Si një treadmill shkon e kund nuk shpie rruga,
Djeg kilokalori kujtimesh më të ëmbla 
Nga ç’thonë manualet për një jetë të rregullt
(Gishtat më s’i shpoj për gjak vëllami, 
Por për t’ëmblin tim që mat me ankth sëmundin).
Borxhin e dritës po kthejnë mbrapsht dritaret,
Unë timin dot s’e kthej...
Kështu më bie muzgu 
Me drurë këmbësor.

Një menisk vagoni kuiti nëpër kthesë,
Treni qen besnik ndjeu mort sërisht,
Eshtra metalike ndjeu mot të prishur
Shkon e kund nuk shpie, 
Vjen e kënd nuk sjell.

Borxhin e ditës s’ma kthejnë trotuaret,
Borxhin e mbrëmjes s’ua kthej dot dritareve, 
Bie ora ime e Arkeopteriksit, 
Rrëshqanorit tim i mbijnë krahë dëshiri,
Më brof nëpër shpatull syth evolucioni:
S’të thashë lamtumirë, o dinosauri im, 
Lamtumirë s’të thashë.

Ranë të flenë të madhin saurët e shtangët,
Në parkime falas ranë të flenë mustangët,
Me ç’më rrjedh nga zogjt dashkam një fole
Më ndonjë degë godine, 
Me ç’më tha fizika dashkam një shpjegim
Fandaksur në formula
Me përkufizime.

Kur i thanë “i ri”, s’e menduan kohën,
Lashtohet ky qytet se shpejt plaket hekuri, -
Siç gruaja dhe uraniumi,
Ka kohën e vet 
Të gjysmëzbërthimit. 
Moshë e ndryshkut: 
Merr frymë e oksido
Rropullitë e tua,
Thjesht një këmbim lëndësh, pra e gjitha,
Dhe kujtimi yt po kështu, 
Gjysmëzbërthehet, ajme, dhe ai,
Pah i ndryshkut tënd
Më mbulon mëlçinë
Edhe zëmrënë.

Më hidhtaz e zhgënjen insektin
Një gonxhe plastike se rrjetë e meri-mangës,
Zbërthehet oksidi mbi gjymtyrët e urës
Si këmishë prostitute, 
Mbi gjymtyrët e mia 
Bien luspa të vjetra mbretërimi
Të ish llojit sipëran.

Një tabelë lokali u sëmur sërisht, 
Me verdhëz Ballkani:
“Brick”.
Haleluja, ka shpresë për ethe
Dhe fërgëllimë, 
Bujtin njerëz të huaj
Që bakshishet llogarisin gabim 
Kësaj nate me dritare që kthejnë reparacionet e ditës pa ty,
Përqindje të ftohta
Baluket rrëzojnë mbi tavolina.
Një trëndafil i lodhur ambulanti që dot s’u shit
Pështet fletët mbi suprinë.

Fytyra jote feksi një çast (wie einst, Lili Marlene)
Prapa e pas parvazeve të kujtesës,
Më shumë si mëllaga e një plage 
Se sa si plaga e një mëllage,
Plagët kanë kohë gjysmëmbërthimi
Si këmisha e djaloshit tek shtir mosvëmendjen.
Fytyra jote theksi një çast.

Mbi rrafshnaltën e malit mbinë parafjalët,
Të vetmet bimësi që mund të mbijetojnë ckërkat e tanisë,
Një bagëti pa zot kullot aty-këtu pari,
Zënë zilet e brejnë vetminë dhe barin,
Lëpijnë gurë kripe
Si një vaginë të ashpër
Shajaku.

Një pra e kafshuar në rrënjë si kokë ushtari,
Një kështu e shqyer (gjëmb endemik gomari që sfidon gjëmbin e Tolstoit)
Presin shiun e mbijetesës, ndërsa thundrat 
Largohen për të tjera mizori në mugëtirë.
Do të vijnë fshatarë për të bërë mullarët e tyre të verbër
Me cfurqe të mprehtë tri-dhëmbor, si perëndi të muzgut,
Rrugë tjetër s’ke,
Njom ca baltë krijimi me nofulla sekreti
Dhe ngjite kashtën
Me dashuri të denjë prej zogjsh për foletë
Nën sqetullën e pasigurt të drurit këmbësor
Që po të ndjek, teksa ti
Si ai ecën e për kund nuk shkon.

11 Komente

Shuume e bukur kjo Emo. Congrats.

Flm qe i ndan me ne! smiley

Faleminderit! smiley

shume e bukur emo. shume e bukur. e lexova me kenaqesi.

