Me vendimin që do të marrë sot për ndarjen mes partive të numëruesve të votave të 21 qershorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka në dorë të mbajë ende në këmbë një administrim me dritëhije të zgjedhjeve vendore ose ta trondisë atë ndoshta pa kthim.

Lajmet nga Pallati i Kongreseve lënë të hapur mundësinë e një skenari, që KQZ t’u japë tre numërues nga katër gjithsej, partive të koalicionit të Aleancës për Shqipërinë Europiane

Një ndarje 3 me 1 në favor të mazhorancës e njerëzve që do të certifikojnë votat e shqiptarëve rrezikon të provokojë padrejtësisht opozitën, e cila nga ana e vet mund të ndjehet e vjedhur në tavolinat e numërimit, ende pa nisur zgjedhjet.

Një konfigurim i katër numëruesve: PS, LSI, PDIU përballë një të PD, do të thotë kushte të pabarabarta loje, të miratuara në shkelje të ligjit, çka mund të ndezë fitilin e protestave të opozitës 20 ditë para zgjedhjeve dhe mund të hapë spirale që nisin nga bojkoti i tyre deri te mosnjohja e rezultatit të 21 qershorit.

Loja me interpretimet ligjore që po përgatit KQZ duke e konsideruar partinë e çamëve si pjesë të opozitës është vetëm një truk i trashë, që nëse ndodh, do të derdhë gotën e përdorimit të pushtetit nga mazhoranca në këtë fushatë.

Ndryshimi si me magji i balancës së KQZ në favor të mazhorancës dhe përdorja e kësaj shumice në favor të pushtetit do të përballet sot me ligjin zgjedhor, i cili shpjegon thjesht dhe qartë se: “Partitë politike që kanë të drejtë të propozojnë anëtarin e tretë dhe të katërt të Grupeve të Numërimit përcaktohen pas hedhjes së shortit në KQZ, ndërmjet listës së partive politike të shumicës parlamentare dhe listës së partive të opozitës parlamentare të regjistruara në zgjedhje dhe që kanë fituar jo më pak se dy mandate në zgjedhjet pararendëse për Kuvendin e Shqipërisë”.

Pra, për hisen e shumicës, anëtari i tretë i numëruesve duhet të ndahet me short mes LSI dhe PDIU, kurse i katërti i takon PR, sepse ajo është partia e dytë më e madhe e opozitës.

Loja gjoja ligjore se PDIU është pjesë e opozitës sipas zgjedhjeve të 2013 dhe se mes saj dhe republikanëve do të ketë short për një numërues, ka përballë faktin fare të freskët të regjistrimit të partisë së çamëve në koalicionin e shumicës, ASHE.  Me një interpretim të Kolegjit Zgjedhor të 2009-s po tentohet nga KQZ që mos të merret parasysh pozicioni faktik i PDIU, duke e renditur atë si pjesë të opozitës!

Sot KQZ ka në dorë të dalë nga këto interpretime me pasoja të rënda dhe të vendosë thjesht sipas ligjit, për t’i çuar zgjedhjet të paktën drejt një normaliteti alla shqiptar.

Ç'regjistrimi i kandidatit të opozitës në Kurbin, ku edhe nëse rifutet në garë pas vendimit të Kolegjit i mbeten vetëm 10 ditë kohë për fushatë, fluturimet e 3000 votuesve nga Tirana në Durrës për të mbushur me manipulim gropat elektorale, shkëmbimet e tapive të legalizimeve me kërkimin e besës para kamerave për votën mund edhe të kapërdihen në stomakun e prishur të zgjedhjeve shqiptare, nëse mbeten me aq.

Por një skenar që e lë opozitën vetëm me një numërues, është një shenjë që mazhoranca po   kapërcen kufirin e atyre që mund të quheshin zgjedhje të lira dhe të ndershme më 21 qershor.

3 Komente

Tre veta dhe prap ke makina llogaritse kan per te perfundu smiley

Uroj qe KQZ mos te marre nje vendim te tille.  Pra 4 numeruesit e votave te ndahen 2-2 si heret e tjera midis koalicioneve dhe jo 3-1.  Perndryshe procesi minohet qe ketu, duke patur parasysh mosbesimin e tejskajshem te paleve ndaj njera tjetres ne proceset zgjedhore ne vend.

Nga ana tjeter mbetem pesimist, sepse ndonese nuk ka bere ndryshime te anetareve te KQZ ne Parlament, mazhoranca e Rilindur ka pervetesuar kreun e KQZ ne nje menyre a ne nje tjeter, duke e Rilindur edhe Lefterine! Nga Lleshi, Lefterija e RIlindur edhe ne Media shfaqet ne lajme si Lefterie Luzi, a thua se eshte Luzja e Portokallise smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).