Pjesë nga novela "Ishulli Ruzvelt"

Me ndërkryerjen që shkakton shpërfillja, një King Kong i plagosur në sedër, ai iu kthye hakmarrës qytetit. Shtyu Chrysler Building me tej nga Empire State Building dhe shtoi katër-pesë ura munguese mbi Hudson. I shembi disa rrangullina të brendshme qendrës – këtë kish dashur ta bënte prej kohësh, por tash gjeti rastin – i shembi ato ndërtesa murrëtyer nga tymrat e kohës, me germat e vjetra që lënë atë hijen e pangatërrueshme të fonteve që s’përdoren më: ky qytet duhej rimenduar, dhe vija e tij përkufizuese duhej ndryshuar. Ktheu ballin e hotelit Plaza nga hyrja e Parkut Qendror, thjesht për voli, që kur të dilnin prej shëtitjeve në park, nga dalja e tij jugore, ta shihnin hotelin ballazi, e pastaj zgjeroi edhe sheshin e Kohëve, që më shumë se shesh ngjante me një fyt të shtrënguar. 
Ky planet nuk është bërë për lumturi, mendoi me zemërimin e atij që i shket toka nën këmbë. Kur do të ecësh vërtet shpejt e kupton që jeton në një treadmill . E kish një siklet bota, ndaj (e jo megjithatë!) rrotullohej si sersene shtratit. Ishte e qartë! Një burrë duhet të bëjë atë që duhet të bëjë: të ndalë planetin! Si poçebërësi rrotullimin e enës prej balte.
E përmendi zëri i saj pranë veshit. Sheshi i Kohëve u tkurr përsëri si lëfyt klepsidre, hoteli Plaza u kthye në brinjë.  Globi mbi tryezë rrotullonte nën gishtat e saj vendet e mundshme për arrati, i sillte një hop të shkurtër para syve e i largonte sakaq. E mbledhur si kërmill nën kripë, Europa cingune mbaronte shpejt: e pamundur të vendosje për gjë në atë luzmë dritash Lisbone, Madridi, Londre, Parisi, Rome… afroheshin Uralet, kontinenti thyhej si bukë meshe, ca stepa memece pa fund, nga Rusia me dashuri… e që larg drit(h)ëronin enigmat kineze… ai glob po u vërtitej të dyve si rrethi hamsterit (Sillu, sillu bot’ e vjetër, s’e hedh dot lumninë në ty!). 
Dheri iu fërkua mes pëllëmbëve, gjithnjë e më dobët deri sa më në fund ndali. Kulla Eifel i mbet gjëmb nën thua, e nxori me kujdes me spicën e ndërtesës Chrysler. Shenjat e gishtave rravgonin të pakuptueshme mbi relieve, si frenimi mbi asfaltin e një aksidenti automobilistik. Ca më tutje, të ngjashme, heshtonin shenjat Nasca. Dikush e kish ndalur globin para tij. Nuk dinte si e kish bërë të rrotullohej prapë. Sidoqoftë, nata dhe dita fqinjëronin tani në paqe.
- Tani mund të vendosim të qetë, - i tha.
Kjo ishte një botë që e meritonte lumturinë. Ishte ndryshe. Me ca trisht Zvicre orët e humbën pushtetin. Kur ndodheshe diku, dihej ç’orë ish. Hapësira dhe koha për herë të parë bërë një. Danimarkë dhe pesë e gjysëm pasdite. Një tani e pafund gufmohej nëpër erë. 
- Thuamë ku do? - e pyeti. 
Ajo zgjodhi orën që i pëlqente më shumë, paramuzgun, kur dritat hapen pak para kohe, digjen si shpirtra dhe luksi i tyre feks i zbehtë me një pikëllim aq të bukur. Nuk kish dyshuar asnjë çast për zgjedhjen e saj. Në fakt e ndali globin shi me atë qëllim: të dhuronte pafund një çast të dashur. 

