Më 9 maj 2015 në Moskë do të mbahet parada që përkujton 70-vjetorin e fitores mbi nazizmin. Por, duket se parada nuk do të jetë aq entuziaste.

Moska zyrtare iu ka dërguar ftesë liderëve evropianë dhe shumica e tyre nuk e kanë aprovuar vizitën në Rusi. Shqipëria gjithashtu ia ka refuzuar kërkesën Rusisë për të marrë pjesë në këtë paradë. "Në ceremoni të tilla ftohen krerët e shteteve.

Gjithsesi, qeveria shqiptare e ka dënuar ndërhyrjen ruse në territorin ukrainas dhe i është bashkuar komunitetit euro-atlantik në qëndrimet e mbajtura. Ne jemi në të njëjtën linjë me partnerët tanë strategjikë", ka qenë deklarata zyrtare e Ministrisë së Mbrojtjes. Presidenti serb, Tomislav Nikoliç dhe komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura e kanë pranuar ftesën e ministrit të Mbrojtjes së Rusisë, Sergey Shoigu dhe kanë rënë dakord që ushtarët serbë të marrin pjesë në paradën ushtarake të 9 majit. Ndërkaq, që në media flitet se liderët e Evropës nuk shkojnë në Moskë për shkak të ndërhyrjes të Rusisë në Ukrainë.

Albeu.com: Shqipëria nuk do të marrë pjesë në paradën e 70-vjetorit të fitores mbi nazizmin që e organizon Rusia. Arsyeja e refuzimit ka qenë se shteti shqiptar e dënon ndërhyrjen e Rusisë në Ukrainë dhe se i bashkohet komunitetit euro-atlantik dhe partnerëve të saj strategjikë. Si do ta komentonit këtë qëndrim të shtetit shqiptar?

Ilir Kulla: Mendoj se përkujtimi i fitores mbi nazizmin s’duhet të ketë lidhje me Ukrainën dhe ngjarjet e atjeshme. Natyrisht Shqipëria ka bërë mirë që dënon konfliktin ukrainas dhe ndërhyrjen e Rusisë atje por kjo s’ka të bëjë aspak me ngjarjen më të madhe të shekullit të shkuar. Pa ushtrinë sovjetike dhe popullin martir rus nazizmi do kishte triumfuar në atë luftë. Natyrisht edhe këtu duhet të bëjmë dallim mes regjimit stalinian, Stalinit dhe historisë së lavdishme të asaj lufte. Në planin diplomatik pavarësisht se Rusia nuk është partner strategjik i Shqipërisë dhe ka mbajtur qëndrim kunder Kosovës, ajo është një nga 10 fuqitë më të mëdha të botës, vend i madh dhe c’është më e rëndësishmja anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB, dmth aktore shumë e rëndësishme e rendit aktual botëror.

 

Albeu.com: Ministria e Brendshme e Republikës së Shqipërisë ka theksuar se shteti shqiptar dënon ndërhyrjen e Rusisë në Ukrainë dhe për rrjedhojë është refuzuar dhe ftesa. Nga ana tjetër, thuhet se Shqipëria del në krah të partnerëve euro-atlantik. Mendoni se Shqipëria tashmë ka marrë një udhë të pakthyeshme në raportet e saj me shtetet të cilat i përcakton si partnerë strategjikë?

Ilir Kulla: Mendoj se deklarata eshte naive. S ka asnjë lidhje 9 maji me aleancat strategjike të Shqiperisë, të cilat për nja 2 vjet kanë ndryshuar disa herë. Pastaj se c’jemi në gjendje të bëjmë për aleatët strategjikë e dëshmuam shumë qartë me armët kimike siriane. Po ti qëndrojmë kësaj logjike duhet të mos shkojmë e të mos vijmë as në Pekin por ndërkohë i kërkojmë para e investime. Po ti qëndrojmë kësaj logjike duhet të shohim Gjermaninë e sotme si pasardhese të Gjermanisë së atëhershme është absurde. Ajo është thjesht si një ceremoni përkujtimore , ne jemi vend i vogël, duhet të nderojmë Luftën e Dëte Botërore siç nderojmë të rënët tonë dhe festojmë 29 nëntorin dhe 5 majin.

Albeu.com: Shqipëria ka qenë aleate e bllokut që dolën fitues në Luftën e Dytë Botërore, e rradhitur në koalicionin anti-Hitler. Shqiptarët në Shqipëri kanë luftuar si fashizmin, ashtu edhe nazizmin. Dita e rezistencës kundër Italisë fashiste, 7 prilli sapo kaloi. Mendoni se shteti shqiptar e përkujtoi në mënyrën e duhur këtë ditë?

Ilir Kulla: Unë në datën 7 prill kam shkruar ne profilin tim ne Facebook se 7 prilli i vitit 1939 është ditë që s‘duhet harruar kurrë. Nuk duhet harruar sepse është dita më e keqe e 103 viteve pavarësi, shteti shqiptar u zhduk, u pushtua. Natyrisht pati ushtarakë shqiptarë që luftuan dhe dhanë jetën e duhen përkujtuar. A ka lidhje kjo me Italinë e sotme? Jo aspak, sepse Italia e sotme dënon atë pushtim, ato krime, atë regjim dhe Italia e atëhershme i mbylli llogaritë me Musolinin kur e vari kokëposhte në Milano në 1945. Por ta kujtosh historinë është detyrim. Do të jetë kështu edhe pas 50 vjetësh që s‘do kujtohen viktimat e luftës së Kosovës se do kemi marrëdhënie të mira me Serbinë?! Të vdekurit me të vdekurit të gjallët me të gjallët, por historia nuk zhduket, ndryshe shqiptarët do të ishin zhdukur me kohë.

