(Në vendin e Fjalës së Lirë)

Prurësi i fundit, sidoqoftë, kishte qenë ndryshe, në sy kishte një ndriçim të marrë, ishte një çudi se si rojet nuk e kishin kuptuar shkarjen e tij. Nuk ishte i dhunshëm, për fat. Përkundrazi, i kishte folur shumë qetë.
- Unë nuk kam pirë asnjë lëng, - kishte thënë duke u ulur. – Kështu që nuk kam pse ju falenderoj.
- Po pse keni ardhur këtu, - e kishte pyetur Xhemi jo pa habi, edhe pse frika për ndonjë të papritur të pakëndshme nuk i ish fashitur krejt.
- Dua ndihmën tuaj.
- Nuk ju kanë ndihmuar në qendrën lokale të Zgjuesit?
Tjetri e kish parë në sy me një tallje të lehtë: “lëri këto”, kishin thënë qartë sytë e tij.
- A nuk do ishte mirë të flisnim pa doreza, - kishte thënë pas një heshtje të shkurtër, me një frymënxjerrje të shtruar.
- Nuk ju kuptoj, - ishte përgjigjur Xhemi, duke menduar që ishte koha të thërriste rojet.
- E di se ç’mendoni, - kishte shpejtuar të ndërhynte tjetri, duke parë nga zgjatimi i dorës së Xhemit që do shtypte butonin e rojeve. – Nuk jam provokator. As i çmendur… besoj. Nuk kam në trup asnjë aparat regjistrimi, nuk më kanë dërguar konkurrentët tuaj, ata të “Poetofer Inc.”, as “Homeri në ty PLC”, as “Zgjimi - i vërteti LLC”. Puna është më e thjeshtë dhe njëkohësisht më e ndërlikuar se kaq: nuk kam pirë asgjë dhe kam shkruar një roman. I cili mendoj se është i mirë. “Kështu thonë të gjithë”, e di që po e mendoni këtë. Edhe unë të isha në vendin tuaj të njëjtën gjë do të mendoja. Por a mund të merrni riskun të më dëgjoni sadopak? Lus Zotin që rreziku i humbjes së kohës suaj të sipërohet nga mundësia e dobisë prej meje… si t’ju them, a nuk mendoni që vetëm shtrimi i kësaj teze e meriton shansin e vet? 

Xhemi po rrinte pa lëvizur dhe kjo e stepi tjetrin një hop. Pastaj, duke u kujtuar se ngrirja e Xhemit ishte ku e ku më e mirë se sa një thirrje e rojeve, kapje për krahësh e flakje për dere përjashta, dorëshkrimprurësi nxitoi të kapte bishtin e fjalës së vet të fundit.
- E kam shkruar pa pirë, - tha, - a nuk keni dëgjuar që kur duan të flasin seriozisht dy veta thonë: le të flasim pa pirë? Kështu dhe puna ime. E shkrova pa pirë. Madje bëra kujdes të mos jem afër askujt gjatë shkrimit të tekstit, bëra çmos të mos dëgjoja asnjë krijim të “zgjuarish”, - aq sa kjo është e mundur, sigurisht, - pra bëra çmos të mos ndikohem nga asgjë. Të gjitha rreshtat e vjershave që më zinte syri doja të bëja sikur nuk i kisha parë kurrë! E, sikundër mund ta imagjinoni, ato më dilnin para sysh kudo!

Këtu ishte ndërfutur një frymëmarrje e shkurtër dhe një frymënxjerrje e gjatë, maskuese e mirë psherëtime. 
- Ju, zoti Xhem, mbase nuk mund ta merrni me mend se ç’tmerr ishte kjo, përfytyroni sikur të mundoheshit të mos dëgjonit kërkënd të fliste. Dhe kjo nga frika se mos romani më dilte i infektuar nga ethja e përgjithshme shkruese. Jo nga tjetër gjë. Ata rreshtat që për fat të keq më qëllonte t’i dëgjoja, më shkallmonin veshët, nuk dëgjoja mirë më pas, mbase do kem zhvilluar ndonjë alergji të veçantë, nuk e di, por kjo po bëhej e bezdisur, aq sa u detyrova të shkoja tek mjeku mos kisha ndonjë otisklerozë. Kam këtu faturat e mjekut…
Ai ishte bërë gati t’i nxirrte ato, por Xhemi e kishte ndërprerë: jo, s’është nevoja.

