Kambale që shkonin një Zot e di se ku, - hapat duhet t’i shikosh nga larg që të kuptosh drejtimin e tyre, ndërsa ai shikonte vetëm vrrullin e kembëve ecëse, të gjitha me të njëjtën ngjyrë të rrobave të zborit, e gjelbra që s’u bë kurrë kafe, as e verdhë, me pikëllim të bezhës mbuluar dhe të gjetheve të ullirit. Bojë vaj i tharë, tha me vete, kjo është ngjyra e saktë..., të paktën gavetat t’i kishin bërë me një ngjyrë më të gjallë, të kaltra të themi, ose ngjyrë dielli, por i njëjti kalbëzim gjethesh edhe mbi to, si dhe mbi paguret, që ishin aristokracia e pajimeve të zborit, me atë formën vezake dhe shijen e aluminit përfund, bekimi i vetëm në ckërkat e zhuritura për zvarritje taktike. Qesëndia e Turit se po shkonin mbrapsht udhës së evolucionit, pra nga gjitarë po shndrroheshin në zvarranikë, feksi një hop të shkurtër si refleks metali e më pas u zhduk në vorbullën e këmbëve që ecnin kuturu dhe ai asesi nuk po e merrte vesh ku ishte, dhe sidomos çfarë ishte e gjitha kjo: marshimin e bëmë një herë, tha me vete, ç’është kjo tani, mos këto marshime do të vazhdojnë kështu pa fund… Derisa të bëhen siç duhet, pra sa më afër realitetit të luftës së ardhshme popullore, me armik të vërtetë pas bokërimave të shogëta për zvarritje, ku gjendeshin vërtet ca zyra fshati të braktisura, me dritare që nuk ishin hapur prej vitesh dhe që me çdo gjasë nuk hapeshin dot më tani, “shtabi armik” me general të kapur rob në fund të situatës taktike, von Paulus që e fillonte situatën luftarake si Saulus. Armiq me përkufizim, pra me ushtri sulmuese e operacione luftarake, siç pothuaj çdo gjë tjetër që vinte nga jashtë, nuk kishte prej kaq e kaq kohësh, edhe pse për ta flitej paprerë dhe kudo. Ai kishte një bindje se oficerët duhet të ndiheshin si me turp për këtë mungesë, edhe pse gatishmëria e tyre vlente për një ditë të zezë. Kjo është gatishmëri zahireje, thoshte Turi. Krenari thasësh në magazina. Mbiemri “armiqësor” ishte me siguri më i përdoruri dhe i gjithëgjendshmi. Ja, ai nuk e dinte për ku shkonte ajo vorbull hapash, por me siguri që kishte lidhje me armikun, ose i largohej atij, ose e ndiqte atë. Këpucët u dhanë shumë të lustruara për të qenë të vërteta. Po sikur kjo të jetë një ëndërr, tha me vete. Jo, s’ka mundësi, s’ka mundësi.

Armiqtë po vinin, ç’është e vërteta. Në fillim pati një ndjesi faji, e cila gjithnjë i ntrashej në ndjesi vaji. Vaj që thahej. Ishte ndanë një dhiareje grunjërash, kur turqit po mësynin dhe pushtimi ndihej që ishte fatal. Ata po sillnin grurë Misiri. Ai e dinte me siguri që pushtimi i tyre ishte si një sëmundje fundore, mu siç dinte faktin që po kruspullohej buzë atyre të lashtave, e dinte se nuk kish më shpëtim as për 500 vjet që thonë, hapat e turqve dëgjoheshin qartë, toka trandej dhe ai qau pa zë, të qash në ëndërr është mirë, tha me vete, po ku ta gjente që kjo të ishte një ëndërr! Bimët tash e tutje do të ishin të një lloji të ndryshëm, bimë pushtimi, grunjëra me botanikë okupacioni, ishin një rastësi ato si ndonja 20 vite liri, që përkonin me moshën e tij, gjithë ç’ish më parë e më pas tyre ishin thjesht pushtim, me parmendën e vet dhe ata dy trarë paralelë rreth qafës, me toka të rënda si dhe mokra të zymta që bluanin çdo gjë me kockë e farë. Si do të hahej dot ajo bukë, ai miell i hidhur? 

