Festivali i Librit prezantohet në Pallatin e Kongreseve. Rreth 60 shtëpi botuese janë pjesë e këtij panairi, për të cilin shpenzohen 10 milionë lekë

Koleksioni i shumëllojshëm i institucioneve kulturore shqiptare dhe ndërkombëtare paraqiten nën një çadër të përbashkët. Një program i pasur shumë-disiplinor ekspozitash, ngjarjesh, dhe aktivitetesh publike do të prezantohen për publikun nga data 6 maj, deri në datë 13. Duke reflektuar në një qytet që është njëkohësisht qendër e vjetër romake, post-osmane, arketip i Novecento-s italiane, me ëndrra utopike fashiste, një shembull i brutalismit stalinist dhe më në fund, model i një vrapi në amok bashkëkohor (jo) arkitektural, Tirana Open 1 sipas drejtoreshës Artistike, Arlinda Dudaj hulumton me bashkëqytetarët e saj, si në një laborator të gjallë të kulturës hibride, dhe një model alternativ për zhvillimin urban dhe angazhimin e audiencës.

Tirana Open-Festivali i librit paraqet një panair gjithëpërfshirës të librit për nxitjen e shkëmbimit kulturor mes autorëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Janë rreth 60 shtëpi botuese të librit të Shqipërisë, me të cilat çelet nesër panairi, i cili është organizuar në katin e parë të Pallatit të Kongreseve. “Panairi do t’iu paraqesë ngjarjet e përditshme lexuesve me të ftuar të veçantë të festivalit, shkrimtarë si: Roberto Saviano, Giuseppe Catozzella, Victoria Hislop dhe Drago Jancar”. Do të përfshihen në këtë aktivitet nxënës, liceistë, studentë lexues të të gjitha grupmoshave.

Me liceistët e Liceut Artistik “Jordan Misja”, do të zhvillohet një konkurs për ilustrimin më të mirë, i cili do të rezervojë dhe një çmim për “Udhëtimet e Tom Sojerit”. Gjithashtu në mjediset e Festivalit do të zhvillohet ceremonia për dhënien e Çmimit “Ardian Klosi”, librit më të mirë publicistik i sponsorizuar nga Traduki , rrjeti evropian për letërsinë dhe librat, që ndihmon në përkthimin dhe përhapjen e kulturës dhe botimeve. Juria përbëhet nga autorë shqiptarë dhe gazetarë. Publicisti Piro Misha, shkrimtarët Ardian Vehbiu dhe Bashkim Shehu, dhe gazetarja Rudina Xhunga.

Ndërsa përsa i përket buxhetit që do të shpenzohet në total për aktivitetet Dudaj shprehet se, buxhetet janë të ndarë sipas aktiviteteve përkatëse, sepse secili animon më vete. “Buxhetet janë të ndarë nga njëri-tjetri, sepse sikurse e shikoni dhe pse ne jemi brenda një çatie, secili animon në vete. Nëse unë flas për pjesën e Festivalin e Librit duhet të them se ne kemi bërë një kontratë për të gjitha mjediset që kemi marrë me qira nga shërbimet qeveritare.

Ne i nënshtrohemi kësaj kontrate, duke paguar atë që parashikon ligji”. Dudaj shton më tej se, përsa i përket Panairit të Librit qiranë ja paguajnë Pallatit të Kongreseve. “Kemi patur një ndihmë nga Ministria e Kulturës, është një ndihmë modeste, por që na ndihmon shumë. Gjithashtu kemi edhe sponsorë privatë, që mbulojnë gjithë pjesën tjetër që i përket artit”. MK ndihmon me 2.2 milionë lekë. Përsa u përket aktiviteteve të tjera, Dudaj shton se, nuk mund të thotë një kosto në total, por Panairi i Librit do të kushtojë 10 milionë lekë (të reja)”. Kosto kjo që mbulohet nga të ardhurat e Festivalit të Librit.

Tirana Open-Arkitekturë

Laboratori Urban Tirana Albania ( ULTRA ) do të paraqitet me një festival vjetor për komentet dhe idetë e jetës urbane, dhe hapësirës së ndërtuar, në kontekstin e ndryshimit të hapësirës urbane, që do të jetë e kuruar nga Elian Stefa.

