Vetmia

Një gazetar filantrop më thotë se vetmia është e keqe për njeriun; dhe, për të mbështetur tezën e tij, ai citon, ashtu si gjithë ata që nuk besojnë lehtë, fjalë të Etërve të Kishës.

Unë e di që Demoni i frekuenton me dëshirë vendet e shkreta, dhe që fryma e vrasjes dhe shthurjes përflaket mrekullisht te vetmit. Por, do t’ishte e mundur që kjo vetmi të qe e rrezikshme vetëm për shpirtin e ngeshëm e të përçartur që e mbush me pasionet dhe kimerat e tij.

Sigurisht që një llafazan, kënaqësia më e madhe të cilit qëndron tek e folura nga maja e një katedre apo tribune, do rrezikonte shumë të bëhej një i marrë i tërbuar në ishullin e Robinsonit. Nuk kërkoj nga gazetari im virtytet kurajëplota të Kruzoes, por kërkoj që ai të mos i mbulojë me akuza dashnorët e vetmisë dhe të misterit.

Në racat tona dërdëllitëse, ka individë që do pranonin me mosdashjen më të vogël dënimin me vdekje, nëse do t’u lejohej të mbanin nga maja e gijotinës një fjalim të buhishëm, pa u trembur se daullet e Santerre-it do t’u prisnin befasisht fjalën.

Nuk ua qaj hallin, sepse zbuloj se derdhjet e tyre gojëtare u sigurojnë kënaqësi të njëjta me ato që të tjerët i marrin nga heshtja dhe prehja shpirtërore; por i përçmoj.

Unë dua, mbi të gjitha, që gazetari im i mallkuar të më lejë të zbavitem pas qejfit tim. “Ju, pra, nuk provoni kurrë- më thotë ai, me një ton hundor tepër apostolik,- nevojën për të ndarë me dikë tjetër kënaqësitë tuaja?”. Shikojeni ziliqarin e hollë! Ai e di që unë i përbuz kënaqësitë e tij dhe vjen të futet më marifet te të miat, ky ters i urryer!

“Kjo fatkeqësi e madhe që s’mund të jesh i vetëm!…”, thotë diku La Bruyere-i, si për t’i bërë me turp të gjithë ata që ngarendin të përhumben mes turmës, duke pasur frikë se s’do mund ta duronin veten.

“Pothuajse gjithë fatkeqësitë na vijnë ngaqë s’kemi ditur të rrimë në dhomën tonë”, thotë, më duket, një tjetër urtan. Pascal-i, duke thirrur kështu në qelizën e prehjes shpirtërore gjithë ata mendjehumbur që e kërkojnë lumturinë te lëvizja dhe te një prostitucion që do mund ta quaja vëllazërues, po qe se do flisja gjuhën e bukur të shekullit tim.

 

Cila është e vërteta?

Kam njohur njëfarë Benedikta, që mbushte atmosferën me idel, sytë e së cilës përhapnin dëshirën e madhështisë, të bukurisë, të lavdisë dhe të gjithçkaje që të bën të besosh te pavdekësia.

Por kjo vajzë e mrekullueshme ishte shumë e bukur për të jetuar gjatë; ajo vdiq vetëm pak ditë pasi e kisha njohur, dhe unë vetë e varrosa, një ditë kur pranvera tundte temjanicën e saj gjer te varrezat. Isha unë ai që e varrosa, të mbyllur mirë brenda një tabuti të bërë me një dru aromatik dhe të pavdekshëm si sëndukët e Indisë.

Dhe, teksa sytë i mbaja ngulur mbi vendin ku ishte kallur thesari im, krejt papritur pashë një njeri trupvogël që i ngjante në mënyrë të habitshme të ndjerës e që, duke përplasur me një egërsi histerike e të çuditshme këmbët mbi tokën e shkrifët, thoshte duke u shkrirë së qeshuri: “Jam unë Benedikta e vërtetë! Jam unë, një maskareshë e madhe! Dhe, si dënim për marrëzinë dhe verbimin tënd, ti do më dashurosh kështu siç jam!”

