***

 

Në mënyrën time, jam unik

Nëse universet paralele s’ekzistojnë!

Po. E pranoj, shpesh herë kam frikë,

Përsa na ndajnë e përsa na bashkojnë.

 

E tillë je dhe ti, e pakrahasueshme!

Do më çahej zemra po të kishte një tjetër.

Jeta, ndoshta, do më isht’e padurueshme

Si bojë e re mbi një pergamen të vjetër!

 

Por unë dhe ti jemi jemi pjesë e yjeve

Lindim e vdesim për t’u lindur sërish

Herë-herë si fllad që kalëron drejt pyjeve

Herë-herë si vjeshtë me ngjyra magjish.

 

***

 

T'u desh t'vonoheshe, një çap...

Ndoshta shiun prite, a s'di...!?

Ndjej kohën që rend me vrap

Duke u krehur nëpër gishtat e mi.

 

Ësht'e hapur porta e vjetër

Skllavi tënd ta mbylli s'guxon

Në heshtje, si të ishte një ketër

Bren kockën e një dhimbje të njomë

 

Por ti, mos kalo nga rruga e lumit

E buzë liqenit këmbët mos i lag

Shpëtomë prej gojës helmuese të gjumit

Që vjen e kafshon shpesh e pa shkak

 

Eja nga udha e vjetër e qumështit

Të pi e të dehem dua dhe një herë

Se djeg brenda meje vapa e gushtit

Ngadal e në heshtje si qiriu në t'err.

 

***

 

E ëmbla ime me flatra magjie

Panjëz e zhveshur në vjeshtë

Ç’më vështron me sy perëndie

Si Mona Liz’ ëngjëllore e hesht!?

 

Kaq kohë e kam pritur një fjalë,

Një tingull, notë, pshehrëtimë

Ki mëshirë o shpirtgruaje, e fal

Mëkatarët që të puthin nuk dinë.

 

Mëshiromë dhe mua, endacakun

E rrugëve që të çojnë në askund

Pa më pyetur më kot për shkakun

Që njerëzve shpirtin ua shkund!

 

I pagjeth, si ty, jam dhe unë

Ndërsa dimri në derë po troket

Ndoshta s’do të zgjas aq shumë

Kohëpritja e një puthje të blertë!

2 Komente

Leonard pergezime ! Ndjeva  nje ledhatim shpirti si prej ere  eseninase ! Thjesht, bukur  embel ! 

smiley Si gjithmone i kendshem me poezite e tua! 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).