“Programi quhet ULTRA (Laboratori Urban i Tiranës) dhe synon që të ketë një prirje kuratoriale-ndërdisiplinore, të bazuara mbi arkitekturën dhe problematikat urbanistike. Ka për qëllim që të trajtojë problematika, që janë në Tiranë, por që nuk ndodhin vetëm këtu. Ideja është që këto të trajtohen nëpërmjet artit dhe arkitekturës, ndërmjet ndërhyrjeve urbane dhe artistike për hapësirat publike”. Instalacionet dhe ekspozitat do të hapen tek Tulla Center në datën 8 maj.  Dy ditët e para do të inaugurohen disa instalacione lëvizëse nëpër kryeqytet, dhe në hapësirat publike përgjatë Bulevardit.

Tirana Open-Muzika e Bienale Musica Venecia-s, dhe kompanisë së operës italiane bashkëkohore “Cantieri Teatrali Koreja” do të udhëtojë për në Shqipëri me prodhimin “Katër i Radës. Il Naufragio”.“Mbytja e anijes” nga dhoma e komisionit, Bienalja e Venecias, vjen me muzikë të Admir Shkurtajt, dhe libret të Alessandro Leogrande-s (nga romani reportazh “Mbytja e anijes”, Feltrinelli, 2011, i cili është përkthyer dhe në gjuhën shqipe), regjia realizohet nga Salvatore Tramacare.

Festivali do të përmbajë gjithashtu koncerte live nga grupet: Fanfara Tirana dhe Gipsy Groove. Përgjegjësi i këtij zhanri Alban Imami tha se përpos këtyre dy grupeve, përgjatë këtyre ditëve do të performojnë dhe disa grupe të reja, që i konsideron si e ardhmja e muzikës bashkëkohore, dhe asaj elektronike. Koncertet do të jenë të gjitha live, dhe me biletë. Ndërsa do të zhvillohen tek Universiteti i Arteve dhe Piramida.

Dudaj: Pikësynimi kryesor, shkëmbimi multikulturor 

“Shqipëria lexon” ishte mendimi ynë i parë teksa vendosëm të organizonim edicionin e parë të Festivalit të librit dhe arteve, vitin e kaluar. E tani Tirana Open ka marrë përmasat e një eventi shumë të madh multikulturor. Një nga pikësynimet kryesore është shkëmbimi ndërkulturor midis shkrimtarëve shqiptarë dhe atyre të huaj. Festivali do të jetë gjithashtu edhe një rrugë e bukur komunikimi mes shkrimtarit dhe lexuesit shqiptar. Një pikëtakim mbresëlënës që do të lërë gjurmën e vet të bukur në ditët e hapura të kulturës në Tiranë.

Çashku: Nuk duhet të ketë spekulime në fonde

Tirana Open-Film

Lista e filmave përfshirë në DocuTIFF, do të jetë me dokumentarë kinematografikë të organizuar nga Tirana International Film Festival (TIFF).Përgjegjësi i këtij aktiviteti është Agron Domi, i cili tha se vjet në TIFF morën pjesë rreth 5400 filma, shumë prej të cilëve ngelën pa u parë nga publiku. “Menduam që të krijojmë një ndarje në bazë të kategorive, jo aq të përgjithshme sa në TIFF, por të ndarë nga njëri-tjetri. Këtë radhë e nisëm me DocuTIFF dhe në të ardhmen do të vazhdojmë me AnimaTIFF, që bazohet te filmi i animuar. Më tej do ta vazhdojmë me ExpoTIFF, për filmat eksperimentalë”.

Te DocuTIFF kanë aplikuar rreth 1100 filma, nga 70 vende të botës. Sipas Domit, e veçanta e këtij festivali është se nga ana filmike është më afër medies, se çdo tjetër për shkak të temave të trajtuara nga regjisorët. “Ne bazohemi shumë te pjesëmarrja rajonale. Për herë të parë futet në konkurrim dhe kategoria e filmit mesatar, 3-60 min”.Një program me katër filma të fundit izraelitë paraqitur nga Akademia e Filmit dhe Multimedias Marubi do të mbulojnë sektorin e të dashuruarve pas filmit.

