Ishte maji i vitit 1998, kishte disa muaj që kishte dalë nga shtypi në Francë romani Identiteti i Milan Kunderës, kur autori ma dhuroi romanin në shtëpinë e tij në Paris, me autografin: Për Mira Meksin, me tërë miqësinë time. Milan Kundera, Paris ‘98. Po atë mbrëmje, në një sallë të shtëpisë botuese që botonte veprën e  tij “Gallimard”, organizohej ceremonia e dorëzimit të çmimit ndërkombëtar letrar “Kadare” Milan Kunderës – çmim që ishte krijuar dhe jepej nga i pari fondacion kulturor privat shqiptar, fondacioni “Velija”, të cilin e drejtoja. Ishte Ernesto Sabato, shkrimtari i madh argjentinas, laureati i parë i çmimit “Kadare”, ai që kishte propozuar Milan Kunderën për çmimin letrar shqiptar. Në sallën e vogël dhe të thjeshtë të “Gallimard”, ku njoha personalitete të kulturës franceze dhe njëkohësisht miq të Kunderës, si romancierin dhe eseistin e dëgjuar Philip Sollers së bashku me të shoqen, filozofen e njohur Julia Kriseva, romancierin, kineastin, dramaturgun dhe poetin e famshëm spanjoll, skenaristin dhe producentin e filmit “Viva la muerte” (Rroftë vdekja) Fernando Arrabal dhe të tjera personalitete të kulturës dhe mediave dhe ku ishte i pranishëm edhe Kadare, natyrisht, dëgjova për herë të parë të flitej edhe për Identitetin. Mbaj mend mirë se Arrabali ishte një nga të pranishmit që fliste me shumë entuziazëm për romanin e fundit të Kunderës; në një çast të mbrëmjes më pyeti nëse e kisha lexuar Identitetin. Supozohej që e njihja mirë veprën e Kunderës, çka ishte e vërtetë. Iu përgjigja se ende jo, sapo ma kishte dhuruar autori, por kisha ndjekur me shumë interes komentet që ai kishte bërë gjatë mbrëmjes. Atëherë m’u afrua dhe më tha në spanjisht: “Të ka ndodhur ndonjëherë ta ngatërrosh fytyrën e njeriut që dashuron në mes të turmës? Të të duket se gjen pjesë të tij në çdo fytyrë të huaj”? “Kjo më ndodh shumë shpesh”, iu përgjigja, “sidomos kur jam larg prej tij dhe më merr malli, por jo vetëm”. Qeshëm të dy. “Identiteti”, m’u përgjigj gëzueshëm.

Indentiteti

Shtëpia botuese “Dituria” porsa ka hedhur në qarkullim për lexuesin shqiptar romanin Identiteti të Milan Kunderës, një nga veprat kyçe të korpusit kunderian, në një botim dhe përkthim të ri. Nëpërmjet një historie të zakonshme dashurie, ku personazhet kryesorë janë Shantali dhe Zhan-Marku, Kundera thur temën qendrore të romanit të tij: temën e identitetit. Është një eksplorim i thellë i unit dhe identitetit njerëzor në përgjithësi dhe atij të qenies së dashur në veçanti. Ky eksplorim shtrihet përgjatë tërë rrëfimit të romanit, ku ngrihen shumë pyetje që nxisin përsiatje të thella me nuanca filozofike, të cilat, nga ana e tyre prodhojnë të tjera pyetje dhe të tjera përsiatje. Shantali, një grua në karrierë, që përdor dy fytyra, atë të vërtetën me bashkëjetuesin e saj, njeriun që dashuron, Zhan-Markun me të cilin shfaqet si grua antikonformiste, dhe atë hipokriten, konformisten, të cilën e urren, por që e ndihmon të jetë e suksesshme në punë, ngre pyetjet: cili është identiteti ynë i vërtetë? Jemi ata që duam të jemi apo që pretendojmë se jemi? Apo, në fakt, jemi ashtu siç na shohin të tjerët? Ndërsa Zhan-Marku, i cili jeton në kurriz të bashkëjetueses së tij, është antikonformist, simpatik dhe me humor. Ai nuk ka më ambicie dhe e konsideron veten si një të margjinalizuar të shoqërisë. Nga dialogu i tij me Shantalin: -Ta kam thënë njëqind herë që vendi im është krah atij lypsarit dhe jo krah teje. Unë jam në anë të kësaj bote. Ti, ti je vendosur në qendër. 

