Bernarda Alba, një grua e sertë dhe e pakompromis, do ta ringjiste në skenë më të fortë se kurrë. Ato të dyja u bënë bashkë, pazgjidhshmërisht, të paktën për 90 minuta mbingarkesë. Dukej sikur, në një fill të padukshëm e krejt të paimagjinueshme që tentonte të zgjatej në kohë e hapësirë, Lorka në Madrid e kishte shkruar enkas për aktoren shqiptare dramën e tij të jashtëzakonshme “Shtëpia e Bernarda Albës”. Regjisori Gëzim Kame i besoi rolin kryesor pa pasur në mend asnjë të dytë: “Ti dhe askush tjetër.” Pesë vajzat e tjera të “saj” me më të voglën, Adelën, që interpretoheshin nga Elvira Diamanti, Rajmonda Bulku, Flutura Godo etj., mbronin diplomën. Ndërsa ajo do ta mbyllte aktin e fundit të të njëjtës skenë me fjalët drithëruese: “Vajza e Bernarda Albës, vdiq e ndershme.” Pas kësaj, në një eufori të përgjithshme, të gjithë ata që e njihnin por dhe të tjerët që s’kishin dëgjuar kurrë për Justina Aliajn, do ta duartrokisnin fort...

 

Kjo ka qenë hyrja e një interviste botuar në gazetën “Shekulli”, në mesin e dhjetorit 2012. Që nga dita e botimit të saj, që vendosi dhe marrëdhëniet tona miqësore, Justina Aliaj, kjo grua elegante e plot sharm, më telefonon për të më ftuar të jem i pranishëm, në mënyrë korrekte e lineare, sa herë që ka një eveniment kulturor, ajo vetë apo dhe vajza e saj Flonja Kodheli. A ja kam prishur ndonjëherë e të mungoj në këto evenimente? Absolutisht jo. E para nuk gjej dot justifikim, e dyta dhe më e rëndësishmja është se kam kënaqësinë ta shoh gjithmonë në skenë, në mos me Bernardën e paarritshme, të paktën me zonjën Pernelë tek Tartufi, një rol i vogël por gjithsesi shumë dinamik, që ajo e luajti së fundmi në skenën e Teatrit Kombëtar.

E bëra këtë hyrje të dytë sepse prej kohësh më mundonte ideja se më duhet të bëja një portret të saj, jo me laps e letër, as me penel e bojëra vaji, por thjesht me fjalë dhe për më tepër i mbështetur në gjithë dëshminë që ajo vet ma pat dhënë në një intervistë të pazakontë e mbresëlënëse të sajën.

Justina Aliajt i kërkova një intervistë në vigjilje të festivalin 51 të këngës në Radiotelevizion. Ajo më tha se më priste atje ku qo qëndronte të bënte provën e radhës në skenë si një prej të zgjedhurave që do të përshëndeste. E gjeta në platenë me poltrona portokalli të Pallatit të Kongreseve. Epo... kongrese nuk bëhen më aty, por emri i ka mbetur i njëjtë që prej ditës së inaugurimit të tij edhe pse një artist si Ardit Gjebreja e ka pagëzuar “Pallati i Koncerteve”. Kishin kaluar plot 40 vite prej kohës kur ajo do të këndonte “Në ekranin e televizorit”, një kompozim i Agron Xhungës. Fill pas kësaj do të vinte dënimi. Një kalvar i gjatë problemesh, të cilat siç më tha vetë ajo: “Të binte rrufeja në Vermosh a Konispol, do të togëzohej tek Festivali 11”. Dhe të mendosh që humbja vinte pas fitoresh, sigurisht, ku duhet thënë se për shkak të talentit ajo, në një rast unik e të paparë ishte pranuar pa konkurs në degën e Dramës të Institutit të Lartë të Arteve.

Kështu e ka jeta. Thjesht duhet ta përballosh. Ndaj në këto raste shpejt e shpejt të kujtohet sentenca: “I ra gurit dhe... i ra njeriut... e mbajti...” Ajo padyshim bëri të njëjtën gjë.