Kujtim Çashku teksa tha se: “Ne jemi akoma në kohën e kalit të Skënderbeut, prandaj mendoj se, së paku Tirana Open në mendim provokon shoqërinë, për të kuptuar apo për të ndryshuar politika ndaj artit dhe kulturës. Nuk e mendoj se trokitjet artistike te ne janë thjesht trokitje parash, apo zbavitjeje, por unë mendoj se duhet që të shërbejnë më shumë, si lëvizje për të rikthyer klimën ndaj kulturës dhe artit. Mendoj se kultura dhe arti është ekonomi në një vend. Ky është fokusi im”.

Sipas tij, katër filmat që janë në program janë të vlerësuar me çmime në festivale të ndryshëm, por më i rëndësishëm për të është fakti se, është marrë një iniciativë e rëndësishme, prandaj artisti duhet të mbetet në pozicion kundërshtuesi, dhe jo në një pozicion, nga ku të bëjë thjesht zbavitjen e publikut. Ndërsa përsa i përket buxhetit që do të shkojë për filmat që prezantohen te Marubi, Çashku u shpreh se: “Ne jemi falas për publikun dhe na janë dhënë 3500 dollarë nga Ambasada Izraelite. Pra çdo gjë është kjo shumë, për të gjithë aktivitetin që mbulohet në katër net rresht për gjithçka që bëhet te Marubi”. Ai e konsideroi pozitiv faktin që fondet të bëhen publike dhe të mos të ketë spekulime.

10 Komente

Dini gje kush i boton veprat akademike te Grida Shqines?

Mos me thoni qe nuk ka lidhje me temen, pra me kulturen, librin, dijen dhe Kumbaron.

Edhe liber ble e behem pjese e programit  harxho kohen duke lexu dije edhe Grides i vij ne ndihme duke e sponsorizu per fushate. Ne panair nuk ta marrin emrin kur ble liber, ndersa po te besh sponsor direkt te del emri ne gazete se te spiunojne ata te stafit.

Ideale do ishte sikur te merrja dhe ndonje autograf e te dilja ne ndonje resme me vete autoren. Lexon robi dhe nxë.

U bej thirrje te gjithe durrsakeve* dhe durrsjaneve** te blejme nga nje liber te Grides e te behemi pjese e nismes Shqiperia lexon !

* Ata qe jane denbabaden aty

** Kusuri.

Kete shoqen Luli e ka ne vizion ta bej nenkryetare te PD-s pas zgjedhjeve dhe ministre te kultures, rinise dhe sporteve e qeverise ne "hije".. 

Komenti jot duhet te kete lidhje me temen. smiley

smiley Keshtu edhe i jepni ndonje lek Grides, ti paguaj kestet kujt ka mashtruar.

Griden apo Dakon! Hajde zgjedhje shekspiriane qe kane perpara durrsaket dhe durrsianet.

Peshqit duan hapesire per botime akademike ne kete panair per te cilin mund te lene komentet e tyre politike. 

P.S. Gezohem qe znj. Dudaj thekson shkembimin multikulturor midis shkrimtareve vendas e te huaj. Une do te doja te hapej nje panel bukurie nga ku znj. Dudaj t'i vleresonte. Sigurisht, duhen perjashtuar paraprakisht te gjithe ato shkrimtare me bukuri turke. 

Vertete lajmi i mire qe ky panair eshte zgjeruar deri ne keto permasa.

Ankohemi gjithnje se ne Tirane mungojne aktivitetet kulturore, nuk ka gje tjeter pervec kafeneve, etj etj, por nderkohe te pakten keto 4 dite na propozohet dicka ndryshe, promovohet kultura, arti dhe autoret shqiptare dhe na jepet nje mundesi me shume per te kaluar ndonje pasdite te kendshme.

Cfare te thuash tjeter, vec Suksese!

Gje e mire qe subvencionohet kultura shqiptare. Me ne fund kane filluar ta kuptojne se nje komb pa kulture, eshte si nje njeri pa sy.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).