Lento

(për çdo 10 qershor)

 

Rrugë e përmbytur në mjegull, ngushtime

rrathësh, kjo amulli e hirtë ku shuhen

hingëllime kuajsh të stërvinuar harrese.

 

(Oh, kot se i përsëris me mend poetët!

Kurdoherë e më fort ushtojnë fjalët

Që, herët atë mëngjez, të cunguara,

Si lamsh iu lidhën gruas në fyt kur tha;

“o burrë, nuk ke çka ban, nuk ke… na vdiq…

 

E vështrova atëherë majat e pemëve;

aullonin në qullin e çative

me vorbuj vese.

Stinës i paskeshin mbaruar ditët

ndër labirinte aq të ndërlikuar,

por jo si m’i pati shtruar ajo

kur sytë i bënte mjaltë e më tregonte

detin e horizontin, e kristalet

e praruar që shkumën posa e ciknin

kinse me siguri libimi

ndër brigje…)

S’kam më nevojë me pa. Tash përmbi mjegull

E di se plyma shpendësh të uritur

sulen drejt bregut moçalor të liqenit…

por i kthen veri mbrapa; sikur dhe mua

shortin ma dredh e që s’më shqitet më dot;

të mos e honeps prap tymin

e furrës gëlqerore

n’atë anë të liqenit

që mallit papushim

gjithënjë

i lëvyrët e i lëvyrët…

 

Allegro furioso

…e shpesh kam pa liqenin të shpupurishej:

kundër reve të mbarsura

me shkrepëtira të dhunshme,

me kordha shkumesh të pareshtura,

me gjithë sa kishte frymë,

sulmonte, e gërmushej;

por shi vazhdoi me ra…

 

Andante mosso

Se çfarë kumbon, se ku ndriçon s’e dijmë;

Vetiu prej dheu buron trishtim e mjegull.

Prej gjumit shekullor, ende të gjalla,

lajthitjet kot se i përpushë; qenkan shfrime

tani të pezmatuara; vetëtima

që flakuruan dikur (e ç’përcullonin!).

Div i kërtylur ëndrimesh, pa drojtje

Zhigat kundroje, e syri fek s’të bënte

pse binin një pas një; e Zot, e trima,

e dituri të lashta. Dhe atëherë me shifra

ujdi sendërgjoje, e vetëm lëndës

ia pate besën, pa e marrë në dorë

teposhtën.

Por gjeometria afshin nuk ta zgjidhi,

Madje as vargu, kur e hulumtove

Në diafraksion rrezesh iks. Jeremisur

Ke mbetë

Mëmes të askurrgjësë e të pambarimit…

 

 

Zef Zorba  u lind më 1920 në Kotorr të malit të Zi në një familje shqiptare. Mbas mbarimit të gjimnazit në Shkodër, më 1941 regjistrohet në Fakultetin e Shkencave Shoqërore, dega e Studimeve Politike në Universitetin e Padovës. Më 1943 i ndërpret studimet për arsye të Luftës së Dytë Botërore dhe kthehet në Shkodër, ku fillon punën si nëpunës banke.

Në vitet 1945-1946 punësohet si regjisor në Shtëpinë e Kulturës së Shkodrës, ku vë në skenë mjaft pjesë dramatike me tingëllimë të qartë desidente, si “Juda Makabe“ e Fishtës, “Armiku i Popullit“ i Ibsenit, etj. ndoshta edhe për këtë arsye arrestohet më 1946 dhe burgoset dhe vuan dënimin nëpër kampet e punës dhe të “riedukimit“ deri në vitin 1951. Më vonë punon nëpër ndërmarrje të rrethit si llogaritar deri në vitin 1980, kohë kur del edhe në pension. Vdes në Shkodër, në janarin e vitit 1993.

Në heshtjen e thellë të gjysmës së dytë të shekullit, Zef Zorba, i pajisur me një kulturë të mrekullueshme vizatoi figurën e intelektualit të vërtetë, larg kompromiseve. Ai krijoi një afri të çuditshme me letërsinë dhe filozofinë moderne, duke përkthyer në shqip poetë të tillë si R. Frost, Xh. Ungareti, S. Kuazimodo, E. Montale, T. S. Eliot, dramaturgë si Shou, Pirandelo, Uajlld, martin, dhe filozofë si B. Kroçe., H. Xh. Gadamer, etj.

Në fushën e krijimtarisë origjinale, përveçse autor i këtij libri, Zorba është edhe autor i disa pjesëve dramatike dhe libreteve për opera.Pjesë e rëndësishme e prodhimit të tij letrar është edhe një fond i rëndësishëm publicistik e studimor.

 

Marrë nga mnvr.org

1 Komente

Shuuuume te bukura.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).