Po ecnin në kalldrëmet e Pragmuzgut. Urat e dinin, paralelet e tyre tregonin një qëllim dhe skicë hyjnore, dritat ishin vërtet më luksoze se kurrë, flakëza kandilësh përpëlitës mbi një varr të bukur, të ndërtuar para kohe, ngaqë i vdekuri i ardhshëm don të kapërcejë kohën dhe e porosit varrin sipas katalogut, formën, cilësinë e mermerit, ngjyrën, e dua të lëmuar me harkim, pa portret të gërvishur, ndoshta një foto porcelani të tanishme më mirë, të arrij vdekjen pa kaluar plakjen… ndjeu dorën e saj të vogël që kërkonte të tijën, e mbajti në brryl, ajo ish e lumtur, lëkura e saj, e tij, dy cipa të gjysëmpërshkueshme. Nuk dinte nëse lumturia ndiqte ligjin e dytë të termodinamikës; të parin e kundërshtonte gjithsesi, zhdukej e bëhej asgjë, sikundër që krijohej nga hiçi. Por megjithëkëtë, ndërsa ekzistonte, nuk dihej mirë në shtegtonte vërtet nga trupat me përqendrim më të lartë, tek ata me më të ulët. Dhe a arrinte në fund një ekuilibër? A mpakej duke e dhënë kripën e vet për tjetrin? 
E dua osmozën tonë, i pëshpëriti pranë veshit, dhe realizoi që këto ishin fjalët më të përshtatshme të asaj ore, dmth të atij vendi.
Ecën në shumë ura, njerëzit fotografonin pa fund lumin metropolitan të Pragmuzgut, artistët e anërrugës, që lypjen e bëjnë me art, ose artin me lypje, u binin pambarim melodive të njohura që kanë megjithatë të panjohurën e interpretimit të ri, i cili është gjithnjë vetmor dhe i ndryshëm nga çdo tjetër, si shenjat e gishtave. Ai u pengua një çast nga kujtimi i Groundhog Day , si mbi një gur të shkulur, por u qetësua shpejt. Këtu nuk kishte përsëritje të kohës, thjesht ishte gjithnjë e njëjta orë, çka as nuk do të thosh se koha nuk rridhte, ajo vetëm nuk matej dot. Sepse bota sillej rreth diellit, edhe pse i tregonte atij të njëjtën faqe. Kjo nuk ishte e re, a nuk bënte edhe hëna të njëjtën gjë me tokën? U ngazëllye nga mendimi që mbase tani do ishte e mundur të ndiqej rrotullimi i hënës në orëlandet e Natës… por për këtë duhej shkuar atje, ndërsa ata kishin zgjedhur Pragmuzgun, ku qielli vetëm ishte shtatzënë me hënë. 
Restorantet, gjithnjë në Orën e lumtur, shërbenin haje falas. Ata zgjodhën njërin prej tyre dhe u ulën përjashta. Ajo ndezi një cigare, ndërsa prisnin të shërbeheshin me bërrylat në tryezën për dy, ulur në stolat e lartë si prej bari. Në lokal luhej muzikë e keqe, por përjashta ajo ndihej shumë pak. Morën birrë gjermane, pastaj u vetëshërbyen në bufenë e lokalit. U ulën përsëri dhe po përtypnin hajen e vogël shoqëruese të pijes, dhe të dy menduan që në Pragmuzgland darkat nuk vinin kurrë, dhe as mëngjeset, dhe gjumi i njerëzve duhej të ish kaotik, si një orkestër pa dirigjent, dhe shtretërit asfare vende rituali, me siguri njerëzit duhet t’i kishin zakonet e gjumit të ndryshme, asgjë nuk të thosh u bë vonë, eja të biem e dashur, dhe ora është justifikim i bukur për të bërë dashuri, si rastësore, meqë u ndodhëm, eja qajmë nën çarçafë, ashtu pak e si vetiu.
Ai reflektoi mbi të gjitha këto pa folur, ndërsa ajo kish nisur t’i tregonte diçka për birrat dhe se si për fat Gjermania ndodhej në një orëzonë të përshtatshme për rritjen e elbit. Dukej që ishin të lumtur të dy, pasi s’vonoi shumë dhe dikush u ul pranë pa i pyetur. Të ëmblit ndjell gjithnjë një insekt, sikurse gjaku një peshkaqen. Zukatja ishte pothuaj e padëgjueshme. 
Nuk merrej vesh nëse i paftuari ish i dehur apo jo, i rrezikshëm apo jo, brutal apo i butë. U ul sikur përkiste aty dhe nuk foli një copë here të gjatë, derisa u duk sikur po i akuzonte për mungesë mirësjelljeje: Si?! Nuk po më përshëndesni?!
- Të paktën këtu nuk kemi probleme me ngrohjen globale, - tha më në fund si i irrituar nga mospërfillja e tyre. 
- Ëh?
- Nuk e dinit?
- Nuk e kishim menduar.
- Ju ndoshta nuk jeni nga këtu?
- Si t’ju them… këtu na pëlqeu…
- Këtu u pëlqen të gjithëve. Por nuk ka vend për të gjithë. Emigrimi i rëndë nga Mesdita dhe Mesnata duhej frenuar një ditë. Por ju e kuptoni, nuk është se ne jemi të këqinj. Thjesht nuk ka vend për të gjithë.
- Kuptoj, kuptoj. S’do mend…
- Edhe ne kemi nga ata që duan të ikin drejt Mesnatës. Ata në të shumtën janë lunatikë. Ose poetë. Po ju nga vini, thatë?
- Nga Mbasditja…
- Ah, qenkemi fqinjë. Po çne? Më falni nëqoftëse jam i ngucur me pyetje…
- Oh jo. Është ora e ditës që na pëlqen më shumë.
- Nuk kuptoj.
- Domethënë na duket më bukur se Mesdita.
- Ah, po, po, të thashë që këtu i pëlqen shumicës.
- Më duket se ju nuk e dini që bota mund të jetë edhe ndryshe.
- Si ndryshe?
- Po ja, që një vend t’i ketë të gjitha pjesët e ditës.
- Nuk kuptoj.
- Domethënë që po këtu ku jemi, të jetë një herë mëngjes, pastaj mesnatë.
- Nuk kuptoj. Shpjegohu pak më mirë të lutem.
- E kam të vështirë… Ndihmomë, e dashur.
Ajo u duk si e kapur ngushtë. 
- Po ja, mendo të biesh për të fjetur, - tha, - dhe kur të ngrihesh të jesh në mesnatë.
- Kjo më ka ndodhur kur kam ikur një herë në Mesnatë.
- Vërtet?
- Po. Trenat ekspress për Mesnatë kanë edhe kupé ku mund të flesh. Kushtojnë pak më shtrenjtë, por unë ndihesha i lodhur dhe doja të shkoja i freskët në kazinotë e Mesnatës. Pra fjeta gjithë rrugën dhe u zgjova nga konduktori kur arritëm. Ishim në Mesnatë.
- Ja! Mendo sikur në vend të trenit jeni në dhomën tuaj.
- Po?
- Dhe kur zgjohesh, zgjohesh në mesnatë.
- Nuk kuptoj. Si?
Ajo buzëqeshi sikur i dhembi diçka. S’ka gjë, - tha. – Harrojeni ç’ju thashë. – Dhe pa nga i dashuri si me kapitullim.
- Jo, ma thoni, dua ta di, - këmbënguli tjetri.
Ai porositi tri birra të tjera.
- Po s’ka ç’të thuash. Ka botë që kur fle në shtratin tënd në Pragmuzg, ka të ngjarë që të zgjohesh në Mesnatë. Më shumë se kaq nuk di si të ta them.
- Teleporti? Po flisni për teleport?
- Jo, jo.
- Teleporti është shumë i rrezikshëm. 
- Vërtet?
- Po. Që pas rastit “Holzenbein” u ndalua për përdorim publik. Duhet leje e posaçme dhe të pranosh të gjitha pasojat e renditura në “Disclaimer”.
- Ç’është ky rast?
- Oh, si, as këtë nuk e ditkeni?!
- Jo…
- Hmm… e çuditshme, pasi ju dukeni njerëz të kultivuar. Më falni në jam kaq i drejtpërdrejtë. Unë në fakt jam i fundit që mund t’i flas dikujt për mosvëmendje, pasi unë për muaj me radhë nuk kisha dëgjuar asgjë për lëvizjen “Occupy Thyself”!
- …
- Çfarë, as “Occupy Thyself” s’e dini?!
- Si qe ajo puna e teleportit?
- Ah, rasti “Holzenbein”… 
- Po?
- Eh, më duhet t’ua them nga fillimi. 
- Ju lutem.
- Eh… Dikur të gjithë e përdornin teleportin. Largësia nuk kishte asnjë domethënie. Pra mjaft të doje të ishe diku, shkoje tek nënstacioni më i afërt i teleport-metrosë, hyrja kushtonte edhe më pak se metrotë e dikurshme me trena, kapje kabinën e parë bosh, shënoje vendin ku doje të shkoje… voilà, për 2-3 minuta ishe atje, aq sa merr grimcim-integrimi. S’kish më mall largësie. Dhe as mërzi afërsie. 
Burri u mor gjatë me ndezjen e cigares pa e patur në fakt mendjen aty, siç bëjnë të gjithë ata që duan t’i rendisin më mirë mendimet. Pas thithjes së parë të thellë, vazhdoi pa i parë bashkëbiseduesit në sy.
