Në një kohë kur hapësira politike shqiptare po shpalos paturpshmërisht lungën e saj, e ne jemi kthyer në një publik pasiv, që ndjekim edhe atë që ndodh në oborrin tonë vetëm nëpërmjet paneleve televizive – vula legjitimuese e gjithçkafit – kandidatura e Gjergj Bojaxhiut për Bashkinë e Tiranës vjen si një sihariq prej maratonomaku (ose alpinisti, në rastin tonë).

Tirana, ky kryeqytet aktualisht pa krye, po lëngon nga keqtrajtimi që i është bërë ndër vite. Do të jepja gjithçka për të parë sërish ashtu siç ka qenë lagjen ku linda dhe u rrita: rruginat e pastra, trotuaret pa gropa, pemët e lyera me gëlqere, fushën e futbollit, paralelet dhe njerëzit që mblidheshin kur ktheheshin nga puna, për të bërë një dorë muhabet, duke luajtur shah mbi stolat e përbashkët. U riktheva atje, në qershor të 2013-s, për të votuar. Qendra e votimit ndodhej në katin e dytë të kopshtit ku unë kisha luajtur aq shumë, ende e mitur, e tani atyre shkallëve u ngjitesha me një foshnjë brenda meje, tre muaj para se ta sillja në jetë. Gjithë ajo nostalgji e mendimet mbi kohën që kalon, i hodhën poshtë bashkë me mua dy njerëz, që i shihja për herë të parë, të cilët po ziheshin me grushte të majtë dhe të djathtë. Në fillim të gjithë shtangën. Një grua me barkun te goja përtokë, dy njerëz të pandjeshëm ndaj saj që vazhdonin grushtet për arsye politike dhe disa spektatorë që s’po guxonin të ndërhynin. Pemët nënkuptohet që nuk ekzistonin më, fusha ishte bërë pallat dhe kopshti i rindërtuar nga bashkia, kishte tani edhe televizorë, ku më vonë mora vesh se fëmijët ndiqnin, bashkë me edukatoret (që ishin zëvendësuar pas zgjedhjeve të 2011-s), telenovela. E në atë moment që po më dhembte edhe shpina edhe katandia e qytetit tim dhe njerëzve të tij, dy nga ata fqinjët që dikur luanin shah në stola, i kapën dy bukuroshët nga leckat e i hodhën jashtë. “Do të bëhesh nënë, Iris!” – më tha njëri prej tyre tek më ndihmoi të ngrihesha. “Këtu do ta rrisësh bebin?”

Ky njeri i mirë, tashmë i thinjur, por ende i fuqishëm, më erdhi në mendje kur ndoqa shpalljen e kandidaturës së Gjergj Bojaxhiut. Nuk them ose më saktë nuk e di, nëse z. Bojaxhi do të mund t’i japë Tiranës një ndihmë aq jetike, sa më dha mua ish-fqinji im. Gjithashtu, nuk e di nëse ai do ia dalë të flakë jashtë karriges se bashkisë militantët e majtë dhe të djathë që kanë zënë një punë thjesht dhe vetëm falë thirrjeve të zjarrta në mitingje elektorale e i kanë rrënjët e thella në atë institucion. Por kam shumë arsye të mendoj se kjo kandidaturë është një lajm shumë i mirë.

Është një kandidaturë që meriton të duartrokitet, qoftë edhe vetëm për faktin se guxon t’u kujtojë qytetarëve se ka dhe mundësi të tjera. Se ndoshta një ditë – pse jo që sot – Tirana do të çlirohet nga duart e trekëndëshit këndshtrembër PD-PS-LSI, që në publik bëjnë debate të pamëshirshme, e në prapaskenë këmbejnë pallate e biznese, rreth sofrave të shtruara plot. Është e vërtetë që 25 vite me radhë ky bipolarizëm politik na ka instaluar një mentalitet pasiv. E kemi pranuar të gjithë se po shfrytëzohemi në maksimum dhe bashkë me ne edhe pronat tona të përbashkëta, por mos harrojmë se çdo komb, popull, komunitet ka qeverisjen që meriton. Tani, e pas kaq shumë vitesh pritjeje, po na jepet një mundësi të meritojmë diçka më shumë. Por a do të dimë ta vlerësojmë e ta rrëmbejmë këtë rast? Apo do të zgjedhim të mos e shprehim atë që të gjithë e mendojmë, për shkak të një bindjeje të pabazuar, se Bojaxhiu nuk ka asnjë shans të fitojë, kështu që më mirë vazhdojmë avazin e ankimit dhe vajtimit për ata që na qeverisin?

