Gjatë vitit 2014, sipas të dhënave të Bibliotekës Kombëtare, në Shqipëri  janë botuar 954 libra letrarë, të ndarë në këtë mënyrë sipas gjinive: 329 poezi, 303 romane; 93 tregime dhe novela; 73 përralla; 43 fabula, 35 kritikë letrare. Edhe në vitin 2014 titujt në prozë i kalojnë në numër ato poetikë.  Botimet nga autorët shqiptarë mbeten dominues edhe këtë vit me 627 tituj nga 954 gjithsej, pra gati 66%. Kategorizimi i brendshëm i letërsisë shqipe në gjini ku 271 janë vëllime me poezi; 137 romane 70 tregime dhe novela, pjesa tjeter kritika, drama, ese, shumë kujtime, biografi etj e përmbys raportin total ku proza dominionte mbi poezinë.

Edhe këtë vit, tek botimet e letërsisë shqipe, poezia zë 43%. Letërsitë e përkthyera përfaqësohen në këto shifra:  47 letërsi amerikane; 44 letërsi italiane; 38 letërsi angleze; 35 letërsi franceze; 26 letërsi gjermane; 20 letërsi turke etj. Ndërsa letërsia për fëmijë përfaqësohet nga 159 tituj, prej të cilëve autorët shqiptarë kanë botuar 42 tituj, 13 prej tyre poezi.

Shtëpitë botuese me më shumë tituj janë Ada me 68 tituj; Albas 47 tituj; Toena 47 tituj; Dudaj 36 tituj; Edlora 31 tituj; Geer 31 tituj; Emal 28 tituj; Fan Noli 24; Pegi 21 tituj; Muzgu 21; Onufri 20 tituj; Uegen 18 tituj; Botart 14; Jolanda 14; Ombra GVG 14 tituj; Dituria 11 tituj; UET Press 5 etj. Kombinimi i të dhënave statistikore me titujt e botuar prej shtëpive botuese zbulon se kreun e statistikave e zë një shtëpi botuese e “specializuar” në letërsinë shqipe bashkëkohore. Edhë këtë vit harta e botimeve ka një pamje të ngjashme të viteve paraardhëse: në Tiranë janë botuar 751 tituj; në Durrës 33 tituj; në Shkodër 29 tituj; në Vlorë 24 tituj; në Sarandë 20; në Fier 14 etj.

Autorët më të botuar në Shqipëri kësaj here nuk janë shqiptarët. Autorët e letërsisë për fëmijë Christian Tielmann dhe Hale Gürgül Canat kanë botuar nga 10 libra dhe vetëm një më pak autori shqiptar i letërsisë për fëmijë Ferid Lamaj me 9 libra me fabula. Daniele Steel vazhdon të njohë suskses në shitje duke botuar edhe këtë vit 9 tituj. Nga klasikët, Mark Twain përfaqësohet me 5 botime, ndër të cilët 4 përkthime të ndryshme; Agron Corati dhe Moikom Zeqo kanë botuar nga 4 tituj, por Zeqo ka shumllojshmëri zhanrore, pasi ka botuar edhe prozë, edhe poezi edhe studim, edhe letërsi për fëmijë, edhe përkthim. Mund të flasim për autorët më të botuar, por e kemi të pamundur të përcaktojmë suksesin editiorial pasi edhe këtë vit të gjithë botimet letrare në Shqipëri janë botuar pa tirazh, madje 92 prej tyre janë botuar edhe pa çmim.

Në Kosovë, më 2014 janë botuar 271 tituj letrarë të ndarë si më poshtë: Letërsi e përkthyer vetëm 6 tituj,  letërsi shqipe 265 tituj të klasifikueshëm në këto kategori: poezi 137 tituj; prozë 53; kritikë 18; drama 15; letërsi për fëmijë 42. Nga këto, 180 janë botuar në Prishtinë, 28 në Prizren, 25 në Kastriot, 17 në Gjilan, 4 në Pejë etj. Shtëpitë botuese me më shumë tituj janë  Fahri Fazliu me 25 tituj (24 prej të cilëve janë të Adem Zaplluzhës); Faik Konica me 22 tituj.

