Irlandezë t’arratisur, pas italianëve
Që lanë pas lokalet me foto mafiozosh dhe lasanja të vuajtura nën zgjedhë e korrupsion parmixhian,
Gërryer toka, zhveshur, shpërvjelë
Mëngë e kthyer mbrapsht, astari i shqyer i lagjes
Tregon një brryl të zhvoshkur
Upside town, yo, yo,
Antitrupat zënë e bëhen bacile, urat termopile, shitoret debile, fjala “fuck” një folje e gjendur dhe ndihmëse,
Në të keq e në rrezik, si mik proverbi
Me besë province,
“Fuck” lodhet e nxin me zdërhallje zvarritëse
Krijesash që heqin pa fund xhinset,
Me peniset e pandehur vrarë nga gjunjët e pisët
Dhe brekët e vobekta nën të ftohtë kontinenti
Që ngjajnë më të mardhura dhe lavandyre
Në kohëra krize.

Fshehur ojnat me turp arkitekti, 
Drojë e mermerit nën zhul qyteti,
Kontroll i pastërtisë
Të hënën,
“Billdíng dekorativ”,
Lagje irlandezësh kjo… 
Dikur.
Superintendentët shqiptarë…
Sot.
(Sidoqoftë).
Faji vjen nga Europa, me anije shprese,
Me socializëm dhe greva mëkatare e nacionalizma pa kuptime,
Si aktorë të varfër
Që sapo luajtën bufonë butaforikë të Shekspirit 
Dhe në pushim mes pjesëve mbllaçisin hamburger,
Ulen ndanë trutuarëve
Godinat dekorative
Me një përhinjje deklasimi
Të mërkurën.

Këtu ka pasur irlandezë dhe polakë dikur…
Dhe çifutë Europe,
(Një hop çudie e shtirë futet mes çifutëve dhe polakëve martirë),
Më pas erdhën latinot, 
Afrikanët para tyre…
Pse s’thua
Continental drift
Më mirë?
Quhet Bronks.
Mos haro nyjen shquese: The Bronx.
Po, po, Bronks si tek Arturo Ui. E di. E di.
Si Shqipëria, djegur kaq herë e ngritur nga hiri dhe ky
(Të lutem, mos e bëj atë krahasimin, 
Atë me Feniksin, 
Nuk ka gjësendi prej shpendi këtu),
Dhe si ajo, Bronksi ka pas qenë një zotni i rëndë…
(Po, po. Dhe Burrat e Dheut i thoshin fëndë).

Merimangat thurën tela, zbuluar nën thëllim,
Kanë kapur sneakers të rinj gjatë natës,
Apo sneakers kapën telat - 
S’e di!
Shkallaret e zjarrit
Shumë shëmtokan nën ngricë,
Ashtu si të pasmet e vobrekta
Nën krizë.
Një dilemë vjen me trenat e rralluar 
Si bari në parqe prej futbollit emigrant: 
A është kundër ligjit baggy style?
Grafitia a është art?

Dilema mbllaçitet
drive-in,
fast food,
Me majonezat e lajmeve të fundit
Nga Tiger Woods…

Dritaret me sklepa mëngjesi,
Ankimet e kafes së hollë
Që nënqesh qesëndi 
Me lëng gështenjash të largta
Nga republika veriu,
Bronksi fryhet e shfryn mbi shina,
Ngritje mëngjesi,
Drejt vaginës manhattanse
Të ngulet me rënkim trupor,
Veç nën dhe mund t’i shkojë Manhattanit,
Ku irlandezët nuk kanë ikur, 
Dhe as çifutët 
Nuk janë një habi interkalare
Mes engelzëve dhe gjermanëve,
Dhe mermeret s’janë drojë, por imponim:
Bronks,
Veç i kallur, Manhattanit.

Gdhin e nëndheu ngjallavitet, 
Shkulme pusetash,
Avull nga llagëmet e mushkrive,
Ku duhet të ndodhë këmbim kapilar
I oksigjenit të athët me gazrat karbonike. 
Një krruarje e pavullnetshme atje tej, Bronksi,
Me fermentime zqëqesh,
Bërsi e njomësht, sekretim i ngrohtë
Si nën xhepa të papuni me fobi sapuni,
Që bien me stil 
Baggy,
Një krruarje nga thonj të etur 
E heshtur gërricet nën mbulojat e çative,
Malcon moskuptim,
Mosdeshifrim, 
Tattoo-të e qelbëzuara 
Të grafitive.

6 Komente

Dhe si ajo, Bronksi ka pas qenë një zotni i rëndë…
(Po, po. Dhe Burrat e Dheut i thoshin fëndë).

 me bere te qesh me lot...  rrofsh sa malet emigrant

Emo, me duket se e ke kaperxyer – 274 grade Celcius Letrare (zonen pa 72 virgjeresha), ku nuk eshte me e mundur psheretima e Sinjores se letersia e herbariumit nuk paraqeskerka dot boten, e as pasoja logjike dhe e natyrshme e kercimit arrogant ne te kundert: mohimit te paraqitjes (me ndihmen e barit), s’du me e paraqit!

Ke arrit ne fazen e trete te sintezes dialektike hegeliane, i ke puq bashke te dyja felet e meparshme ne konflikt dialektik me rezultat ironik: paraqitjen e mohimit, du me paraqit mosparaqitjen!

Meqe je asaj bote si pioner, na ndihmo ne borgjezeve fryksa: a duket gje tjeter ne horizont, perveç tymit te barit?

 

Si nje sketerre me erëra kuterbuese ku zvarriten zombiet poturevarur, vjen Bronx ne kete poezi. Si per krahasim, Tirana me Lanen permidis duhet te na duket lule, megjithe metaforen alarmuese te profesorit . Qyteti kundrohet si nje palimpsest ku kane lene gjurmet e tyre ardhacaket irlandeze, italiane.Pastaj  latinoamerikane dhe afroamerikanet, negrot, "humusi" i jazz dhe hip-hop. Te iken truri kur mendon se  baggy style dhe hip hop te lindur ne llagemet e Bronx jane  kthyer ne kulture universale.

  Cudi si nuk shperfaqet mes vargjeve Gzim Kulufi, pararendesi i baggy style smiley

Dy vargjet nga fundi Malcon moskuptim,/Mosdeshifrim, me çuan tek Malcolm X, nje zedhenes i shquar i komunitetit afroamerikan, ndoshta kontraversal dhe i moskuptuar ne kauzen e tij.Ndoshta eshte e qellimte prej teje ajo fjala Malcon per te asocuar Malcolm X-in a ndoshta jo.

Dhe per ta mbyll , kur flitet per Bronx, nuk mund te mos permend nje  nga filmat mbreselenes, A Bronx Tale.

Mall per corovoden dhe ali demin ndjej ketu,dhe natyrisht per tiranen smiley

Ka nje "mekat",  diku pak me poshte se kerthiza e poezise aty, Xhen.Laura l e ka vene gishtin mbi mekat smiley

"mekati" i vetem ishte qe Tirana m'u duk me e bukursmiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).