- Pati zëra që dolën kundër, pasi bota u bë shumë e rrafshët. Aty u pa se sa i rëndësishëm ishte të qenit larg dhe pamundësia për të ardhur afër. Ajo kënga “I wish you were here” mbahej si një relike e kohëve të vjetra, me udhëtime, sakrifica për të vajtur diku, refren i një bote ku e gjithë letërsia ishte ngritur mbi një libër në të cilin dikush udhëton dhjetë vjet (!!!) për të vajtur tek e dashura. Fëmijët qeshnin me atë këngë, nuk kuptonin gjë deri në një farë moshe, kuptonin ama që një përmbajtje bosh mund të fshihet edhe pas një forme të bukur. U mërzitët?
- Jo, jo, po dëgjojmë…
- Pra e tillë ishte gjendja kur një invalid peshkimi me dinamit ra në dashuri me një pianiste nga Pasmëngjesi. Ishin njohur në një bar, ja kështu si këtu, kishin folur 13 orë rresht, dhe iu bë të dyve e qartë se duhej të duheshin, qoftë edhe për arsye entropike. Grupi i pianistes – vizitorë dhe turistë – erdhën dy herë ta merrnin, deri sa e shkëputën pianisten nga qoshku i tij. Sikur e shyqen nga ai që e puthte pa luajtur vendit. Puthja e tyre prodhonte një vakum të çuditshëm, që është shenjë e një dashurie të lartë, sikur dhe jo fort të qëndrueshme, pasi ajo trysni prish gjithë raportet e vëllimeve dhe temperaturës.
- Mos donit të thoshit “e një dashurie të thellë”?
- Jo. Pse? Ashtu i thoni ju? Nejse, kjo s’ka rëndësi, e thellë, e lartë, përmasa hapsinore: në vlerë absolute flasim për një dashuri të magnitudave të mëdha. Ajo nuk e pa asnjëherë që ai njërën këmbë e kishte prej druri (në fakt emri Holzenbein atë do të thotë). Nuk dihej ç’do të thosh ajo në qoftë se do ta shihte atë me këmbë druri, - një këmbë prej druri statistikisht mbahet si kushti somatik me ndikimin më të vogël në lidhjen dashurore. Artisti më i famshëm në Pragmuzg, që mund të ketë çdo femër pragmuzgëse, mjaft të dojë, është martuar pikërisht me një grua me këmbë druri. Sidoqoftë, ndikimi edhe pse i dobët, është negativ. Dhe ai nuk i tha gjë asaj. Komunikuan më pas edhe disa herë, duke ruajtur largësinë si gjithë kandidatët për dashurorë, mënyra më e mirë për të filtruar komunikimin nga ndotjet somatike apo për të mbajtur jashtë zhurmat e bardha ngatërruese të afërsisë, të cilat shfaqen në formë fluturash dhe që ndikimin e kanë të quajtur po ashtu “të krahut të fluturës”… Ishte e qartë pra që duheshin. Dihet si përfundojnë të tilla lidhje, martesë dhe sjellje të banores pasmëngjesëse në Pragmuzg, me “bashkim familjar”. Por sidoqoftë, duhej konsumuar një fazë paramartesore, me takime, puthje dhe ëndërrime dhe premtime botësh, të cilat janë të detyrueshme për t’u besuar pas ligjit të katërt të termodinamikës.
- Sikur janë vetëm tre ligje…
- Tre ishin kur numërimin e nisnim nga zero.
- Ah…
- Ne e nisim nga njëshi tani.
- Mirë.
- E kështu, ishte radha e Holzenbeinit të teleportohej në Pasmëngjes, mirëpo teleporti kërkon, siç e dini, njëjësi të lëndës së teleportueshme, pra në të gjitha prerjet diferenciale përbërja indore duhet të jetë statistikisht njëlloj. Druri dhe mishi nuk janë e njëjta lëndë, kjo sipas indeksit red-ox të teleportimit, por edhe bazuar në kritere të tjera të koeficientëve të ngjashmërisë. Ishte me shumë rrezik kuturisja e burrit këmbëdru, pasi në asnjë rast më parë nuk ishte shkelur parimi i njëtrajtshmërisë indore. Shumë iu lutën, aman mos e bëj, mos i hyj këtij rreziku, i cili nga pikëpamja logjike merr vetëm 0,4 amperbrain, çka do të thotë se përket në klasën e marrëzive te pakushtëzuara. Ishte e kotë. Përmbajtja e drurit në trup ia ngrinte pragun e kokëfortësisë ose të kandisjes – kjo u ftillua më vonë. Holzenbeini përfitoi nga një mungesë formale e ligjit që, me një qasje antidiskriminuese dhe veprimi afermativ, nuk e ndalonte teleportimin e atyre që mbanin proteza të çdo lloji. Ai nuk mund t’i thosh të dashurës “jam i pateleportueshëm”. Kjo do t’ish e patolerueshme dhe egoja e Holzenbeinit nuk mund ta mbante atë barrë. Një ditë pra, i tha të dashurës pas një seance të nxehtë hologramëse, që pritmë baby, se më ke aty për pak minuta. U fut në teleport: procesi i grimcimit u krye normal, por problemet po lindnin në integrim. Sepse thërrmijat bazë nuk e bënin dot një volum të plotë të Holzenbeinit, duke respektuar parimin e njëtrajtshmërisë indore që është baza e teleportit… 
Cigaren e dytë bujtësi i tryezës e ndezi më shumë për hir të vazhdimësisë. Gotat e boshatisura të birrës po kishin një uri dëgjuese.
- Diferencimi i sjell indet në grimca elementare, të padallueshme mes tyre (druri dhe mishi janë të padallueshëm si thërrmija), - vazhdoi burri pas tymshfryrjes së parë, - dhe rindërtimi i trupit ndodh mbi parimin e rastësisë, dmth për rikrijimin e syve mund të merren grimca që deri pak më parë përbënin dorën ose hundën. Ndërkaq, grimcat e drurit, kur zgjidhen për të ndërtuar zemrën apo syrin, prishin gjithë ato që quhen kushte kufitare të sistemit dhe procesi fillon nga e para. Praktikisht kemi të bëjmë me një të ashtuquajtur “lakore pa fund”.
- Ah… sa keq!
- Po. Probabiliteti që grimcat elementare të ribashkohen në mënyrë të njëjtë siç ishin në fillim, pra në një Holzenbein fillestar, është virtualisht zero. Ok, jo krejt zero, por një numër shumë i vogël, një zero praktike, që quhet funksioni o(h), o e vogël e h-ësë, një rënkim i vërtetë matematikor.
- Oh…! - këtë radhë ishte vajza që rënkoi.
- Ai është akoma, edhe tani që po flasim, në rrekjen e pafund për t’u rindërtuar. Kanë kaluar vite, pianistja është plakur (në fakt ajo priti disa kohë). Fraza e saj plot pathos - kur mori vesh për këmbën e drunjtë - se do të dashuronte në njëqind jetë gjithnjë dikë që kish këmbën e jo zemrën prej druri, siç rëndom dhe ndodh, studiohet sot në shkollat e mesme. Problemi me njëqind jetët është se duhen pa frikë shumë, shumë më tepër jetë se aq, që një rindërtim fatlum i këmbëdrurit të jetë i mundur. Dy matematikat u përplasën dhe pianistja pa që pritja e saj për rastin fatlum, me gjithë përmirësimet në përshpejtuesit e integruesve, nuk i shërbente asgjëje. Kësisoj ajo dashuroi një tjetër, një piktor holandez. Janë të lumtur tani. Ndërsa vendi i integrimit të pamundur është bërë një pikë pelegrinazhi, ku ka gjithnjë vizitorë plot me ndjenja të përzjera, që nga lotët e deri tek shpotitë e tipit “ja ç’të bën dashuria”.
Burri porositi përsëri birrë. Ata u kujtuan që ora e lumtur këtu nuk mbaronte kurrë.
Heshtja ra në atë tryezën ku, për mungesë vendi, ndodhej vetëm bërryli i bujtësit rrëfimtar. Pa dyshim që dy të tjerët po përsiatnin diçka, pasi sytë nuk u shihnin sipërfaqe objektesh.
- Unë e di ç’po mendoni, - tha burri. - Me siguri po e vini veten në vendin e atyre të dyve.
Nuk foli kush.
Pastaj vajza sikur u përmend.
- Unë ty do të të prisja deri sa të rindërtoheshe, - i tha duke e parë në sy gjithë ngazëllim.
Ai buzëqeshi lehtë. 
- Po ne e kemi kaluar atë fazë, e dashur, - tha. – Të të bërit pluhur për tjetrin.
Ishte radha e saj të buzëqeshte. Pluhur ishe, pluhur do të bëhesh, - tha, kushedi se pse me atë buzëqeshjen, grimcat e të cilës mendimi i integron në një bisht Qeshir.
Bujtësi i dëgjoi pa folur. Mirëkuptimi është memeci më i madh i botës. Pastaj u ngrit dhe donte të paguante. 
- Mos u shqetëso, i ke nga ne…
- Oh, faleminderit. Faleminderit.
- Me kënaqësi.
- Po të doni të shkoni të shihni Integrimin e pamundur, e keni në rrugën e Resë së Zogjve mbi Tibur. S’mund ta gaboni.