Adem Zaplluzha kryeson edhe këtë vit në Kosovë, duke thyer edhe rekordin personal me 24 libra të botuar (8 libra në vitin 2013 dhe 15 në vitin 2012), të gjitha vëllime me poezi.

Përtej shifrave, panorama e botimeve letrare na përvijon disa prirje domethënëse për procesin letrar. Në vitin 2014, duke e krahasuar me vitet paraardhëse, vërehet ulja e numrit të botimeve nga autorët klasikë të letërsisë shqipe. Zhurma e 200 vjetorit të lindjes së De Radës solli për herë të parë botimin kritik të plotë të veprës së tij letrare, por përveç kolanës së De Radës janë botuar: vetëm një vepër prej Çajupit, Kutelit dhe Bilal Xhaferrit. Ndërsa në Kosovë janë botuar vetëm Gavril Dara, Pashko Vasa e Pashku. Konsumatorët më të mëdhenj të kësaj literature janë “shkollarët” dhe pakësimi i botimeve mund të lidhet me pakësimin e leximeve “të detyruara” shkollore (hamendësojmë se veprat e letërsisë më shumë përfliten sesa lexohen në shkollë). 

Ndonëse si numër, veprat e autorëve klasikë janë në rënie në krahasim me autorët bashkëkohorë nga viti në vit, edhe në 2014 janë botuar vepra të rëndësishme të literaturës botërore nga Shekspiri, Dikensi, Virginia Woolf, David Lowrence, Jane Austen, Aleksandër Dyma, Balzak, Mopasant, Molier, Sartri, Anatol France, Simone De Beauvoir, Sadi, Rumi,  Stendal. Sëeig, Hugo, Corneille, Shiler, Kafka, Eskili dhe Sofokliu, Herodoti, Dostojevski, Cehov (jo në rend kronologjik a rëndësor). Nga viti në vit po thellohet dukuria e ripërkthimit të klasikëve. 

Klasikët modernë prihen nga Kundera me Mosdijen dhe Witold Gombrowicz me Ferdydurke  (dy të ngjashëm për nga forma e shkrimit, i pari ndikuar prej të dytit) që dalin njëkohësisht në shqip, poezitë e Pessoa-s dhe të  Lucian Blaga-s, Udhëtimi nëpër Itali, Egjipt, Sinai dhe Jeruzalem…. i  Kazanzaqisit,  Burri i saj i Pirandelo-s, Antiutopia e Evgenij Zamatin, “Mobi Diku” i Herman Melville, Poezi të zgjedhura nga Paul Claudel, Si një roman i Daniel Pennac. Përveç përkthimeve të Kunderës, Zamiatin-it, Melville-it e Pirandelos në prozë, shkëlqejnë përkthimet e poezisë së Claudel-it, Elitis-it dhe Blaga-s.

Nëse numri i klasikëve vjen në rënie, rritet numri i veprave të letërsisë bashkëkohore botërore. Autorë me sukses editorial të letërsisë bashkëkohore amerikane, angleze, franceze, italiane, etj, autorë të rinj në moshë, përgjithësisht prezantohen me veprën e vet më të njohur, por ka raste kur botohen edhe për herë të dytë dhe të tretë në shqip. Dallojnë, Ana Gavalda, Julia Navarro, Carlos Ruiz Zafon, Donna Tartt, Linda Hogan (poezi), Anna Godbersen, Lesley Naa Norle Lokko, Markus Zusak, Salman Rushdie Anna Kim, Alexandre Jardin, Gregoire Delacourt, Jean-Luis Fournier, Guido Zavanone (poezi), Alda Merini (poezi), Emanuele Trevi, Margaret Mazzantini.  Në këtë listë përfshihen edhe autorë fitues çmimesh të rëndësishme, por nobelistët e rinj pothuajse mungojnë, botohet vetëm Mo Yan, me romanin Ndryshime. Përkthimi i poezisë bashkëkohore (Hogan, Merini, Zavanone etj.) ndjehet si prirje e re e këtij viti.

