“Dhe padyshim koha jonë parapëlqen imazhin ndaj vetë gjësë, kopjen ndaj origjinalit, përshfaqjen ndaj realitetit, aparencën ndaj qenies. Ajo që është e shenjtë për të, nuk është tjetër pos një iluzion, por ajo që është profane është e vërteta”.

Me këtë citim të Feuerbach hapej në vitin 1967 libri “Shoqëria e Spektaklit”, ku filozofi francez Guy Debord hedh idenë se në një moment të caktuar të historisë, funksioni i ideologjisë sofistikohet deri në pikën ku iluzioni arrin të fitojë autonomi ndaj realitetit dhe i gjithë rendi social funksionon vetëm për të mbajtur gjallë këtë iluzion.

Shqipëria sikundër simotrat e saj të Evropës Lindore pas shembjes së sistemit totalitar trashëgoi reminishencën e të krijuarit të realitetit në epruvetat e partive politike.

Nëse dikur partia komuniste vepronte përmes imazhit të forcës, partitë e post-komunizmit përmes forcës së imazhit, i cili ka për qëllim të përgjumë, të turbullojë, të eksitojë, të robërojë në mënyrë të rehatshme mendjen e publikut.

Spektakli nuk duhet kuptuar thjesht si një bashkësi imazhesh, por si një raport social personash, të ndërmjetësuar nga imazhet.

Çdo ditë e më tepër politika shqiptare po e kanibalizon vetveten, përmes një komunikimi hipertrofik, llafazan, të zhurmshëm, me një semantikë boshe, që ka vetëm një synim, të bjerrë realitetin nga horizonti, duke e rishpikuar atë nga ekrani.

Ajo çka më bën të besoj se kemi elemente të një diktature imazhi është fakti që përgjithësisht mediat televizive janë të çarmatosura përballë realiteteve të fabrikuara  në laboratorët e partive politike.Pothuaj të gjitha televizionet e lajmeve, transmetojnë në kohë reale fjalime të kryeministrit Edi Rama apo të kreut të opozitës Lulzim Basha, nga skena të projektuara nga selia rozë dhe selia blu.

Liderët janë shndërruar në ikona publicitare, që shfaqen në çdo orë të ditës, në ngjarje që për nga banaliteti do të ishin të denja për një format televiziv të tipit Big Brother.

Dikur ish-kryeministri Sali Berisha e kishte kthyer anëtarësimin në NATO në një festë kombëtare kronike, që e grishte publikun drejt dalldisë së një gostie imagjinare, për të fshehur mortin e ditëve që zvarriteshin mes varfërisë dhe vdekjes së shpresës.

Të njëjtën gjë po bën sot kryeministri Edi Rama që thuajse çdo ditë mban fjalime poetike, të cilat presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, do t’i kishte kursyer për përshëndetjen emocionale të fitores nga Shtëpia e Bardhë.

“Gjuha e trëndafilave” ose “gjuha e zbrazët” me banera të stërmëdhenj, shifra të rreme,dekorime pompoze kërkon t’i bëjë  njerëzit  të besojnë se gjërat po ndryshojnë.

Ndërkohë që “prapa perdes” së shndritshme të qeverisë fshihet fytyra e përçudnuar e Shqipërisë tjetër, me sytë drejt azilit, si të jetë e sapodalë nga lufta.

Kur njerëzit nuk mund t’i prekin dhe jetojnë veprat, mund të mallëngjehen, frymëzohen, narkotizohen nga fjalët e bukura. Fjalime ku përmendet me shpesh togfjalëshi “aksion spektakolar” dhe më rrallë fjala “reformë”. Reformat nuk mund të televizohen.

Parodia e spektaklit kryeministror shkon deri aty sa kreu i qeverisë zgjedh ta mbushë kohën televizive duke shpërndarë lejet e legalizimeve. Një teatër komik bajat ku kryeministri vesh kostumin e komedianit që bën batuta me njerëzit e periferisë, dhe kur nuk ka se çfarë të ofrojë rreket ta bëjë audiencën për të qeshur.

Duke vrarë përmbajtjen politika shndërrohet në një politainment (bashkimi i politikës më argëtimin). Mesazhet politike janë divulguar deri në atë masë sa janë kthyer në një argëtim masiv, që merr jetë përmes një ligjërimi të një natyre sensacionale.

Kuvendi, i  ashtuquajtur rëndom “tempulli i demokracisë” në të vërtetë është kthyer në zemrën e një cirku politik të dalë boje.

Si mazhoranca ashtu edhe opozita përdorin një gjuhë përçarëse, provokuese, duke i dhënë jetë një loje mediatike të rrejshme. Kur qeverisë i duhet të fshehë papunësinë stis një festë, kur opozitës i duhet të amplifikojë një kauzë shpik një protestë.

I njëjti model komunikimi, edhe më i rrezikshëm përshfaqet në rrjetet sociale, më së shumti në “Facebook”.

Them më i rrezikshëm pasi në televizion ndodh që kanale të caktuara mediatike të nxjerrin në dritë edhe kënde të caktuara ngjarjeve, që dalin jashtë kornizave të regjive partiake.