Aty vinte një fletë e bardhë me një shënim me shkrim më të imët në cep të faqes: “Integralet e rastësishme”, çka e bëri ta ndalte leximin. Pa rrotull si me faj dhe buzëqeshi pa shkak. Kamarieria po e shihte me mirëkuptim. Do të të jap edhe “Udhëtimin në Pasmëngjes”, i tha, por s’e kam këtu. U buzëqeshën të dyja si me një shaka të brendshme, pastaj, si tha falemnderit, ajo doli me një hap të mbarsur. Donte të ish apo të mbetej shtatzënë me ndonjë shi të artë, apo thjesht me aromë bulevardesh të gjera. Mori rrugën drejt teleferikut që të shpinte në ishull. 
Kur ish fëmijë, në qytetin e saj të lindjes, nga padurimi lexonte edhe teksa ecte rrugës kur kthehej nga shkolla, duke marrë shikime qesëndisëse nga kalimtarët me të cilët përplasej vazhdimisht, gjë që tani i ndodhte kur lexonte mesazhe në celular. Mbërriti në stacionin e teleferikut dhe zuri vend në një stol të gjatë druri, ku ishin ulur edhe disa pritës të tjerë. Aty hapi bllokun dhe filloi përsëri të lexonte.

 

***

- Si ka mundësi që integrimi i tij ndodh këtu? – nëpërdhëmbi ai duke kërkuar me sy në Rrugën e Resë së Zogjve. – Ai duhej të ndodhte në Pasmëngjes, apo jo?
Ajo s’diti ç’t’i thosh dhe ngriti supet.
Një grumbull njerëzish që po rrinin në pritje dëftente me gjasë Holzenbeinin. S’u gabuan. Tabela e vogël me një shigjetë drejtimi shkruante “To Impossible Integration” . Ata pritën në heshtje derisa u erdhi radha. Ishte një vitrinë xhami e ndërtuar enkas për kureshtarët. Pas saj dallohej përpjekja e një reje që dendësohej një çast dhe pastaj zhdukej përsëri. Kjo quhej “reiteration”, dhe çdo herë që ndodhte, numërohej automatikisht në një tabelë elektronike aty pranë. Numri i përgjithshëm ishte vërtet shumë i madh: përpjekjet e dikujt për të riardhur në jetë dhe tek e dashura! Korniza dixhitale numëronte në kohë reale “dështimet e integrimit”, me një ftohtësi që e ka veç pafundësia. 
Me kohë ishin hapur debate nëse duhej ta ndalnin atë përpjekje të pafund për të sjellë një njeri në një jetë tashmë krejt tjetër nga e tija. Sepse pas kaq e kaq vitesh, suksesi i integrimit, sado i pagjasë, mund të risillte në jetë një njeri siç kish qenë dikur. I cili do shtangej nga bota, pianistja ish plakë tashmë, kjo të paktën ish e sigurt që s’do t’i pëlqente. Përkrahësit e ndalimit të integrimit e theksonin së tepërmi këtë fakt. Kundërshtarët, përkundrazi, kapeshin pas arsyetimit se një jetë e re që ndërpritej nga shansi për t’u krijuar, e bënte ndalimin e përpjekjeve për integrim një vrasje të mirëfilltë, pra një krim. Ndërkaq, pavarësisht nga këto, reja që krijohej për një grimëkohë dhe që shpërbëhej po aq shpejt, vazhdonte të tërhiqte kureshtarë pafund, të cilët prisnin të shikonin forma të plota njerëzore, anipse të mjegullta, e sidomos këmbën e famshme prej druri.
Ngjarja u bë mediatike, doli filmi përkatës. Në prodhimin e protezave u krijua linja e re “The possible Holzenbein” , materiali i së cilës ishte statistikisht i njëjtë me indin trupor original, kjo me një shkallë besimi prej 98%. 
- Kështu është kur do të rrëgjosh edhe kohën edhe hapësirën – tha një zë pritës plot mllef. Dukej menjëherë që ishte vizitor prej diku edhe ai. – Bota nuk nxë, kurrë!
Iu shmangën me sa mundën të ndërkryerit.
Kur më në fund u erdhi radha të shikonin përballë xhamit, ata ia ngulën sytë resë, asaj etheje të brendshme si djegie blu alkooli. E gjitha kish diçka edhe prej dëshirës për të fituar llotarinë; secili shpresonte që kombinimi fatlum të ndodhte pikërisht në kohën kur ata po e kundronin rrekjen e pagjasë. E para gjë që Holzenbeini do të shihte nga bota e re do të ishin pikërisht ata! Dështimet e pafundme i përballon vetëm mendimi se “suksesi”, në të kundërt, mjaft të ndodhë vetëm një herë. Vajza e kapi instinktivisht burrin për krahu dhe mbështeti kokën në supin e tij. 
- Nga gjithë arti i botës së vjetër, Romeot, Euridiçet, Doruntinat…, asgjë nuk i afrohet zjarrmimit të palodhur të dikujt që përpiqet të vijë nga Ur-bota me grimca parake në botën e plakur të së dashurës, apo më keq akoma, në botën e të dashurës së plakur. 
Zëri që deklamoi nuk u mor vesh, a ish prej ciceroni (grupet e Pragmëngjesit të largët kishin zakonisht nga një të tillë), apo i ndonjë vizitori të çakërdisur.
U larguan që t’u linin radhë të tjerëve.
U puthën siç e kishin zakon, në tik të njëkohshëm. Këmbët e të dyve sikur ishin drunjëzuar pak. Ishte ndoshta mpirja që krijohet nga qëndrimi në një vend.
- E gjitha kjo prej një proteze druri! - tha ai më tepër për të thënë diçka. - I gjithë trupi i tij i grimcuar po e urren atë këmbë tani. Me grimca urrejtjeje të paintegruar, - shtoi pas pak.
- A nuk kanë këmbët po aq të drejta sa çdo pjesë tjetër? 
Ai nuk foli.
- Mendoj që po, - vazhdoi ajo. 
Ai vazhdonte të ecte sikur po numëronte hapat.
- Vetëm se këmbët nuk mund të urrejnë mbrapsht, - tha më në fund ai.
Hapat e tyre dukej sikur kishin ndryshuar diçka në koreografi. Gjymtyrët e të dyve kishin fituar ndjeshmëri të reja, si në çdo gjë që nuk merret më si e mirëqenë.
- Pra, pjesa e trupit e aftë që të urrejë merr përparësi? - pyeti papritur ai.
- Si të them…
Ecën duke parë majat e këpucëve të tyre që godisnin si çekanë një front imagjinar. Ngulnin diçka në ajër. Ca gozhda si prej azoti të ngurtë.
- Jo, thuaje, - ai e dinte ngurrimin e saj për mendimet vetiu.
- Si të them… - u përtyp ajo. – Po mendoja, a ka diskriminim nga ne, në vetë trupin tonë? Hilera. Korrupsion. Me veten, për veten.
- Natyrisht ka. 
- Si?
- Koka më e privilegjuara; ajo duhet të jepet e fundit. Kështu besoj. A nuk thonë “shpëto kokën”? A nuk kërkonin pikërisht kokën në tepsi dikur?
Ai e pa. Nuk mundi të mos ngecte tek dy gjinjtë e saj të mrekullueshëm. Me një lloj të ri kundrimi. Ngultazi.
- Imagjino, një fis kanibalësh të ka kapur rob. Do të të hajë me pjesë, por ta ka lënë ty në dorë cilën pjesë çdo herë…
- Si mundesh e mendon gjëra të tilla?
Trotuari i kish bliret të barazlarguar në mënyrë të pamëshirshme. Ishte e pamundur t’i përshkoje me një numër të ndryshëm hapash. Kur vinte hapi i fundit i përpiktë në pemën e radhës, të vinte të ulërije. Bliri vazhdonte të erëmonte pa ditur asgjë.
Thjesht për të prishur serinë përsëritëse të atij trotuari me torturë çaji aromatik, ai u ndal befas për të marrë një copë të shkalafitur gazete përtokë. Ishte gazetë letrare. Çmimi i parë për poezinë. Titulli i saj ishte “Mesnatë”. Vjershë me toponimi. Poeti kish hedhur përshtypjet nga një vizitë në vendin e kazinove dhe bordellove, - këto të fundit duket ishin element po aq poetik sa gjethet e vjeshtës, apo shiu. Ai nuk i qëndroi tundimit të lexonte vargjet. Vjersha ishte e shkurtër.

Mesnata
shtëpitë publike i mban hapur,
vaginat e dyerve nuk thonë kurrë
mirëmëngjes,
e desha vërtet,
me të dyzetmijë kuptimet që ka kjo fjalë,
i ftohtë jam
si thëngjilli i lagur 
në Mëngjesin me vesë,
thëngjill i mbuluar nën hirin e puthjeve – a mundet më hapur se kaq
të na zymtojë e qashtra?