- Po kështu, kur lexoja ndonjë gjë nga gurgulli i pafund i shkruesve, më digjnin sytë, mu sikur shikon ndonjë ndonjë dritë lbyrëse. Provojeni, shihni ndonjë llambë të ndezur, më pas kudo që do të hidhni sytë, do t’ju digjet vegimi i dritës për disa minuta të mira. Kësisoj m’u bë sulmi i tekstit të të zgjuarve. Nuk e shqisja dot pamjen, djalli mori formën e paragrafëve të prozës, strofat janë edhe më të hidhëta, sepse si më të imta, ato mund të depërtojnë më lehtë kudo. Dhe ç’mund të jetë bekim si një kujtesë e mirë pamore, mund të bëhet mallkim më pas. Sepse problemi është se tanimë letërsinë e zgjuar nuk e kemi veç në biblioteka dhe librari, ajo është kudo. Rrugës për këtu pashë afishen e një reparti që prodhon karrike xunkthi, e cila thoshte se sot në pesë pasdite do të organizohet tubimi i tretë për vitin në vazhdim, për shpalljen e përmbledhjes fituese me poezi, tregime, si dhe novelës e romanit më të mirë nga punonjësit e repartit. Dhe është vetëm muaji Mars, o Perëndi! Viti pa hyrë mirë akoma. Po ashtu, tre autobuzë të mbushur dingaz me shkrimtarë e krijues, që unë me atë timen kam filluar t’i quaj “zgjimsa”, u nisën s’ka pak nga stacioni lokal për të marrë pjesë në takimin e përmuajshëm të shkrimtarëve më të mirë të dy komunave fqinjë. Fytyrat e tyre të gëzuara përshëndesnin nga dritaret, vetë autobuzët ishin lyer rishtaz me fragmente të veprave të fundit të tyre. Dhe të mendosh që secili prej tyre ka dalë fitues i një përzgjedhjeje paraprake mes poetëve dhe prozatorëve të zonës, që shpesh ështe një gjysmë mëhalle, ose dy shkallë pallati. Një fjali e kam ende në sy tani që po flas me ju, e meqë po ju shoh drejt për drejt, ajo po digjet mu mbi hundën tuaj. Thotë: “Ishte vit i mbarë të korrash ai, kur reja e korbave nisi të hajë thekshëm të lashtat”. A e dini që 64% e romaneve tani fillojnë pikërisht sipas kësaj skeme? “Ishte një e djelë e kthjellët Tetori, kur Gleni doli të blinte cigare”. Ose: “Ishte viti i tretë pas Olimpiadës, kur Ornela vendosi të dilte për një shëtitje në park”. Ose: “Ishte ende pa dalë pranvera, kur Geraldi vendosi ta lerë një herë e mirë duhanin”. Kjo e fundit ka edhe një mënyrë tjetër: “Ajo pranverë s’kish dalë mirë akoma, kur Geraldi, etj. etj. …”. Është e pamundur të mos jesh i ekspozuar ndaj letërsisë së zgjuar. Me këto doja vetëm t’ju thosha se sa mund më është dashur ta shkruaj këtë libër. Thonë që fëmijët e rritur me mundime duhen më shumë. Jam gati ta besoj në vend!
Xhemi po e shihte si i ngrirë. Ishte e pamundur të depërtoje në fytyrën e tij si prej xhami. Kjo duket seliste turbullimin, si dhe zjarminë në të shpjeguar të sjellësit të dorëshkrimit.

