Ç’ kuptim ka emni i përveçëm i njanit përpos dallimin prej pendastarëve të tjerë qi e rrethojnë. Njofja prej largësie e dikujt asht e pamundun, andaj si dhe çdo përpjekje tjetër e pafrytshme asht e taksun me dështue. Ma sëshumti emni i njanit mund të shërbejë si ajo tabela me tapë ku ngulim me thumba pusullat e gjykimeve t’ona të larme e sipas kandvrojtjes themi pa gajle, burrë i mirë, i keq, i sinqertë, i dyfytyrshëm, njeri zotni a i bajatshëm. N’kaq emni diletant, me ngarkesën e tij mbiemnore mbi vete, mund t’na lejë me kuptue ma shumë sesa mund të na prezantojë rastësisht nji emën dosido. Na mund të jemi të bindun se epiteti diletant nenkupton nji dikand t’ papërgatitur, pa njohuri themeltare në nji sinori të dijes, njifarësoj hileqari qi anashkalon orë të tana pune veç me i mëshue opinionit të tij rrapamues, por ka dhe nji përkufizim tjetër po asi të thjeshtë e të vlefshëm të zbehun përgjatë dredhave të shpeshta qi ban fjala. Diletant nenkupton edhe nji njeri pa përkushtim, nji njeri qi ka hupë dëshirën a bindjen të patundme tek nji ide apo veprim, nji njeri qi kah përvoja e hidhun ka arritë në përfundimin se s’ia vlen me u marrë ma me kët apo ate orvatje.

Qe katërcipnisht në kët kuptimin e dytë qi Jan Cora dhe J. Gordon përdorën bujarisht fjalën diletant me portretizue me aq nota dashamirsie udhërrëfyesin e tyne prej Elbasani. E sado qi identiteti i tij nuk u diftue kurrë, personifikimi me nji njeri qi nuk beson ma tek veprimi si shtytja e kryesore e dryshimit e mbase nuk beson as tek vetë ideja e ndryshimit, asht ma i efektshëm se çdo emën i përveçëm qi mund të ish përdorë. Realisht emni i vërtetë i Diletantit nuk do kish ndonji randësi të veçantë përpos faktit se ky njeri u kish ngelë në mendje me eksentrizmin e tij këtyne dy anglezve qi shkojnë sa me nji qosh të Shqipnisë në tjetrin. Libri i tyne “Dy vagabonda në Shqipni” qe kryesisht i drejtuem drejt nji audience udhëtaresh anglishtfolës, ndaj të cilëve tingulli i emnit të pashqiptueshem të njerzve të nji toke të largët e të habishme s’do t’kish në vetvete asnji fije dobie shpjeguese. Ajo qi merr këtu nji vlerë përgjithsuese asht skicimi i këtij individi si nji skeptik i mendueshëm, i dorëhequn përfundimisht kah ideja e projekteve politike, mënyrë të menduemi e rrallë kjo në bregun lindor të Adriatikut.

Tregimi bahet për ne edhe ma interesant kur me anë të disa ndër-refencash të shpërndame aty-këtu kuptojmë se Diletanti përveç se nji njeri i pazakontë asht dhe nji fiqurë historike. Në kohën e botimit të librit në 1927, Diletanti nuk kish ndonji zyrë a ofiq, megjithate nji kapitull më vete i librit asht i titulluem“Elbasani dhe Diletanti”; nji binjakzim ky qi ka si qëllim jo aq sa zmadhimin e përmasës e këtij të mbramit, sesa dallimin ironik të tij si nji përfaqsues ideal të mospërputhjes me realitetin qi e rrethonte. Shpulimi i mandejshëm i personës së diletantit mund të mos ketë qenë qëllimi i shkrimtarëve, por ky efekt anësor i rrëfimit sjell si pasojë nji pikë kthjellsie prej së cilës lexuesi mundet me dalë jashtë vrojtjes së sipërme qiellore prej kah njeriu këqyrë trillimin letrar e t'ia nisi përmatjen njesore n’mes vetes e personazhit. Pasi asht kuptue se për cilin bahet fjalë, lexuesi mundet me vu kohë ndëmjet vendqëndrimit të tij e këtsaj figure historike. E ndonëse përshkrimi asht i stërpikun me aglikizma e prozë poetike asht poasi e mundun me dallue e me e kuptue për kë bahet fjalë nëse këqyrim me vemendje.