Që prej Festivalit 11, që daton me fundvitin 1972, askush nuk do ta shihte më në skenë. Në autobusët “Viberti” të linjës Kinostudio-Kombinat, po. Çdo mëngjes madje, tek shtypej mes njerëzve të klasës punëtore, për të arritur në kohën e duhur tek reparti ku prodhoheshin mjete mësimore. Kjo ishte puna e saj e re, pasi Teatri e cilësoi “të padëshirueshme”. Ajo që u paraqit gjithë sharm në skenën e festivalit aq shumë të përfolur, nuk duhej të ishte më vetvetja. Me pak të kuq buzësh duhej të lyhej që të mos binte në sy dhe krem në fytyrë gjithashtu duhej të kishte më pak. E sa për modën e veshjes, padyshim; bluzë najloni e pantallona nga teritali i kombinatit “Mao Ce Dun”. Ditët e arta kur shijohej muzikë prej Bitëllsatve apo Rollingstonsave, teksa shihje një katalog mode duke qëndruar në permanent, kishin marrë fund. Në Radio e Televizionin e Tiranës, shiritat me zërin e saj ishin asgjësuar. Vendi në arkivin e mbetur bosh e kishte zënë me shpejtësi filmat skematik të studios së Pekinit. Ndërsa lart në Byro nuk kishte më qetësi. Stuhia me artin ishte sa për të hapur oreksin.

Tanimë ajo periudhë ka mbetur e largët gjithsesi. Kohët kanë ndryshuar skajshmërisht. Megjithatë në kujtim të një “brezi të humbur” Justina kërkoi t’i bënte homazh jo vetëm një kënge por krejt Festivalit, që solli jo pak andralla në jetën e saj të mëpastajme.

E ndërsa e pyes së çfarë ndodhi pas Festivalit me dy njësha ajo më thotë thjeshtë e pa asnjë mllef: Kënduam bukur dhe u dënuam. “Ne ishim krejt të sinqertë, madje duke ndjerë një lloj krenarie që ishim pjesë e zhvillimit të artit bashkëkohor në Shqipëri. Por ramë në pabesi”, më thotë. Natyrisht, nuk ishin pjesë e komplotit për rrëzimin e Komitetit Qendror. Ma trego pabesinë, këmbëngul unë. Ajo merr frymë thellë “Në mbledhjet ku isha e pranishme fillimisht gjykohej Todi Lubonja që ishte dhe drejtori i Radio-Televizionit Shqiptar. Më pas fuqishëm filloi gjykimin në pjesëza të vogla dhe aty e kuptova se edhe mua po më vinte radha. Skenari i të dënuarve u vu në zbatim në mënyrën më perfekte, d.m.th. në mënyrën më shkatërrimtare. Ndjeja se u bëra fajtore e pafaj. Çdo rrufe binte mbi atë festival. Të ngjethej mishi të pohoje me gojën tënde: “Po unë isha pjesëtare e Festivalit 11”.

Kishin kaluar 40 vjet sigurisht, sado të ishin ftohur gjakrat diçka nuk ecte natyrisht. Është një rrëfim i copëzuar, plot paranteza me sjellje e risjellje në mend të gjithçkaje të ndodhur. Justina e mban mend mirë kur i thanë se nuk e kishte vendin më në Televizion, duhej të kthehej në Shkodër. Në dosjen e saj ishte shënuar: “Për në Dukagjin”, thjesht ose për të dhënë mësim në ndonjë shkollë, ose për të punuar në ndonjë vatër kulture. Talenti i saj nuk kishte më vlerë. Skenat e mëdha ishin përmbytur..., jo nga uji, nga propaganda. Por ia bënë të ditur gjithashtu se duhet ta harronte muzikën e lehtë. Edhe kjo ishte akoma më e rëndë.

