- pjesë nga novela

"Kampionët falas" paskëshin qenë një ide gjeniale: s’kaloi shumë dhe të gjithë i provuan pikat e mostrave, e të gjithëve iu gjallërua rrembi i fjetur i poezisë – një shkencëtar tha se çdo talent njerëzor fle në kodin tonë gjenetik, a e shfaqim apo jo, kjo varet në zgjohet ajo pjesë e kodit apo jo, dhe mesa duket lëngu, që u quajt fillimisht “Zgjuesi i Dantes”, pastaj edhe me versionet “Zgjuesi i Majakovskit”, “Zgjuesi i Homerit” (më i shtrenjti ky, sa më i hershëm shkrimtari që zgjonte, aq më shumë kushtonte lëngu, sepse kuptohet, gjumi i vjetër është më i thellë: nuk mund të kushtonte zgjuesi i Aristofanit po aq sa ai i Pushkinit, apo sa i Ahmatovës, për shembull), derisa u bë popullor emri gjenerik: thjesht, “Zgjuesi”, me sa dukej pra, lëngu vërtet zgjonte gjenij të fjetur tek gjithkush. 

Zgjuesit mund të porositeshin online, ose me telefon. Qendrat e thirrjeve telefonike filluan të shtoheshin me ritëm gazmues, marrëset e porosive me telefon, të cilat punësoheshin me pagën minimale, flisnin me akcent të rëndë të cilin e përtypnin bashkë me çamçakëzin: çfarë zgjuesi donit, zonjë? Thatë Adrienne Rich? Po natyrisht që kemi, madje sot është dita juaj me fat, po! Se me Richin vjen edhe Sylvia Plathi, Sylvia Plathi me gjysmë çmimi, po, oferta vlen vetëm sot ama…, nesër është vonë. Ajo që ndodhi më pas ishte befasuese për nga përmasat, edhe pse e pritshme, sipas paradigmës së vjetër poetike “s’kishte si të ndodhte ndryshe, të ndodhte ndryshe s’kish se si”: poezi pa fund e anë vërshuan kudo. Me internetin kjo bëhej kaq e lehtë! Nëqoftëse vendi thuhej se prodhonte më shumë histori se sa mund të treste, tani fare mirë mund të thuhej se prodhonte me shumë poezi se sa mund të lexonte. Edhe për t’ua parë vetëm titujt, nuk do të mjaftonte koha. 

Një gëlim i tillë vargjesh u quajt një fitore e padiskutueshme e demokracisë. Poetët u shtuan aq shumë, saqë natyrshëm vijoi edhe vetorganizimi i tyre në klube pa fund, shoqata, lidhje të shkrimtarëve e artistëve, në tubime ku poetët vinin me autobuzë të mbushur dingaz, ku mezi arrinin të futeshin e ku ngjesheshin ashtu ngushtë e ngushtë, ngucur në kornizat e rimave e të asonancave që s’epeshin, pa për ndenjëse e ulje nuk po mëtonte më njeri. Mezi i mbyllnin ato dyer, duke i rrasur trupat si me lugë këpucësh. Aq e fortë ishte trysnia e brendshme somatike, sa autobuzi detyrohej të nxirrte përkohësisht jashtë dritares ndonjë gjymtyrë a sup letrari, mu si topat e futbollit dikur komardaret e tyre të mbifryra përmes qepjeve të dobëta apo shqepjeve më mirë, në dy e tre-llokshat, edhe ashtu niseshin, të urgusur, me ato skopjo poetësh drejt takimeve, bienaleve, të mbushur plot me çmime për njëri-tjetrin, plot me mbiemra sipëroro-lëvdues dhe recitime me foni të amplifikuara të strofave, siç një e fundit:

