Mbarofsh sa ma parë ti shujtë a shajni e darkës së fundit qarkue prej emocionesh që ushqehen me mishin dhe gjakun tim, e përfundofsha mandej në zguerin e nji kohe të panjoftun ku gjanat janë vetëm fillime të pacënueme prej vullnetit a guximit. U shpërbaftë kjo natë e pasosun e u zgjofsha prej gjumi për të vërejtë përtej xhamave mjegullorë të ditës së re hijen tande që përpiqet të më buzëqeshë si dikur, por mos u rikthefsha kurrma në dikur, në këtë periferi të vogël ku asht vështirë me e kapë dallimin mes lëvizjes së ndjenjave dhe trafikut gulçues të jetës që kullon si jargë rrugëve nëpër të cilat kaloje. Besofsh ma në fund se ndjesitë tona janë organizma më vete dhe kanë jetët e tyne të pamvaruna prej anktheve e dëshirave çastnore, pafsha siluetën tande në kalim dhe mendofsha se asht fjala për nji prej fytyrave të zakonshme që popullojnë këtë sferë kozmike të randuem prej kutërbimit e pisllëkut. Kërkofsha në fizonominë tande tipare të njoftuna nji herë e nji kohë- e ani, më sëmboftë zemra e edhe gjunjtë m'u dridhshin prej ringjalljes vetëtuese të regëtimave të dikurshme, por gjetsha ngushëllim në idenë se, e pame përshqitazi, çdo fytyrë e kësaj bote na kujton doemos dikë që do ta kemi takue në ndonji premje tjetër kohore apo në nji tjetër jetë.

Më ndjektë vështrimi yt i mirë derisa të shndërrohem në një gjasend të vockël në fund të rrugës e t'u krijoftë përshtypja se rruga ku tkurrem përherë e ma tepër i ngjan një fjalie të shkrueme me gjakim, ndërsa unë thjesht pikës në fund të saj. Mos e marrsh me vete imazhin tim të plasaritun nëpër tanato beteja pambarim të jetës, por në gabofsh me e shtërngue sërish në gji, mos ta randoftë atë zemrën tande të ngrohtë pulsin e së cilës ende e kam në gjoksin tim si dhembje e pashërueshme që ma përtyp ambëlsisht shpirtin. Andërrofsh me u rikthye buzë atij përroit të skajuem ku shungullonin ujërat e emocioneve të mia të shkaktueme nga prania jote dhe gjetsh vetëm kufoma oshëtimash që s'kanë me të kujtua asfare atë që ti ishe dikur në festën e harlisun të zemrës, prejse toka e fortë e së sotmes sate ka me të qortue për rravgimet iluzore të ndjesive të dikurshme. Gapërrofsha sytë mbi honet e mjegullueme të kujtimit tand, por mos e dallofsha kurrë monopatin vezullues të andjes që njiherë e nji kohë më sillte tek ti e më bante me mendue se rrotull meje Zoti kishte zbulue bujarisht me mijëra mistere të vockla për të cilat më kot njerëzimi kishte shtrydhë mendjen tash mijëra vjet. Mos u përpjeksha kurrma me mbruejtë nji botë krejt timen ku ti nuk je, por vizatofsha ambëlsisht e pa angështi një planet të ri ku edhe ti ke vendin tand, por si çdo tjetër njeri i kësaj bote që nuk asht mësue me ecë mbi dhimbjen e të tjerëve! Më kumboftë në kujtesë muzika e hapave të tu që më bante me u ndi udhëtar qiejsh të rinj farkëtue prej dashunie, por qëndrofsha i paprekun prej sëmundjes së lumtun të joneve të saj dhe e ndigjofsha si çdo tjetër muzikë që të nxit me besue se diku rrotull jeta ende vazhdon.

