Për herë të parë, mbërrita në Shqipëri në pranverën e 1992. Ishte koha e një rrëmuje të përgjithshme. Përshtypjet e para të atyre kohëve i kam hedhur më pas në një broshurë të titulluar “Takim me Shqipërinë”, që u botua në verën e 1996-s. Kjo kohë ishte një tjetër periudhë e trazuar.

Broshura nuk ishte një tekst akademik, por më shumë një pamflet, një libërth paksa polemik, jo ndaj shqiptarëve, por ndaj atyre që i gënjente mendja se dinin gjithçka, madje jepnin edhe mend se si duhej të ndryshonte Shqipëria. Në atë libër citoja atë çka më kishte bërë përshtypje më tepër duke vëzhguar popullin e thjeshtë. Po citoj që nga ajo kohë: “Në fytyrat e shqiptarëve lexoja përhumbje. Nganjëherë edhe frikë dhe urrejtje, por më shumë përhumbje” dhe më tej shtoja se nuk më kishin bërë ndonjë përshtypje kushedi se çfarë bunkerët prej betoni, “por më bënin përshtypje më tepër bunkerët e mendjes që i shihja të stampuar në fytyrat e njerëzve”. Në të njëjtin shkrim, me gjithë shkatërrimet dhe klimën e tmerrshme sociale dhe politike të 1996-s dhe më tej të 1997-s, pohoja se kisha besim te shqiptarët dhe shënoja se “ekonomia, institucionet, përbërja shoqërore dhe kulturore i ngjajnë një trupi të plagosur. Nuk do të jetë e lehtë për një popull të përhumbur që të gjejë në pak kohë ‘burrninë’ e tij, pikërisht guximin e duhur, nëse do që t’ia nisë edhe një herë praktikisht nga zeroja. Nëse i duhet dhënë shpresë Shqipërisë aktuale, atëherë i duhet besuar pikërisht aftësive të saj për të ndërtuar të ardhmen e vet”.

Kërkoj ndjesë për autocitimin. Edhe sot e kësaj dite i kam ndër sy dhe ndër veshë, në shpirt ato çka pashë e përjetova asokohe dhe këtyre i mbivendos ato çka shoh e përjetoj sot. Kisha pasur të drejtë kur u besova shqiptarëve!

Shumë gjëra kanë ndryshuar përgjatë këtyre viteve. Theksoj se mes shumë vështirësive dhe kontradiktave, populli shqiptar ka nisur, në një mënyrë thuajse të stabilizuar rindërtimin ekonomik, shoqëror, qytetar e politik të shtetit të tij.

Lëvizjet e para shoqërore të “statu nascenti” tani kanë marr një pamje institucionale. Ndryshimet kanë transformuar në mënyrë radikale shoqërinë, institucionet dhe popullin shqiptar. Në Shqipëri shikohen sot shenjat e mirëqenies, shpalosjet e konsumit, sikurse edhe zonat e plagëve shoqërore dhe varfërisë, porse kjo nuk përbën ndonjë ndryshim të madh me Perëndimin. Populli tashmë i ka fituar liritë qytetare e politike, ndonëse ca më pak ato shoqërore. Kanë ndodhur pra ndryshime të mëdha. Unë besoj se Shqipëria ka bërë hapa të mëdha përpara në këta 25 vjet. Shumë herë më tepër se sa vende të tjera të Lindjes, duke marrë parasysh pikën e nisjes.

Po atëherë, ku jemi sot në lidhje me tranzicionin? Dhe më tej akoma, kur do të mbarojë ky i famshmi tranzicion? Është shumë e vështirë t’iu përgjigjesh këtyre pyetjeve. Do të ishte ndryshe nëse do të besonim në ndonjë projekt utopik të shoqërisë së ardhshme. Unë deklaroj se nuk jam në gjendje të jap një përgjigje të saktë, sepse mund të isha në gjendje të thoja se çfarë lloj shoqërie dëshiroj (pra atë utopinë që citova), por nuk do të zbuloja dot çfarë lloj shoqërish do të vijnë në të ardhmen, shoqëri të cilat do të përcaktohen nga koniunktura politiko-ekonomike që shkojnë jo vetëm përtej mundësive të mia për zgjedhje, por edhe përtej mundësive të popullisve të tëra dhe madje edhe përtej qeverive.