Zhan-Marku torturohet nga pyetjet: a e duam njeriun që dashurojmë për atë çka ai është në realitet, apo për atë çka ne imagjinojmë se është? A do ta dashuronim njëlloj nëse do të ishte ndryshe? A do të dashuronim po kështu një qenie tjetër që i përngjan? A do të vazhdonim ta dashuronim nëse koha e ndryshon? E kërkon Shantalin e tij në hapësirën e gjerë të plazhit, por nuk e gjen; e ngatërron pamjen e saj me pamjen e të tjera grave në plazh që i përngjajnë fizikisht, apo që i duket se i përngjajnë. Dhe përsiatet, duke dhënë me këtë përsiatje edhe thelbin e temës qendrore të romanit Identiteti: Të ngatërrosh pamjen fizike të së dashurës me atë të dikujt tjetër. Sa herë e ka përjetuar këtë tanimë! Gjithsaherë me të njëjtën habi: ndryshimi mes saj dhe të tjerëve qenka, në të vërtet, kaq i papërfillshëm? Si ndodh që nuk arrin ta njohë siluetën e qenies më të dashur, e qenies që është për të e pakrahasueshme me askënd tjetër?

Ai hap derën e dhomës. Më në fund, e sheh. Kësaj here, pa më të voglin dyshim, është ajo, por që sërish nuk i përngjan asaj. Fytyrën e ka të plakur, vështrimin çuditërisht të lig. Sikur gruaja, së cilës ia kish bërë me dorë në plazh, të zëvendësonte tani dhe përgjithmonë atë që ai dashuronte. Sikur të ndëshkohej për paaftësinë e tij për ta njohur.

Edhe në veprat e mëparshme Kundera e ka trajtuar unin dhe identitetin njerëzor dhe një jehonë fare e lehtë e tyre ndihet tek Identiteti, porse në këtë roman ai e rimerr temën e dashur për të dhe e trajton në një larmi variantesh nga më të paimagjinueshmet, duke na bërë të shijojmë një shumësi të jashtëzakonshme të pamjeve që shpërfaq kjo temë. Hap një dritare  të gjerë mbi njohjen e njeriut. Kritiku i tij, Rolandeau, i kujton lexuesit të Kunderës parathënien e tij për albumin me portretet dhe autoportretet e Francis Bakon. Ja ç’shkruan Kundera në parathënie: … Portretet e Bacon-it janë pikëpyetja mbi kufijtë e unit. Gjer në çfarë shkalle deformimi një individ mbetet ende ai vetë? Gjer në çfarë shkalle deformimi një qenie e dashur mbetet ende një qenie e dashur? Për sa kohë një fytyrë e dashur që tretet në sëmundje, në çmenduri, në urrejtje apo në vdekje, mund të njihet ende? Dhe ai shton fjalinë, e cila është edhe pyetja thelbësore e romanit Identiteti: Ku ndodhet kufiri, pas të cilit “uni” pushon së qeni “uni”? Dhe Kundera jep edhe përgjigjet e tij, pa dyshim që shpirti ynë pëson ndryshime nga ndryshimi i pamjes fizike për shkak të sëmundjes, halleve, dhembjes, moshës… Ndryshimi i pamjes fizike lë gjurmë në shpirt.

* * *

Romani hapet me një skenë ku flitet për “njerëz të humbur”, individë që, duke jetuar në gjirin e shoqërisë, zhduken një ditë pa lënë asnjë gjurmë. Si është e mundur, pyet Shantali, si është e mundur të ndodhë kjo, pyet Kundera, kur ne njerëzit jemi të përgjuar, të survejuar dhe të spiunuar në çdo çast të jetës sonë. “Na përgjojnë edhe në bark të nënës, kur jemi në gjendjen e fetusit”, thotë Shantali, “na përgjojnë edhe në varr”, shton ajo. Po historinë e Ajnshtajnit e di? Me shumë kujdes, ai kishte shkruar në testamentin e tij që ta digjnin pas vdekjes. Iu bindën, porse një dishepull i tij, besnik dhe i përkushtuar, nuk pranoi të jetonte pa vështrimin e mjeshtrit. Përpara djegies së trupit, ia nxori sytë kufomës dhe i vendosi në një shishe me alkool, që ai ta vështronte gjer në çastin kur ky vetë do të vdiste”.

Survejimi i intimitetit të individit në shoqërinë tonë ka shpënë në humbjen e individualitetit të tij; ndërkohë që mungesa e identitetit, ose joidentiteti, është kthyer në normë: masmediat, moda, promovojnë gjithçka që është banalitet në jetën e njeriut, jetën e tij biologjike, atë seksuale, duke bërë që të krijohen fetishe, ku të gjithë imitojnë një model të caktuar që shpie në konformizmin e përgjithshëm dhe në humbjen e identitetit tek individi. Shumë pak vend ka për unin, për individualitetin, kur pothuaj gjithçka në shoqëri është e organizuar “në kope”; edhe pushimet, edhe argëtimet, edhe puna; individi gjendet nën presionin e shoqërisë që jo vetëm e përgjon dhe e survejon në çdo fjalë e gjest, por edhe i krijon dhe i vendos para modele të gatshme për t’i imituar. Mimetizmi sundon gjithçka. Personazhet e Identitetit janë tërë kohës në kërkim të identitetit të tyre të vërtetë dhe luftojnë për të shmangur dhe refuzuar identitetet që u veshin të tjerët, apo që janë të detyruar të adoptojnë në momentet e lëkundura dhe të shqetësuara të jetës së tyre.

