…Përjetimi epik i të qenit shkrimtar në Shqipëri, artikuluar prej Lasgush Poradecit në formën “poeti mban përgjegjësi për gjithçka”, përveçse u keqkuptua edhe u keqpërdor thuajse nga të gjithë. Nga njëra anë, kjo ndjeshmëri lëshoi mbi supet e shkrimtarëve një bekim-mallkim: atë të bartësit të vetëdijes së shpëtimtarit, të atij që veç fatit vetjak mbart mbi vete edhe fajin kolektiv. Të vetëndjerit hero ngarkoi me përgjegjësi sociale edhe aradhën e shkrimtarëve që ngatërruan kohën për të folur me kohën për të heshtur, kohën e shkrimit me kohën e dëshmimit, duke mbjellë në shoqërinë shqiptare atë farë të dobët, që sot harliset si kulturë e konformizmit, e shkrimit diplomatik dhe e mirësjelljes.

Druaj se edhe sot, pas mëse 100 vjetësh kjo mënyrë e të menduarit dhe ky përfytyrim i shkrimtarit të thirrun nën armë në thelb nuk ka ndryshuar. Ne nuk i duam shkrimtarët. Nuk i kemi dashur kurrë. Ata na duhen. Ne nuk i çmojmë ata. As nuk i përçmojmë. Thjesht i përdorim. Madje kur ata vetë na lejojnë, ne mundemi edhe t’i shpërdorojmë. Shkrimtarin e thërrasin vetëm kur kanë nevojë. Sa herë që na lipset kadencë atdhedashurie dhe patriotizëm i kulluar, kthejmë sytë nga shkrimtari dhe kudo: në sheshe e salla solemne, lexojmë me zë të lartë e me dorë në zemër vargjet e Naimit apo Fishtës a të poetëve të mëvonshëm patetikë. Sa herë që atdheu na pikëllon me marrëzitë, kapardisjen dhe trashamaninë qesharake, siç ndodh jo rrallë në Ballkan, ne u drejtohemi jo shtetarëve, por shkrimtarëve përsëri. Ndaj dhe e përmendim aq shpesh Konicën, Nolin, Mid’hat Frashërin. Ndërsa kur duam të shprehim mosbesim dhe dhimbë krenare për një popull, nën lëkurën e të cilit pakkush beson se rreh zemra e një kombi “që ndërton diçka të re”, lexojmë Migjenin dhe hakërrimat e Ali Asllanit. Shkrimtarët e metodës së realizmit socialist nuk citohen. Silentium est aurum. Ata ndihen të lodhur nga shërbimet.

Ç’ka romantizmi la pas si trashëgimi në sjelljen ndaj shkrimtarit, do i hynte në punë edhe totalitarizmit. Kjo trashëgimi romantiko-totalitare, që e vendos shkrimtarin në qendër të vëmendjes, që e mobilizon dhe e sheh si mbartës i fajit kolektiv, ndikon edhe sot në përcaktimin e marrëdhënieve që shkrimtarët shqiptarë kanë krijuar me të vërtetën, me veten, me tjetrin, me të ngjashmin, me të ndryshmin e vet, me kundërshtarin, me vendin dhe me rolin e tyre në këtë shoqëri.

Të detyruar, të ftuar apo të vetëofruar, shkrimtarët e tranzicionit shqiptar, sidomos ata që u përfshinë në politikë, iu rikthyen modelit të shkrimtarit të telekomanduar në distancë, për të cilët fjala vazhdonte të mbetej “bombë edhe flamur”. Ata që përjetuan privimin e plotë të së drejtës për liri njerëzore, por edhe ata që u privuan nga çdo liri e të shprehurit, bashkë me më të fundmit mes breznive të shkrimtarëve – “bijtë pa mëkatin fillestar”, siç e cilëson Adam Michnik brezin e lindur pas vitit 1991, u pozicionuan si kudo në Europën Lindore: sërish në gatishmëri të kauzës sociale, në dobi të interesit publik.