Justina më thotë se gjithsesi plani për ‘internimin’ në Dukagjin nuk u zbatua. “Bilal Paruca, që ishte kryetar i Komitetit Ekzekutiv në Shkodër ndërhyri për mua duke qenë se ai vetë më kishte dhënë bursën për në Liceun Artistik dhe Institutin e Lartë të Arteve. Kështu që mbeta në Shkodër në teatrin “Migjeni”. Qëndrova atje 4-5 vite jo më shumë. Kur u martova erdha sërish në Tiranë. Por nuk kishte punë për profilin tim në kryeqytet. Atëherë për 8 vite me radhë punova tek ndërmarrja e Mjeteve Mësimore”.

Ironia e fatit. Edi Luarasi, prezantuese gjithashtu në të njëjtin festival, do të punonte në rrobaqepësinë ushtarake. Punë e ndershme,sigurisht,  por jo për të talentuarit. Ata kishin tjetër mision.

Biseda jonë me zë të ulët u ndërpre. Drejt nesh vinte Sherif Mejdani. Ai gjithashtu ishte pjesë e përshëndetjes në festivalin 51. Ai gjithashtu ‘e hëngri mirë’ nga Festivali 11. Takohen në Justinën pas shumë vitesh. “Nuk më besohet që po të shoh”, thotë Sherif Merdani si kishte ngjitur krejt sport shkallët e platesë. Një përqafim miqësor e i përmallshëm. “Doja të të takoja në skenë, por ti ma dogje këtë etapë që kisha parashikuar”, ia kthen Justina. Dukej si një çast gati solemn edhe pse në platenë e zbrazët dëshmitar i vetëm isha unë, një gazetar i ndodhur në krah të Justina Aliajt, me kërkesën e zakonshme për të bërë një intervistë me të. Fonia ishte e lartë sa më s’bëhej. Provat vazhdonin. Festivali qe në prag, nuk bëhej më shaka. Megjithatë vështirë të shkëmbeje dy fjalë në një ambient të tillë. Por krijoheshin dhe pauza gjithsesi. Sherif Merdani kishte mbërritur për të bërë interpretimin e parë, pa prova studioje, drejt e te Pallati i Kongreseve. Ata vazhdonin të kujtonin detajet e 40 viteve më parë. Festivali i kishte mbledhur sërish. “Të mbahet mend kur thosha ndonjë batutë me spec për regjimin, ti ma ktheje: “Po mbylle gojën o t’u mbylltë!”, kujton Justina. Shkodrane vërtet, por korçaren e shkriu vetëm me një batutë. Sherifi qeshi dhe tundi kokën. Kjo do të ishte një frazë tepër domethënëse për këngëtaren e re në ato vite kur njerëzit e Sigurimit i mbanin veshët përpjetë. Nëse gjendej dikush ta denonconte, Gaz-i i Degës e çonte me shpejtësi drejt e në bodrumet e Ministrisë së Brendshme. “Janë 40 vjet në mes”, thotë Merdani i mallëngjyer. Karrierë e ndërprerë, burg e punë e detyruar. Duken si të harruara në kohë, por në fakt asgjë nuk harrohet.

Në çast Shpëtim Saraçi, udhëheqës artistik i festivalit thirri Merdanin në skenë. “Kam 40 vjet që nuk e kam dëgjuar të këndojë live”, më drejtohet Justina, meqenëse për rastësinë time ndodhej në një situatë të tillë që dhe po ta kërkoja, nuk kisha për ta gjetur dot. Sherifi mori mikrofonin në dorë e u përqendrua tek partiturat e tekstit, nuk kishte shumë probleme me zërin a muzikën. Mbaroi shpejt, vetëm dy prova dhe Alfred Kaçinari i dha shenjën “Ok”. Erdhi radha e Justinës. Ajo ndihej e qetë, kishte kaluar në provat e studios dhe ishte e gatshme të përballej me çfarëdo vështirësie skenike. Dy prova të shpejta dhe për të. Nuk e mundoi orkestrën dhe as dirigjentin. I njëjti zë, me një performancë shpërthyese skenike. Me sa duket 40 vite nuk ishin dhe aq shumë. Jetmir Barbullushi mbeti i kënaqur. Duket se suksesin e përbashkët e kishte futur në “xhep”.