Lashtohet ky qytet se shpejt plaket hekuri, -
Siç gruaja dhe uraniumi,
Ka kohën e vet 
Të gjysmëzbërthimit. 
Moshë e ndryshkut: 
Merr frymë e oksido
Rropullitë e tua,
Thjesht një këmbim lëndësh, pra e gjitha,
Dhe kujtimi yt po kështu, 
Gjysmëzbërthehet, ajme, dhe ai,
Pah i ndryshkut tënd
Më mbulon mëlçinë
Edhe zëmrënë.

Kimi, fizike dhe metafizike.

... edhe viviseksion anatomik.smiley

Sipritus, ja ngjeshe prap Emos. smiley

S'do mend, mu me shkoi goja mbrapa duke thene qe asgje nuk zhduket, gjithçka trans-formohet.

Dmth qe metafizika eshte rezultat dialektik i shkencizmit, se "eshte dialektike" qe pozitivizmi te implikoje metafiziken, qe Hajdegeri te implikoje Heissenbergun, qe trans-shpirti te implikoje trans-materien, qe ateizmi te implikoje supersticionin, qe letersia e herbariumit implikon letersine e barit etj, etj, etj, ambiguitetesmiley pa fund.

Shkencizmi ka qene i pranishem ne poezite e Kadarese, vetem se ne forme shume naive, sepse Kadareja, si filoqyls, nuk ja thoshte hiç per pune shkence.

Emigranti e ka zhvilluar dhe rafinuar kete ne nivele te larta.

 

Po, interesant kjo perqasja me "shkencizmin" e Kadarese i cili dikur eshte kritikuar per futurizem modernizues ne poezite e tij me pamjet industriale, trafik, reklama, aksidente automobilistike etj. kur Tirana ende nuk ishte metropol modern e kur ne rruget e saj qarkullonin karrocat me kuaj.

Megjithate ne poezite e IK mbeten gjurmet e lidhjeve te njeriut me natyren dhe permes elementeve te saj (natyres) si shiu, rete, vjeshta, debora, perftohen metafora per metafiziken, shpirtin e njeriut.Mjafton te kujtoj dy nga poezite me metafizike te tij, Mall dhe Kristal.

Emigranti jeton ne nje bote supermoderne, super te teknologjizuar dhe ne kete realitet , metafizika e shpirtit kalon neper filtrat e racionalitetit, si shmangie e patetizmit fshtaresk dhe pllataresk.

Gjithsesi, te njoftoj se kam postuar nje shkrim te nje shqiptaro-amerikani mbi shkencizmin dhe fene i cili reflekton ne fryme e ne shkronje debatet reth ketij raporti ne ppu smiley

 

Jo vetem interesante, eshte e vertete. Nje i njohur i imi me formacion te ngjashem me te emigrantit, kulture shkenciste plus kulture artistike, dhe njesoj si emigranti i perkiste tifozeve te çmen te Kadarese (ne beteje me tifozet e Driteroit, pak a shume si tifozlliku Dostojevsk-Tolstoi), kishte fiksimin se Kadare ishte shkencist dhe i ndergjegjshem per kete, zgjidhjet e situatave artistike kadarejane i dukeshin teper logjike, te pamundura per nje filoqyls. Dmth Kadareja pa tjeter duhet te studjonte mçeftas shkencat.

Biles, ne kohen e mbas 72-shit, kur Kadare jepte llogari sa andej kendej ne kolektiva te ndryshme te kryeqytetit ne takim me popullin, i njohuri ne fjale i beri nje pyetje (me pusulle) lidhur me kete çeshtje. Kadare nuk e pranoi, biles shtremberoi buzet, ishte i bezdisur nga pyetja, seç llomotiti diçka kot me kot per pozitivizmin, francezet, Emil Zola (pozitivist, por jo marksist) etj. Dmth nuk kuptoi gje, dhe as njeri, e as tjetri, si gjithnje teater absurd.

Ne fakt Kadare e ka te natyrshem shkencizmin logjik (perveç intelektualizmes gjirokastrite plus ndikimin e kultures shkenciste sovjetike, qeni i Pavllovit), dhe kjo njekohesisht eshte merite e tij dhe difekt i tij. Difekt ne kuptimin qe ka nje lloj artificialiteti cerebral ne zgjedhjet artistike te tij. Merite edhe per faktin qe pozitivizmi e katapulton automatikisht ne metafizike, dmth ajo pjese e krijimt te tij fantasy, horror, mite etj, shume e vlersuar.

Emigranti synon te njejten gje, plus ne menyre te ndergjegjshme (qe mund te perbeje rrezik me te madh per akuze cerebralizem etj). Nga ana tjeter si kunderbalancim perzjen edhe katunarlliqe te Driteroit, plus novacionet e praktikuara ne shqip te grupit te poeteve rreth Zekthit mbas vitit 90-te.

