Regjisori i mirënjohur është rikthyer në teatër në moshën 83-vjeçare me komedinë “Perëndesha e bukurisë”, kësaj here si dramaturg. Në një takim që u zhvillua dje në hollin e Teatrit Kombëtar, Pirro Mani shprehu mallin për teatrin dhe kolegët në 15 vite mungesë prej Shqipërisë.

Ai sapo i ka mbushur tetëdhjetë e tre vjeç, por vitet nuk ia kanë zbehur as pasionin për punën e as sensin e humorit.

“Mosha dhe ca probleme të tjera shëndetësore ma kanë shprehur shumë shprehjen, elokuencën, megjithëse s’jam mbyllur unë ndonjëherë për këto gjëra, por sërish ngelem më i lirshëm. Një bashkëbisedim do të ishte më i lirë, edhe sot për herë të parë duhet të vija në njëmbëdhjetë, por unë jam mësuar që vija gjithmonë në njëmbëdhjetë pa pesë”, – kështu iu është drejtuar duke qeshur ai miqve dhe dashamirësve që ishin mbledhur dje në hollin e Teatrit Kombëtar për t’u takuar me regjisorin e mirënjohur, i cili prej pak ditësh është rikthyer në Shqipëri pas një largimi pesëmbëdhjetëvjeçar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

E ka rikthyer komedia “Perëndesha e bukurisë”, të cilën Pirro Mani e ka shkruar disa vjet më parë si një dedikim dashurie për korçarët dhe Korçën, vendlindjen e tij të dashur.

Me regji të Spiro Dunit, “Perëndesha…” e Pirro Manit u ngjit në skenën e Teatrit “Andon Zako Çajupi” premierë më 9 maj, me aktorët Zamira Kita, Guri Koço, Sotiraq Bratko, Albano Prodani e Bes Bitraku.

Në fund të shfaqjes, Pirro Mani nuk i mbajti dot lotët. Kasta e aktorëve do të udhëtojnë në kryeqytet për ta sjellë komedinë për publikun në Teatrin Kombëtar.

Pikërisht kjo ishte edhe arsyeja e takimit të djeshëm, ku morën pjesë aktore e regjisorë të cilët shprehën vlerësimin dhe nderimin për figurën dhe veprën e Pirro Manit.

“Për mua ishte një surprizë e madhe, kur Spiro më tha se do të kishte një takim në teatër, por është kënaqësi e madhe, që shikoj se janë bashkuar brezat bashkë. Bashkë me Pavlinën kemi shumë mall, ne na ka marrë shumë malli, na mungoni shumë, shumë. Na mungojnë shokët, ndërsa ju e kini njëri-tjetrin këtu dhe ne kemi më shumë mall. Unë kam mall për çdo aktor, për çdo punëtor skene, për elektricistin, edhe në Korçë kur shkova, sepse ne kemi pasur rastin që të punojmë edhe atje. Dhe qysh kur hyra këtu në holl, që e pashë të ndriçuar dhe të zbukuruar dhe kështu që emocionet e këtij takimi më detyrojnë që edhe të largohem pak, sepse që të luash në teatër duhet që të kesh karakter, nuk e bëj dot regjisurën, por edhe të tjerët më kujtojnë gallata të tilla”, – ka vijuar për të pranishmit regjisori.

Rikthimi pas 15 vitesh emigrim i ngjante skenave të veprave që regjisori vuri për 25 vite në Teatrin Kombëtar. Aktorë e regjisorë ishin aty, këtë herë jo për të qenë protagonistë në shfaqjen e një prej ikonave të teatrit, por për t’u kthyer pas në kohët e censurës komuniste.

“Këtu mund të bëje komedi të zeza, por dhe të bardha, ashtu sikurse dhe në Korçë. Unë kam 15 vjet larg dhe gëzohem shumë kur mësoj nga andej për shfaqjet tuaja, djemtë e rinj, por edhe Robert Ndrenika po ashtu. Duhen përgëzuar me fuqi të madhe dhe vëniet në skenë nga Mihallaq Luarasi. Kujtoj “Romeo dhe Zhuljeta”, ku ruhej Shekspiri, ruhej poezia shekspiriane, nuk ishte një shfaqje që ishte parë si e vjetër, muzeale. Aktorët kur bënin ndonjë mizanskenë duhet që të vinin një armaturë, ata duhet që të luanin brenda kohës, kishte Shekspir brenda, ai nuk ia kishte hequr shpirtin, as poezinë Shekspirit. Ne kemi pasur rastin që të shikojmë shumë shfaqje dhe moderne, por ajo modernia është e mbështetur me këmbë në tokë, nuk është në hava, pavarësisht se ajo është e sotmja. Ndonjëherë ne kujtojmë se jemi modernë, se i shtrembërojmë gjërat”- është shprehur ai me nostalgji. Gjatë qëndrimit në Nju Jork Pirro Mani shkroi të parën drame shqipe, titulluar “Njeriu hibrid”, një dramë që trajton luftën e klasave në Shqipërinë e viteve ’70. Ajo do të vihet së shpejti në skenën e Teatrit Kombëtar.

1 Komente

ueee Pirro Mani... ai zeri i tij i plote, i kumbueshem, mosha si ka ndryshuar asgje. respekte!!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).