Letërsia ballkanike, edhe këtë vit është e ndjeshme në botimet shqiptare, përkthyer nga origjinali me autorë si Andrej Nikolaidis (Bir), Vasilis Guroyianis (Këputja lulëzon) dhe disa autorë të tjerë të letërsisë bashkëkohore greke, autorë turq si Sabahattin Ali  (Mulliri), Orhan Kemal  (Krimineli). Letërsia turke nga viti në vit po bëhet gjithnjë e më e pranishme në botimet shqiptare, shifrat flasin për numrin më të madh të botimeve nga vendet ballkanike.

Kategoria best seller, i shfaq “klasikët” e vet edhe këtë vit: Danielle Steel, Douglas Kennedy, Veronica Roth, Johen Green, por edhe Kami Garcia, Erica Jong, Vanessa Diffenbaugh, Gayle Forman, Adele Parks, Graeme Simsion, Liane Moriarty, Massimo Gramellini, Jan Mehlum, etj.

Letërsia për fëmijë është përmbytur nga autorët e huaj, të ndarë në dy kategori: pjesa më e madhe autorë bashkëkohorë, amerikane, anglezë, gjermanë, italianë, turq të përkthyer gati në kohë reale, pasi librat e tyre janë bërë të susksesshëm në pjesën më të madhe këto 10 vitet e fundit, por edhe “klasikët” e letërsisë botërore: Pinoku, Hirushja, Tom Sojeri, Udhëtimet e Guliverit etj. Nga autorët shqiparë dominojnë fabulat si gjini. Romani i dytë fantastik i një pesëmbëdhjetëvjeçareje Enisa Adil, Lotus, në skajin tjetër ka botimin e një autori “të hershëm” të letërsisë për të vegjël, Gaqo Bushaka me Rrëfenja nga pylli i majmunëve. Autorët e rinj në moshë e të mirëshkolluar të letërsisë botërore, si dukuri editoriale kanë vetëm pak shembuj të ngjashëm ndër autorët shqiptarë të letërsisë për fëmijë.

Vepra të autorëve shqiptarë që vlen të dallohen këtë vit janë nga Kadare, Keko, Tufa (ese), Zija Çela, Mustafai,(ese), Rita Petro (poezi erotike), Albatros Rexhaj, Gazmend Krasniqi, Arben Dedja, Lazër Stani, Marku (Rudolf) (ese) dhe Marku (Arta), përmbledhja prej katër vëllimesh e gjithë krijimtarisë poetike të Fatos Arapit, poezitë e Sokol Zekës. Dallohen këto prirje: zgjerimi i konceptit “letërsi” deri tek eseja tek disa autorë që njihen më shumë si poetë e prozatorë; zgjerimi i hapësirës së shkrimit erotik përtej provokimit; zhurma në media për disa botime zhgënjyese.

Në kategorinë e kritikës, interpretimit dhe studimeve letrare thellohet një prirje që është ndjerë edhe më herët, studimet mbi autorë më pak të njohur se studiuesit e tyre. Disa nga veprat që mëtojnë ta mbajnë në këmbë këtë prirje janë: Hysen Zeqo dhe vëllezërit e tij, Momenti i së vërtetës në krijimtarinë letrare të Vangjel Zafiratit, Adresa e poetit: poezia e Nase Janit dhe “Çmendina”, një roman ndryshe, Takim me Col Cufin: kujtime dhe mbresa. Përveç disa përsjatjeve kritike, për herë të parë shfaqet edhe një kategori e re estetike në studimin E veçanta si njësi estetike.

Në kategorisë e kritikës, interpretimit dhe studimeve këtë vit janë botuar edhe vepra që nisin  nga historia (A. Xhiku) për të mbërritur tek analizat e përimtuara tekstore (V. Osja, V. Isufaj, V. Marku) për autorët e traditës dhe të bashkëkohësisë.   