Dalim. Përballë te “Qemal Stafa” është kafja më e afërt. Biseda vazhdon. Krejt padashur kemi kaluar në një kapitull tjetër. Mesi i viteve ’80 do të ishte më i mirë për të. Me një përpjekje të dhimbshme për të mbijetuar, ajo arriti t’ia dalë në krye. Në fillim një rol episodik, e më pas një karakter më të plotë në kinema. Në vitin 1985 do të shpërfaqte një rol kryesor dramatik. Pas kësaj, jeta do të ishte më afër realitetit të supozuar.

Fillimi i saj i ri do të niste me emërimin në Teatrin e Kukullave. Mbahet mend dhe aty, prej zërit karakteristik padyshim, sepse me maskën e bufit në kokë askush nuk do ta njihte tek “Ditëlindja e Bardhoshes”. Herë pas here i jepnin role të vogla në film. Nuk ishte e lehtë të çaje në Kinostudio. Dosja me biografinë mbahej në sirtar. Kujtohet me rolin e ‘kapos’ tek “Rrethi i Kujtesës”, tek “Vdekja e burrit” pati një rol më të madh. Dhe kështu fillon e zgjerohet galeria e personazheve.

Në vitin 1990 iu kthye sërish këngës. Këtë herë në Estradën e Tiranës ku Sulejman Dibra i krijonte mundësi herë pas here. Po shkrihej situata e ngrirë. Kënga që duhej të harronte, nuk ishte harruar. Ndërkohë iu rikthye skenës së festivalit me “Këngën e nënës”, një kompozim i Shpëtim Kushtës me tekst të Xhevahir Spahiut. Një pjesë e repertorit të saj kujtohet mirë nga të pasionuarit e muzikës ku spikasin titujt: “Mall për vendlindjen”, “Stacion i dashur”, “Në mbrëmjen e vallëzimit”, “ Unaza”, “Unë dhe shokët e mi”. Por vetëm kaq pasi në vitin 1991 do të largohej nga Shqipëria.

Sërish na duhet të marrim pak frymë para se të ndërrojmë kapitullin. Pak nga pak portreti i saj po merr formë...

Justina flet me krenari të ligjshme kur bie fjala për familjen. Më thotë se të gjithë, bashkëshorti e dy fëmijët u vendosën në Bruksel, Belgjikë. “Vajza ime Flonja Kodheli studioi për piano, djali Rubini për violonçel. Pas një viti djali shkon në Munih për të marrë pjesë në konkursin që zhvillonte konservatori ‘Riçard Shtraus’. I fitoi falas studimet. Por pas një viti shkojmë të dy bashkë në Nju Jork ku Rubini konkurroi në ‘Julliard School’ një shkollë unike në nivel botëror. Ai është dhe studenti i parë shqiptar që studion në këtë shkollë, ku dhe u diplomua. Tashmë ka një kuartet të vetin, me katër violonçela dhe një bateri, me të cilët luan muzike xhaz në Amerikë. Ndërkohë edhe kompozon. Jam shumë krenare për të. Ndërsa vajza që studionte në Bruksel për piano, pa dëshirën time, konkurroi në një shkollë për aktore në Paris, ku dhe u diplomua në akademinë prestigjioze ‘Florent’.

Aty u binda plotësisht pse Justina ndihej aq krenare për familjen.