“Shtëpia e Diletantit nuk ish ma shum treguese se simotrat e tjera të ngjashme, nji portë e randomtë, nji hymje, si t’qe pragu i nji hani të kohëve të qëmotshme me gdhendje tërheqse allaturka në dru, e nji syhapje tek oborri i brendshëm i shtruem me rrasa. Kurse dhoma e ndenjes së Diletantit qe nji përzimje e habitshme midis nji odë pritje, nji bibloteke dhe nji muzeumi; muret ishin të mbingarkueme me koleksione heterrogjene prej ornithollogjisë deri tek argjerndi antik, raftet poasi të mbushuna me serm, fosile e druna të gdhendun, pare të hershme, hajmali, libra të vjetër, armë . . . në fakt kjo lloj dhome ish e gjaja e fundit e kësisojtë qi pritshim të gjenim në shtëpinë e parë shqiptare qi hymë. Diletanti, për të cilin ne kishim nji pusullë prezantimi, na dukesh po aq larg shqiptarit të përfytyruem sa mund të kish qenë e mundun. Ai më suell ndërmend nji oficer anglez në Ushtrinë Egjyptiane, pëziemja e papajtueshme e qetësisë së tipit nordik me qeleshen orientale. Përmatepër ai kish parqitje të pangjashme shqiptari sepse edhe pasi kish ra dy herë në burg, e (kish qenë) nji herë kryetar bashkie i Elbasanit, ai kish heqë dorë njiherë e mirë prej politike dhe ish kthye në nji koleksionues, me qëllimin përfundimtar me ia lanë koleksionin e vet trashigimi qytetit.”

Divergjenca tjetër qi duhet dallue n'mes rrëfimit letrar e atij të pështetun në ngjarje e situata të vërteta qendron në fatin përfundimtar të protagonistit. Ndërsa fati i të parit asht përcaktue prej në mënyrë arbitrare prej dorës së shkrimtarit, fati i nji figure historike asht i paravendosun prej rrethanave tashma të njoftuna tek lexuesi. Në librin në fjalë, Jan Cora dhe J. Gordon pa e ditun se çka do ndodhte ma vonë, qenë gjithsesi në gjendje me na dhanë disa shenja parashikuese të tragjedisë madhore të këtij fati. Edhe ma interesante bahet proza me profetizimin rreth fatit politik të Diletantit, fat ky qi asht i mbruem si mësimet e fjalëve të urta në kundërshti të shumta. Shkrimtarët pontifikojnë se ambicja politike e Diletantit nuk ishte aspak e shkimun po rrinte e fjetun për kohë ma të 'përshtatshme'. E çuditnisht kësi do t' ndodhte njimend. Diletanti u zu në tisin e shtjelluem e të koklavitun të kohës së luftë e pavarsisht përpjekjes së tij të vetëdijshme mos me u përzie në batakun e politikës shqiptare, ai s'mundi me iu shmagun dot tërheqjes fizike të vorrbullës së luftës së madhe.

Ai u ba me ngurrim kryetar i Asamblesë Kustetuese dhe përfaqsuesi ordhodoks i asaj shpikje gjeniale shqiptare, Rregjencës së Dytë Quadrivale. Siç dihet ai përfundoi pa ceremoni përpara nji toge pushkatimi me të tana kundërshtitë e tij të papajtueshme. Ndonëse republikan ai morri mbi vete atribute mbretnore, ndonëse me përbuzje për politikën, përfshimja në te i solli rrënimin, ndonëse pa iluzione për natyrën njerzore ai besoi në aftësinë deleguese të parisë shqiptare. Ky pra qe Diletanti i pafan i Elbasanit.