Në fakt, fitorja apo humbja e z. Bojaxhi nuk është më shumë e rëndësishme se vetë kandidimi i tij. Unë nuk e njoh personalisht. Por di që e kam parë në çdo grupim qytetar në mbrojtje të interesave të Tiranës, si kur kemi qenë pesë vetë, ashtu edhe kur kemi qenë 500. Di gjithashtu që poste politike dhe institucionale ai ka pasur edhe më parë, por u është larguar, në pamundësinë të komprometohet me sistemin. Ndaj kam bindjen se kjo nismë mbështetet vetëm në një vizion të pastër qytetar, e aspak në interesa vetjake.

Pa dalë mirë kandidatura e tij, nga të dyja palët u dëgjuan spekulime se bëhej fjalë për një kandidaturë fiktive sa për të përçarë kundërshtarin. Ky argument vinte kryesisht nga e djathta, që e krahason këtë nismë me atë të G99-s. Vlen këtu të kujtojmë se z. Bojaxhi i ka dhënë provat e përkushtimit të tij ndaj qytetit, e nuk vjen thjesht me vizione naive dhe të paeksperimentuara, pra lehtësisht të manipulueshme. Gjithashtu, duhet pranuar se elektorati kryeqytetas është kryesisht i majtë dhe zgjedhjet e 2011-s i dhanë pushtetin PD-së vetëm me një grusht votash diferencë (shumë të kontestuara, këtë e di dhe bufi) dhe një Hysni Milloshi, që i prishi jo pak punë të majtës. Pra nuk ka asnjë arsye që ky kandidim të duket si një kërcënim vetëm për të djathtën, e cila, ndoshta me të drejtë ka po të njëjtin argument me PS-në e dikurshme, për dështimin e saj në qeverisjen e Tiranës: konfliktin e interesit mes saj dhe qeverisjes vendore që i bllokon çdo projekt. E nëse është kështu kjo status quo, përse të votoj një kandidat që do e ketë të pamundur të punojë nën këtë trysni? Mllefi i qeverisë me një kandidat të pavarur do të jetë me siguri më i moderuar, madje përse të mos shpresojmë dhe në një bashkëpunim të frytshëm, që e dimë se nuk do të lindte kurrë mes dy partive.

Nga ana tjetër, po na propozohet një monopol Kryeministri – Bashki – Galeri Artesh – Ministri e Brendshme – etj., i cili, sado i drejtuar nga një njeri polivalent (thonë), përbën një lloj totalitarizmi, nga i cili jemi të gjithë të traumatizuar.

E në gjithë këtë mishmash përllogaritjesh, vjen dhe pretendimi se kandidatura e z. Bojaxhi është e humbur që pa u deklaruar mirë. Madje ky është dhe argumenti kryesor i të dyja palëve. Është më se e qartë se çdokush që mendon kështu, duhet të ndihet shumë i infektuar dhe marionetë në duar kuqeblu dhe nuk meriton mundësinë e një alternative të re. Sipas këtij sistemi që quhet demokraci, e që i ka rrënjët shumë më të thella se kleçkat që u shpikën për ta cenuar, të gjitha kandidaturat janë të barabarta e do jetë vetëm 21 qershori që do e vendosë fatin e tyre. Ndaj nuk dua të analizoj probabilitete, se unë besoj në fuqinë dhe të drejtën e shumicës dhe do e respektoj atë, cilindo kandidat të zgjedhë atë ditë.

Nga ana tjetër, nuk dua t’i futem asnjë argumenti ballë hamendësimeve se ai “do e kthejë minutën e fundit”. Një gjë e tillë do të ishte shumë më e ndyrë se të gjitha qeverisjet e kaluara bashkë. Di vetëm se kjo kandidaturë më ngjall mirëbesim dhe optimizëm. Mesa duket nuk jam e vetmja që mendon pozitivisht për z. Bojaxhi si kandidat, ndaj shpresoj që ai të ketë kuptuar përgjegjësinë e tij të madhe ballë grahmave të fundit që i kanë mbetur shpresës kryeqytetase, kaq herë të zhgënjyer barbarisht. Unë e kam këtë besim.

Unë nuk jam as intelektuale, as elitë. Jam një nënë që nuk shtyn dot karrocën me fëmijën e saj se trotuaret i kanë zënë makinat. Jam një femër, si ato që u rrahën në bashki se nuk donin të linin pa shkak vendin e punës. Jam një shkelëse dhe mbledhëse e përditshme e plehrave që na kanë mbytur. Jam një ushqyese e përditshme e qenve të rrugës, të cilët deri dje vriteshin nga bashkia ditën me diell, në vend që t’u krijohej hapësira për mbrojtjen e tyre (se lekë për këtë punë janë dhënë me thasë). Jam një qytetare që rrezikoj përditë jetën mbi biçikletë, ngaqë kam zgjedhur ta mbroj ambientin që më rrethon, duke lëvizur pastër. Jam një njeri që më kanë vjedhur e po vazhdojnë të më plaçkitin stolat, gjelbërimin, oksigjenin dhe të ardhmen. Unë jam ajo pakicë brenda shumicës, që nuk ka frikë nga reprezalje pas shprehjes haptazi të bindjeve të mia. Unë kam besim te shumica që do të dijë të vlerësojë shansin të meritojë diçka më të mirë se joalternativat e deritanishme. E mbi të gjitha mendoj se, përderisa guxoi ta shpallë kandidaturën, tani z. Bojaxhi është i detyruar të mbajë barrën e rëndë të shpresës sime, se ky qytet nuk ka ngordhur ende!