Në një kohë kur në shoqërinë njerëzore flitet më shumë për seks dhe pornografi sesa për dashuri, Kundera në këtë roman na jep një pamje konkrete, ndonëse të brishtë, të dashurisë. Kjo marrëdhënie nuk është rendja pas gjetjes se një personi që lipset të jetë alteregoja jonë, i ngjashmi ynë, por bazohet në njohjen, pranimin dhe respektimin e qenies së dashur ashtu siç ajo është realisht. Shantali dhe Zhan–Marku i largohen këtij parimi në një çast të jetës së tyre të përbashkët dhe kthehen në survejuesit e njëri-tjetrit, duke u bërë të huaj për shoqi-shoqin dhe duke e fshehur veten dhe qenien e dashur pas një kopjeje joreale, që kanë krijuar në mendjen e tyre, duke kapërcyer paq realitetit dhe duke hyrë në një jorealitet të dhembshëm.

Ndryshe nga e tërë vepra e Kunderës, në këtë roman realja dhe jorealja janë aq shumë të gërshetuara, sa shkrihen me njëra-tjetrën dhe nuk u gjendet kufiri. Dhe pikërisht këtë rrëfen Identiteti, faktin se ekzistenca jonë ndodhet në këtë kufi të vagullt, se mjafton një përplasje qepalle (koha e një përplasjeje qepalle) që ajo të vithiset në një jorelitet; mjafton një çast i vetëm që vizioni që kemi për botën dhe që na duket i qëndrueshëm, të kthehet në një delir fantazmor. Mësimi që na jep ky roman, thotë kritiku Rolandeau, është të dimë mirë se në çdo çast, sado i parëndësishëm qoftë ai, ne jemi të rrezikuar të humbasim identitetin tonë me aq mund të fituar, dhe të harrojmë kufirin delikat dhe të brishtë midis racionales dhe joracionales.

Identiteti, roman tërheqës dhe njëkohshëm tejet turbullues, është shkruar me një gjuhë të thjeshtë dhe elegante; stili është i përkorë, dhe çdo fjalë është e qëmtuar me shumë kujdes për të qenë instrumenti i filozofisë kunderiane par excellence, për të qenë përçuesja efikase e ideve të autorit, por mbi të gjitha, për të na grishur ne lexuesin, që jo vetëm të reflektojmë mbi identitetin tonë, por edhe të kërkojmë përgjigjet tona individuale për të.

8 Komente

smiley

ps: kjo per rhyrjen, se me shume nuk lexova.

C'ke me Belulin ti qe nuk tregon interes?

ne fakt nuk esht edhe se kam ndonje mendim shume te larte per Kunderen. por per kete e di fare mire qe jam komplet biased. 

sa per simptomen e hyrjes (se simptome eshte ajo), u lodhem, Blend. U lodhem. smiley

asisoji shkruan Kadareja, OK, po atij ia pranojme se jo vetem kane  ku i rrine gazrat e nxehta, por edhe se ai i sjell me nje pakete gjerash te tjera, shpesh te vyera.

Ma bej hallall. E di qe me duhet nje cike abstinence, dhe se duhet thyer rutina e mengjesit: kafe & PPU.

Kshu pra eshte kshu. Tani lerme te te tregoj sesi e kam njohur une Churchillin...

Qenkerkeni lodh ju mbas 20 vjetesh, si t'ja bej une qe jam lodh qe ne kohe te lloqeve Tek Guri. Maratone disidence ".. se identiteti zotrie ...".

Pranej i çik vrap bej une, juve ju del llapa!

 

Shume interesante kjo tema e identitetit. Psh gjeja e ka kufirin e identitetit ne molekule, po robi? Po nje popull i tere? 

how nice ... smiley

Atëherë m’u afrua dhe më tha në spanjisht: “Të ka ndodhur ndonjëherë ta ngatërrosh fytyrën e njeriut që dashuron në mes të turmës? Të të duket se gjen pjesë të tij në çdo fytyrë të huaj”? “Kjo më ndodh shumë shpesh”, iu përgjigja, “sidomos kur jam larg prej tij dhe më merr malli, por jo vetëm”. Qeshëm të dy. “Identiteti”, m’u përgjigj gëzueshëm.

kjo ma kputi shpirtin*, por edhe fillin e leximit. 

*tha nje fjale qe me kputi shpirtin...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).