“Diletanti ynë ish nji nieri brenda të cilit ne gjykuem sensi i humorit ma tepër vlonte kadalë sesa ziente me të madhe; nji fjollë avulli kandje u përdridhte rreth tij por rrallë herë ia turbullonte qetsinë e syprinës së jashtme. Njifarë burri, si me thanë, diqysh si Xhokonda, e s’mund të mohoj se buzëqeshja e tij s’kish nji fije vlere enigmatike për të cilën edhe Pater[1]1 pat andrrue tek ajo Damë e Quattrocento-s. Qetësia nuk asht gjithnji enigmatike; e përsëjashtmi ajo e diletantit nuk ishte; sytë e tij nuk ia kundërshtonin shprehjen e fytyrës... Por prap seprap... enigmatik ai ish ... enigmatik ai duhet t’ ishte. Tekembramja, nji burrë qi ka qenë mbrojtës i parreshtun i lirisë së vendit të tij, nji burrë qi ka qenë dy herë në kësi burgjesh, nji burrë qi morri me qëllim mbi vete kryesinë e Elbasanit në kohët ma të rrezikshme, nji burrë qi nënshkroi nji akt revolucionar pa pyetun për qeverinë konservative, nuk mund t’a lëshonte tash tanë ate interest t’mpreftë prej supesh, ai nuk do t’i flakte tej tanë ato veprime heroike si me flakun tej nji çantë shpine. E megjithate un besoj se qetsia e tij ish e patrazueme, dhe se symimet e tij politike në vend se t’ ishin lanë menjianë, patën marrë krahë e ngjitë ma nalt., un besoj se Ai ish shqiptari ma i fisëm qi ne patëm takue, i vetmi qi ish vetmohimisht vetvetja.

E megjthate bashkëvllaznëve të tij liberalë ai iu dukte si nji renegat a nji qole i dobët, nji përulës i thjeshtë, nji disfatist. Kush qe kuptimi i kësaj përmbledje të gjithnduershme. Kurrgja . . . thjeshtë nji humbje kohe, apo dyshimet e sëfundit të disave se Diletanti ish nji burrë ma mendjempreftë se ata e se ai tashma kish kurthue për vete tregun e kureshtive të Elbasanit. Por unë mendoj se Diletanti e kish pa tashma cektësinë e politikës shqiptare, ai e dinte sakaq se politika përbahesh prej politikanësh, e se kur kta politikanë flasin për të mirën ma të madhe për numrin ma të madh të njerëzve, numri për të cilin ata bajnë fjalë asht Numri Nji. Ai e kish kuptue se s’mund të mprefësh nji brisk rroje me gur zmeril, po kësi si s' mund të prodhohet nji intrument politik me finesë në mes nji bashkësie t’ pagdhendun e egoiste. Ai e pat flakë tej briskun dhe po u thellohesh sesi me rafinue grihën, qi në vetvete qe nji punë për vetë Sizifin. Ai na tha ne se, “Qeveria e vetme qi beson katundari se asht qeveri e mirë asht ajo qeveri qi s' bledhë asnji taksë.”

Ne do t’i jemi dukun atij diqysh si mistere të habitshme, ai mendojshim ne s' mundte me kuptue kandjen t’onë t’parreshtun për grimcat e jetës e përditshmëninë.

Pika t’vogla uji, grima t’vogla rane

Banë oqeanin e madhnishën e botën e kandshme[2]

Po ajo qe avitja jonë ma e arritshme. Disa gjind’ të tjerë e nisin me oeanin e me tokat e përfundojnë tek Kozmosi. Natyrisht kjo i shkon për shtat atyne. Diletanti mblidhte gura, jo për gurat në vetvete por sepse ato kishin qenë pjesë të Perandorisë Romake, ose sepse ishin gjeologjia e Shqipnisë; ai mblidhte unaza të vjetra sermi ose zogj të rrallë sepse ato ishin historia apo zoollogjia popullore.

