Miqësia e Ibrahim Kodrës me poetin e njohur francez, Paul Eluard, në Milanon e vitit 1947. Shqipëria në kubizmin e Kodrës

Paul Eluard linte shpesh Parisin për të udhëtuar drejt Milanos. Në një foto bardhezi, ai shfaqet i veshur me pantallona të bardha, golf të bardhë, me një beretë që i ngjason telajos, teksa pi çaj në një bar me piktorin shqiptar, Ibrahim Kodra. Mbi tryezë janë gazeta të vendosura shkujdesur, ashtu si çanta në këmbën e Eluard. Fotoja është bërë në vitin 1946, kohë kur Eluard e shihte Milanon si një kthinë që e çonte lehtë për te poezia. Ai mund të shkruante, sa herë çohej nga bisedat e gjata në ato tavolina të thjeshta që kalonte me mikun shqiptar. Kjo pasi takimet me Kodrën për të ishin si të jetoje një histori. “Ajo përkulet mbi mua/Me zemrën e pastërvitur/ që të shohë nëse e dua/ dhe humb plot besim në ëndrra/ nën retë e vockla të vetullave…”, shkruan Eluard në poezinë “E dashuruara”. Vargjet e tij i ngjasojnë një tabloje. Teksa i lexon sot ti ndërton në mendje historinë sikur të jesh duke parë një tablo. Nëse Kodra i shndërronte vargjet në telajo të mëdha, Eluard i shkrinte në vargje…

Ka pasur gjithnjë një lidhje që ka bashkuar pikturën dhe shkrimin. Në mënyrë inkoshiente shkrimtarët kanë pasur një dobësi të ëmbël për telajot. Eluard në shënimet e tij, shprehej se pushimet e mendjes i konsideronte një humbje në sallat e mëdha të ekspozitave në Paris. Një pushim të tillë ai quante dhe Milanon, ku Ibrahim Kodra linte në gjysmë telajon, për ta vazhduar në një bisedë me Eluard. Studioja e Kodrës ishte vendi ku poeti francez i pëlqente të kalonte orë të tëra, sa herë vinte në Milano. Ky piktor sipas tij, kishte arritur të shndërronte në art, dhe t’i jepte emër një epoke përmes historisë së trashëguar nga vendi i tij. Pavarësisht se Shqipëria ishte një ëndërr e largët për piktorin, ajo ishte aq shumë e pranishme jo vetëm në biseda, por edhe në telajo.

Primitizmi që ai pikasi herët në telajot moderne, apo mënyrën ekspresioniste të të menduarit dhe të jetuarit, nuk ishte gjë tjetër veç një primitizëm që vinte nga rrënjët e tij, të cilin Kodra me elegancën e një mjeshtri kishte arritur ta shndërronte në modernizëm. “Primitivi i një qytetërimi të ri”, do ta quante Eluard në mediat italiane të asaj periudhe artin e Ibrahim Kodrës, dhe vetëm pak kohë më parë kritiku Raffaele De Granda do të shprehej se “Kodra është ai që sjell përvojën e gjatë, nga perandoria bizantike që ka trashëguar nga vendi i tij”.

Gazeta italiane “Postanonews.it” i ka kushtuar një artikull piktorit shqiptar, shoqëruar me foton me Eluard, për të vijuar më pas me komente të kritikëve të njohur të artit mbi atë çfarë Kodra solli në artin italian të atyre viteve, për t’u ndalur te ndjeshmëria që pati gjithnjë për të shkuarën dhe malli për vendin që u ndje në veprat që realizoi.

Nuk ishte vetëm Eluard ai që u tërhoq pas stilit të Kodrës. Pablo Picasso do të niste një miqësi të gjatë me të që pas takimit në vitin 1948. “Nënshkrimi i tij është një vepër arti”, do të shprehej Picasso teksa e quante miqësinë me Kodrën, si një ushqim për shpirtin. “Shqiptari im” do ta quante Picasso në biseda të gjata. Ai fliste aq shumë për Shqipërinë dhe pse e kishte lënë herët atë. Kujtesa e çonte gjithnjë atje në fshatin Ishëm ku sot prehet i qetë. Jo vetëm Picasso dhe Eluard, por dhe Quasimodo, Ungareti, Buzzati përpiqeshin të imagjinonin Shqipërinë e tij, përmes folklorit, rrëfimeve, Bizantit që gjendeshin në telajot e Kodrës. Kuadratet në tablotë e tij mund të shpjegohen më mirë nëse ndien atë shqetësimin e vazhdueshëm të artistit për dhjetëra copëza kujtimesh fëmijërie të mbetura përtej Adriatikut.

Në vitin 1973, Kodra mundi ta vizitonte Shqipërinë si të ishte një i panjohur. Ai udhëtim do ta çlironte disi mallin e gjatë, për vendin që kishte qenë gjithnjë me të. Një heshtje e pushtoi në kthim, që u reflektua në punët e realizuara në atë periudhë. Kodra do të rikthehej sërish në Shqipëri, por këtë herë si një artist me dimensionin e tij. Ishte viti 1996, ku feston dhe ditëlindjen e parë në atdhe, për të ardhur sërish një vit më vonë më 1997, ku hap ekspozitën e parë me grafika në galerinë “T&G”. Në vitin 2003, ai ekspozon në Galerinë Kombëtare të Arteve për t’u kthyer më pas përgjithmonë në dimrin e vitit 2006 si eter. Ibrahim Kodra është padyshim një nga personalitetet më të mëdha të artit shqiptar të shekullit të fundit, dimensioni i të cilit vijon të nxirret në pah çdo ditë nga kritika e vendit fqinj, dhe në atdhe kujtohet aq pak.

Shqipëria që ai e deshi aq shumë, sa e zgjodhi për strehën e fundit, duket kaq e vogël para madhështisë së artistit, që edhe nga bota tjetër vijon të “flasë për të”, përmes telajove që ka lënë pas. Asnjë përpjekje për ekspozitë të Kodrës në atdhe pas vdekjes, asnjë botim nga institucionet e artit mbi veprat e tij…

 

Shënim i ppu: Ka pasur disa ekspozita pas vdekjes së Ibrahim Kodrës: "Shqipëria Fantastike", me rastin e 100 Vjetorit të Pavarësisë; "Vizione të thella" me rastin e përvjetorit të shtatë të vdekjes. 

Ibrahim Kodra ka lënë pas rreth 6 mijë vepra, të shpërndara në muze private, koleksionistë etj. Vetëm 2 mijë prej tyre janë të regjistruara dhe të dokumentuara.

3 Komente

Qefli i modh Kodra. Kaskete me kuadrata, setra me vija te gjona, shalli rock&roll. Positano here we come!

Një titull kot!

Pse jo golfi i bardhë i Kodrës dhe çorapet e bardha të Eluarit?

apo:

çorapet e bardha të Eluarit dhe të Kodrës?

golfi i bardhë i Eluarit dhe i Kodrës?

etj.. etj..

smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).