Toka lind,
Dielli plugohet:
Përjetësi…

Tre rreshtat kishin bërë nam e emër në një festival të mbramë hëm lokal, hëm kombëtar, - kjo varej nga këndi i shikimit dhe ora e ditës. Pasditja zakonisht ishte e kombit. Strofëza, të cilën autori me përvuajtje të thellë poeti i kish quajtur “haiku”, u brohorit pa fund në këmbë, me ngazëllim të vjetër, metrik, me ritëm shuplakash të uritura, dhe autori e kish të pamundur të largohej nga podiumi, i kërkohej “encore”, sovrani, domethënë audienca, donte prapë, bizzz, bizzzz... A mund t’i thuhet “jo” sovranit? Dhe aty, me mirësinë altruiste të poetit të madh, autori u avit përpara mikrofonit, brohorimat u zbutën një çast, thjesht për respekt të folësit, - ato kishin diçka nga hungërrima e tërheqjes kanine që bëhet gati për një shpërthim të ri, - e në atë qetësi aq të brishtë e të përkohshme, poeti e dha prapë diamantin me bujari:

Toka lind,
Dielli plugohet:
Përjetësi…

Turma (për hir të së vërtetës të gjithë poetë lëngu) nuk mundi të duronte dot më, por shpërtheu me brohorimë edhe më të ndezur se paraardhësja. Kjo bëhej, natyrisht, pas një marrëveshjeje të pazëshme që "sot është radha jote për podium, nesër e njërit prej nesh që po brohorasim". Brohorit, se do të brohoritesh!

Skizmat e para ishin të natyrshme si çarjet e frutave të arrira. E para qe diçka e lehtë: dikush i quajti të frymëzuarit e rinj  “poetë merri me lëng”, duke luajtur ashiqare me natyrën fizike të “Zgjuesit”, i cili fill pas kësaj do të shpërndahej edhe në formë pilulash, të mbështjella me një mbulojë të padëmshme, lehtësisht të tretshme, që mund të gëlltiteshin fare pa vështirësi, madje pa patur nevojë as për ujë. S’ish ndonjë problem i madh t’i shpërfillje këta keqdashës me heshtje, e cila është tretësja më e mirë e çdo dokëndisjeje të këtij lloji.

Kurse skizma që pasoi qe më serioze: filluan të shfaqeshin edhe prodhues të tjerë të “Zgjuesve”! Natyrisht me emra të ndryshëm nga të “Zgjuesit”, me çmime konkurruese, imitues të mjerë, por këmbëngulës, me reklama që arrinin deri aty sa të përqeshnin drejtpërsëdrejti origjinalin vetë, “Zgjuesin”, sipas paradigmës poetike të një poeteje e cila krijonte edhe thënie (pra ishte edhe thënëse, e po luftonte të quhej edhe parathënëse). Nëse do që të dukesh mirë, qe thelbi i reklames konkurruese, bëj tjetrin përkrah teje të duket keq. Në reklamat e tyre tregohej dikush që pinte shishe të mëdha me “Zgjues” e megjithatë nuk arrinte të prodhonte dot asnjë varg, por vetëm një zhurmë nervangritëse sharrash që nuk pushonte (kjo do të thoshte se po të përdorje “Zgjuesin”, jo poezi që nuk krijoje, por përkundrazi, përfundoje në një zhurmëmadh të padurueshëm e konsumues të pyllit). Pas asaj, fatkeqi merrte një dozë të përkorë nga preparati “Poetofer” – kështu quhej lëngu për rastin – dhe fillonte të lëshonte vargje të mëndafshta të shoqëruara nga korale romantike të Schumannit.

Konkurrenca nuk ishte i vetmi shqetësim: edhe nga blerësit filluan kundërpërgjigjet e para negative. Kishte nga ata që vinin nervangritur në shitoret e zinxhirit “Një zgjues për Ty”. Unë doja të zgjoja Bernard Shawn tim, jo Ezra Poundin sikundër po më ndodh! Britma e tij pasohej me një goditje me grusht mbi banakun mikpritës mbushur plot me flakone zgjimi, të cilët dridheshin nga mëkati artistik. E ç'ta dua Poundin unë?! Hajde bëje të flerë prapë tani! Sa më pak që ankimtari e njihte Ezra Poundin, aq më tronditëse vinte mëria e tij. Ndërsa në rastet kur Poundi nuk ish dëgjuar kurrë më parë prej tij ose saj, raste të cilat në fakt përbënin shumicën dërrmuese të ankimeve, zemërimi ishte i tejskajshëm: një rrapëllimë e papërmbajtshme prej klienti të keqpërdorur, gati për krim e ndëshkim nga ana tjetër e banakut.