- Një ditë më ndodhi ajo që i ruhesha më shumë, - kishte vazhduar, - kisha pirë, por jo aq sa të quhesha i papërgjegjshëm. Dhe për dreq shkova e bleva atë kaush me hide tek një shitës rruge, fare afër kryqëzimit me drita trafiku të rrugës “Kokrra & Bathë”, dhe si i hëngra të gjitha hidet, në vend që ta flakja kaushin e mallkuar në koshin më të parë, e shpështolla si të ish një ferman i zi, dhe e lexova nga të dyja anët, duke e harruar krejt betimin që të mos lexoja letërsi të zgjuar kurrën e kurrës, të paktën deri sa të mbaroja këtë, – tregoi dorëshkrimin dhe vazhdoi me tonin e pohimit të një krimi të rëndë, - por po, e lexova. Edhe sot më dhemb ajo pjesë e trurit që ruan atë tekst të cilin bëra çmos ta zhdukja, më vinte plasje që harroja gjëra elementare dhe të rëndësishme, ku kisha lënë çelësin e shtëpisë, në ç’orë kisha takim me mjekun, por atë tekst assesi, ishte e pamundur, më ish ngulitur si një vulë e errët në tru, e kam menduar gjatë më pas, pse, si shpjegohet që ai tekst rri aty e nuk zhgulet, ndoshta nga frika e përhershme, thashë dikur e i dhashë dum që ishin pikërisht përpjekjet e mia për ta harruar që e bënin të pamundur harrimin, pasi përpjekja për harrim ka një kujtesë paraprirëse, meqë njeriu duhet të kujtojë çfarë do që të harrojë, njeriu në të vërtetë nuk e di ç’ka harruar, sepse po ta dinte… ju më kuptoni se ç’dua të them… (Xhemi për herë të parë kishte dhënë një shenjë komunikimi duke tundur kokën lehtë)… unë mund ta them çdo çast përmendësh atë dyfaqësh… mund ta them edhe në gjumë, mund ta them edhe tani (Xhemi u bë përsëri i papërshkueshëm, ç’ka e bëri tjetrin edhe më hezitues)… ja në s’më besoni: ajo donte të këlthiste dhe të fluturonte, por në vend të kësaj ajo ecte e lumtur, ecte në qytetin e saj me xhama që tashmë reflektonin gjithë qenien e saj, ecte dhe buzëqeshte. Ai e donte, me siguri, dhe retë e dyshimeve iu davaritën nga era e lumturisë, andaj ecte me hap të sigurtë, andaj asgjë nuk do ta ndalte, ishte e pamundur ta ndalte, ai e donte, e d-o-n-t-e, andaj pemët iu bënë si shokë të ngushtë që e përshëndesnin me krahët gazmorë të degëve, i pëshpërisnin: ai të do…të do… (Xhemi kishte bërë një shenjë me dorë për t’i thënë “mjafton, mjafton”), e pra, – kishte vijuar tjetri, - unë nuk e di titullin e këtij romani apo novele, a ç’dreqin është, por a nuk ju ka rastisur të dëgjoni një këngë të pabukur, e cila ju ngjitet e s’ju shqitet çfarëdo që të bëni për ta hequr qafe, dhe nuk mund të fajësoni kënd për të, veç vetes tuaj, e tillë është pra stihia e letërsisë së të zgjuarve me lëng, domethënë i letërsisë së sotme lëngore, domethënë induktuar nga lëngjet tuaja për zgjim shkrimtari të shquar tek kushdo, i tillë është tmerri i sasisë. Ajo “andaj” në tekstin e kaushit më ka përndjekur më zi se çdo diktator viktimat e tij, nuk thosha dot më “prandaj” – se “andaj” s’kam thënë kurrë, - pa më pushtuar një krizë besimi në përgjithësi, dhe kushdo që e thoshte, nuk bënte gjë tjetër veçse më zymtonte shpirtin, prandaj “(pr)andaj” m’u dogj si term dhe mbase nuk do ta ndeshni asnjëherë në roman, sepse sa herë rrekesha ta përdorja, më shfaqeshin ca vula të kuqe si prej skarlatine nëpër krahë, me siguri ndonjë reaksion alergjik i zhvilluar së fundi.