Por unë, i tërbuar, iu përgjigja: Jo, jo jo! Dhe, për ta theksuar më fort refuzimin tim, e godita aq fort tokën me shutë saqë këmba m’u zhyt gjer te gjuri brenda varrit të porsabërë, ku, si një ujk i kapur në grackë, qëndroj i mbërthyer, ndoshta përgjithmonë, në gropën e idealit.

 

Përktheu Alket Çani

9 Komente

cdmth 'kimerat' dhe 'idel'?

thx. per prurjet,

smiley per ilustrimin

Origjinali:

J'ai connu une certaine Bénédicta, qui remplissait l'atmosphère d'idéal

Thjesht gabim "shtypi" me duket. 

 

Unë e di që Demoni i frekuenton me dëshirë vendet e shkreta, dhe që fryma e vrasjes dhe shthurjes përflaket mrekullisht te vetmit.

vrasjes=thanatos

shthurjes=eros

Edhe Bodleri e paskerka lexu Frojdin mer jau "... se Frojdi zotrie ...".

 

Pothuajse gjithë fatkeqësitë na vijnë ngaqë s’kemi ditur të rrimë në dhomën tonë”, thotë, më duket, një tjetër urtan. Pascal-i, duke thirrur kështu në qelizën e prehjes shpirtërore gjithë ata mendjehumbur që e kërkojnë lumturinë te lëvizja ..

Me thjeshtesi dhe gjenialitet Bodleri ka parashtruar dy korsite e zhvillimit te shoqerise njerzore ne nje skice kaq te shkurter. Mendimtaret dhe veprimtaret. Vetmia ne manastir,qelë, shpellë, shtëpi, ne mal , pra gjendja stacionare shikohet si mundesi meditimi, si mistike krijuese, si mema e artit, filozofise, metafizikes.(Buda, Muhameti, poeti ne vetmi te thelle kur shkruan, shkencetari i ngujuar ne laborator)

Nga ana tjeter, si do te ishte bota pa ata qe priren nga lumturia e levizjes ( udhetaret, shtegtaret,lundertaret,eksploratoret, aventurieret, pushtuesit)? Nuk do te kishim narrativen e Oidseut te Homerit pa aventuren e heroit ne Troje.Aleksandri Madh,Napoleoni, Magelani, Kolombi, eksploruesit e hapsires kozmike etj.kane ndryshuar boten.

Njerzit e stacionuar , dashnoret e vetmise jane Penelopa, thuresit e teorive, narrativave.Dashnoret e levizjes , udhetaret, eksploruesit jane te tipit Odisea.Por prape, situatat nderthuren sepse dija zgjerohet me b  te forta , te ngujohesh ne vetmi por edhe permes eksplorimit, kembeve te forta.

Sipas Pascal, njeriu vetmuar simbolizon vyrtytin, hapjen drejt hyjnores (mistiket) kurse levizja, verc andej e verc kendej, donzhuanizmin, degjenerimin e njeriut (prostitucioni vllazeror)

 

Te gjitha fatkeqsite tona vijne nga qe nuk mund te mos perpiqemi per te bere nje jete me te mire.

                                                                                                                                      heretik

 

Bodleri e ka zbut shprehjen e Paskalit, ne origjinal nuk eshte "pothuajse te gjitha fatkeqsite", por eshte tulle "te gjitha fatkeqsite".

Masanej eshte edhe kopjac, sepse origjina e ketij problemi eshte nje nga tregimet (3 faqe) me grandioz te Poes qe nuk ka lene shkrimtar pa ndikuar (tregimi) :

http://www.eapoe.org/works/tales/crowdd.htm

 

so nice smiley Karma eshte nje maskareshe, me pelqen kjo pershtatje.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).