Toposet banale të poezisë shqipe nuk mungojnë edhe këtë vit:

Shpirti, përfaqësuar nga këto vepra: Çelësi i shpirtit, Udhëve të shpirtit, Qielli i shpirtit tim, Ditari i shpirtit, Trokitje shpirti, Jam shpirt i lirë etj.,

Dashuria, përfaqësuar nga këto vepra: Ankth dashurie, Klithmë për dashurinë, Jeta ndryshon vetëm me dashuri, Drithma dashurie, Fytyrë e dashurisë, Mall dhe dashuri, Tempulli i dashurisë, Udhëtoj mes dashurive, Eh, si qenka dashuria (është titull, dhe jo pasthirmë e autores së këtij shkrimi). Ndërsa vëllimet  Rojtari i zemrës,  Të pyesësh zemrën, Beso tek zemra jote,  Thuaji zemrës, Mjaft më tha loti (edhe ne bashkë me lotin) mund të grupohen përmes një procedimi metonimik në kategorinë e mësipërme.

Ëndrra: që këtë vit ka rënie në sasi, por jo në cilësi dhe përfaqësohet me: Përtej ëndrrës, Zgjimi i ëndrrave, Arratia e ëndrrës etj.

Poezi me urdhërore: Eja nënë, Më thuaj diçka të bukur, Eja më buzëqesh, Qaj moj Shqipëri, ulëri e gjorë, Lermëni të lirë etj.

Poezi me topos qiellor: Me yjet flas (ku termi yjet është polisemik), Krenari që sfidon yjtë, Ylbere të këputur, Në krahë engjëjsh dua të dremis, Lot engjëjsh, Dënesa në qiell,  etj.

Toposi i vendlindjes, i vështruar nga larg, afër: Fllad i vendlindjes, Mëmëdheu im në qerpik dielli, Palcë e kombit tim,  Shqipërisë, Me atlaset e kombit, Po vjen Shqipëria, Në Kanada: përshkrime, ngjarje, histori”, i ngjashëm me të edhe “Jetë, punë, familje”, Ditët e javës së emigrantes, Mes Austrisë dhe Shqipërisë jam unë, Rrëfej jetën time: ditar i një emigranti, Gostivari në zemrën time, Myzeqeja flet, Origjina e fshatit Dukaj, Çamëri zemra ime,  Divjaka ime, Bota ime (që paraqet më së miri relacionet mes lokales dhe globales). Topose të ngjashme shfaqen edhe në poezinë shqipe të botuar në Kosovë që, më mirë se ne i përmbledh titulli i një vëllimi Për dëshmorët dhe për dashurinë: poezi. Poetika e shiut, pak më e tharë këtë vit në poezitë shqipe të botuara në Shqipëri (ndoshta për shkak të përmbytjeve) mbijeton në letërsinë e botuar në Kosovë.