Befas hapat u dëgjuan më të shpeshtë e të zhurmshëm, ca urdhëra të prerë në një gjuhë që nuk vinte e qartë se ç’ish, s’të linin të merrje vesh nëse ishin oficerët tanë apo ata armiq, të cilët nuk se kishin ndonjë dallim shumë të madh tani, ushtarët dhe oficerët tanët dhe të armikut bënin katër kategori, ndër të cilat, ai ndihej më i afërt me ushtarët e armikut se sa me oficerët e tij, sepse proletarët nuk kanë atdhe, mërmëriti, dhe as hierarki, pra armiku po vinte i ndarë më dysh, edhe pse urrejtja për të duhej të ishte një copëshe, e pastër, oficerët e huaj duhej të ishin ose me çallma, ose me monokla dhe dhëmbë qeni me cianur, që ta helmonin prenë me kafshim, domethënë popujt e sulmuar prej tyre, e ndërkaq Bullgaria nuk mund të futej kërkund në ekuacionet e situatës taktike, diçka ishte gabim në konspekt dhe në llogaritjet e artit popullor, nga Bullgaria vinin djathë dhe trëndafila, por jo zogj të hekurt lufte, dhe ky shqetësim shpërndahej kudo, ecjet e këmbëve e tregonin të saktë shqetësimin, një fërgëllim kambalesh, si krahë fluturash prehistorike, kur krahët kishin ende luspa. Një palë këmbë të njohura, për të cilat aq shumë kishte ëndërruar, u shfaqën me qëllimin për të ndenjur, për të mos ikur si të tjerat, ato e kishin pikasur, ishin këmbët e Mirës. Ajo u afrua, dukej e penduar, i pëshpëriti në rrëzë të veshit: “Si mund të mendoje se do të të braktisja”… Ai u rrënqeth, vazhdo të ëndërrosh, i tha vetes, të zgjohesh mos guxo, digju zjarr, e ti kazan valo. Ishte një buzë betoni ndanë rruge që mbiu papritur, ku dëgjoi zërin e saj tashmë edhe më të butë: “Të dua, por mos trego”. Por ti, ti… gulçoi ai pa mundur të vazhdonte më, çfarë unë, pyeti ajo me zë të mekur duke parë tutje, një shenjë e sigurt kjo që mund të ndrronte mendje, jo, jo, asgjë, nxitoi të thoshte ai dhe, me të dëgjuar këtë, sytë e saj u bënë përsëri përfillës, madje po e këqyrnin me një hare të brendshme…, kanë një filament femrat… kur duan… i cili iu ndizet e vezullojnë së brendshmi, pa shkëlqim, një regëtimë e butë petali, dhe ajo donte, kjo u kuptua aq qartë, sikur të kishin folur për ditë me radhë, ti nuk ishe rrotull, dëgjoi ai të folurën e saj prej trëndafilash, dhe ai donte ta miratonte me ç’të mundej, mirëkuptues deri në ngashërimë, po, po, nuk isha, por jam, jam tani, mirëpo nuk arriti ta nxirrte nga gjoksi atë shkulmë opali e shkumë kali, pasi ajo e tërhoqi nga dora me butësinë që do të thyente çdo shtyllë betoni e tra ekuilibri, forcë e pestë e natyrës, më e pashpjegueshme se graviteti, vinç e diagaç ushtarak, dhe ai filloi të rendte pas saj, si në ethe, gjersa hynë në një kthinë të braktisur, lyer me një jeshil përndritës, i cili nuk ishte i mpirë si jeshili tjetër prej dheu përreth, ku një stufë e stërmadhe po kallkanoste qymyr të vjetër me thinja hiri e të thartë tymi.