- Kemi një lëng, prodhim krejt të ri, të hatashëm, shumë të mirë për alergjitë e çdo lloji, - kishte ndërhyrë aty për aty me ton praktik Xhemi. 
- Jo zotni, - ishte përgjegjur tjetri, - këtu kam ardhur për tjetër gjë. Jua thashë që në fillim.
- Deri tani s’keni bërë gjë tjetër, veçse jeni ankuar për letërsinë, - ishte dëgjuar një zë nga një qosh i zyrës. Këshilltari i Xhemit kishte hyrë pa zhurmë. -  Jeni ankuar për bumin kulturor të popullit. Për zgjimin e tij. Me një fjalë jeni ankuar për suksesin tonë si kompani kombëtare.
- Doja të tregoja kushtet e vështira në të cilat është shkruar ky roman, - ishte gjegjur me ton mbrojtës prurësi i dorëshkrimit.
- Kushtet për të shkruar një roman janë lehtësuar më tepër se kurrë më parë. Kjo është një e vërtetë e pamohueshme. Numri i romancierëve është rritur në mënyrë marramendëse. Pastaj interneti… Si mund të thoni se kjo është një kohë e vështirë për romanin? E pakonceptueshme! Për poezinë në veçanti e sidomos, kohët janë të arta. Dhe e gjitha kjo, falë zgjuesve. Falë lëngjeve tanë.
- Për këtë kam ardhur, zotërinj. Për zgjuesin.
Xhemi dhe ndihmësi kishin parë të çmeritur njeri-tjetrin. Xhemi po bindej se i ardhuri duhej të ish ndonjë i çmendur, i arratisur nga çmendina lokale, ku autorët ishin të një lloji të veçantë, ata të gjithë mëtonin se nuk kuptoheshin, se ishin tej kohës së tyre, çka ishte pjesërisht e vërtetë, po të kihet parasysh se ç’mund të kuptohet me “tej”. Të gjithë e ndjenin veten të pavlerësuar prej moskuptimit e nga kjo kishin marrë pa përjashtim hijen e persekutimit, ata ndiheshin të përndjekur artistikisht edhe kur blinin cigare, kur hanin mëngjes apo kur kryenin nevojat personale, por sidomos e mbi të gjitha, kur jepnin intervista të nxjerra edhe nga guri, intervista të cilat i kishin shndërruar në ankimnaja dhe qarje kanine drejtuar hënës, një farë obituari të vetes që do pikëllonte edhe gurin e drurin. 

Njëri nga ata kish ardhur tek dera e zyrës së Xhemit para do kohësh, pasi një Zot e di si kish mundur t’u shpëtonte rojeve të të dy institucioneve, të atij nga u arratis e të atij të zgjuesve ku u bitis, dhe pa folur ishte shtrirë para derës së zyrës duke nxjerrë shuka letre nga gjiri, të gjitha të shkruara imët, ishin kryeveprat letrare që kishte shkruar “atje” (domethënë në institucionin e ndreqjes mendore), një kopje e vetme, se edhe luani ashtu, vetëm një luan pjell, hungërrinte duke i rrasur shukat e letrës në gojë, ky ishte edhe dënimi që po i bënte njerëzimit mosmirënjohës dhe shpërfillës që pëlqente veprat “kitsch” të Sorrushit, një autor i suksesshëm ky, përsëri me pseudonim ornitologjik, pas një tradite të themeluar tashmë që nga koha e “skifterit” që kishte çarë shtegun, dhe nuk vlerësonte veprat e tij, të cilat duhen merituar, thoshte midis kohës së gëlltitjes së shuqeve të letrës, duhen merituar, dhe ju s’meritoni asgjë, asgjë, këtu shuku tjetër rrasej edhe më përdhunshëm në fytin e malcuar ndërkaq, ajo që meritoni ju është e pëgëra nga dorëshkrimet, po, nuk kam ngrënë asgjë, për disa ditë kam agjëruar, kështu që e pëgëra të jetë e garantuar prej dorëshkrimi të pa lexuar kryevepre, që ta merrni, ta ndryni në konserva, dhe pastaj ta shisni, po shiteni, e kanë bërë edhe të tjerë para meje, fare mos u habisni, por jo të tillë ama, si unë, të pastër, njëqindpërqidshe e pëgërë kryevepre, pasi thashë, kam agjëruar, kam nxjerrë jashtë gjithçka mund të ishte produkt i botës suaj meskine, i realitetit tuaj të mbushur dingaz me gjëra të pashëndetshme, ushqime të shpejta, se kështu e keni bërë botën ju, një botë që konsumohet në këmbë, deri edhe seksi juaj i tillë është, me tableta, falluset tuaja janë të rremë, nuk reflektojnë shpirtrat tuaj, rrinë ngrehur edhe kur nuk ndjejnë asgjë, - janë simptomë  e jo shfaqje e dëshirës sublime që e bën specien tonë këtë që është, - edhe ajo mender letërsia juaj është e pëgërë që para tretjes, ndërsa realiteti im paralel që e prodhoj gjithë kohën me auran e burgut tim që është më i lirë se gjithë liritë tuaja të marra së bashku, realiteti im paralel është ndryshe, është e kundërta e gjithë këtyre, - këtu shuku i vërvitej gurmazit edhe më i dhunshëm, - ndaj edhe s’e meritoni, e shumta që meritoni është e pëgëra prej saj, merreni si një favor edhe atë, si një nder q’u bëj, sepse po e zbërthej, po e tres për ju, po e thjeshtoj, sepse unë jam ai që jam planifikuar të jem qysh në ngjizjen time, sperma që më zuri mua nuk ish rastësore e sidomos jo një spermë me tableta e lëngje,  jam një shkrimtar misionar, që kam bërë sikur e kam pirë atë mender lëngun tuaj zgjues të Dostojevskit në mua, por që të cilin e derdhja pa u vënë re, në një coitus interruptus shpëtimtar, që s’desh të krijonte një tjetër përbindësh tuajin, dhe flakonin bosh bëja sikur e pija, me kënaqësi madje, bëja sikur më shijonte, a ha ha ha, kur nuk e di fare si shijon ai lëng, po me siguri i pështirë do të jetë gjersa pëlqehet nga të gjithë, më keq se ushqimet e shpejta “kombo” nëpër shitoret e tmerrshme lyranjose që kanë mbirë kudo, në kombo të vërtetë me lokalet e “Zgjimit të gjeniut tënd të parapëlqyer në ty”…  