Sidoqoftë, çdo e keqe sjell një të mirë. Raste të tilla lindën edhe nevojën dhe kërkesën për “Fjetësit”, pra për vënësit në gjumë të demonëve poetikë të zgjuar gabimisht, çka ishte një ndërmarrje edhe më e vështirë, pasi ata demonë, për nga vetë natyra e tyre, nuk shtroheshin dot lehtë. Përveç kësaj, kjo solli edhe daljen përpara për parandalim të së keqes, domethënë hedhjes në gjyq të korporatës prodhuese prej përdoruesit të pakënaqur të lëngut, - se dihet, bëj mirë e gjej keq ka qenë kjo punë gjithnjë. Kështu, nëpër shishkat e “Zgjuesve” filluan të shkruanin të famshmit disclaimer me germa të vogla paralajmëruese për ndikimet anësore, qëndisur nga avokatë dhe një ekip fjalëlidhësish që ishin esnafër për kësi gjërash: “Mund të ndodhë që zgjuesi në vend të Petrarcas, zgjon Göthen, Rilken apo Cervantesin. Në raste të tilla ndërpriteni marrjen e preparatit dhe paraqituni në lokalin më të afërt të ‘Një Zgjues Për Ty’. Ndodh shumë rrallë, por sidoqftë nuk është krejt e pamundur që të ndodhë: për çdo 1000 Petrarca, zgjohen mesatarisht 0.75 Göthe, 1.1 Rilke dhe 0.003 Cervantes. Na falni për inkonveniencën. Shpresojmë të mos bëheni një Göthe, një Rilke apo një Cervantes. Thjesht një Petrarca siç dëshiruat me porositjen e këtij produkti. ‘Një Zgjues Për Ty’ e vlerëson biznesin tuaj. Në rast se ju zgjohet një autor i ndryshëm nga të sipërpërmendurit, ju lutemi të na njoftoni. Ju bëjmë me dije se kemi informime, gjithnjë të pakomfirmuara ose të vjela në kushte të anonimitetit, edhe për zgjime të Longfellowt në ju...”. 

Dhe e fundit, por jo më e parëndësishmja, incidentet sollën edhe nevojën e "sigurimit të prodhimit" për lëngun, i cili vinte vetëm me një garanci njëmujore për moszgjim gjeniu të gabuar. Meqenëse shitja e sigurimit bëhej “me komision”, pra shitësit përfitonin një përqindje mbi shitjen e tij, këta bëheshin veçanërisht të bezdisur për ta kandisur blerësin të merrte sigurimin plus pas së famshmes “garanci fabrike”: “Vërtet nuk doni garanci shtesë?", bënte sikur habitej shitësi. "A jeni i sigurt? Ju si të doni, por po të isha në vendin tuaj do ta mendoja këtë punë. A e dini se sa do t’ju kushtojë nëse pas muajit të parë do të zgjoni papritur e pa kujtuar një tjetër poet nga ky që dëshironi? Ju duket e pamundur? Nuk kanë të numëruar rastet kur, për shembull, dikush don që të jetë një Lermontov i llojit të tij, Lermontovi që ai ka mbartur pa u ndjerë gjithë vitet e jetës së tij, dhe papritur e gjen veten Montale. Njëri, që e kam edhe komshi, i binte kokës me grushta jo më larg se dje. Ai donte të ishte një Lasgush Poradeci sui generis, dhe e pa veten Dritëro Agoll. Kuptoni? Ka Zot që e vë në gjumë Dritëroin? Dritëroin nuk e mposht as rakia 22 gradëshe! Ja më thuaj… Ti sikur the që i urren rimat, apo jo? Imagjino që pas muajit të parë, kur s’je më i mbuluar nga sigurimi i lëngut, ta shohësh veten një Naim Frashër! Dihet që proçkat pikërisht atëherë ndodhin, sapo mbaron sigurimi. Ç’do të bësh? Mbase të duket gjë e lehtë ta vësh në gjumë Naimin, se helbete, vjersha me fusha e lëndina e fyej e cicërima e gurgullima mistike po flasim, por në fakt këta lirikët janë më të vështirët për t’u vënë në gjumë, pasi ata me ninullat a nanurimat e të pushturat e të qafuarat e të ndukurat e shoqkave anës liqereve e ylbereve e krojeve janë mësuar, i kanë siç kemi unë e ti zhurmën e kovaçit, apo të autobuzit të mbinxehur në zhegun e gushtit, të themi. Pra, merr më mirë një sigurim njëvjeçar qysh tani dhe e ke mendjen… E-hëm, desha të them poetin e paftuar…, të fjetur. Po e more dyvjeçar sigurimin, ai të bie, natyrisht, më lirë për vit. Ama, siç të thashë, poetët e padashur i ke të fjetur. Bashkë me mendjen tënde…”.