Kuptoi, ishte një kuzhinë luftarake. Një mesore që dilte prej saj si krah amebe të shpinte në një infermieri, ku garzat vareshin si cerga merimange në pritje të të plagosurve, por atij nuk i bënte përshtypje asgjë nga këto, Mira ishte aty, me dhëmbët e parë veçanërisht të mëdhenj, ndjenja e petalit u dha përsëri e fortë, ishte i ftuar t’i puthte ato buzë, të cilat iu dhanë me një afsh manushaq. Nuk do ta harronte atë ngjitje të butë mbi buzë, aq të shkurtër në shkarkimin e saj që mund të ngjyroste një jetë. Ajo iu largua përsëri, pasi toga e saj kishte një rreshtim, ai e ndoqi me sy, kërkoheshin disa pushkë të humbura, disa pika të hapjes nuk ishin zënë akoma, toga e tij duhej të përgatitej për të marrë armatim të rëndë, një shqetësim Dushani shtillej si një tym vjollcë nëpër këmbë, meraqe kombëtare vlonjatësh dhe mukajete të vjetra, çalltisje që na bënë me komb…, e me komb në grykë: ishin vonë për diçka që do të sillte humbje të pariparueshme, fytyrat e shqetësuara të shokëve të skuadrës kalonin rreth e rrotull, disa tela sustë-paraprurës kërcyen me një padurim spiral, e pamundur t’i fusje në strofkullat prej nga kërcyen, një oficer u dha i murrëtyer, jemi vonë tha, mirëpo atij nuk i bënte përshtyje asgjë,  të tjerët mund të bënin ç’të donin, ai ishte i lumtur përbrenda, ai kishte gjithashtu një filament që s’e paskësh ditur, ai kishte një ujdi të mrekullueshme me vajzën e dëshiruar, lufta kishte punën e vet, atë punë kishin njerëzit, mendoi, këtë punë kanë popujt, prej qindra vjetësh, të lëftojnë e dëftejnë trimëri… ndërsa një vajzë si ajo, me dëshirën si brinjë paralele, aq të përputhshme, e cila nuk pritej po ta spostoje ku duhej, por ngjitej në gjithë gjatësinë e pafund, s’ishte parë kurrë në planet, të tjerët mund të kërkonin transhetë e luftës së tyre, kurse ata të dy donin një vijëz sado të vogël, ku të futeshin, me një dëshirë, me një qëllim, të tjerët do të hidhnin kapotat e zborit mbi tela e ferra armike, kurse ai do të shtronte kapotën e tij mbi fundin e tharë të prroskës për Mirën, e cila do të shtrihej vezëllimtare si princeshë, me dy petalet e dhëmbëve të parë gjithë të çelura. Nuk mori vesh se ç’ndodhi, kishte nje lloj firasje të kohës, por ishte me ndjenjën që kishte bërë dashuri, një ngadhënjim i pangjashëm me asgjë, të cilin nuk do ta prishte kurrësesi, edhe sikur të mos zgjohej më kurrë, të flinte pra të madhin për atë ëndërr. 

Tani po ecte ndryshe mes kambaleve që turfullonin përreth, kishte një si ndjesi mbledhjeje ku sapo ishte kërkuar llogari me qortim të rëndë nga lart, nga të deleguar lartësish, shokët e togës seç rrezatonin një “qeder” e sëkëlldi të vjetër, “zarar” prej bizanti, të gjithë të përbashkuar rreth flamurit, të clit në këtë rast i binte theksi tek a-ja, ndërsa ai ishte i lumtur, shikimi i Mirës e ndiqte edhe pa qenë ajo aty, bullgarët dhe kirkizët mund të vinin kur të donin, ai jo vetëm ishte i pavdekshëm, por në dallim nga të tjerët rrotull, ai mund të ngrihej e të shkonte tek toga e gocave, që përgatitej po ashtu për sulmin “eventual” të armikut, dhe atje të kishte njërën që e priste, eksluzivisht; ndjenja e popullit të zgjedhur nga Perëndia duket të ketë diçka të ngjashme me atë të të qenit i zgjedhur prej një vajze të dëshiruar, - ai ishte i lumtur mes shqetësimit të përgjithshëm dhe nuk ndihej aspak keq nga kjo, e dinte që duhej t’i vinte turp dhe pikërisht fakti që s’i vinte dot turp e bënte të ndihej për turp aq mirë. Nuk do të mund ta përballonte një realitet tjetër veç këtij me Mirë të pushtuar. Turbull e ndjente që kjo mund të ishte e vërteta, mizore, tallëse, pa Mirë, por turbullira zgjaste vetëm një çast e pastaj zhdukej në vorbullën e kambaleve ecëse, ku fakti që Mirën “e kishte” ishte gjëja më e sigurt e botës. 

Diku ndjeu hapat e rëndë të Vlash tiransit, me të cilin mund të përballej tashmë si i barabartë, pa asnjë kompleks, e madje u bë gati për këtë, mirëpo ata hapa prej hekuri dukej se shkonin diku gjetkë. Ishte armiku. Gjigand dhe mekanik ecte me një dëshirë dhe një qëllim edhe ai, të cilit nuk kishte ç’t'i bënte asnjë armë kundërtanke. Dy vlonjatët që i vunë mina rrethanore si ato që shkatërrojnë zinxhirët, të mësuara në leksionet përkatëse të luftës populore me shpikje, racionalizime e pa ndihma nga jashtë, u vranë nga shpërthimi i pafat i shisheve me benzinë, në kokat e tyre gjaku rridhte i njëjtë si ai i zënkës “me kabashe”, qelqi i një shisheje vere dhe ai i një shisheje molotovi ishte tek e fundit i njëjtë, e po kështu edhe grupi i gjakut prej sherrit banal apo i heroit vojokushas, dhe e gjitha kjo ishte aq po aq shtypëse, ndërsa qenia armiqësore ecte me një ethe qartësisht seksuale, si dëshira e tij për të vajtur tek Mira, me atë ecjen që fluturon mbi rrugë si shenjti mbi ujë, dhe aty kuptoi që armiku ishte drejtuar vërtet drejt një mali, në shpatin e të cilit ishte një e çarë shkëmbi… aq e njohur dhe e panjohur njëkohësisht… U drodh: ishte “Vrima e Nuses” që kishte treguar plaku i trenit, armiku po vinte për të, të kobonte malin, që ishte në të vërtetë Shqipëria e dashur, që krahas nënës, kishte edhe tiparet e femrës. 