Unë vazhdoj me pyetjet e mia: Si do të vazhdonte jeta juaj artistike jashtë Shqipërisë? Dhe Justina përgjigjet: “Sapo ika kam dashur të ingranohem me jetën time autoriale, kam luajtur në anglisht tek një tragjedi të Euripidit “Gratë trojane”, pranë teatrit “Off-Off Brodvvay” në Nju Jork. Janë nga ato teatrot e pafund, me salla të vogla, me audiencë jo shumë të madhe, ku gjithçka është e lyer me ngjyrë të zezë, madje edhe skena. Doja të shtoja se është shumë komode për një aktor të interpretojë përpara një publiku në distancë kaq të afërt. Mua m’u dha kjo mundësi”.

Po si këngëtare do ta gjenit veten diku? Edhe për këtë pyetje Justina dha një përgjigje mjaft interesante. Ose m’u duk mua të paktën, sepse në fakt ishte befasuese. “Po në këtë periudhë fillova të kërkoj rrugën e skenave për këngën. Kam kënduar në 8 gjuhë. Kam bërë disa recitale me instrumentistë të ndryshëm”. Në 8 gjuhë, e ndërpres unë i habitur. “Po po, madje dhe në kinezçe”, më sqaron ajo. Po ëndrra juaj në sirtar që u realizua në skenat e vendeve të huaja? “Doja të luaja rolin e një burri, - vazhdon Justina. - Një rol të tillë e luajta në Nju Jork, në teatrin e famshëm “Mama mia”, shfaqje e cila titullohej “Nobodysees”. Luajta rolin e Homerit, në dy gjuhë anglisht dhe frëngjisht. Ishte një vepër mjaft domethënëse, ku me pak fjalë aspironte se si Homeri do t’i shihte në ditët e sotme, të vëna në skenë veprat e tij “Odisenë” dhe “Iliadën”.

E kuptoj që jam drejt fundit. Unë e kompozoj portretin ashtu siç e dëshiroj. Ndonjëherë më duhen fare pak pyetje. Ndonjëherë shumë më tepër. Portreti mbetet aty. Dikush tjetër mund ta rikompozojë sipas një mënyre tjetër. Kjo punë s’ka fund asnjëherë. E pyes: Çfarë ju ka mbetur pa u realizuar? “Ëndrra më e bukur do të mbetet një ëndërr e cila vazhdon. Dua të bëj në Shqipëri një recital me fëmijët e mi, siç e kam bërë në Nju Jork. Por kam dhe një ëndërr tjetër në sirtar: ëndërroj të interpretojmë të dyja me vajzën, në të njëjtën skenë, në të njëjtën dramë... Është bukur ta kesh vajzën edhe kolege”.

Më thuaj një peng? Pa dyshim gjithkush duhet ta ketë një peng besoj unë ndaj nuk ndalem ta ngacmoj për herë të dytë. A keni një të tillë? “Po, e kam një peng, - çlirohet Justina. -  Do të dëshiroja që unë me fëmijët e mi të hipi në një skenë të projektuar prej bashkëshortit tim, Pjerin Kodheli, i cili ka qenë mjeshtër dekori në ish-Kinostudion “Shqipëria e Re”.

E bukur, mendova, e gjithë familja në skenë. Kjo po, është një ëndërr... e realizueshme padyshim.  

Ngrihemi. E quajmë të mbyllur intervistën. I them që të nesërmen në mëngjes të blejë një “Shekulli”. Edicioni qendror i gazetës do të kishte foton e saj. Justina qesh miqësisht. Dalim nga kafeja dhe nga pas lemë stadiumin. Mendoni që në Perëndim e gjetët atë që nuk e kishit në Shqipëri? Kjo ishte pyetja e fundit. Po e fundit fare. Nuk kisha ndër mend të vazhdoja akoma. Dy faqet e gazetës i kisha të tejmbushura. Madje më duhej të shkurtoja ca fragmente.“E them me plot gojën..., - më thotë Justina - ...se kurrë nuk arrita të jem e kënaqur me jetën artistike atje larg, ashtu siç e ëndërroja. Por gjithsesi, më e madhja ishte përmbushur sigurisht. E mbi të gjitha fëmijët e mi nuk i pyeti askush, e nuk i ndaluan të studiojnë në shkollat më të famshme në botë, pse nëna e tyre ishte e dënuar. Përkundrazi”.