9 Komente

Lum si Golja qe e di se cfare eshte !

Jam një nënë që nuk shtyn dot karrocën me fëmijën e saj se trotuaret i kanë zënë makinat. Jam një femër, si ato që u rrahën në bashki se nuk donin të linin pa shkak vendin e punës. Jam një shkelëse dhe mbledhëse e përditshme e plehrave që na kanë mbytur.

Kam pershtypje qe ke vite qe nuk jeton ne Shqiperi.

Nga ana tjetër, po na propozohet një monopol Kryeministri – Bashki – Galeri Artesh – Ministri e Brendshme – etj., i cili, sado i drejtuar nga një njeri polivalent (thonë), përbën një lloj totalitarizmi, nga i cili jemi të gjithë të traumatizuar.

Pra moj zonje e ke me sistemin dhe mos e ngatarro Bojaxhiun ne kete mes.

Nejse keshilla ime per ju : Mos pini Vital se nuk eshte i shendetshem!

 

Shkrim i mire, i sinqerte e qe ben nje thirrje mese te natyreshme qe eshte konsiderimi i nje kandidati te pavarur dhe me histori te mire profesionale. Nuk ka asnje arsye perse te paragjykohet ne baze te moperkatesise politike, ama lindin pyetjet: Sa mundesi do kete Bojaxhiu per te bere ndryshime te konsiderueshme  perballe perfaqesuesve te partive politike ne keshillin bashkiak? Me çfare efektivesh projekton ai te beje keto ndryshime? Per keto, duhet shprehur eventualisht.

Megjithate, Bojaxhiu, me ato qe kam lexuar, ka qene mjaft realist dhe konkret me synimet e tij: ka pasur permendje te shkollave me dy turne, transportit publik (ne mos qofsha gabim), etj. Keto jane ne favor te tij si kandidat sepse nuk cenojne interesat e grupeve te ndryshme partiake, keshtuqe, te realizueshme. Dhe ne favor te qytetareve qe duan ndryshim pikerisht persa u perket ketyre shqetesimeve ne jeten e tyre te perditshme.

Bojaxhiu mund te jete nje kthese per Tiranen siç ishte dhe Edi Rama fillimisht kur u zgjodh kryetar bashkie. Ne te thene keto, u takon qytetareve te Tiranes te vendosin ne anojne me premtimet ambicioze (nganjehere edhe patriotike smiley ) me shprese se do realizohen ndonjehere, apo me premtimet modeste, ku dhe ekziston nje shans, sado i vogel, realizimi dhe mosbllokimi politik. 

Sikur te ishin vetem 2 kandidate, ku njeri te ishte Bojaxhiu ( e ka gje nene Terezen alias Gonxhe Bojaxhiu ky?) dhe tjetri apo tjetra kandidat i PD-se, sigurisht qe do t'ja jepja pa asnje ngurim voten time te parit, pra Bojaxhiut. Por nese do te kete kandidat edhe nga PS-ja, Bojaxhiu del ne vend te dyte. Jo per gje, por ka punuar nen pordhet e sali kriminelit. E per kete gje nuk ka amnisti, ndoshta vetem pas vdekjes.

Gjithnje me kane pelqyer femrat me floket kacurrel.

Kjo qënka per ta marre per grua supermeni. 

Ik mi laraskë

Jam dakord me secilin/secilen qe mendon se dy parafolesve ju mungojne disa vida ne tru.

Zeri i kesaj, m'duket se eshte zeri i mijra qytetarve te Tiranes, por jo i te gjithve, se ka mijra qe jane te mendimit tjeter, apo te interesuar per partite e tyre. 

Nuk me intereson kujt politike ia ngre apo ja ul vlerat, ne vija te holla zeri i saj ka te drejte, madje realiteti eshte akoma me i rende , ndergjegjesimi i saj eshte per t'u vleresuar.

Cka ketu per te tallur? Ju duket vetja te paprekshem nga kjo situate qe ka zaptuar shumicen ??

A po, ka dal moda, sa me humorist me shkopin qe ste ka rene ne koke akoma , ose te ka rene po s;ndjen gje, aq me i zgjuar dhe i pranuar je ne shoqerine shqiptare.

Ku ka me mire se snobizmi me xhepat bosh. Llogjet na mbajne gjalle

Bravo, te jemi sa me humoriste me mjerimin tone. Ne fund te fundit pjese e skamjes eshte edhe ngerdheshja.

Ata qe ngrejne zerin, t'a ulin,  se ndryshe ne burg ose ne cmendine !

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).