Ishte pastaj edhe problemi i klientëve që nuk donin të zgjonin asnjë autor të njohur të së shkuarës. Këta donin të ishin originalë, të paparë në këtë botë gjer më tani, domethënë më të mëdhenj se çdokush tjetër më parë. Natyrisht që edhe për këta u sajua lëngu përkatës, shumë i shtrenjtë, pasi përkundër teorive të elasticitetit të kërkesës së çmimit, blerësit sa më shumë paguanin, aq më të bindur ishin për veprimin e ilaçit çudibërës. Nga ky segment poetësh të lëngut vinte edhe përqindja më e madhe e ankimeve të alarmuara, që tani po quheshin ankimime: “Po tingëlloj mu si Arthur Rimbaud, po tingëlloj”, vinte oshëtima mbi banak. “Kur lexuesi më lexon mua, apo kur dëgjuesi më dëgjon mua, duhet të më ketë parasysh mua, e jo kushedi se ç’bythëqirë, ç’Rimbaud a Baudelaire, a ç’dreq me të bir-ë”! 
Rima në ashkun e fundit të mllefit ishte shenjë e sigurt që lëngu po e jepte ndikimin e vet, po me kë të llafosje! 

Për autorët me lëng të prozës, gjendja ishte edhe më dramatike. Përkundër çdo hamendjeje, këta ishin më të hidhurit: pas mbarimit të titullit të parë, ndonjë novelëz apo përmbledhje skicash, nxitonin të jepnin atë që quhej “Intervista”. Shfaqeshin të vrerët, të pakuptuar, të pavlerësuar, të parakohshëm, jo rrallë flisnin me përbuzje për racën tjetër të krijuesve, poetët. Të dukej sikur ç’kishin shkruar e kishin bërë pikërisht për atë të uruar intervistë, e cila nuk linte asgjë tepër për t’u thënë në rast se do të merrnin dikur çmimin Nobel, ta zëmë, pasi të gjitha ishin thënë ndërkaq aty, në intervistën e parë, që nga modeli kozmogonik i universit e deri tek forma fundore e prozës, një lloj paraleli ky me fundin fukujamas të historisë.

 

***

Problemi i fundit, më tepër se problem ishte një dështim. Sepse problem mund të thuhet se ka kur suksesi, pra shitja e lëngut, edhe pse i rrezikuar, është megjithatë i pranishëm dhe domethënës. I zalisur pas fitimit, Xhemi kishte shkuar shumë larg: ai kishte nxjerrë nga një lëng të posaçëm edhe për gjeniun e fjetur matematicien, fizikan, kimist, në të tilla fusha të sakta, pra edhe “Zgjoje Newtonin tënd”, apo Pascalin, Kopernikun… 

Mirëpo pakkush i donte këto zgjime, pakkush ish i interesuar për ato “guxhulla”. Ata të paktët që erdhën, domethënë kush desh të bëhej Arkimed apo Tesla, u kthyen saora, të hundëkuar, dështimi iu varej si baluke e re mbi ballet e zymtuar e të djersitur, nën sedefe mllefi; kërkonin paret mbrapsht duke përplasur shishkat bosh tek banaku legjendar, madje mund të thuhet që Xhemi shpëtoi për fat nga rrahja e përbetuar e një çifti që kishin kërkuar të bëheshin Marie dhe Pierre Curie. 