Rreshtimi në tribuna, uniformiteti i veshjeve, unifikimi i gjesteve dhe i pozave epike, nënshkrimi i peticioneve dhe deklaratave boshe, tonet kushtrimore të ligjëratave të tyre dhe prania e gjerë mediatike ruanin ende diçka nga reminishencat e asaj kohe kur shkrimtari si të qe një vullnetar i mobilizuar i përgjigjej “po” thirrjes nën armë. Nuk ishte një fenomen përjashtimisht shqiptar. Ishte rishfaqur në të gjithë vendet e Europës Juglindore dhe Qendrore gjatë viteve të para të pluralizmit politik. Por shumëfishimi edhe në vitet e mëvonshme i skemës së plotësimit të vendeve të Parlamentit me “njerëz të gojës e të penës”, të cilëve as që iu dëgjua ndonjëherë zëri në Parlament, përveç rikthimit të kulturës së të shërbyerit, solli në kujtesë “tangon e fundit të komunizmit” kur emëroi në postet më të larta shtetërore njerëzve inkompetentë, por besnikë.

Profili i shkrimtarit të sotëm shqiptar nuk e ka tejkaluar ende atë të shkrimtarit të angazhuar. Prirja e tij për të qenë me çdo çmim “njeri publik dhe i mediatizuar”, paraqitet si hakmarrja më naive ndaj shpërfilljes që shoqëria e re i bën shkrimtarit dhe “produktit” të tij letrar në Ballkan. I çmësuar me të qenit jashtë vëmendjes shoqërore, shkrimtari i sotëm pa medie ndihet me status të kërcënuar. Ndaj, si të ushtronte një lloj vaksinimi nga shpërfillja, shkrimtari shqiptar e kërkon përkrahjen, strehën, përkatësinë, anëtarësimin dhe mbështetjen jo tek letërsia dhe, por tek tribunat dhe te politika, që i sheh thjesht si votues edhe lexuesit më nazikë.

E megjithatë…, e megjithëkëto, nuk është shkrimtari delja e zezë e shoqërisë post-komuniste. Në një shoqëri si kjo e jona, e trashëguara, po aq sa dhe aktualja, shkrimtari është vështruar si njeriu të cilit nuk i zihet besë. Kjo shpjegon edhe faktin pse marrëdhënia e shkrimtarit shqiptar me pushtetet nuk ka qenë dhe nuk është aspak një vals, por një bashkëjetesë fatale me më të fuqishmit. Të jetë kjo marrëdhënie e tendosur vazhdë e një konflikti të hershëm moral të shoqërisë me njeriun e penës? Është paaftësi apo pamundësi e kësaj shoqërie për të dashur, pranuar apo kuptuar shkrimtarin? Apo kemi të bëjmë me një parashoqëri sadomazokiste, që kënaqet duke parë se si “ndërgjegja e dështuar dhe e parrëfyer e kombit”, përpëlitet dhe shqyhet përditë nga dhëmbët tipografikë të shtypit, nga çatallët dhe bulçitë e medieve televizive apo edhe nga varfëritë jo virtuale, në të cilën jetojnë shumë syresh?

Shkrimtari shqiptar (ky fëmijë jo i shumëdashur, por jo përherë i mirëpritur mes nesh) mund të thotë se i kanë munguar përkëdheljet, por jo ndëshkimet, që i kanë ardhur përherë me shumicë. Përballë tij është vendosur thuajse përherë një shoqëri dhe një shtet i pavëmendshëm, hakmarrës, shpërfillës. Si paradoks, përkrah tij është vendosur gjithashtu edhe një publik i papërgatitur për ta dashur shkrimtarin, për ta marrë nën mbrojtje kur ai ka pasur nevojë. Qoftë kjo dhe në mënyrën më të thjeshtë e më të drejtpërdrejtë që këshillohet në këto raste: respektimin e shkrimtarit përmes leximit të veprave të tij dhe mbajtjes gjallë të asaj kujtese që e mbron këtë marrëdhënie.

