Në një mënyrë ose tjetrën kinemanë dhe lumin i lidh përjetimi dhe fati i njajtë. Gjithmonë tue qenë në Prizren; të dy janë vende ku ndodhin magjitë, të dy janë inspiruese, të dy janë vende argëtimi, që të dy janë vende shoqnimi, të dy të bëjnë për vete - dhe që të dy janë në zhdukje.

Lumi

Jo shumë moti prej tash, mes përmes Prizrenit ka kaluar një lum shumë ma ndryshe prej kësaj që e njohim sot. Ai në hymje të qytetit është degëzu në një sistem të sofistikum të kanaleve që janë quajt jaze, të cilat kanë shërbyer për bartjen e ujit në çdo mahallë të qytetit. Më tutje jazet janë degëzu në degë edhe më të imta, në potoqe, të cilat kanë bartur ujin në secilën shtëpi të Prizrenit.

Ky sistem i kanaleve nëpërmjet ujit i ka lidhë mahallat me mahalla, rrugët me rrugë dhe oborret me oborre. Kojshit i ka lidhë me kojshit ndërsa qytetin e ka lidhë me natyrën. Në dalje prej qytetit të gjitha kanalat dhe jazet janë bashku dhe përsëri janë kthy në shtratin e lumit. Kështu lumi, jazet dhe potoqet kanë kriju një hapsinë unike urbane në të cilën kanë bashkjetu në harmoni qyteti, natyra dhe banorët e tij. Uji që ka qenë në përbërje të secilës njësi të qytetit, dhe me kohë për vizitorë u bë vet magjia e tij. Kështu disa kalimtarë atëbotë Prizrenin e qujtën Venediku i Ballkanit.

Përveq për ujitje këto kanale shërbyen për ndërtimin e mullinjëve për blumje të drithrave, mullijëve për tjerje leshi dhe mullijëve për përpunim lëkure. Mundësia e transformimit të energjisë së lumit prej një gjendje në tjetrën vazhdimisht i ka inspiru qytetarët e Prizrenit. Së fundmi, në vitin 1929 është ndërtu edhe hidrocentrali elektrik i cili qytetit ja sollindriçimin publik.

Banorëve të tij lumi ka shërby gjithashtu për argëtim dhe shoqnim. Njani prej pikave të manifestit të pashkruar të arpaxhikave ka qenë edhe noti. Për me qenë një “has prizrenali” është dashtë me dijtë shumë mirë me notu e jo me përplas duart në sipërfaqe të ujit, si dhe është dashtë me dijtë me kcy në lum me një eleganacë prej qytetari.

Uji në çdo pike të këtij sistemi të hapur të kanaleve ka qenë i pijshëm. Pastërtia e tij ruhej me teknika të moqme për ruajtje të ambientit. Qysh prej moshës së re i mësonin fëmijët me dashtë lumin dhe i tutnin me mallkim, se nëse pshtyjnë në potok Zoti do t’i nem.

Mbas luftës së dytë botnore filloi shkatërimi i shpejt i jazeve dhe potoqeve.Pushteti i arllacakëve prej vendeve të ndryshme kurr nuk e kuptoi vlerën e tyne. Mbase edhe prej gjelozisë ata ia nukën të gjitha degët dhe degëzat e lumit, kështu gjeneratës sonë i mbeti vetëm trungu i tij i dikurshëm. Për më tepër lumit ia ndërtun edhe muret - me zor dhe përgjithmon e ndanë lumin prej qytetit. Mahallat i ndan prej mahallave, kojshit prej kojshive dhe natyrën prej qytetit. Prej krijesës që ishte magjia, inspirimi, vendi për argëtim dhe dashni u krijua një gjysëm lum dhe gjysëm

kanalizim. Pjesët anësore të tij (muret), janë kanalizimi ndërsa vetëm përfundi dhe përsipër rrjedhës jeton lumi i hershëm i Prizrenit. Gjurmët e mbetura të kanaleve (jazeve dhe potoqeve) prej fillimit të tregimit ende munden me u pa aty këtu, posaqërisht në mahallën Marash (rrugës për në kamp).

