Ballkanit, në një datë dhe kohë të pacaktuar me dëshirën për të zgjatur deri në një tjetër datë e kohë po aq të pacaktuar…

Tragjedia e pjeshkave pati periudhën e saj të lulëzimit, ama, padyshim ditën kur gratë ia dorëzuan fatin e tyre “tjetrit” dhe e hoqën gjithë përgjegjësinë e vetes nga vetja. “It’s a men’s world!” Of course. Hajde tani! Të dalim t’u bëjmë shoqëri burrave dhe pse jo t’i ndihmojmë nga pak në realizimin e ëndrrave të tyre, që pastaj ata të realizojnë tonat dhe në fund ta kthejmë një dolli në shëndetin e tyre që pastaj ata të kujdesen për shëndetin tonë. Ky është shumë apo pak(sa) fataliteti i gruas shqiptare, jet’ e mot. Kopertinat llamburitëse të revistave me gra “të suksesshme” në Shqipëri me gjithë qejfin tonë për të besuar se diç’ do ketë lëvizur e se diç’ do ketë kthyer në këtë histori, nuk na bindin. Nuk na bindin sepse mjafton të shohim atë që e jetojmë sot, tani, ne gratë, të gjitha!

Lufta e disa-fishtë e grave për të arritur një pozitë të krahasueshme, të përafërt dhe më rrallë të njëjtë me shokët a kolegët e tyre burra, është ose e rrallë ose abuzive. Abuzive sepse gratë janë në shumicën e gojëdhënave ato që “përfitojnë” pa “arrijnë”, ato që e gjejnë të shtruar prej dikujt “burrë”, pa ecin, ato që “përdorin” sexappeal- in e tyre, forcën e marrë hua gjetiu, seksin, jo veten. Ose janë ato, vetja, pa u inferiorizuar por, për fat të keq duke marrë frymë në një inkubator me përditë- luftën e brendshme dhe hera- herës të jashtme, për të qënë ashtu siç i vjen të jenë dhe jo siç duhet të jenë, siç “shtëpia” i do apo siç burri do t’i donte në fantazitë e tij!

 

Në mbledhje

Një shef, disa herë më serioz se shumë shefa të tjerë, hokatar dhe pak cingun, me ton shpotitës dhe vetëkënaqësi të lexueshme- nga butonat e këmishës së hekurosur prej gruas së tij të bindur për merak, hedh një vështrim dhelpërak dhe të shkathtë si dreq: “Eee mi gra, se qenkeni dhe të gjitha gra, a gjetët burrë apo jo?”

Gratë, të turpëruara, si shejtanka, e dinë se në disa raste është e domosdoshme të qeshësh megjithë shakanë pa kripë të shefit dhe qeshin sigurisht, madje në kor! (It’s raining men, hallelujah!)

 

Në bulevard, rrugës për në zyrë

“O Zot, çfarë gjallese!” (njëri- njërës), vijon: ta hash! (të gjallë, natyrisht). Toni pikant, muskulatura e skalitur ndjeshëm dhe pamja e shkujdesur që thërret për moskokëçarje, vanitet dhe makinë të bollshme, nga ato që zënë disa pjeshka brenda, shpjegon pak a shumë gjithçka.

 

Në gazetë

“Emigranti i sapokthyer mbyt e masakron gruan për xhelozi. Dorëzohet: Dyshoja se më tradhtonte me një bashkëfshatar.”

Gruaja natyrisht monitorohej 24 orë në 24, ndërsa burri punonte jashtë vendit, nga ku nuk i numëroheshin dashnoret. Por, kur erdhi, ai vuri re se ajo grua kishte diç’ që nuk po i pëlqente dhe e thjeshtë: thjesht e vrau!

Tjetra:

“Burri më gjente klientët, prostituoja në sy të fëmijës.”

Kjo ngjarje me “skenar” që nuk i lë asgjë mangët filmave thriller hollivudianë, më kujton edhe një tjetër skenë nga filmi shqiptar “Agon” ku tutori, ish boyfriend- i i prostitutës, interpretuar guximshëm prej aktores Eglantina Cenomeri, i drejtohet asaj, jo tekstualisht: “Po unë t’kam dash’ mi kurvë!”

E gjithë shkak- pasoja e ngjarjeve të kësaj natyre nis vrullshëm, me ndjenjë dhe “dashuri” e përfundon me shkatërrimin e partneres dhe pra, pa pikë dashurie. Dhe pyetja pa pyetje këtu do ishte: sa “më fal”, sa pendesa, mund ta kthejnë mbrapsht një njeri në gjithë plotërinë e vet apo edhe më keq një jetë njeriu?!

Xhelozia është kryefjala e kobit!

Xhelozia si justifikim ekzistence, si nevojë sadiste për t’u ndjerë gjallë apo çfarë? Pse?

 

Mes kolegësh/miqsh

Më pyet një mik dhe koleg i dashur, fare spontanisht, duke mos ditur asgjë mbi ndjeshmërinë time për tema të tilla:

-Po ti, a je feministe?

-Ah, jo! – i them. (Me vete po qeshja, e po mendoja se është luks i madh të mos jesh feministe sot e për pak më pëlqeu që e pozicionova veten mes atyre që e kanë këtë “luks”)

 

E ndërsa është qindra herë më e lehtë të gjerbësh një pjeshkë, të rrufisësh një lëng pjeshke a të bësh e dëgjosh gallatë- parlamenti, se sa të merresh me tema të tilla, them se gjithsesi, zgjidhja më e mirë është të flasim për “gjymtimet” tona, se sa të heshtim. Për ne, që ende besojmë tek fuqia jonë, prej nesh! 

2 Komente

Proletare të të gjitha qyteteve, bashkohuni!

Duke abuzuar me fjalet e huaja dhe duke mbi- dhe keqperdorur klishete, mbase harrohet qe abuzohet edhe me lexuesin. Meshire? smiley

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).