Megjithatë ai ish shum i mirë me ne. Në qytete të tjera e të njipasnjishme kryetarë bashkie, prefektë e persona privatë na shtruan në kambët tona të tana mjetet e nevojshme, veçse ne zbuluem mandej se nëse ne u munduem të përfitonim ndopak prej shpirtgjanësisë së tyne, ndodhte nji përplasje midish ofertës dhe lojës interpretuese të tyne. Ndësa Diletanti merrte hua kuej e udhëtonte me na në banjot e sulfurit të ngroftë në Llixha, voziste Fordin e Perfektit me vizitue kryegjyshin e teqes bektashiane e mandej na merrte për drekë tek manastiri i Shën Gjonit.

______________________________________________________________________________________

[1] Walter Pater, shkrimtar, eseist, shkrimtar, kritik arti anglez qi shkruejti shum me Rilindjen Italiane, Da Vincin dhe Xhokondën në veçanti. Qe Pater ai qi u ndal e përshkroi buzqeshjen e figurës ma të njoftun në art si nji dritare qi shfaqë qindra sekrete. 

[2] Little drops of water, Little grains of sand, Make the mighty ocean and the pleasant land, rimë e famshme për fëmijë e atributueme autores Julia Abigail Fletcher Carney

6 Komente

Lef Nosi?

Sa gjynah qe ky shkrim informues na eshte ofruar ne "faux gegnisht". 

Pervec se e limitizon pa arsye grupin e lexuesve deri ne minimum, kthehet edhe ne nje fare bumerangu, ne sensin qe duke u perpjekur te hedhe drite mbi dicka deri me tani te panjohur per lexuesin mesatar, stili i ngjeshur dhe, kerkoj ndjese, me shume gabime, ben te kunderten, duke e turbulluar lenden. 

Gjynah! 

Megjithate, njefare dobie mbetet. Tani une shkoj dhe e kerkoj vete kete liber.

Anglisht. smiley

Me lehte lexohet anglishtja se kjo far corbe dialektore...

Ne vendin ku jeton ti zakonisht (ne Mbreterine e Bashkuar), dialektet çmohen me krenari si pasuri kulturore, Noshkaido. Cudi qe s'paskesh qene influencuar nga kjo tolerance/dashuri per dialektet. 

ca dialektesh thu ti mi....ktu ska dialekte te shkruara. Edhe ato qe kan theks prej zones se tyre shifen si te paedukuar se nuk flasin queen's english smiley

specialistat e midhjes dhe peshkut jan ktu.

Nuk di ç'specializem i faturon te tjereve, mbase te ben pershtypje qe njerezit dine te shkruajne ne shekullin XXI. C'pretenciozitet!

Nejse, dakord, RP ka prestigj dhe me siguri eshte me i preferuari nder dialektet (edhe ti besoj se eksperimenton me te). Sidoqofte, gabim e ke; dialektet perdoren ne te shkruar (letersi, gazetari, blogging, etj.). Tek Harry Potter, librat e Jane Austen, artikujt e Russell Brand (sa te pafytyre ata te Guardian-it qe ia publikojne) e te tjere, e te tjere. 

Oops 1 smiley

Oops 2 

 

C'do te thote "faux gegnisht" ? Dhe kunder cilit model te "vrai gegnisht" mund te gjykohet faux ?

Nese une personalisht do te ngreja ndonje problem, do te ishte per fausse shqipen tek fjala "limitizon" (me gjithe respekt per komentuesin qe e shkruan).

Nejse, te me fale autori per daljen nga tema. Shkrimin e lexova me kenaqesi sikurse dhe heret e tjera qe me ka rastisur te lexoj nga ai.  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).