4 Komente

emo e lexova  dy here ! Ne kete stil  te shkruari  , ne kete "shperthim figurash" , ne kete te "pwgwrw kryevepre", je unik dhe ti je i vetemi shkrimtar qe po  hap brazdat e para te nje letersie tjeter,stili i te ciles mund te perkufizohet keshtu trashe  -trashe, qe merr maja nga tabani, nga letersia e kolloseve figura , ide, personazhe dhe wnwn( ate te situren e vrimes mikro) prej modernes, te ciles ke deshiren ta cingrisesh, ti heqesh brekuçkat apo ato fijet si rryip qe nuk ua ke permendur emrin, ti fusesh gishtat  edhe pse  te ka kaluar vakti i te prerit thonjve, e keshtu  duke prodhuar letersine, qe me ndonje perjashtim shume te rralle,  kete hena ..aha, te puthte hadha ne te dy faqet! nuk e vrasin ate pake mene qe u ka lene gjwene ajo shoqeri stersuese. 

  Me krijime te tilla ti po bombardon portat e dhomes gjumit te letersise shqiptare  ne keto 25 vite.Por edhe te  kohes   tere ketyre shurdheve, qe kane aftesine  te mbeten  ....atje ku ishin. Urime o mik !

ke gjet ndonjehere flori ne rruge ti grave ?

Letersi e rende, do ta quaja une. 

Nuk eshte per kete nivel te PPU . Dhe ne teresi te tilla mund te jene pas nje "profilizimi " te kesaj menyre te shkruari . Pra pas nje kohe dhe pas nje prodhimtarie te kesaj linje . Eksperiment i " prroit ....." ?

Ndoshta sh.Gjembi dicka mund te shohe me thelle pasi di dhe gjuhe te huaja dhe mund te na e xebertheje  "ndikimin e zgjusve prej Internetit "

një farë obituari të vetes që do pikëllonte edhe gurin e drurin. ...ngazellim dhe humor i brendshem i nje cilesie te larte smiley! ...kur mendon qe dhe i nderuari Here Tak Tik Tuk mundet ta lexoje dhe dhente zoti merr mundimin te beje ndonje nderhyrje me eros dhe thanatos

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).