11 Komente

Me behet qejfi qe te pakten kalamajte i paska te gjithe te rregulluar. Artiste e madhe ka qene, po ne kohe te poshtra.Brez i shkuar per lesh. 

well, simpatine per njeriun (te perforcuar nga fati i hekurt) menjane, te jemi fair dhe te ndershem: edhe nje artiste patetike me shume ne radhen e patetikeve tona te kryesuar denjesisht nga Margarita Xhepa.

Me kokrra jan ato të tamëmtat dhe të tamëmtit. S'te linte lukunia qe bertiste.

Po e di c'eshte nje pune? Une kujtonja se do e pushonin te bertituren kur iku "kulshedra e kuqe" qe te detyronte te kelthisnje. Gabim, aty filluan edhe me shume, biles edhe ata qe nuk para kishin bere shume nga kto anonimet me perpara, kur toka u nxi e balta zu thinje. Nisne nga ngasherimat kta mirush kabasherit e reshaterit, qe obobo, a kishnje veshnjë te degjonje.

Emo, Justina ka qene tip ndryshe. Po edhe Margarita ka qene aktore e madhe, po ajo qe po them edhe une, po edhe ti ne nje menyre tjeter eshte qe patetizmi ishte ne rolin qe detyrohej te luante. Ne nje vend tjeter padyshim qe do kishte me shume sukses. Tani me Sofia Loren apo me Merilin Strip nuk i krahasojme dot, po prap benin fert nga te tjeret. Per mu patetik ka qene brezi me i ri, Kanan Tafili me shoke qe u edukuan ne Institutin e Arte te Larteve sic quhej me vone, kurse keta te vjetrit mire keq te pakten ishin me shkollen ruse.

Me keqardhje, por nje mediokre duke filluar qe nga inteligjenca.

Dhe të mendosh që humbja vinte pas fitoresh, sigurisht, ku duhet thënë se për shkak të talentit ajo, në një rast unik e të paparë ishte pranuar pa konkurs në degën e Dramës të Institutit të Lartë të Arteve.

Diktatura keshtu ? 

Une e kam pa ne skene nen interpeimin e Luiza Xhuvanit dhe regji te Kico Londos. E kam pa ne tv dhe versionin qe thuhet ketu. Roza Anagnosti lun tek te dyja.

Versioni me Xhuvanin me ka pelqy me shume.

 

pjeter, meqe ti je nga ato ane.smiley, kjo zonja Justina Aliaj sec ka nje ngjashmeri fizike me te nerumin Gjosho Vasia.. kane ndonje lidhje familjare kete te dy?

Nuk e e di,biles as ngjashmerine nuk e kam vene re. smiley

Justina me shume eshte njour si kengtare se si aktore. Pas "fijet qe priten",ne kinematografi eshte shfaqur nga fundii viteve 80 ne nja dy filma.

Shume pretencioz me duket vlersimi i PF,kur thote se eshte aktore e madhe.

po mire, PF mbase e ka pare ne teater.

une kete nuk e mbaj mend si kengetare, por as si aktore.. madje tani qe po thua ti, paska luajtur te "fijet qe priten", prape spo me vjen ndermend..

me kujtohet nje film, serial i TVSH, "koha nuk pret" ku personazh qendror ka qene nje agjente, Beatrice Shmid, por nuk jam i sigurt nese Justina Aliaj ka luajtur ate rol.

Ne fakt aktore e madhe (relativisht) thashe per Margarita Xhepen. Justina kishte ze te bukur dhe ishte tip simpatik. Nese do kishte pasur nje kariere normale socialiste do kishte qene ne rangun e tre-kater me te mirave pa dyshim. Kenga e saj "Stacioni i dashur" ka qene nga kenget me te bukura shqipe te muzikes se lehte. (mos u genje nga fotoja e Vaces) smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).