Kino

Magjinë e filmit dhe kinemasë fillimisht e sollën ushtarët italian. Projekcionet e para publike janë dhënë në mahallën Katolike me repertoar të filmave propagandues dhe atyne të zhanrit “me kauboj”. Mbas luftës janë ndërtu dy kinema publike ndërsa është ndërtu edhe repertoari - filmat “me kauboj’ janë zavendsu me filmat e zhanrit “partizan e gjerman”.

Pamvarsisht zhanrit magjia e filmit dhe shfaqjeve në kinema veq ish kriju. Ekrani i madh, errësira përreth, drita e projektorit dhe tingulli ritmik i rrotës së shiritit filmik 35mm ishin paralojë për inspirimin që do të pasonte. Ditën e nesërme në mahallë luhej loja me partizan e gjerman, loja karate, loja me kauboja ose loja “Rambo”. Lojën si gjithmon e diktojke filmi i shikum ditë ma parë.

Kështu film mbas filmi një ditë në mahallën time mbiu fabrika për ndërtimin e aeroplanave. Në garazhën e kojshisë mbaronim aeroplana prej letre. Të gjitha prej formatit A4 ose A5 të fletave të hartimit, me kutija ose vija të gjana. Fabrika u qujke “Bombarder” prej filmit të dyshes Bud Spencer dhe Terrence Hill. Bash si me një fabrikë përnime, aeroplanat i prodhonim në seri. Njani i palonte fletën për gjysë. I dyti thejke fletën me dypalime për me ja nxjerë trupin e tij. I treti e palonte katër herë për me ja formu krihtë. I katëti testonte ndërsa i fundit i depononte ato. Kështu mbas disa ditësh pune i krijuam rreth tre mijë ajroplana. Tue mos ditë çka me bë me gjithë këtë eskadrillë, një ditë hypëm në kala dhe i lëshuam një ka një. Aeroplanat fluturonin mbi krejt qytetin ndërsa mendjet tona fëmijërore fluturonin kahmos që na çonte imagjinata dhe mbrapa në kinema.

Shikuesit e shumtë, pritja në rend për bileta dhe dashnorët e rastit ishin pjesë e ritualit të kinemasë së qytetit. Kur nuk siguronim bileta ishte një tjetër mundësi për me u pa filmi. Një vrimë e madhe në dyert dalëse të kinos na mundësonte shikim filmi me gazep. Filmi u kqyrke në turne një nga një prej krejt shoqnisë. Njëri shikonte ndërsa të tjerët ndëgjonin përshkrimin e lirë të skenave filmike. Pastaj ndëroheshim në rend deri sa nuk vinte ndonjë skenë e “nxehtë”. Ato i komentonte më i forti prej nesh.

Magjia e kinemasë filloi me u zhduk me fillimin e luftërave në ish Jugosllavi, në nëntëdhjetat e hershme. Objekti i parë që pësoi në Prizren ke pikërisht kinemaja nën kala. Në kinemanë e mbetur “qejt e luftrave”, për beteja të ardhshme ekskluzivisht inspiroheshin me filma pornografik. Kur në fund erdhi lufta në Kosovë u mbyll edhe kinemaja e fundit.

Rezultati i analogjisë në mes të këtyre dy tregimeve është kinemaja në lum, apo lumi në kinema. Qysh të doni. Kinemaja në lum apo instalimi i tij/saj përfundi kinemasë dhe përmbi lumit është përpjekje anatomike për me ia kthy qytetit magjinë, inspirimin, miqtë, kojshitë dhe dashnitë. Është një tentim për me ja kthy shkëlqimin, entuziazmin dhe borxhin qytetit. Kinemaja në lum është reaksion ndaj mungesës së hapsinës për shfaqjen e filmave dhe një kontribut i vogël i joni për institucionin e Kinemasë.

Lumi dhe Kinemaja bashkarisht e bajnë “Teatrin Magjik” të këtij vendi. Provo. Çiti 1 euro edhe krejt kanalet, jazet, potoqet edhe krejt lumi është i joti. Për veç 1 euro krejt Kino Radniku edhe Kino Bahçja është e jotja. Për 1 euro mundesh m’i kqyr krejt filmat e botës. Mundesh me i lëshu me mija aeroplana, ndaç. Filmi me paralojë veç 1 Euro.

 

Kosovo 2.0

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).