Përshkrim i realitetit social shqiptar

Politika është e rëndë plumb. Ajo në emër të njerëzve, shpesh shndërrohet në ç’njerëzore dhe i rropat njerëzit. Politika e zhvesh njeriun nga humanizmi duke e parë atë ndonjëherë si një qënie krejt të pamendtë, e cila drejtohet për nga e mira materiale për interesa të përkohshme personale, pa ditur sa e duhur është dhe sa ia vlen një “e mirë” që vjen nga politika. Politika jo në pak raste e sheh njeriun si numër, si një votë më shumë, që në  mos nuk e sheh as si qënie, duke ia ç’bërë ndjesitë. Politika ka vetëm një qëllim dhe ky është që ti bëjë njerëzit për vete, pa pyetur as për ndjesi, as për ndjeshmëri dhe as për ndershmëri. Më keq akoma është kur politika është përnjëmend e paparimtë, e për rrjedhojë çdokush që hyn në politikë shkel mbi parime, të cilat më së shumti janë edhe antinjerëzore.

Politika shqiptare dhe ndikimi tek njerëzit

Për fat të keq, jetojmë në një realitet dhe një sistem politik tejet të ashpër. Politika shqiptare, edhe ajo e zhvilluar në demokraci, në 23 vite pluralizëm, ka nxjerrë jo pak politikanë “monstra”, të përlyer në pazare e rryshfete, në vjedhje e deri në rrahje brutale në parlament. Si pasojë e sistemit të ashpër politik që kemi të ndërtuar, edhe personat apo personi që del në krye të sistemit bëhet i ashpër. Prsh. kryeministri Rama edhe pse në vetvete mund të mos jetë i ashpër, është forca e sistemit që ta imponon ashpërsinë. Duke qenë se njerëzit jetojnë brenda një sistemi politik të ashpër, ku përplasja më e ashpër është ajo mes partive politike, ku e enjtja e debateve në ferrin parlamentar gjëmon ekranet, edhe njerëzia nis e merr modele, kopjon njerëzit në krye të sistemit, e bëhen njëjtë të ashpër. Të tillë (të ashpër) bëhen sidomos ata që ndikohen drejtpërdrejt nga politikanët ose janë pjesë e partive politike. Ndërsa, ndoshta edhe më keq se këta janë ata që nuk janë pjesë e partive. Këta të dytët vërtetë mund të kenë liri, por është liri me kosto të lartë, pasi sistemi të përjashton, mbetesh jashtë, ndoshta dhe pa punë e askush nuk do merrej me ty. Shoqëria civile po ashtu gati është e vdekur dhe se ata që bëjnë shoqërinë civile, në jo pak raste janë vetë brenda sistemit apo pjesë të partive politike.

Parimet dhe ndershmëria

Ti ke parime, ti kërkon që përmes tyre të mund të bëhësh dikush në jetë, ashtu ndershmërisht. Ti ke parime dhe aspak inate me njerëz, asgjë personale e kërkon që përmes parimeve të mund të thuash fjalën tënde ashtu siç mendon dhe jo sipas asaj që dikush tjetër e mendon që ti ta thuash. Ti kërkon të thuash atë që e mendon si të drejtë. Të gjithë mendojmë se mund ta themi atë që mendojmë, por se në Shqipëri shpesh “duhet” të mos jesh vetvetja, por jo-vetvetja apo ‘dikush tjetër’ që të bësh përpara. E, që të ecësh përpara ti duhet të jesh personi që duhet të bëhesh ashtu siç të thonë, duke shpërfytyruar integritetin personal, duke shkelur sot parimin e djeshëm dhe nesër parimin e sotëm. E, që mund të ecësh në këtë sistem shpesh duhet të jesh 3-4 fytyrësh e në mos më shumë, ku gjithçka mund ta thuash, përveç të vërtetës. Po ky sistem i ngjyros njerëzit, sipas partive, të cilat shpesh kanë ideologji që nuk përshtaten as me të majtën dhe as me të djathtën. Më e keqja është se i ngjyros edhe ata që nuk duhet të jenë të “ngjyrosur”. Gazetarë që sillen si zëdhënësa për shtyp të një partie, polic apo ushtarak që në fakt ka status civili, e që mund të mbajë anën e një partie. Ky është realiteti shqiptar, aty ku parimet të shumtë janë ata që i shkelin.