E ndjefsha sërish lëkurën e butë të duarve tua të vogla që përhumben në të miat, por ngulmofsha se jam në nji andërr gjurmët e së cilës do fshihen saora prej rrezeve të ditës së re apo tingujve të jetës që lajmërojnë agime premtimesh të reja! Apo vdekjesh të reja. E dëshirofsha gjithmonë zanin tand ledhatar që ma drithëronte trupin e qënien, dhe mendofsha se asht nji nga ato zane që Zoti i mirë ka përhapë përmbi botë për të mveshë me kuptim hapsinat e zbrazta të zemrave njerëzore, anipse nuk ka me qenë ma fjala për zemrën time, zhvendosë tashma prej stuhisë së largimit tand. I ndjefsha përmbi vete vështrimet vezullore të bufave shndërrue tashma në ngërdheshje ironike, që me siguri do më rrëfejnë historinë e kalimit tand të shpejtë mbi relievet e topituna të harmonisë iluzore, u ngazëllefsha për do çaste me format e pranisë së kahershme që m'i kanë pushtue tana skutat e mendimeve ma të fshehta për t'u mbjellë në to si pasiguri të ambla, drithërofsha në kundërmimin e ftohtë të trandafilit shtërngator që asht mungesa jote dhe nxitofsha me u rikthye në të sotme ku kuptimi i jetës asht gurgullimë e një rrëkeje të padukshme që mbase përvidhet nën gjethet e verdha të ndonji vjeshte grahmuese a vëmendjes sime që hiqet osh kah pranverat e trillueme. E ndjefsha dhe e bekofsha pafundësisht tërsëllimën e asaj porte kohore që u mbyll tue mbajtë peng njerin prej nesh, por më sëmboftë edhe dhimbja që pasoi e pikëloftë tanë jetën prej këtij tavani të plasaritun që asht vetmia ime, prejse kjo në fund të fundit asht një nga mënyrat e pohimit të jetës. E shtërngofsha me mallëngjim në zemër ditën kur të pashë rastësisht në rrugë e nën nën nji qiell të ndrojtun vëmendjeje ku llamburiti dielli i pranisë sate të trishtueme, por dhe dridhjet e trupit, ortiqet e heshtun të ngashërimave, që s'di si munda t'i mposht për të mos ra sërish në gjunjët e tu të adhuruem ku jeta ime kishte me qenë prapëseprapë ma e mbrojtun sesa prej kësaj tollovie budallaqe emocionesh të stisuna përreth rravgimesh të dëshpërueme mbi tokë.

U ngashnjefsha jetësisht prej ishujve të dritës që krijove mbi detin tim të errët, dhe lundrofsha drejt tyne tanë pjesën e mbetun të jetës sime. U mbështjellshin kutullaç e grahmofshin përherë nën kambët e tua tanë gjarpërinjtë e rrugëve të mia që enden për me përhapë shpirtin tim nëpër hapsinë. Vezullofsh në kujtesë ti çast i mirë që sërish më solle afër frymëmarrjen e saj të ankthshme e duart e vogla që mbartnin dikur jetën time, ani pse në qiellin e vështrimit ende i pluskonin do re të largëta dhe rrotull ndjehej aroma e mirë e një kohe që më kot rreh të kthehet. Të dashunofsha tanë jetën time i kredhun në heshtje apo në zhurma tjera të kësaj jete të pakuptimtë, po prapëseprapë u zhvendossha larg, po larg prej rrugëve ku rastësitë kryqëzohen për të krijue qoftë dhe në mënyrë irreale format e ambla të portretit tand. Rrëshqitsh atëherë butësisht në ndonjenën prej atyne plasaritjeve të këtij truelli kohor ku mjerisht gremisen tana gjanat e mira të kësaj bote, e ku ujqit e ûntë të kujtesës sime nuk kanë me të gjetë kurrë por thjesht kanë me nuhatë dëshpërimisht nëpër ajër aromën e mirë të kurmit tand të largët. Apo fluturofsh.

