Amin.
E vrava poemën. E vrava pa lindur. Në varreza sa më parë!
Le ta varrosim.
T’i varrosim poemat. Hyrja e lirë për gjithë kalimtarët.
T’i varrosim.
Dy dashnorë të helmuar
në Gjithësinë natë.
Dergjen dy poemat pranë e pranë si dy binjakë.
Dy jetë që fati përgjysmë i lidhi.
Dy poemat e mija
të çiltra si bilbili.
Ju, njerëz,
ju, bisha,
pellgje ku ato hodhën farën në Astapkin,
Çohuni!
Ju blinj të natës,
Çohuni,
Rrugë të vrara nga hidhërimi,
mjaft u zvarrisët me dhembje,
si flokë të kërleshura mbi qytet,
më këmbë!
Hapuni arkivole,
si një thikë e palosur gjigande,
në këmbë ju,
Servantes, Boris Leonidoviç,
Dante,
do t’i kishit dashur ato që harrimi tani i bluan me dhembë,
Në këmbë!
Edhe ju, anëtar i Presidiumit të Sovjetit Suprem,
shoku Gamzatov,
në këmbë!
U vra arti, e pazëvendësueshme kjo është,
jo më pak e rëndësishme
se fjalimi
në datën solemnrëndë,
në këmbë!
Vdekjen e tyre-hetuesisë. Ne jemi të arrestuar.
Në këmbë!
Oh, sa endërove që yt bir i pafajshëm të ngjitej
lart e më lart,
në këmbë, mama!
Në këmbë, ju në Siberi,
në Paris, në qytetet e humbura,
kaq shumë kemi vrarë
brenda vetes
pa e lindur,
në këmbë Llandau i vrarë në një laborator hijerendë,
në këmbë
Kopernik i vrarë në një llandon modern,
në këmbë,shpejt,
ju, çupka të xhezbandës,
fjongot shkollore i mbani mend?
në këmbë,
djemtë heroikë u nisën për heronj,por dolën antiheronj,
në këmbë,
(s’e kam fjalën për vrasësit e tredhur
ata që vetveten
më kot e derdhën),
në këmbë!
Vdiqën poemat. Miqtë e mi janë në një panik
solemn.
“I përjetshëm kujtimi!”.
Ministër, ju menduat me një barkë të çani
Atlantikë zemërimi.
I përjetshëm kujtimi!
Livanov i tmerrshëm ku është Hamleti juaj
i paluajtur?
i përjetshëm kujtimi!
Ku është princi juaj, lëneshë? Virgjërinë
në një kuadrat kornizoje të paktën tani,
i përjetshëm kujtimi,
endërrime të blerta çohuni si një flakë,
i përjetshëm kujtimi,
endrra dhe shpresa-pa jetë, pa gjak,
i përjetshëm kujtimi!...
Amin.
Një minutë heshtje. Një minutë sa një vit.
Të gjithë heshtnin. Të gjithë prisnin një tjetër ditë.
Po heshte sot, nesër
nuk ndreq dot gjë.
I përjetshëm kujtimi.
Amin.
Dhe kujtesës që po zhduket si një mamont,
i përjetshëm kujtimi.
Amin.
Atij që zjarrin mbajti ndezur në stuhi,
Përjetë lavdi!
Për jetë lavdi!

 

Përktheu Bardhyl Londo

Marrë nga Poeteka

1 Komente

E vrava poemën. thote.

Pastaj na dalin dy poema. 

 

Nji minut o gentle harbut, pa qysh ndodhi keshtu?

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).