Befas të dy ndjenë një mall të butë si sëmundje për muzgun e vërtetë. U erdh ligsht nga kjo, pasi nuk do të donin të prishnin lumturinë e tjetrit, pra u bënë gati të vuanin në heshtje, duke marrë mbi supe aurën e pangatërrueshme të sakrificës, që është igrasia e parë në një marrëdhënie. Ai donte ta largonte mendjen me përdhunë nga mendimi heretik muzgofil dhe e prishi heshtjen i pari.
- Mos ndoshta duam vetëm me pjesë të caktuara të trupit dhe pjesët e tjera janë mospërfillëse? Mbushëse? Ballast?
- Këtë nuk e besoj, - tha ajo duke qeshur djallëzisht. – Kam përshtypjen sikur duhemi gjithëtrupërisht.
- Ha ha ha…
- Pooo…
- Por vërtet, - vazhdoi ai, - gishtit të madh të këmbës tënde aq do t’i bënte nëse ti je me mua apo me dikë tjetër. 
- Edhe këtë e dyshoj seriozisht, - tha ajo duke sjellë në mend çaste seksi kur gishti i madh i këmbës së saj ishte vërtet jo aq i parëndësishëm, kur shputat e saj mbulonin fytyrën e tij, dhe ai...
- Po mirë atëherë, - këmbënguli ai, - mushkëritë, shpretka, mëlçia…
- Meqë e do kështu se s’bën, dakord - tha ajo si e dorëzuar. – Por s’e kuptoj si mund të mendosh që unë kam mëlçi, një herë! 
- Kurrë s’e kisha menduar… deri tani, - tha ai duke buzëqeshur me faj.
Ajo u shkëput nga krahu i tij. E pranoj që e gjitha kjo është interesante, tha, por prapë me diçka prej kasapi. Brrr… Analiza shëmton, tha ai. Gjithnjë! Ajo e pyeti në ç’kuptim. Po ja, a nuk ramë në nivel organesh? 
- Domethënë vetëm pjesëza të vogla brenda nesh janë përgjegjëse për tërheqjen, pëlqesat? - ndonjëherë zëri i saj i kujtonte atij një mësuese të fillores.
- Po. Ashtu mendoj.
- Pra nuk mund të ketë një përkushtim total? “Me mish e me shpirt”, që thonë?
Ai nuk foli një copë herë. Pastaj, me kujdes, sikur nuk donte të zgjonte një bishë të fjetur foli duke i zgjedhur fjalët.
- Asgjë në botë nuk është “me mish e me shpirt”, - tha. - Janë vetëm qendra të vogla, të dobëta, të pambrojtura ku kryhet gjithçka. 
- Ah… Pse po ndihem kaq pa vlerë?
- E dija që do të më keqkuptoje. Mbase më duhet ta shpjegoj më mirë.
- Jo, pse?
- Mbase dashuria më e plotë ndodh atje ku e pret me pak. 
- Natyrisht, natyrisht…
- Tek njëqelizorët.
- Pa shih…
Ajo donte të vazhdonte me mimikën e të prekurës, por ai nuk e la.
- Ndodh rrallë, - tha duke e anashkaluar shpotinë e saj. – Por kur ndodh, është e plotë, si një luftë totale.
- Prapë për njëqelizorë po flet?
- Po. Ata janë mësuar me vetminë e tyre proverbiale, mitotike. Por qëllon që çmenden pas një tjetri. Se si e qysh, ky është një mister. Mesa duket, në cipat e tyre mbështjellëse ka diçka që përputhet në mënyrë përthithëse. Fatale. Ata afrohen të magnetizuar. Dhe për çudi, është njëri prej tyre që do të japë diçka, dhe tjetri që do të marrë. Dhe bëhen gati, membrana e dhënësit mugullohet diku dhe zgjatet si një krah i mbirë rishtazi, rreket të gjejë trupin e dëshiruar të marrëses, e cila gjithashtu zbutet nga prekja, merr diçka prej plage, malcimi të ndezur që ha, frruhet, shkrifërohet, zgjatimi i dhënësit ndjen depërtimin e tij mes palëzave fosfolipide të cipës, ai do me patjetër të hyjë më thellë, i djegur për brendinë e marrëses, lëngjet që rrjedhin prej zgjatimit e zbusin edhe më atë tunel që po hapet i habitur nga risia dhe enzimat çelëse të dhuruesit… Derikur, më në fund, kreu i zgjatimit arrin brenda trupit të citoplazmës tjetër: tani ata janë një trup. Në atë urë lidhëse përzihen valë limfash e lëngjesh shtrydhur nga vakuolat dhe përrenjtë e Golxhit, e si janë përthithur ca kësisoji, një sinjal vjen dhe dhënësi zë e shtrydh lëndën e vet thelbore, palcën e tij, se si një Zot e di, por e bën, një lloj injekcioni, derdhet brenda e pastaj tërhiqet, tkurr zgjatimin, i cili del nga trupi i tjetër, rrëgjohet e tretet sikur nuk ish kurrë, e ndërkaq tjetra ka ndryshuar përgjithmonë, pasi brenda mban ca nga lënda e dhuruesit, palca e tij që e bashkon me të vetën, pa dyshim që nuk është më siç ka qenë… Ja ky është përkushtim total, - tha ai pas një heshtjeje. – Atyre dy qelizave nuk ke ç’u kërkon më, ato s’i shpërbën dot në asgjë tjetër, aty përkushtimi është total.
- Dua të jem qeliza jote e zgjedhur, - tha ajo me një zë të mahnitur. 
Ai ndjeu dorën e saj të sigurt që po e tërhiqte vendosmërisht dhe hapin e saj prej amazone. Ajo do të thyente gjithçka tani, mendoi ai ndërsa e la veten të tërhiqej prej saj. Dukej sikur nuk kish qenë ndonjëherë kaq e vendosur për diçka. Si një qelizë e madhe që donte këmbim të përkushtuar me paramecin e vet.
Pas pak e gjetën veten në hotelin e tyre. Nuk kishin folur asnjë fjalë, as kur hynë, ajo e zhveshi vendosmërisht, e puthi me lëngje buzësh që do të shkrinin çdo membranë, flaku mbathjet me një padurim pothuaj urrejtës dhe, ndërsa ndjeu me gishta organin e tij të forcuar, arriti të thoshte vetëm “bëmë fort” në gjuhë të huaj.

 

***

Shkrimi ndërpritej aty me një vijë horizontale. Më pas vijonte një tjetër pjesë me titull “Drejt Mesnatës”. Ajo hodhi sytë përreth dhe pa që pragmuzgu kishte kohë që kishte kaluar. Teleferiku i radhës mbërriti pa vonuar si një qortim. Asaj i erdhi ligsht që e kish harruar burrin e saj për aq gjatë. Kuptoi që qyteti po e molepste me pavarësi. Ndjeu një përzierje. Kafet e ditës lëshonin një hidhtësi prej turpi dhe pendimi. Hyri në kabinën e madhe të teleferikut me udhëtarë të paktë, njëri prej të cilëve me këmbë të drunjtë, gati për t’u tejçuar drejt Mesnatës së vet.
Kavoja e çelikut arriti kulmin e lartësisë. Pas atij piku fillonte zbritja drejt ishullit. Hodhi edhe një herë sytë nga City. Ai shtrihej poshtë si një paramec i trazuar. Nuk e kish ditur: City ishte vetë një Ishull i madh.

45 Komente

Si ne kohrat arkaike dhe ne kohrat kibernetike, dashuria dhe lumturia jane te pakta dhe te pavjeterushme, si ari botes.Qasja me qendisma shkenciste rrezaton erudicion dhe rendon delikatesen metafizike qe do meritonin temat e dashurise, humbjes, plakjes.

nuk di pse "shkenciste" po i avitet sharjes nga nona 

o shkencist, te thot tjetrit. ti e shef ne sy, pastaj ia kthe: "fjalet mbrapsht". pasqyr! smiley

nuk jam kondra af e ufeve kur flasim per dashnin e pleqnin, po si shum af e uf po ka, a s'te duket? pak shkartisje nuk demton.

Jo, nuk di cfare nuanca mer fjala "shkenciste" ne slang .Une e perdora ne kuptimin e pare, as shares e as shpotites, dmth ne kuptimin e robit qe ka njohuri nga fusha te ndryshme te shkences.

Nga sa kam vene re, me teper ti levron qasjen meditative dhe refleksive, ku personazhi narrator me shume arsyeton se sa perjeton dhe ne kete regjister rreziku i sentimentalizmit e patetizmit me af e uf, minimalizohet.Ama rreziku i rreshqitjes ne intelektualizm , rritet. Plus qarku lexuesit ngushtohet.

po beja shaka.

pa lidhje: si te duket ky numer, i inskenuar? very weird! sapo e pashe. harrison fordi e paska marre veten pas aksidentit. smiley

po pra, magjikja, mrekullia ne mos si reale, si iluzion jane pjese  e jetes.Ty te mungon dimensioni magjikes dhe hyjnores ne orvatjet per biseda ose tregimet shkenciste* smiley

*sipas perkufizimit te herr Tikut ne komentin me poshte

hmm, ok. do botoj nje liber qe titullohet "Barerat e se keqes". Po e lexove, mbase do bindesh per te kunderten.

nderkaq, qasja pozitiviste eshte aktualisht shume e forte ne vende si ky ku jetoj vete. them qe e ka nje arsye (sepse une jam edhe determinist, merret vesh).