Fluturofsh ma mirë nëpër qiej të tjerë ku vështrimi im s'të gjen, sepse ti dhemb Grua, dhemb si një pemë e blerueme mes shkretinës a peisazhit të rrënuem nga stuhia, si një korridor i heshtun që përtyp në vetmi hapa që s'rikthehen ma kurrë, si kjo letër e bardhë që po llangoset kotmëkot në përpjekjet për me shndërrue në fjalë psherëtima a ndjesi hyjnore, si borë e bardhë që mbulon bujarisht llomështinë e qorrsokaqeve të instinkteve, si dielli i kujtimeve që shfaqet e zhduket mes reve të palame të këtij dimri vetmie pa mbarim? U rrënofsh ti krenari e verbër që më pengove t'i shkoja deri në fund monopatit të ndjesive të fshehta e të thella, çka se ajo silueta e dridhshme që ende feks atje tej mundet me qenë fundi i kësaj agonie pikëlluese apo fundi im, dhe u shofshi ju shushurima t'ambla ujnash që më çonit dikur nëpër do limane galdues gjestesh të dashtun njerëzorë, të cilët pluskojnë tashmë dallgëve të horizontit si peshq të ngordhun. E prâjshi ju dërdëllitje të pareshtuna mendimesh e ankthesh e shpresash, që nën muzikën e squllun të shirave shoqëroni këtë qivur kujtimesh të dashtuna drejt varrezës së gjanë kohore. U mbështjellsha me diellin e ngrohtë të së mërkurës që u shfaq për me i ndriçue edhe nji herë ato luadhe të largëta kujtimesh ku ende bleron fshehtazi bari i dashunisë, dhe e marrsha me vete puhinë e ngrohtë të frymëmarrjes sate që rastësisht, krejt rastësisht m'i fshikulloi kuajt e përgjumun të gjakut tue i nxitë kësisoj në galopim të çmendun përmes një fushe të panjohun mjegullore. E ti më dëbofsh, më shtyfsh matanë sinorëve të kujtesës sate, që të mundesh me u prehë qetësisht nëpër hapsina ku unë mungoj, sepse ende më shporon dhimbja jote, ende pikëllohem kur vërej se dallëndyshet e vështrimeve tua fluturojnë ultazi dhe ndjellin mot të trazuem e largësi të ftohta horizontesh. I ndjefsh nëpër terrin e kohnave të reja duert e mia të verbëra që kërkojnë tuat, por u shmangsh prej tyre si nji drenushë e trembun dhe u mundofsh me e bindë veten se mjafton të shtysh portën ma të afërt e mundesh me u hedhë saora matanë andrrës apo matanë kurtheve të shqisave që ngrehen vetvetiu prej thirrjeve të dëshpërueme të zemrës.

Kangëzoftë ai zani yt i ambël e fërgëllues por dhe kumbim i hapave që të çojnë nëpër rrugë të tjera, e ledhatofshin nëmostjetër hijen time që endet përreth teje e përpiqet me të kujtue se qënia ime asht hallakatë tejendanë kësaj bote të vockël për të qenë kudo e askund. Vijofsha me u ndodhë rastësisht para pasqyrës dhe si përherë, më ndodhtë që të shoh në të jo fytyrën time t'arratisun prej dhimbjes, por tanden, tanden që ka mbetë e ndryme ne kornizën e nji buzëqeshjeje të përjetshme. Mbarofsh pra sa ma parë ti shujtë a shajni e darkës së fundit qarkue prej emocionesh që ushqehen me mishin dhe gjakun tim, dhe ia behshin sërish njëra mbas tjetrës ato karrot ngjyrëtrandafili t'agimeve të dikurshme që më çilembyll sytë më çonin larg, larg, ku fjala nuk mbërrin, në nji botë parajsore që mëkohet prej regëtimave të zemrës sate. 

 

Milosao

2 Komente

+1

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).