Ndjenja të përziera, por jo konfuze: Melodi trishtimi, Mbi krahë emocionesh, Dritëhijet e jetës, Shekulli i lotuar, Poezia m’i solli pranë sytë e tu, Plagë shtegtimi, Vesë mëngjesi, Të prisja (që përmbledh në një fjalë gjithë zhvillimet e mësipërme), Krihem në sytë e tu, Blerim paçi në zemra, Ndryshe nga dje, Ta çmend heshtjen (bashkë me ne), Në emër të Zotit që është në listë pranë me Kohë me djallin, Nostalgji, bukuri të brishta (hajket që nuk mund të mungonin). E përfaqëson kategorinë bashkë me Thirrjet e gjakut (hajku) dhe në Kosovë me 777çShtatëqind e shtadhjetë e shtatë, Haiku: shtigjeve të shpirtit. Vijojmë me Ekonomia e ndjenjës, Stinët e mia, Art, sport, letërsi (një libër që çuditërisht nuk është financuar nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit), Shkëndijat (për të cilin jemi të mëdyshur ta klasifikojmë në toposin qiellor apo tokësor), Njerëz të thjeshtë (që nuk mund të kishte vazhdim tjetër përveçse) me shpirt të madh, Ju përfalem (që me pa të drejtë kategorizohet si publicistikë), Koha e uritur, Klithma fryme, Xhelozia mbiemër i mendjes, Absurditet apo…: poezi (nuk jemi shumë të qartë për saktësinë e shenjave të pikësimit), Dhe më pas, Mirë se ju gjej (dhe ne s’na mbetet t’i themi vetëm mirë se erdhe), Vrullimi i flakës (ku flaka mund të jetë ose jo metaforë), Nuk të dua por puthmë, e cila është pranë e pranë me vëllimin tjetër me poezi Heroizëm, Ku flet veç e vërteta, Mirëmëngjes demokraci, Mendime të arnuara, Rri e qetë nëse mundesh (e nëse jo ??? autori mund ta provojë vitin tjetër me prozë), Ku po vemi (sepse nuk mund të mungojë as pyetja dhe as forma e rubairave me të cilën shprehet kjo pyetje), Lodroj ndër mbresa, Jehona e zërit tim, Kur ti vjen, Jetë kuturru që e shpreh më qartë gjendjen e këtij grupimi. 

Seria e antologjive poetike: për muzgun (nga shtëpia botuese Muzgu) e cila nuk ka botuar prozat në muzg me titullin Portat pa epilog, as  vëllimin Erë muzgu dhe as Myshku i muzgut; për nënën, për dashurinë, për udhën, për fëmijërinë si dhe Antologji poetike me temë të lirë (nga e njëjta shtëpi botuese), Mozaik ndjenjash (kur të rinjtë ndikohen nga klishetë).

Në fund, konkursi për titullin më të mirë mbetet i hapur mes Hingëllima uni i botuar në Shqipëri dhe Kur era teshtinë dhe Mbi flokët e ullukëve të botuar në Kosovë.

 

Revista Letra Nr. 8 2015

16 Komente

Shehri ka të paktën 3 vjet që bën analizë përshkruese të botimeve shqipe, në një revistë që duhet të ishte shkencore, që domethënë se analizat përshkruese duhet të ishin nën nivelin e kërkuar nga revista dhe të mos pranoheshin për botim.

Shehri vazhdon qesëndisjen në stilin muhabet plazhi. Na rrofsh për verë.

Ok por...hey, it's fun. smiley

if you wanna grow up to be a debaser you don't head a department, you behead it

Ça thuhet andej nga ti, ke shkruar ndonjë gjë të re?

Ja sapo shkruajta një apel për vrasje. Gjëra që ndodhin. (citim)

303 rromane orehej 

S'po kuptoja cfare vlere mund te kene statistikat e toposeve te titujve te poezive (1/3 e krejt shkrimit), seriozisht, kujt mund t'i hyjne ne pune te dhena te tilla??? Por sesi i hyra e i lexova (kshu padashje), dhe na shkriu qe qeshuri... kjo qenka per te pacensura

Ne fund mora vesh qe paska edhe konkurs per miss titulli, desha te them titulli me i mire.

S'po kuptoja cfare vlere mund te kene statistikat e toposeve te titujve te poezive (1/3 e krejt shkrimit), seriozisht, kujt mund t'i hyjne ne pune te dhena te tilla??? 

Studjuesve te letersise, botuesve, librarive, bibliotekave? 