Drejtimi i gishtit të fajit në mënyrë përjashtimore vetëm ndaj shkrimtarëve, përndjekja, kërkimi i patentës së virgjinitetit vetëm ndaj tyre në një shoqëri të inkriminuar, hetimi i tij si sjellësi i vetëm i shëmtimit, tradhtari i kauzës, atij që gëzon famën e ligë të njeriut që nuk kënaqet, që vetëm kritikon dhe mëdyshet, i ngjan një genocidi përndjekjes, një homofobie. Shpirti cinik, gjetja e fajtorit, por moskuptimi i gabimit, nuk do të na ndihmojë të jemi një shoqëri më e lumtur, as më e drejtë dhe as më e mirë. Mendja qortuese na lipset të mos i rikthehemi gabimit historik.

9 Komente

Profili i shkrimtarit të sotëm shqiptar nuk e ka tejkaluar ende atë të shkrimtarit të angazhuar.

cfare domethene "shkrimtar i sotem shqiptar"? ne ka gje qe nuk mund te flitet me mesatare dhe te mesme, ky eshte artisti ne pergjithesi. per shkrimtarin "e sotem" mund te flitet duke u nisur nga autoret me te mire te sotem. gjithnje sipas mendimit te shkruesit te tekstit, pasi asnje nuk ka meter "miresie" ne dore. kjo eshte elementare. per ta, pra, flit nese jane te angazhuar apo jo.

per te mos thene pasandaja se kjo fjala "angazhim" eshte nje "misnomer" kolosal, sepse ka shume ane, i angazhuar mund te jete nje lake oborri, por edhe nje krijues i ndjeshem ndaj c'ndodh e c'ka ndodhur atje perjashta dhe qe jeton ne kasolle. Nje shkrimtar i paangazhuar ne te vertete do kishte profilin e nje thithlope apo breshke uji, qe do u kendonte natyrave te qeta dhe elementeve gjeo-klimatik. 

 “bijtë pa mëkatin fillestar”, siç e cilëson Adam Michnik brezin e lindur pas vitit 1991

smiley

Duhej te kishte thene "... brezin e lindur ngambrapa ..."  smiley

 

Drejtimi i gishtit të fajit në mënyrë përjashtimore vetëm ndaj shkrimtarëve, përndjekja, kërkimi i patentës së virgjinitetit vetëm ndaj tyre në një shoqëri të inkriminuar, hetimi i tij si sjellësi i vetëm i shëmtimit, tradhtari i kauzës, atij që gëzon famën e ligë të njeriut që nuk kënaqet, që vetëm kritikon dhe mëdyshet, i ngjan një genocidi përndjekjes, një homofobie. Shpirti cinik, gjetja e fajtorit, por moskuptimi i gabimit, nuk do të na ndihmojë të jemi një shoqëri më e lumtur, as më e drejtë dhe as më e mirë. Mendja qortuese na lipset të mos i rikthehemi gabimit historik.

Ky paragrafi ku shkrimtari lincohet nga shoqeria ben zink me kete tjetrin ku shkrimtari thirret si profet nga shoqeria:

Rreshtimi në tribuna, uniformiteti i veshjeve, unifikimi i gjesteve dhe i pozave epike, nënshkrimi i peticioneve dhe deklaratave boshe, tonet kushtrimore të ligjëratave të tyre dhe prania e gjerë mediatike ruanin ende diçka nga reminishencat e asaj kohe kur shkrimtari si të qe një vullnetar i mobilizuar i përgjigjej “po” thirrjes nën armë. ...Por shumëfishimi edhe në vitet e mëvonshme i skemës së plotësimit të vendeve të Parlamentit me “njerëz të gojës e të penës”, të cilëve as që iu dëgjua ndonjëherë zëri në Parlament, përveç rikthimit të kulturës së të shërbyerit, solli në kujtesë “tangon e fundit të komunizmit” kur emëroi në postet më të larta shtetërore njerëzve inkompetentë, por besnikë.

 

Shume konfuz je o Arian! Problemi eshte se pa u mediatizuar , askush nuk te lexon. Nga ana tjeter, kur   mbyllesh  ne kulle dhe   shetit detit/ liqenit me Cucin, do ankohesh se shoqeria na shperfill.Nuk u gjendet dermani ju shkrimtareve.

