***

 

Shtatë herë u plagosa për vdekje

Shtatë herë e varrosa shpirtin tim

Mbas çdo morti mjaftonte një prekje

Të njëjtat buzë më rikthenin rininë

 

Shtatë herë u ngjalla, si bliri blerova

Shtatë herë dielli qerpikut qëndroi

Plot shtatë herë vetëm ty ëndërrova

Mbas shtatë herësh të dua njëlloj...

 

***

 

Ta thyej heshtjen!? Me ç’farë!?
Ma vodhën fjalën, lotin, shpirtin,
Më thyen kocka e prenë damarë
Ndërsa më flitnin për Jezu Krishtin.

Ta thyej heshtjen, por zë nuk kam.
Ma prenë gjuhën e qepën gojën,
Veç një kujtim në jetë më mban
Si libër i lashtë që flet për Trojën.

Ta thyej heshtjen!? Si thyhet vallë!?
Muret e gurtë tashmë kanë rënë.
Ish’ zog i verdhë q’e solli vjeshta,
Briseidë hyjënore, kjo mallëzënë!

 

***

 

Ah, ta ndienim pak më shumë

K’të dashuri që moshë nuk ka…

Sa  pak nga ty, sa pak nga unë

Mori kjo botë, kjo botë na dha…

 

Sa pak i dhamë, e s’u ankua

Një jetë na dha, e s’na mjaftoi

T’i thoshim qoft njëherë; Të dua

Si i’a thotë shelgu ndanë përroi…

 

Ndoshta, fjalët s’i gjetëm dot…

Ndoshta s’gjetëm dot vetëveten!

Lundrojmë ëndrrave, por më kot,

Vjen një ditë dhe ëndrrat treten!

 

Ndodh, e gjendemi të thinjëruar

Si në fundvjeshtë, kur thinjet bari

S’mjaftoi një jetë për ta dashuruar,

Pse duhet vallë të mjaftoj varri!?

 

 

***

 

Ti ngreh siparin dhe para teje

Gjendem  unë, i pikëlluar

Nuk ësht’ kjo drama, por përkrah meje

Qëndron një stol, pa këmbë, pa duar!

 

Ti ul siparin dhe përkrah meje

Lakuriqësia vesh xhaketë dimri

Nuk ësht’ kjo drama, por përkrah teje

Qëndron e vdekur një lule bliri!

 

Ti ngreh siparin, kur unë jam tretur

Në qiej ëndrrash jam mërguar

Nuk ësht’ kjo drama, s’ka të vdekur

Në një cep shpirti më je ngatërruar!

 

Ti ul siparin, ndal frymën koha

Jep shpirt e vdes në duart e mia

Kjo ësht’ dramë, kurrë s’e njoha

Puthjen që çon tek pavdekësia!

 

 

***

 

Not’e thyer e një kënge

Dejegjakosur në sy fëmije

Buz’e ngrirë e një ëndrre

Shpirt’i uritur dashurie...

 

Derë pahapur, erë paputhur

Rrugë pakthim, qorrësokak

Mall’i prangosur, gjirit strukur

Fjal’e pathyer që kullon gjak

 

Netë pagjumë, zemër paemër

Emër pavarrë që gurin kërkon

Trup lakuriq, qielli ësht’ femër

Qumësht drite prej gjirit pikon

 

Adam’i lindur, moll’e ndaluar

Ëndrra kufijtë s’i thyeu kurrë

Shteg’i mbyllur, parajs’e mohuar

Dhimbja nuse, altari torturë…

 

Stomaku i Evës prillin ma treti

Troke zhgënjimesh, kuaj pafre

Shpirtit të virgjër mëkat’i mbeti

Si gjysma e hënës që syri s’e sheh!

 

***

 

Ik pra, dhe udhë të mbarë

Ditët tona shkrumboi, bëj hi

Shpirtit s’mi ndeze dot zjarr

Ndaj s’ke as ç’të fikësh tani.

 

Ik e kokën mbas mos e kthe

Çalamane ish’ stina që shkoi

Stinët vdesin, ashtu edhe ne

Me kohë do t’vdesim njëlloj

 

…dhe lëri kryqet, lëri për varr

Kohën për flokësh kam kapur

Një ëndërr q'e thura më parë

Veç portën e vdekjes la hapur…

 

 

 

5 Komente

Poezi shume te bukura

Bukur vertet.

I lexova me kenaqesismiley

u kenaqa.te lumshin duart. te shijshme smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).