Ndërkohë ushqimi i shpejtë i “Facebook”-ut gatuhet nga duart e fotografëve sipas recetave të përpikta të njerëzve të Marrëdhënieve Publike në dy kampet përkatëse.

Imperializmi i imazheve dhe historive të ditës u ofron përdoruesve një mënyrë të menduari unike, shumatore e shumë  të vërtetash që zëvendësojnë në mënyrë të vazhdueshme njëra-tjetrën.

Kryeministri nuk nguron të pozojë me një qengj apo papagall në duar. Në rastin e parë imiton figurën e Krishtit, që me një analizë naive semiotike në fjalë do të përkthehej: “Unë jam i miri, unë jam shpëtimtari”. Në rastin e dytë shpërqendron vëmendjen e opinionit publik nga problemet që shqetësojnë qytetarët.

Ndërkohë kreu i opozitës, Lulzim Basha, shfaqet në foto tryezash katrore ku kërkon të përçojë idenë e liderit, ose pozon krah për krah me njerëz të dëshpëruar, të cilët rreket t’i frymëzojë me gjestet e një populisti të sforcuar dhe fort aktoresk.

Në tërësi komunikimi virtual, vjen si një entitet i transfiguruar, një karikaturë e asaj çka liderët duan që publiku të besojë se janë. Kështu hiper-realiteti merr përmasa groteske, të pavarura nga koha hapësira dhe subjektet reale.

Tashmë që po i afrohemi zgjedhjeve vendore makineria propagandistike e partitokracive me gjasa do të shfaqet edhe më e dhunshme edhe më imponuese.

Fytyra të reja dhe të vjetra po shfaqen në skenën e politikës shqiptare për të kërkuar besimin e qytetarëve.

Shpesh ndryshojnë instrumentistët, mënyra e shfaqjes dhe e shtirjes, megjithatë si e majta ashtu edhe e djathta mbeten shtatë nota populizmi fort të stonuar. Urdhëresa e parë dhe e fundit e katekizmit politik është: nuk do të ketë politikë tjetër përtej spektaklit.

11 Komente

Rilindja e QELBESIRAVE eshte rivdekje per popullin e thjeshte.

Nuk ka pasur qeveri me te ndyre Shqiperia ne historine e saj. Te keqen e dulles.

Diktatura e maskarallekut, ndryshe thene. Me e trishte akoma, z.Shkembi, me duket pjesemarrja e publikut ne kete shfaqje, simpatizante te betuar partiake qe grinden e ironizojne kundershtaret ne menyren e tyre simpatizante, qofte ne prezence te njeri-tjetrit, qofte virtualisht. 

 Akoma me e trishte zonja Kopshti, me duket pjesemarrja e komentuesve ne kete shfaqje, simpatizante ironike te Marksit ironik qe grinden e ironizojne kundershtaret ne menyren e tyre ironike duke bere ah e oh ne skenen e realitetit virtual, pa je kerkuar njeri kete pune, thjesht per kenaqesine e te qenurit ne skene ne rolin e dy K-ve esenciale te Krijimit.

  Se per Guy Debord nje çape buke do ta hante edhe ai i gjori si gjithe te tjeret.

 

Perveç diktatures se imazhit eshte edhe faqja tjeter e medaljes, demokracia e imazhit.

Ketu keni nje demokrat protestues kinofil kunder EXPO-s, simbolit te sundimit ekonomik, qe jep motivacjonet e thella te protestes ngambrapamoderne:  

https://www.youtube.com/watch?v=wYozZNd8g0o

Pyetje e gazetarit:

- Ti vesh flaken bankes, çfar kuptimi ka?

Pergjigja e revolucjonarit:

- Banka eshte emblema e pasurise, ne qoftese nuk i ve flaken bankes atehere jam koqe!smiley

Eshte vertet shume i modh, jane keto lloj koqesh te sinqerte qe tregojne se çfare fshehin njerzit brenda shpirtit te vet, perfshire ketu edhe profesoret me dypllom mjeker qe bejne teori qe ekonomia eshte e keqja e botes. Dmth jane fryksa qe rafinojne me formula dhe citime çfar ky i autopercaktuar koqe nuk ka frike ta thote hapur.

Vini re qe per koqen "bordello" dhe "proteste" jane koncepte ekuivalente.smiley

Dhe nuk behet fjale se eshte vetem njoni qe thote keshtu, dmth "mos pergjithsoni!". Nuk e keni idene sa i perhapur eshte ky lloj truni. Eshte mode rep, mode koko.

 

Jo mer se ky osht reaksionar, shtiret si revolucionar, eshte i kulturuar, nuk i djeg kurre sinemate e Parisit dhe infrastrukturen e Hollivudit. Dhe me kryesorja nuk djeg kurre sallonin e sinjora Bertinit, qe eshte strumullari i infrastruktures se das Kapital.

Nuk e ke pa qe tere femrat e kulturuara te blogut tone shkrihen me ah of-e kinematografike, ah sa film i bukur, oh sa film i bukur!

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).