Kur parimet përplasen me “botën”

Edhe pse përqark mund të të vërtiten qoftë dhe fytyra me pesë ngjyra, ti ke parimet tua. Ti i do parimet tua, i zhvillon, i përvetëson, që ata të mund të jenë sa më të drejta. Por, kjo nuk mjafton. Ti do të përballesh me realitetin. Realiteti është i ashpër dhe nuk njeh mëshirë. Ky realitet ngjan me gojën e një ujku dhe se “qengji i pambrojtur” në të përtypet kollaj. Për fat edhe më të keq, populli ynë e ka të psikologjisur idenë e turmës, duke e bërë pjesë edhe të shprehjeve frazeologjike. “Qengjin që ndahet nga kopeja e ha ujku”, thotë populli. E thotë ky popull, i cili thuajse historikisht ka mbrojtur të fortin përballë të dobëtit, qoftë dhe kur i dobëti ka patur të drejtë. “Aty ku mendimi mbizotërues është shumicë, ka diçka që nuk shkon”, thotë Tolstoi. Ti me parimet tua nuk lufton personat, por sistemin, që ai të mund të përmirësohet, edhe pse mund të zhytesh. Ti ke parimet tua. “Bota” është aty dhe mund të jetë kundër teje. Të mos jesh me turmën nuk do të thotë të mos jesh në anën e drejtë dhe më pak demokrat apo përparimtar se turma. Historia ka dëshmuar se turmat kanë gjasa të mëdha të gabojnë. Turmat kanë mbështetur sisteme gjakatare si nazizmi, fashizmi, diktaturat, tiranitë etj. Kështu ka ndodhur edhe me shqiptarët. Ata, si një turmë, iu besuan pushtetin komunistëve sepse e fituan luftën. Ishin komunistët që premtonin se “po ndërtonin Shqipërinë socialiste, sistemin e drejtë, të barazisë, të begatisë, se do mbillnin mirëqënie në fusha e në male”. Por, se ata që kishin patur të drejtë në fakt ishin ata që e kishin vënë në dyshim figurën e udhëheqësit, të një njeriu të vetëm të fortë, përkatësisht të Enver Hoxhës. Ata që kishin patur të drejtë ishin ata që kishin parë se sistemi ishte propagandë dhe nuk pyeste për të drejtat njerëzore. Sot jemi në demokraci do thotë ndokush, por se edhe kjo që Shqipëria sot ka si sistem, nuk është mirfilli demokraci. “Demokraci do të thotë rezistencë dhe të jesh kundër çdo lloj padrejtësie që buron edhe nga ky sistem”, thotë filozofi slloven Slavoj Zizek.

Rezistenca është e lidhur me padrejtësitë që provojnë njerëzit, me sistemin e drejtësisë që nuk funksionon siç duhet, me njerëz që vetëvaren se nuk kanë para, që vuajnë dhe heshtin e mbyllen në vetvete, sepse jemi një shoqëri, që ka brumosur “vlerat” se secili duhet të shohë punën e vet dhe se çfarë ndodh me tjetrin, shpesh as na bëhet vonë. Ti ke parimet tua. Ruaji ato. Mos bëj kompromos me parimet. Parimet e tua janë dinjiteti yt, fjalët tua janë forca jote, e fjalët e tua janë personi dhe personaliteti yt. Me parime të drejta, ajo që me siguri mbetet është se ti do të mbetesh TI dhe do dish se do të jesh NJERI!...

2 Komente

Bukur, me pelqeu si shkrim. 

Më plasi. smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).