Ne fragmetin qe ke sjelle ketu  biseda e dy personazheve sillet rreth idese se rikthimit ne jete ose rimisherimit . Ama qasja ndertohet ne terma shkencore ,si rikthim i trupit, lendores dhe  nuk  ka rendesi nese eshte fantashkence apo hipoteze e pa verifikuar.Kur trajton tema qe lidhen me qenien, ekzistencen, lirine etj, sikurse thua-je determinist.Por determinizmi materialist le hapsire edhe per rastesine e cila per determinizmin hyjnor, merr pamjen e mrekullise, magjikes etj.

 

Spiritus, mos e paso tek une topin. Je ti qe ja ngjeshe Emigrantit, dhe ja ngjeshe mire dhe me lezet. Une vetem sqarova ngjeshjen.

 

shife, shife. smiley

sidomos pjesen e dyte te perkufizimit.

po shyqyr qe u bere mbare te sjellesh dicka (ate rusin, flm, by the way, per punen dhe qe e ndave me ne).

Merre, eshte per ju:

Pozitivizmi me neveriste, por jo më pak me neveriste metafizika abstrakte. Kërkoja të shihja shpirtin, por dëshiroja ta shihja të mishëruar.

                                                                                                                          Florenski

 

po c'me duhet ky florenski, pash Zotin! smiley

dmth pse duhet te me beje pershtypje se cfare ka neveritur nje rus erudit e besimtar nen stalinin. s'e kuptoj, vertet. e gjithe c'mund te them eshte "keq per te".

Ky eshte negativizem puro, dhe per me teper negativizem budalla, se kshu mund te thuhet per çdo person: Ç'me duhet Ajshtajni mer jau nen Hitlerin, ç'me duhet Kadareja mer jua nen Enverin, ç'me duhet Emigranti nen Jevgun mer jau!?

Dhe vertet ta shofesh holle holle, nga pikpamja shkencore, mua me duhet vetem te ha buke dhe te flej. Se harrova, edhe rroga ne bordero.

 

e kisha llafin qe nuk e tha Moisiu. ka nje rryme te tere robsh te pakten po aq brilliant sa ky (se kete une nuk e njoh fare), qe thone krejt te kunderten. nuk di sa i qarte jam, por per kete e kisha.

Ketu brillantet jemi une dhe ti, jo Florenskij dhe zootekniku pedofil Daukins.

Meqe ti mbahesh per brillant pozitivist, dhe un rezultoj negativist obskurantist me fjalor british, nepermjet citimit te Florenskit (qe nuk ka ç'te duhet ty mer jau) desha te them qe shif se mund te jem te dyja bashke pa problem. Ka mundesi ekuilibri, ose te pakten nje prirje.

 

aq me teper qe rusin e permende ti i pari.

 

jo ore, nuk ishte "me te qeshme, me t ngjeshje". Ja dhe perkufizimi, per te shmang keqkuptimet http://r.search.yahoo.com/_ylt=A0LEViek9...

Eshte nje dicka lehtesisht e konstatueshme qe emigrant ne tregimet e tij shtje ne pune informacion, njohuri nga fizika, matematika, biologjia. Kjo eshte pasoje apo privilegj i formimit te tij, zanatit dhe nje dicka jo shume e rrahur si qasje ne letersine tone,( aq sa kam une dijeni). Ja kam shprehur dhe me pare hedhjen me karar te "kripes" shkencore.Por si qasje eshte mjaft interesante.  Pa folur per referencat intertekstuale.

Ti referohesh fjalorit per kuptimin e Fjales (qe eshte e para), eshte veper puro shientiste, biles shientologjiste, per te mos thene shejtanologjiste ne kete rast.

 

Une tregova se ne cfare kuptimi e perdora fjalen "shkencist".Ti i jep kuptim tjeter, si qasje shkencore ndaj botes e cila perjashton qasjen spirtituale. Ok ,kjo eshte tjeter gje.Por edhe nqs shtjeme ne pune qasjen spirituale, bota reduktohet ne metafizike puro dhe fizikja mbetet jetime. Kurse qasja shkencore i ben derman edhe materiales, edhe shpirterores .

Ky qe thu ti eshte pozitivizmi i qebabtoreve te Tiranes. Lexo ketu pozitivizmin e qebabtoreve te Vjenes postperandorake, qe e kishte gjith inotin me spiritualen, metafiziken:

http://en.wikipedia.org/wiki/Positivism#...

These included: the opposition to all metaphysics, especially ontology andsynthetic a priori propositions; the rejection of metaphysics not as wrong but as meaningless (i.e., not empirically verifiable); a criterion of meaning based on Ludwig Wittgenstein's early work (which he later refuted); the idea that all knowledge should be codifiable in a single standard language of science; and above all the project of "rational reconstruction," in which ordinary-language concepts were gradually to be replaced by more precise equivalents in that standard language. However, the project is widely considered to have failed

http://it.wikipedia.org/wiki/Positivismo...

Come osserva Nicola Abbagnano: «Nonostante questa profonda incidenza culturale, il Positivismo...ha finito per sembrare un nuovo dogmatismo, avente la pretesa di racchiudere l'uomo negli schemi riduttivi della scienza. Anzi, il Positivismo... è apparso come una nuova metafisica della scienza...smiley Tutto ciò spiega la massiccia "reazione antipositivistica" che ha caratterizzato la filosofia degli ultimi decenni dell'Ottocento e degli inizi del Novecento.» A questa reazione ha contribuito lo sviluppo stesso delle scienze avvenuto proprio in contrasto con «il quadro gnoseologico ed epistemologico del Positivismo»

E kemi bere njehere kete muhabet dhe ke sjelle po te njejtin kunderargument. Kur them se shkenca i jep dum edhe mataeriales , edhe shpirterores, me kete te fundit kam parasysh psikologjine, psikoterapine, etiken, estetiken, filozofine e artit ku plekset si nje "bar i te keqes" smiley  edhe teologjia-shkencizmi christian. Prandaj ne ate vepren per shtyllat dhe themelet e te vertetes, Florenc muzhiku versulet kunder racionalizmit, Logosit?

Kurse ti njesoj keput te njejtat mufka, sepse ja po ta quaj shkence psikologjine dhe psikoterapine, por vetem ne ndonje fjalor personal mund te quhet shkence etika, estetika, filozofia e artit, teologjia.

Je tek materializmi vulgar, perçmuar edhe nga klasiket m-l.

 

Po si studiohen ne shkolla keto? apo si perralla? Teologjine ta shtova si "bari se keqes" por shif se ka dhe Christian science theology.

Per te pas çfar nuk ka tani, çdo person e çdo katund Christian ka fjalor te vet. Shenje e diteve te fundit, rikthim ne origjine te Kulles se Babelit.

Shkenca merret me evidencat, me eksperimentin, mund te beje prralla sa te duash, por eshte eksperimenti, evidenca shqisore qe vendos. Edhe ne raste te pamundura te shkences moderne, si psh Big Bangu nuk mund te eksperimentohet direkt, duhet te kete nje pasoje te evidentueshme si relikja e rrezatimit te thellesise.

Cfar eksperimenti dhe evidence ke ne filozofine e artit?

Pozitivizmi eshte nje vrasje shpirterore e qellimte (jo rastesisht lind ne France, dhe me agresivi e me i sofistikuari ne Vjene), larja e duarve perfundimisht me teologjine, eshte stacioni i fundit i goditjeve te njepasnjeshme qe trasformoi teologjine ne filozofi, pastaj ne metafizike, pastaj ne dialektike marksiste, pastaj ne New-Age, e dreqi e merr vesh se çfare me pas. Ne fund fare pozitivizmi behet magji, bar magjik i te mires, dmth "armiku u beme ne". Futja katunit si po ja fut edhe ti, o magji, gur i zi.

