Filmat vizatimorë: Nga “Kecat dhe ujku” te filmat e prodhuar vitet e fundit. Rreth 50 filma të animuar janë mbështetur këto 20 vite nga QKK dhe asnjë prej tyre nuk vjen në kujtesën e publikut

Historia e dy vajzave të vogla, Marias dhe Mirablës, që enden në qiellin plot dritëza, në krahët e një fluture dhe shtratin e një bretkose, do të ishte një ndër filmat vizatimorë më të ndjekur në Rumaninë e viteve ’80. Ndërsa revolucioni që do të sillte dhe rënien e komunizmit më 1989-n në Rumani në atë kohë dukej ende larg, gjuha e kinematografisë duket se i fliste së nesërmes. Censura ishte e fortë njësoj, si në filmat për të rritur ashtu dhe ata për fëmijë, por përmes subjekteve të zgjedhura, regjisorë si Elena Belyavskaya, kërkonin të edukonin të rinjtë me lirinë. I prodhuar në vitet ’80, “Maria dhe Mirabla” nuk ndryshon shumë nga filmat që prodhohen sot kur teknologjia është më e përsosur. Ka ngjyra dhe të fton të ëndërrosh duke ndjekur fluturimin e dy vajzave në qiellin e pafund.

Ndryshe ka ndodhur me filmat vizatimorë që janë prodhuar në Shqipërinë komuniste. Është e vështirë të zgjedhësh sot disa syresh, për t’i parë fëmijët. Përveç nostalgjikëve të asaj kohe, pak janë ata që ndalen të marrin filma të asaj periudhe për t’ia vendosur në ekran fëmijëve. “Kecat dhe ujku”, apo “Ndodhitë e Çufos” janë dy filmat më të klikuar në YouTube, duke u ndjekur nga “Kau dhe ujku” apo “Dhelpra dhe lejleku”. Përveç teknikës së dobët me të cilat janë prodhuar për shkak të kohës, këta filma janë një pasqyrë e qartë e stigmatizimit të artit. Për Bertrand Shijakun, autor filmash vizatimorë, nga pikëpamja artistike, filmat e asaj periudhe lënë për të dëshiruar, ndërsa nga ajo ideologjike jo, pasi në filmat e animuar shqiptarë nuk ka pasur shumë ideologji. Për 35-vjeçarët e sotëm, “Dhelpra dhe lejleku” apo “Arushi që kërkonte babanë”, një film që tregon historinë e arushit, i cili ka humbur shtëpinë dhe endet në pyll, duke u kërkuar ndihmë kafshëve, pasi ka harruar dhe emrin e prindërve, pavarësisht cilësisë së prodhimit mbetet një film i dashur, që i lidh me një kohë kur në ëndrra arratiseshin shpesh në pyllin ku humbi arushi.

Filmat vizatimorë, që me krijimin e tyre, kanë pasur synim edukimin. Është shumë i rëndësishëm krijimi i një bote imagjinare që do t’i shërbejë dhe përsosi botën fëmijërore. Por, nëse para viteve ’90, kineastët ia lënë fajin censurës dhe sistemit për mungesën e filmave cilësorë, çfarë ka ndodhur pas këtyre viteve? Deri në vitin 2012, janë rreth 48 filma vizatimorë të financuara nga Qendra Kinematografike. Vetëm një vit më parë, Qendra financoi prodhimin e tre filmave “Dega e vogël”, “Fareway” dhe “Sarah”. Pa hyrë në cilësinë e këtyre filmave, ata janë pothuajse të panjohur për publikun. Përveç shfaqjes në premiera që zakonisht frekuentohen nga njerëz të artit, pak prej tyre kanë pasur fatin të komunikojnë me shikuesin.

Edhe pse e sheh situatën në filmin e animuar më mirë se në katër vitet e shkuara, për Bertrand Shijakun problemi qëndron gjithmonë te shfaqja në ekran. “Problemi qëndron gjithmonë te shfaqja e filmave të animuar në Televizionin Publik Shqiptar dhe në televizionet private, pasi ata janë indiferentë ndaj filmave të animuar shqiptarë të prodhuar pas viteve ’90, megjithëse këta filma kanë marrë pjesë në shumë festivale në mbarë botën, dhe janë vlerësuar dhe me çmime apo janë shfaqur në festivale ndërkombëtare dhe kombëtare në Shqipëri. Besoj që në vitet në vazhdim këto televizione të bëhen më të ndjeshëm dhe t’i shfaqin filmat shqiptarë, të cilët nuk janë pak, por të shumtë në numër”, thotë Shijaku.

Vetë ai si regjisor ka realizuar katër filma të animuar për fëmijë dhe tre filma autorë, të cilët kanë marrë pjesë në festivale të filmit në Europë dhe botë, po kështu, shumë autorë të filmit të animuar kanë marrë pjesë në festivale ndërkombëtare. “Teknika e filmit tani ka marrë zhvillim të ri dhe filmi realizohet me metoda dhe programe bashkëkohore në format HD, BLU-RAY etj.”, thotë Shijaku, i cili më 10 qershor ka premierën e filmit të tij më të ri, financuar një vit më parë nga QKK, “Dega e vogël”. Një histori ku nuk mungon fantazia, por dhe morali aq i domosdoshëm në filma të tillë. Por cili do të jetë fati i “Degës së vogël” pas shfaqjes së premierës së të mërkurës? A do të ketë ajo fatin e gati 50 filmave të prodhuar këto vite? Ndërtimi i një terreni ku duhet të operojnë këto prodhime kinematografike është po aq i domosdoshëm sa dhe rritja e cilësisë së tyre. Pasi qëllimi i një filmi, qoftë ai dhe i animuar është publiku, dhe mungesa e komunikimit me publikun, i dënon ata me moskekzistencë.

2 Komente

E rrnun edhe artin e filmit vizatimor smiley

Filmat vizatimorë, që me krijimin e tyre, kanë pasur synim edukimin. smiley

Ja prandaj nuk ka me filma vizatimore ne Shqiperi.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).