kto toposet jane nje rrekje e autores per te bere si capkene. smiley

Dhurit faleminderit qe ka marre mundimin te numeroje,po me gjithe perpjekjen per te bere humor e shpoti qe ndonjehere ta ve buzen ne gaz,perseri edhe vete ajo ka pasaktesi qe mund edhe ato te ta vene gazin ne buze. Nuk besoj se jane botuar 93 novele e tregime,73 perralla e 43 (cudi te gjithe perfundojne me 3) fabula.Fabula nuk eshte doemos gjini e letersise per femije,ndaj edhe Lamaj nuk eshte doemos shkrimtar per femije.Nuk e mora vesh kete qe Tuejnit i jane botuar 5 libra,4 nga te cilet perkthime te ndryshme.Kjo do te thote qe ose librin e peste e ka shkruar shqip,ose,meqe 4 te tjeret jane perkthime te ndryshme,ky i pesti i bie te jete perkthim i njejte.Dhe se fundi,pse tua kete vene atyre me Marku mbiemrin perpara: Marku (Rudolf) dhe Marku (Arta)?Apo qe t'i dale emri i bashkeshortit te vet,dopio Markut,qe sic duket,meqe ka pasur permbytje ne vitin 2014,ka menduar te shteroje e te mos botoje.

627 tituj te prodhuar nga shkruesit shqiptare jane shume per nje popull me tre milion banore. Masivizimi aventures se te shkruarit ndoshta reflekton  pengun historik te vonese se shkrimit te gjuhes shqipe dhe keqkuptimin e thnies se Engelsit se sasia ne nje moment kthehet ne cilesi.

Habitem si nuk reagojne shoqatat ambientaliste.Nja dy hektar pyll ka ikur per lesh ne vitin 2014.

Megjithate kjo qasje parodizuese e Shehrit e perseritur cdo vit dhe , per me teper, e botuar tek Letra qe meton te kthehet ne nje pasqyre e kritikes serioze te letersise, me duket e pavend.

 

Shume bukur mer! Le te botohen! Le te shkruajne njerzia. Asnje gje te keqe s'ka. 

Nga kategorizimet qe ka bere autorja duket qartazi qe shqiptareve shkrimi i permbush nje boshllek shpirteror dhe materializon enderrimet e papermbushura. S'ka asnje gje per tu cuditur ketu duke konsideruar qe disa breza i shkoj jeta tranzicion ( meqe ra fjala te bente dhe kategorizimin e moshave qe jane me te prirura te shkruajne, apo dhe ndarjeve administrative ku shihet me shume kjo prirje). Nga ana tjeter ky shkrim dhe botim me bollek, eshte tregues i nje mireqenie minimale ekonomike. Pervec se mund te supozohet qe ka nje si trend per tu marr me botime si forme fitimi ne pergjithesi, une s'shoh asnje gje te keqe ketu. Hajt per hajer!

Nuk e kuptova ate pjesen me topose. 

Nje reviste letrare lejon nje kontribuuese te shkruaje me shpoti per ate qe perben lenden e pare te kesaj reviste, arsyen e egzistences se saj (revistes) .

Allah ndihna! 

P.s.

megjithate, lajmi i mire mbetet. Industria e botimeve ne Shqiperi eshte shendoshe si molla. Kjo me gezon. 

 

ne frymen qesendisese te fundit te shkrimit po shtoj kete koment, me qellim pra qe pas vitit 2014, nr i komenteve =15.

Ca do thoja. Po ja qe gjithe fjalite e tij jane te formatueshme ne nje tabele me kategorite dhe shifrat perkatese. Keshtuqe pervec tabeles, shkrimi s'ka nevoje te egzistoje, per respekt te lexuesit (hajt po behemi serioze) po dhe te statistikes. Kjo ka ndodh edhe here te tjera, merret nje tabele dhe me permbajtjen formohet nje shkrim ( me maksimumi sh. sh. pak analize)

Me keto lloj infosh ngrihet nje zhurme e krijohen idera ne kokat tona qe i lexojme, si ne rastin konkret, per vlera krijuese qe na bekan te shkruajme ne kete fare feje. Kur ne fakt shumica qenka pune tregu: Industria e botimit, u tha me lart (flm).

Meqe disa ketu e njifkan autoren dhe une jo (dhe ia mora kallep 'humorin'),  googllova imazhin dhe perfundimisht e kam te qarte tani.

271 vellime me poezi kan shkrujt e kan botujt shqiptaret ne 2014 smiley Uoah.

Rob te pervelum 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).