Spiritus prit se po shkruaj nje ese me titull:

Nga letersia e herbariumit, tek letersia e barit.

Cfar eksperimenti dhe evidence ke ne filozofine e artit?

Ti ke mbet tek empirizmi, si eksimezi, kur i pyet sa qen ka. te thote: bishtpreri, baloshi, calamani, qimekuqi sepse nuk ka arritur tek mendimi abstrakt ala. Po racionalizmin e hodhe n kosh t plehraave kshu? Po filozofia ka pas qene shkenca e shkencave qemoti.Pastaj bijat e saj u ndane dhe mbeti ontologjia, epistemologjia, logjika, filozofia e shkences, filozofia e fese etj etj. Dhe gjith ata Doktora Profesora me dyplloma mjeker te Filozofise,Filoqylit, Filoqefit.

 

mbi te ashtuquajturin "rreth te vjenes" eshte ndertuar akoma sot e kesaj dite menyra me e perparuar e asaj se si e koncptojme mikro dhe makroboten. pa kafet vjeneze, do ishim akoma tek shpjegimet e ndonje vedizme, te ndonjerit qe fillon e derdellit per cakrat dhe lakrat, si dhe te lektyrave qe japin deshmitaret e jahveit cdo te shtune  ne sabah, ku(r)do ku ua hapin deren.

rrethit te vjenes, ti dhe shume si ti, u vini literalisht anash. ne rrathe te pamundur, kuptohet. smiley

He se mu kujtu edhe nje e fundit fletushke e Jehovait:

The positivists have a simple solution: the world must be divided into that which we can say clearly and the rest, which we had better pass over in silence. But can any one conceive of a more pointless philosophy, seeing that what we can say clearly amounts to next to nothing? If we omitted all that is unclear we would probably be left with completely uninteresting and trivial tautologies.

                                                                 Werner Heisenberg, Physics and Beyond 

 

s'ka frike tjetri te thot qe sa me shume di, aq me shume s'di. ky eshte thelbi: te festosh gabimin.

vetem kampin tjeter kam pare une qe me nje ane thote "besoj", e me ane tjeter eshte i sigurt. think of this, meqe e ke qejf lojen me fjalen, mbase eshte mekat i shqipes qe fjalen besim e ka kaq gjithperfshirese, si popull i pabese qe jemi, edhe kjo ne menyren me gjithperfshirese te mundshme.

naten tani, e mos u kthe mo ktu per sot. smiley

Sa i ben dredha plumbit mer jau!?

Meqe the nga qebabtoret e Ali Demit se ne qebabtoret e Vjenes konceptohet ndertimi i mikrobotes, te solla kukurecin e Berlinit, Heisenbergun qe eshte themelues kryesor i mekanikes kuantike, i cili thote qe nuk ka asgje per te festuar ne pozitivizem, nuk festohet tautologjia, perveç si festim karnavali. Ne fakt kete karnaval si orgji pa fund jena duke pare vazhdimisht. Vetem se eshte karnavali juaj, festa juaj, orgjia juaj, jeni ju qe festoni.

Kaqe gje nuk merr vesh qe nje zbulim shkencor eshte i lidh me botkuptimin e zbuluesit, shife mire citimin e Heisenbergut se gjen lidhjen midis vlersimit te “papercaktueshmes”  dhe zbulimit te parimi i papercaktueshmerise. Nje pozitivist nuk do ta kishte zbuluar kurre kete parim, edhe sikur t’i perplasej ne fytyre, ne zbulojme ato qe duam te zbulojme.

Une mund te sjell edhe citime te tjera tip rusi nen Stalinin, por ty nuk kane ç’te duhen mer jau, qe tregojne se ka lidhje midis dizintegrimit te materies (me rezultat final bombat berthamore) dhe dizintegrimit moral, bashkeudhetare me dizintegrimin e figures ne artet pamore, dizintegrimit te Fjales ne letersi (ku je kampion i gjuhes letrare ngambrapamoderne shqipe), dizintegrimit te çdo strukture shoqerore, perfshire edhe kombetare, ku çuditerisht je reaksionar autoritar kombetar kunder lubonjist. Megjithse çudia nuk mbajti gjate, se ke filluar te tallesh me veteranet vojeriste ne halete poshte Ushtarit te Panjohur.

Ty ka ç’te duhet mer jau se ateisti agresiv zooteknik Dawkins, te cilin e admiron dhe na e ben te njohur vazhdimisht me video, eshte edhe ideolog i pedofilise.

Ty nuk ka ç’te duhet mer jau se mbas logjikes shkencore fshihet gjithnje lepri i etikes penisore. Dhe me e bukura kukureci i penisit frojdist eshte servirur taze per here te pare ne qebabtoret perandorake vjeneze, nen tingujt e valseve tradicionaliste te Strausit.

 

Ne sallonet e Vjenes u vra metafizika

operacioni udhehiqej nga mister CARnap

ne qebaptoret e Ali Demit festohet orgjia

raki skrapari, fergese ene   krap  smiley

@heretik: flet per gjera qe nuk i kupton; kjo sjell edhe konfuzionin. dhe keshtu si ty bejne shumica e njerzve qe diskutojne per keto gjera.

parimi i pasigurise eshte gur qosheje dhe themeli ne kuptimin e mikrobotes (pra, te botes), por te them me siguri absolute qe deri dhe fizikanet e professionit, ne nje pjese te madhe te tyre "nuk nokin gje" c'jane duke bere e duke molloisur. mos u habit nga kjo: shumica derrmuese atyre qe ngasin makinen nuk e dine se si funksionon sistemi qe ata po ngasin dhe qe i thone "makine". ne nje anketim, 80% e statisticieneve nuk dinin pse zbatonin me te thjeshtin e gjithe testeve statistikore, ate te studentit. eshte perleshja e famshme mes pse-se dhe si-se. 

ta thashe gjithe kete me lart sa per nje sfond te moskuptimit te gjese prej teje, cka shihet qarte prej komentit tend dhe menyres se si e perveton citimin e hajzenbergut.

le te marrim vetem nje pike nga c'thua, t'i leme te tjerat me pedofilira etj (per me vone mbase), dhe te flasim per parimin e pasigurise (ver re sa m'u desh te vija deri ketu, dhe sa i lodhshem behet vetiu ky "debat", qe e terheq zvarre vetem vleresimi per bashkefolesin): principin e komplementaritetit, ose te relacionit te paqarte midis treguesve bazik te levizjes se thermijave elementare. gjithe cfare pranohet ne kete princip, eshte 1) pamundesia per perceptim te therrmijave si elemente te bashkesise, por (rather) si bashkesi; 2) konflikti i brendshem mes njesise dhe bashkesise, ngase ato jane cilesisht te ndryshme ne shkallen e te qenit mohim i njeres (therrmijes) prej tjetres (bashkesise); dhe 3) varesia (lexo kapitullimi) yne ndaj pamundesise se vezhgimit te drejtperdrejt.

Besoj se i ke pare tufat e zogjve ne Tevere. E sjell gjithnje kete shembull. Kur ata zogj jane shume larg, ti i sheh ata vetem si tufe, dhe ajo tufe (bashkesi) nderron forme ore e cast. Ti nuk do i dalloje dot kurre individualisht ata zogj. Si te tille, ti mund t'i "lexosh" ata zogj vetem si bashkesi. Mund t'i shohesh si probabilitete, do te japesh "njollen", jo piken ku ata jane ne cdo cast te dhene. Fiks e njejta gje me principnin e hajzenbergut: ai krahason "devijime standarde"!!! sepse vetem me to mund te operoje. Aq eshte dollapi yne si vezhgues ne ate nivel observimi. Tani, po kuptove kete, ke bere nje hap aspak te vogel ne te kuptuarit e gjese (edhe te citimit).

Here tjeter nuk do flas kaq hollesisht, ky s'esht vendi.