Armiku nxirrte disa rreze vdekjeprurëse, me siguri lazer, një teknologji e urryer, disa shokë të togës u vranë të prerë në mes e të përzhitur nga agresori, i cili me siguri kishte ardhur nga deti dhe po i afrohej shpatit me vaginën e gurtë. Më kot priti që në çdo çast dikush me nëntë plagë të dilte prej infermierisë e ta vriste më në fund predatorin. Asgjë e tillë nuk ndodhi. Në kthesën fundore armiku u zhduk nga pamja dhe me siguri tani ishte përballë me “Vrimën e Nuses”. U ndje një lloj shkundjeje si prej tërmeti, një afsh i ngrohtë dragoi në mungesë të gjigandëve të karboniferit, pastaj erdhi një bulurimë e thellë, si prej dinosauri të fundit. Me siguri "Vrima e Nuses", mendoi ai me pikëllim. Mali ishte përdhunuar, epërsia teknologjike e armikut, e shpjeguar aq herë në orët taktike, e kishte bërë të vetën, dhe pala jonë, megjithëse bënte një luftë të drejtë dhe mbrojtëse, nuk kishte arritur ta ndalte.  Kjo ishte e padurueshme, me gjasë një ndëshkim për lumturinë egoiste që pat provuar pak minuta më parë, atë “të shkoj me Mirën pa bota të përmbyset”… dhe bota ishte përmbysur vërtet. Pas kthesës dallohej njëri krah i shpatit me “vrimën” shkalafitur si pas një përdhunimi të nxehtë, bërë prapë magmë nga fërkimi me ushtën armike, një zjarr i vërtetë primitiv, që do të ftohej e bëhej gur sërisht, por me shqyerjen e radhës të ngrirë, labra dhune metamorfike, dhe kjo e bëri të zgjohej i mbytur në djersë, me shijen e llahtarshme të fjalisë së pathënë, por të menduar: Na e qinë kombin, o Turi!

Kapanoni heshtte me këmbëngulje, ndërsa përanash tij, shtrati fqinj marinar, një minotaur me kambalet e mbathura në të katër këmbët, po kulloste terr.

 

* Ilustrimi: Henri Rousseau Le Douanier, Fight Between a Tiger and a Buffalo (1908)
 

2 Komente

Qasje interesante. Jo vetem permbajtja me shenjat intertekstuale te kontekstualizuara ( me nje deshire me nje qellim, kapotat mbi tela, proletaret nuk kane atdhe etj.) por edhe forma e zgjedhur, endrra si gjuhe e te pavetedijshmes e cila lejon kalimin nga nje realitet tek tjetri.Vetedija e bombarduar me rreziqet e luftes  prodhon si per te ruajtur ekuilibrin pavetedijen e endrrave erotike.Me kete ndoshta shpjegohet perdorimi aq shume i klorit ne caj neper zbore, si mjet per te vene nen kontroll ngacimet dhe ngasjet erotike.

Armiku perceptohet si zaptues, pushtues i memedheut , tokes meme edhe ne terrmat seksuale, pushtues/pallues : Na qine kombin o Turi (mora shoqen e pushtova-L.P).Nje qasje tashme e mirehulumtuar nga Kadare tek Keshtjella por edhe  gjetiu.

Zbori asokohe ishte vetem nje sekuence virtuale e realitetit (rreziqet e rrethimit imperialisto-revizionist, populi ushtar, punojme e jetojme ne rrethim ) dhe simulimi e nguliste me teper imagjinaren (kercenimin nga jashte) si realitet i mirefillte. Shprehja me elokuente e ketij mekanizmi ka qene kenga e famshme : "Ne ne gojo te ujkut hedhim valle" ku ideja e rrezikut/ujkut sfidohej nga vallja/siguria. Gungat e bunkereve te shperndare neper te gjithe territorin shenjonin pranine e rrezikut dheprej tyre  perftohej njekohesisht ndjenja e sigurise.Iluzioni sigurise ngrihej mbi rrezikun imagjinar.

kjo eshte mbyllja e kesaj novele, te cilen e kam pas po aq per zemer kur e kam shkruar, sa edhe Cycket. smiley 

Kur ta botoj, ta premtoj nje kopje. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).