“Nëse deri në vitin 1989 botohej mesatarisht 122.5 letërsi, dëshira jonë për të qenë shkrimtarë e botues, mbas këtij viti, njeh rritje pothuaj eksponenciale. Kështu, gjatë periudhës 1990-1999, mesatarja është 413.9 letërsi /vit, ndërsa gjatë periudhës 2000-2009 kemi më shumë se dyfishin, 1087.4 letërsi/vit. Për periudhën e mbetur, 2010-2014, mesatarja është 574.6 letërsi /vit, por trendi është pothuaj i njëjtë, po të marrim në konsideratë faktin që kohëzgjatja është përgjysmë, pra, po të ecim me këto ritme, në fund të këtij dhjetëvjeçari mesatarja do shkojë në 1149.2 letërsi /vit”, – shprehet pas një hulumtimi që ka bërë Valbona Nathanaili, duke shtuar se vitet më të frytshme në botimet letrare janë 2007-2011. 

http://www.mapo.al/2015/06/letersia-shqi...

Lind pyetja: wtf është 122.5 letërsi?

“I gjithë tregu i letërsisë është si një lloj “vrime e zezë”, ku vetëm bien e bien romane e tregime, masën e së cilës po e rrisim nga viti në vit dhe gjithmonë e më pak dalin prej saj. Dhe jo detyrimisht letërsia më cilësore. Sepse brenda një vrime të zezë, thotë Stephen Hawkings, gjërat janë pak të çuditshme. Duke perifrazuar, së pari, sepse duke qenë jashtë, nuk jemi në gjendje të themi me saktësi çfarë ndodh brenda: kush ka kohë fizike t’i lexoj të gjithë këta libra dhe në fund të na thotë se cilët janë më të mirët? Për më tepër, kemi kaq pak kritikë letrarë dhe, akoma më pak, lexues të mirë. Së dyti, rreziku i rënies në këtë vrimë të zezë ka një fund të pashmangshëm, atë të humbjes përgjithmonë nga vija e horizontit. Sa libra janë botuar, lavdia e të cilëve ka zgjatur vetëm gjatë rrugës nga shtypshkronja në librari? I vetmi lajm i mirë është se duke qenë në atë vrimë me masë të pafundme, ndoshta një ditë, për shkak të rastësisë, i bie në dorë Agim Baçit, i cili gjen aq vlera sa të na thotë: duhet lexuar. Por sigurisht, jo në një kohë të afërt”, – përfundon Nathanaili.

kape i çik kte!

kape i çik edhe kte!

(pa i kap te dyja, nuk hyn ne Evrope)

 

Shkruantari i mir ta shet te verteten per rrenë. (Rrenat jane ku e ku me te besueshme).

 

Pastaj per kolonite e planetit te kuq, ja var sja var, bejn detyren si shkrimtar smiley

 

Nje shkrimtar e rref (zhdep) shoqerine e tij dhe nuk e perkedhel! Sepse ai nuk ka detyre vetem ti plotesoje kenaqsine shpirterore lexuesve, por edhe ti udheheqe ata. Ai, e shumta mund te kerkoje pakez mirnjohje nga njerezimi, pra nga nje pjese e shoqerise ku jeton dhe nga shume e me shume njerez ne shoqerite e ardhme. Kush kerkon mirnjohje dhe elozhe nga shoqeria ku jeton, nuk eshte shkrimtar por shkrues. 

Duket se MAPO do kete marre ndonje dore te mire parash nga kushedi c'fondacione te huaja, perderisa ka filluar keto ditet e fundit nje fushate idioteske dhe amatoreske, pa shembuj konkrete dhe argumenta, mbi letersine e dobet shqipe dhe autoret shqiptare te ketyre dy dekadave e gjysem. (Shiko edhe: Valbona Nathanaili: Ne "vrimen e zeze" te botimeve letrare ne gjuhen shqip.) E m.gj.th. eshte e drejta e tyre te derdellisin sa te duan dhe si te duan, letersia shqipe eshte me lart se sa ne e injorojme ate, dhe jo vetem me nje e dy emra, por me shume emra. Koha do ta tregoje.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).