Pse qeka i lodhshem Torez Çiraku? Perkundrazi eshte Torez Çiraku i lodhur, sepse eshte ai qe vrapon sa anej knej me njolle djerse ne fanelle per te centru muhabetin tuaj qe hidhet dege me dege ne periferi femen. Siç duket ju lodheni tu nejt n'bythe t'ullinit, vetem duke pa tjetrin qe vrapon.

Ti vete ketu ke vrapu kot per te me tregu gjera qe une i di. Kaq sa ke fol per vrimen thithese te MK dhe zogj Teveri i di edhe une. Ti nuk di qe je lodh kot, citimin e kam sjelle nga nje zbulues shkencetar safi qe nuk eshte shkencist, biles perbuz pozitivizmin sipas citimit. Dmth perbuz çfare lavderon ti qe quan pozitivizmin vienez si shkak te zbulimeve ne mikrobote. Nuk eshte e vertete, Nils Bori, tjeter shkencetar akoma me i madh e me safi, nuk ishte pozitivist, per me teper ishte si une (sipas teje) brahamn jing-jang, qe ti i tall si pozitivist oksidental mer jau,

pa kafet vjeneze, do ishim akoma tek shpjegimet e ndonje vedizme, te ndonjerit qe fillon e derdellit per cakrat dhe lakrat,

Ajshtajnit i mbiu Zoti ne goje sikur me qene prift katuni, Schrodinger ishte gjithashtu Veda vedanta trapabanda, Wolfgang Pauli gjithashtu, Heisenbergu njesoj si edhe Hajdaraga, nuk du me u lodh e me te lodh me i permend te gjithe listen e komunitetit MK Veda trapabanda Fritjof Capra trapadhia. (po deshe me u lodh e me me lodh te sjell citime per çdonjerin te thena nga ata vete) Meqe deshtoi krishterimi, deshtoi edhe pozitivizmi antikrishtere, o burra te behemi budiste trapabanda kamasutra. Per te ditur kaqe gje, nuk duhet me qene pa tjeter i zanatit siç je ti, plus me grada shkencore qe i tregon gjithnje, bashke me ca hollesira zanati, per t'i mbyll gojen bashkebiseduesit ti nuk merr vesh mer jau!, kush je ti, je vetem nje anonim mer jau?!

Ankohesh qe je lodh, je ti qe lodh te tjeret, nuk kapesh kurre, hop ketu e hop atje, ta ka pas thene edhe Hurbi qe ti je vete misherimi i parimit te papercaktueshmerise. 

 

ti s'do me kuptu, daj. 

kshuqe mund t'vazhdojm me Bari Ishken dhe Gjinalin (kti te dytit ia kom harru emrin). Ose me Faruk Sejdinin.

nuk di ca shkolle ke bo atje ku je, por me siguri absolute, sikur te boje naj grad study knej, me kto men, ti si zor se e shytyjshe semestrin e pare. 

pasta me tartuf shoqnu me montepulciano, t'rekomandoj, per nji vakt standart. mund ta rendojsh me pak mocarela, s'ka problem. jan ca qe shiten me kuti plastike te kerfuri, edhe ato xhind jane.

notnemir e bofsh.

Akoma nuk doli e qarte: je apo nuk je pozitivist?

Ose me mire: sot a je pozitivist? Dmth si eshte moti sot?

 

ti s'do me kuptu

Pse e paragjykon tjetrin?

Mbase nuk mundet, jo se nuk do!

O Rono e lexove Spenglerin? Ne çfar faqe ke arrit?

 

Robi qe ka njohuri ne fushe te ndryshme te shkences quhet dijetar (ose ndonje gje tjeter qe tani nuk me vjen ndermend), ndersa shkencisti eshte robi qe mbivendos shkencen mbi çdo gje, e ka pike referimi per te verteten, e cila sipas tij eshte vetem shkencore, dhe nuk mund te jete ndryshe perveç se shkencore.

Dmth Emigranti dora vete. (pa i bere dredha plumbit)

 

pse jo "pozitivist"?

Sepse pozitivist presupozon se kundeshtaret jane negativiste. Pra eshte nje kunderpergjigje, shkencist ka konotacione negative, dmth ka lindur si sharje negativiste.

 

well, nqse ka nje prototip te negatizmit, ky je ti. dmth me perkufizim!

Heee! As dija, as shkenca, as besimi,  as forca, as paraja, as tere pasuria e vene mal,  asgje nga tere keto qe permenda, nuk mund ti beje balle zhvleresimit te kohes.

   Duhet te kerkojme , ta gjejme e ta ruajme fort, dickane qe te mos na demtohet dita dites dhe qe te mund te mos shkaterrohet nga asgje.Besoj tek shpirti! Ai eshte e vetemja Perendi, qe strehohet ne trupin e gjithseicilit.

  Por ama ...nje shpirt i mire, i drejte..nje shpirt i madh ! Qe kurre nuk besoj se ai mund te behet e te kalitet me flori, me pare .,! Se nuk besoj kurre, se me keto " materiale " , dikush i artit te madh a shkences se majave, mundet te ndertoje nje figure te ngjashme me ...Perendine ! 

Pozitivizmi eshte nje vrasje shpirterore e qellimte larja e duarve perfundimisht me teologjine, eshte stacioni i fundit i goditjeve te njepasnjeshme qe trasformoi teologjine ne filozofi, pastaj ne metafizike, pastaj ne dialektike marksiste, pastaj ne New-Age/

Ti po qan kohen kur nen hyqmin e teologjise dhe Kishes ishin shkencat,  shkollat, dija, artet dhe filozofia, sherbetorja e perunjur e teologjise.Teologjia sot eshte gjalle e shendoshe neper kthedrat e kolegjeve kristiane por ne epoken e re postmoderne ajo nuk mund te ngushelloje te gjithe e te thote fjalen e saj per gjithcka. Nuk ka me profete, nuk ka me grande narrativa. Eshte lumturi e madhe qe sot ka lulezuar njueixhizmi me ate kolazh impresionues te spiritualizmit, budizmit, sufizmit, seksualizmit, neopaganizmit, kabalizmit, kristianizmit, juadaizmit , me ate fare gurush ne cdo cep te botes qe sherojne plaget e trupit e te shpirtit, larg dogmave abstrakte dhe te merzitshme.Bota eshte me e bukur, me e larmishme, secili ka gurune e vet, religjionin e vet.Ne cdo katund lind nje guru i ri.Nuk ka Holy Spirit.Ka Holy Smoke smiley

Dmth me sugjeron qe esese t'i ndryshoj titullin "Nga letersia e herbariumit, tek letersia e barit" ne "Nga Holy Spiritussmiley, tek Holy Smoke"? Agjent i fshehte je, agjent i fshehte lubonjaist i futur ne mes shkencisteve per t'i sabotuar operacionet diversante ne rrafshin e Dukagjinit. Operacioni Kamasutra, password "prezervativa".

Tani seriozisht, nuk qaj hallin e asnje kohe, sepse ky muhabet eshte jashtkohor pare ne thelb. Megjithse eshte nje proçes i kryer ne kohe, dmth ne histori, rrefimi historik eshte vetem mbeshtjellje genjeshtare per te genjyer budallejt nga maskarejt. Tani eshte bere me se i qarte vlera universale e ligjit te ruajalistit Lavuazje "Asgje nuk zhduket, gjithçka trans-formohet", dmth tere gjurulldia pozitiviste-ateiste dy shekullore kunder shpirterores (ose metafizikes, ose krishterimit, ose kishes, ose dogmes etj) eshte nje vere ne uje. E vetmja e re eshte rritja e entropise, degradimi i shpirterores, qe e gjen te trans-formuar kudo, biles me teper aty ku luftohet, si aureole shenjterie mbi krye te atyre qe e luftojne

Pra proçesi historik eshte nje vjedhje ne proçes, riciklim i vjedhjes origjinale. Te gjitha enciklopedite dhe katedrat jane mbushur me hajdute, kusare dhe delikusare me dypllomjeker, per me teper shumica mosmirnjohes, si qetsues per vrasjen e ndergjegjes. Pranej une nuk jam ne gjendje te bej as 3 muaj shkolle amerikone mer jau.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).