Në fillim çdo gjë dukej e qartë: shembej regjimi diktatorial dhe shkohej drejt demokracisë. Braktisej ekonomia shtetërore e planifikuar dhe i hapej rruga ekonomisë së tregut. Individi vihej në qendër të vëmendjes duke zëvendësuar kolektivin, e kështu me radhë. Shembulli udhëheqës ishte Perëndimi, nganjëherë i parë përmes pasqyrës së deformuar të shoqërisë së konsumit. Pikërisht në të njëjtën kohë, Perëndimi nisi dekadencën e tij dhe hyri në krizë. Këtu nuk e kam fjalën vetëm për ekonominë, por më tepër për krizën e vlerave që kishin formuar madhështinë dhe funksionet bazë të qytetërimit perëndimor. Vetë koncepti i demokracisë liberale, ashtu sikurse e kuptonte Montesquieu dhe siç u përpunua dhe u mbrojt në shekujt XVIII e XIX, është në krizë i dobësuar nga interesat e grupeve të pushtetit, nga mbivendosja e ekonomisë mbi politikën. Në krizë është gjithashtu edhe sistemi prodhues kapitalist i mbytur nga predominimi i financave (ose nga financë-kapitalizmi). Vetë shtetet kombëtare janë në rënie përballë globalizimit gjithnjë e më invadent. Mund të vazhdoj gjatë duke ju përmendur zëvendësimin e kulturës së vërtetë nga e përkohshmja, të kërkimit të mirëfilltë shkencor nga teknologjia, e kështu me radhë, por nuk dua t’ju mërzis me ankesat e mia prej plaku.

Me një fjalë qenkemi të gjithë në tranzicion. Në një lloj kërkimi të formave të reja të shoqërisë. Pyetja është të cilave forma? Nuk e di! Mua do të më mjaftonte që çdo gjë të riniste me ato tre fjalë që i dhanë një të shkundur të mirë botës perëndimore: Liri, Barazi, Vëllazëri. Do të doja që kësaj here këto tri fjalë të mos ishin vetëm koncepte abstrakte politike, por veprime konkrete në gjirin e shoqërisë për ta ndryshuar atë.

Po e mbyll duke kujtuar edhe një herë udhëtimin tim të parë në Shqipëri në 1992. Asokohe një gazetar i ri më kërkoi një intervistë dhe unë pranova. Në fund të saj thashë një fjali që gazetari e botoi në faqe të parë si titull të intervistës. Fjalia ishte kjo: Çdo popull duhej t’i bëjë hesapet me historinë e tij. Është koha të bëjmë hesapet, jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë. Të mos jemi më të përdorur, të varur nga vendimet e të tjerëve, por të jemi vetë protagonistë të historisë. A nuk do të ishte ky tranzicioni më i pëlqyeshëm dhe më i thellë? Bertold Brecht thoshte: “Bota e sotme mund të përshkruhet nga njerëzit e sotëm vetëm me kusht që të përshkruhet si një botë, e cila edhe mund të ndryshohet”.

 

(Autori, njohës i mirë i Shqipërisë, është profesor i sociologjisë në Universitetin e Salentos, Leçe-Itali. Shkrimi i mësipërm është pjesë e referatit të mbajtur në konferencën ndërkombëtare “Tranzicioni në retrospektivë: 25 vjet pas rënies së komunizmit”, që u organizua nga UET, nga 24-26 prill 2015)

8 Komente

ky shkelqim bosh!.smiley

Ky tranzicion i pafund

kete lexove ti ?! .... E mire ja:

Me një fjalë qenkemi të gjithë në tranzicion. Në një lloj kërkimi të formave të reja të shoqërisë. Pyetja është të cilave forma? Nuk e di! Mua do të më mjaftonte që çdo gjë të riniste me ato tre fjalë që i dhanë një të shkundur të mirë botës perëndimore: Liri, Barazi, Vëllazëri. Do të doja që kësaj here këto tri fjalë të mos ishin vetëm koncepte abstrakte politike, por veprime konkrete në gjirin e shoqërisë për ta ndryshuar atë.

Mir jo keq, por tranziscioni shqiptar sikur hecen me hapin e breshkes, dhe kjo gje thjesht per faj te qeverive tona.

 Jo, gjendja jone nuk erdhi ne kete katandi nga nje apo dhjete politikane te keqinj, por ...nga heshtja, kthimi ne mercenare i miliona te thjeshteve,  i njerezve te mire ! Heshtja e te mireve, ambjentimi me te keqiat sjell fatkeqesite kolektive , ..... kam menduar dhe mendoj une ! 

Nuk heshten por u kercenuan, u rrahen, u vrane, ju vu flaka....xhungla e berisheve beri aq krime e shkaterrime sa....ndersa perendimi beri sehir dhe perkrahu lloj lloj banditesh...verbuar nga luftra idiote ideologjike...vl... smiley...Qytetet ishin zbrazur, ishin duke vrapuar pas xhinseve, shampove magjike, veturave...o pika qe s'u ra thuaj ...aman se me vjen per te vjelle

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).