Albeu.com: Lajmi që Shqipëria ia ka refuzuar ftesën Rusisë për të marrë në paradën e 70-vjetorit të fitores mbi nazizmin, duket se ka gëzuar më së tepërmi shqiptarët e Kosovës. A besoni se në kushtet që ndodheshin shqiptarët në Kosovë në Luftën e Dytë Botërore, kanë arsye të fortë për të festuar këtë refuzim të ftesës të Tiranës zyrtare nga Moska?

Ilir Kulla: Edhe ky gëzim i shqiptarëve të Kosovës është naiv. Shqiptarët e Kosovës nuk i la nën robëri ushtria e kuqe, por divizioni famëkeq SS i quajtur Skëndërbej. Kjo bëri që ultranacionalistët serbë si Rankovici të justifikonin veprimet e tyre si masakra e Tivarit me gjoja luftën kundër kolaboracionistëve të nazizmit. Viktimat e masakrës së Tivarit as nuk i kuptonin ato intriga në atë kohë, në gjakun e tyre vlonte një dej’ i pastër patriotizmi, kundër të cilit u sul egërsisht ultranacionalizmi serb. Shqipëria neokomuniste ishte e dobët dhe e pafuqishme e cila për pak po gllabërohej nga Jugosllavia e Titos, por desh zoti që Stalini u prish me Titon dhe Enver Hoxha me dinakëri u strehua nën çadrën sovjetike ndryshe me Greqinë në Jug me provokacionet e gushtit të 1949 dhe Jugosllavinë e Titos në veri që donte të sillte divizionet e saj në Jug, gjërat do të shkonin ndryshe. Nuk duhet të keqkuptojmë historinë. Asnjë ushtar sovjetik nuk ka shkelur si pushtues as ne Shqipëri e as në Kosovë. Shqiptarët sot jane lidhur në mënyrë të pandashme me Perëndimin , por kjo s’do të thotë që me lindjen duhet të kemi marrëdhënie armiqësore.
 

 

 

Albeu.com: Nuk është vetëm Shqipëria, por edhe një sërë shtetesh evropiane dhe të BE-së që kanë refuzuar të shkojnë në paradën e Moskës. Problem duket se është ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë. Mendoni se ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë është arsye e qënësishme që liderët evropianë ta refuzojnë ftesën e Moskës?

Ilir Kulla: Po, ka liderë europianë që kanë refuzuar të shkojnë, por ka edhe nga ata që do të shkojnë si presidenti i Çekisë, pavaresisht asaj që sovjetikët i kanë bërë Pragës në 1968. Do shkojnë hungarezët, pavarësisht asaj që sovjetikët bënë në Budapest në 1956 etj. Nuk duhet të ngatërrohet 9 maji me data të tjera historike.
 

 

Albeu.com: Liderë të shumtë rusë kanë akuzuar zyrtarët e BE-së për “nazizëm” lidhur me situatën në Ukrainë. Mendoni se Rusia, edhe sot e kësaj dite nuk ka mundur të shqitet nga ideologjia e para 70-viteve, pasi termat e përdorur në disa raste kanë qenë të ngjashme?

Ilir Kulla: Mendoj që ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë ka cënuar besimin, dhe sigurinë në atë rajon dhe ka tronditur marëdhëniet BE-Rusi. Mendoj gjithashtu se emocionet negative mes palëve duhen tejkaluar dhe duhet vlerësuar roli i Rusisë në çështje të tilla si siguria energjitike në Europë, roli i saj në luftën kundër terrorizmit apo në zgjidhjen e krizës së Energjisë Bërthamore me Iranin. Natyrisht këtu duhet të bëjmë një ndarje të qartë. Ne jemi në NATO me perëndimin por kjo s’do të thotë që jemi në armiqësi me lindjen dhe me popullin e madh rus, me kulturën ruse, me poetët, muzikantët, shkrimtarët etj. Le të mësojme nga pak edhe në ditët e sotme nga Tolstoi dhe “Lufta dhe Paqja”. Ju faleminderit.

 

 

5 Komente

Cfare funksioni ka Ilir Kulla?

Dmth cfare pune ben?

-strategjist.smiley   edhe nga punet feve/ klerit merr vesh ky..smiley 

 

e  meqe permendem fene... Gezuar Pashket besimtareve Ortodokse shqiptare!

Ne jemi ne NATO keshtu qe do mbajme qendrime ne nje linje me aleancen .Por kjo fobia anti ruse nuku duhet inkurajuar.Ruset mbeten popull i madh i talentuar me potenciale te medha intelektuale e shkencore.Ndihma ruse eshte ndihma me efektive qe ndonje fuqi e huaj i ka dhene ndonjehere shqiperise.

Mire mire, po na e kishin me hile. Donin te na linin pa Kumandarin, dmth te sillnin 85-sen me 60-ten. 

S'paska shkuar askush nga 'kllubi i Nates'?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).