Rasti i Einsteinit qe edhe më i rëndë. Blerësi me sa duket pati ndonjë reaksion ose ndikim anësor, pasi u hodh kundër gjeniut të vet, me pak fjalë e gjeti gabim Einsteinin dhe kudo që shkonte, ankohej që s’e besonte kush, si të ish Kasandra. Të besojmë, pse jo, i thoshin njerëzit, me një lehtësi përditëse, dhe pastaj vazhdonin me punët e tyre avdalle, …të besojmë, o posi… pse jo, turk nga Arabia je edhe ti… pse jo… o Jani, shih mo më sjellësh ca gozhdë dhjetëshe kur të vish nga pazari, hë xhan… Anti-Einsteinsi do të donte kundërshtime, tallje, habi, çmeritje, debate të ndezura, admirim, mirëpo nuk qe e thënë! Njerëzit merreshin seriozisht me gozhdët e samarët, dhe kjo ishte fyese. Mbase ngaqë gjenitë e zgjuar vërtiteshin kudo, e çdo rrugicë kishte Xhek Londonin apo Shollohovin e vet (madje çudia ishte të mos e kishte, si një rrugicë me emrin Dhimitër Kamarda, ku nuk po dilte akoma sikur dhe një poet për shenjë, pa romancier nuk po kërkonte kush me domosdo), pra meqë Platonët dhe Mopasanët buisnin në çdo kthesë, nuk përbënte aspak çudi edhe një Einstein. Nuk e ka mirë, ka një gabim themelor, përsëriste blerësi i zgjuesit të fizikanit sa herë që i jepej rasti, në kërkim të debatit të parë publik kudo që të ish, duke blerë perime, tek këpucari, apo tek berberi. Ky i fundit ishte një burrë qejfpaprishur, dhe ndërsa vetëtinte gërshërët në duar, i thoshte që natyrisht Einsteini e ka gabim, të gabosh është njerëzore, të falësh është hyjnore. Një Zot e dinte ku i kish dëgjuar ato fjalë të çmendura që i përsëriste gjithmonë. 

Blerësi i zgjuesit të fizikantit nisi të predikonte mbi shpejtësinë e territ dhe pamundësinë e dy shpejtësive të barabarta të territ dhe dritës në Sheshin e Ushtarit të Panjohur. Kishte njerëz që qëndronin ta dëgjonin, dhe në fund disa syresh hidhnin ndonjë metalik para tij, e kjo e tërbonte në kulm predikuesin, i cili një ditë iu vërsul hedhësit të lëmoshës me çadër: mor profanër, po unë nuk jam lypës që po bëj show për lëmoshë këtu, unë po bëj shkencë, shkencë, shkencë… Dhe e kish goditur disa herë, derisa e kishin mbajtur për krahësh. Lëshomëni, kishte rënkuar pas ca, kur sherri ishte fashitur dhe bamirësi ishte larguar përfundimisht e i tmerruar nga sheshi, mirëpo nuk po e lëshonin, përsëri kishin frikë, lëshomëni, kur do ta kuptoni se katrori i dritës është i pamundur në koncept…? 

Një fat të ngjashëm pësoi ai që donte të zgjonte Marksin. Edhe ai u gërmush kundër gjeniut të vet të zgjuar: ajo që harron Marksi është kushti, thoshte, pa e plotësuar kurrë fjalinë. Kushti. La mjekër si e ajo Marksit, dhe kudo fliste për kushtin, derisa një ditë hipi në monumentin qendror të qytetit dhe e hodhi bombën e kushtit: negociimi midis proletariatit dhe pronarëve të mjeteve të prodhimit. Si e zbrazi atë kumt të rëndë që e kish mbajtur me qëndresë heroike gjer atë çast, filloi të përsëriste vetëm një fjali: “Çështja e revolucionit nuk është më një aspiratë!” 

Në qytet thuhej se vërtitej edhe një gjeni tjetër (i zgjuar) i ngjashëm, me emrin aq domethënës Vladimir, shkurt Ladi, “Lad marksisti”. Sugjerimeve që të takoheshin në një mbrëmje të madhe klasikësh, ata, të dy dhe pavarësisht nga njëri-tjetri, iu përgjigjën negativisht. Në asnjë mënyrë, paskësh thënë Ladi. Matrica duhet respektuar: Marksi dhe Lenini nuk janë takuar ndonjëherë në këtë univers! Dhe i shmangej Marksit, sikundër edhe Marksi i shmangej atij. Ndërronin udhën kur qëllonin përballë në të njëjtin trotuar. Ashtu siç e evitonin takimin edhe Celani me Beckettin, “për respekt të masshtabit”.