Dmth Emigranti eshte eklektik, si Dyringu.smiley

 

E klikova dhe kam kuriozitetin ta lexoj prape. Sidomos gjysmen e pare (deri tek "te ish llojit siperan") qe e kuptoj sh. mire edhe pse procedoj ngadale e me lexim te perseritur. Ajo pjese me duket teper e dhimbshme - nese kam folur pa takt ne lidhje me kete gje diku ne ppu, edhe pse jo ne referim specifik personal, ju kerkoj falje emigrant.

Duhet te kem nevoje per nje tip abstrakti kur behet fjale per shkrime te gjata (per mua kjo eshte e tille) ne menyre qe t'i hap. Ose nje koment lehtesues si i spiritusit i cili citoi pjesen. Flm spiritus por jo dhe vetem per citimin. Nese mund te flas, psh. ne lidhje me kete "Emigranti jeton ne nje bote supermoderne, super te teknologjizuar .... " une do perdorja "Emigranti jeton ne nje civilizim te evoluar ..." - i evoluar (relative) ky civilizim nese krahasojme jo vetem ne kohe - me realitetin relevant te IK gjate veprave te tij, por edhe ne hapesire, ne prezente - me ate tonin, ne Shq..

Civilizimi  perendimor pershkohet nga llogjika racionale Aristoteliane ne mendim por edhe ne jeten shoqerore e individuale dhe eshte thelbi i mendimit intelektual. Mendim i cili racionalitetin karakteristik ne shkence e perdor per te  strukturuar ne maksimumin e mundur evente joracionale te jetes se njeriut / shoqerise.

Meqe ra fjala, sjell shembull gazetarine tek ne ngaqe me irriton kur e lexoj pikerisht per mungesen e theksuar te kesaj fryme, quaje shkenciste, quaje intelektualiste, nuk e di. Por eshte kjo qe ju vini ne dukje me lart, ndarja definitive e pashprese e Humaniteteve nga Natyroret & Egzaktet, ne nje kohe kur mund te perfitonin shume sidomos sa i takon strukturimit, shpejtesise dhe funksionalitetit te mendimit (te gazetarise). (Eshte diskutuar disa here te tjera per dhenie-marrjet e ketyre te dyjave, ne ppu, ja njera psh). Mesiguri ky (si problem qe une shquaj) s'eshte vec njera shfaqje e dukurise me te pergjithshme - mangesive intelektuale ne krejt shoqerine. Nga ana tjeter pyesim a nuk jane keta njerez qe duhet te paret katalizojne ndryshime te tilla per gjithe neve. Faleminderit emigrant se ishte nisur per poezine por devijojne komentet.

Ti bere shume mire qe solle shkrimin e prof. Aleko Minges, megjithse duhet thene se, pavarsisht kompetences, diturise integrale, stilit brilant te profesorit, problemi nuk eshte shtruar drejt, me pasoje qe nuk ka per tu zgjidh ndonjehere drejt.

Shkrimi pershkruan nje konflikt fals, ose me sakte gjysem fals, konfliktin midis artit dhe shkences (shkencave shoqerore - shkencave humaniste), po aq fals sa edhe konflikti midis fese dhe shkences. Ne thelb nuk ka asnje pune arti dhe feja me shkencen, nderlidhjet, dhe per pasoje konflikti, jane te dores dyte.

Lexo me siper shkrimin Diktatura e sasise, i cili pershkruan ne thelb te njejtin konflikt por me nje qasje tjeter, si konflikt midis fese dhe shkences, e per me teper e nxjerr ne pah me mire ne pah se ku rreh çekiçi. Çekiçi (dhe draperi) eshte ideologjik, lahen hesape, jo qe shoqeria nuk eshte e intelektualizuar. Perkundrazi shoqeria eshte tejet e intelektualizuar (ne kuptimin se e udhehequr nga nje elite e intelektualizuar, shkenciste).

E pikerisht per kete te gjithe komentuesit brilante te temes artistike te profesorit, zor se do te ishin njesoj brilante edhe ne temen fetare ne fjale. Nese ne temen e profesorit ankohen per mangesi integraliste, ne temen fetare i bie te ankohen per mangesi fundamentaliste, gje qe mos prit ta bejne, sepse eshte ideologjia demokratikesmiley ne mes.

Provo vete te besh nje koment ne temen tjeter, te shoç sa e veshtire eshte. Ta kam fjalen eshte e veshtire te jesh konseguent, jo lash nje koment aty.

 

Shume Bukur emo. 

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).