 

***

Këto ndodhi e diskreditonin veprimin e zgjuesit. Dhe në domenin e shkencave egzakte, këto ishin rregulli, e jo përjashtimi. Tesla dhe Edisoni ishin rrahur paq me njëri-tjetrin, sikundër edhe Newtoni me Keplerin. Ndaj dhe Xhemi u tërhoq: fusha e tij e biznesit duhej t’iu rrinte larg shkencave të sakta, që kërkonin numra dhe që përfundimet i kishin të matshme konkretisht e jo në dorë të subjektivitetit: pra, larg nga fizikanët, matematikanët, inxhinierët e çdo lloji, larg nga mjekësia e arkitektura, i tha vetes, dhe përqendrohu në gjëra që i mbështjell e rrok opinioni, pikërisht kjo është fjala magjike: o-pi-ni-on! Të gjithë e kanë një të tillë, ashtu sikundër të gjithë dinë të flasin në gjuhën e nënës (pa lëre se ç’thonë, sikur paska nga ata që nuk dinë gjuhën e mëmës, kjo s’është parë e dëgjuar), dhe po ashtu të gjithë dinë të shkruajnë gërma. Nuk mbeti laraskë pa bisht, nuk mbeti kush pa opinion. Pra, përqendrohu aty ku duhet, vazhdoi me vete Xhemi. Dhe nuk se e kish gabim.

Ashtu si pa u ndjerë erdhi dita kur numri i atyre që shkruanin u bë më i madh se numri i atyre që nuk shkruanin. Prirja ishte shumë e dukshme dhe brenda pesë vjetëve pritej që 90% e kombit të ishte shkrimtare. Nisur nga fakti që shumë shkrimtarë nuk janë aspak të interesuar se ç’shkruajnë të tjerët, pritshmëritë për numrin e lexuesve ishin shumë të zymta. As një përqind e një përqindshit nuk pritej të lexonin gjëra që nuk i kishin shkruar vetë. Në fakt, qysh tani librat kishin zënë vendin e dhuratave për qoka. Autorët, domethënë pjesa më e madhe e popullsisë, nuk çonin më kavanozë reçeli tek i sëmuri, apo një limon “për të sëmurë”, siç edhe thuhej, apo dhurata tradicionale në dasma, por sillnin librat e tyre, të firmosura mu si kostumet dhe kravatat e shtrenjta që jepnin status. Një libër i pafirmosur po shihej si një denigrim i rëndë.

Ata që nuk shkruanin po trajtoheshin si një specie e rrallë. Të mos ishe shkrimtar apo opinionist, u bë dora-dorës një meritë: e kush mund t’i qëndronte tundimit kur në qoshkun përballë shikoje ofertën: “Bëhu Gabriel Garcia Marquezi yt me çmim të ri të ulur! Këtë javë vetëm. Më vonë do të jetë vonë”! 

Kënga “Ku ta gjej nji djal si ti, të mos pijë verë e të mos pijë raki” u shndërrua në: “Ku ta gjej nji djal si ti, t’mos ketë shkrujt-o nji poezi”. Kur bëheshin bisedime e orvatje për martesa “me ndërhyrje”, një dhëndër që nuk shkruante dëftente me këtë një karakter të fortë. Ishte njësoj sikur të shpallje se kandidati për dhëndër s’kish përdorur kurrë drogë në jetë të vet.

2 Komente

Sa kerke lodh mor bir ... me ket hartim filozofiko - rromantiko - etj, tiko.. tiko.. . Xhemali , Tesla , Anshtajni etj , etj  por ke harru me perfshi dicka per zborin ! Kjo noshta eshte edhe arsyeja qe s'para ka komentu kush ! Te jem i sinqert jo se une e lexova por i hodha nji sy kalimthi . Megjithate keep up the good work , strong will might pay off. If  no, not much to lose anyway !

yeah.

did you know clapton and pino daniele (rip) had a concert together on 06/24/2011?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).