Do shtëpi në Shqipëri? Mjafton pak iniciativë dhe një numër i caktuar kushërinjsh, ose njerëz që hiqen si kushërinj. Ndërto ku të mundësh dhe qeveria jo vetëm do të të lërë, por edhe do të të japë tapi. Nuk ka rëndësi si quhet ai që drejton: Sali, Ilir apo Edi. Kanë kaluar 25 vjet qysh kur shqiptarët i gënjyen dhe u thanë se erdhi demokracia, dhe kryeministri i radhës, që nuk mungon të kombinojë veshjen me llojin e aktivitetit, apo edhe me zhvillimet atmosferike, vazhdon të shpërndajë certifikata e të legalizojë. I ngarkuari i posaçëm për këtë punë, Artan Lame ka qenë sot në Komisionin e Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, ku ka prezantuar ndryshimet në ligjin për legalizimet. Këto ndryshime i hapin rrugë legalizimit të 60 mijë ndërtimeve pa leje, ndërtuar në tokën e shtetit, apo të të tretëve, pas vitit 2009.

Deri më tani këto objekte nuk mund të legalizoheshin për shkak të ndryshimeve në Kodin Penal. Por Lame dhe Rama kanë nxituar të bëjnë atë lojë që bënte Berisha. Madje siç raporton TCH, “ndryshimi i ri do të bashkëshoqërohet edhe me një amnisti për mos penalizimin e këtyre ndërtuesve”.  “Ajo që kemi bërë, që i ndan kryeministri është për të rritur besimin e qytetarëve”, deklaroi Lame. Nuk dihet se çfarë do të thotë ky person me këtë deklaratë, por e sigurtë është se fjali të tilla dëshmojnë se kur vjen puna për të mbrojtur sojin e vet politik, të gjithë jargaviten njësoj. Pa dallim partie. “Qeveritë në fillim vënë afate, pastaj shtyjnë e shtyjnë afatet për shkak fushatash. Rilindja nuk paska ndonjë ndryshim”, tha Genc Ruli i PD-së, parti në opozitë e që ka luksin të bëjë gallatë. Siç raportoi Lame, nga 300 mijë objekte të mbetura, 200 mijë janë në zona informale dhe parashikohet të përfundojnë deri në vitin 2017.

Kjo iniciativë është kryekëput e kundërt me operacionin Fshesa që qeveria aktuale, ndërmori kundër ndërtimeve pa leje me të ardhur në krye. Kjo qeveri na detyron të gjithëve të paguajmë përmes buxhetit, dëmshpërblim për objekte si pallati i Vlorës, që ishte me leje, të cilin e shpall si absurd. Nga ana tjetër ndan tapi dhe legalizime si në kohën e reformës së 1945-ës, kur sapo hidheshin themelet e Shqipërisë së Re. Lojëra të këtilla me pronën dhe me të drejtën për të imponuar paligjshmërinë cenojnë paqen sociale dhe vënë në pozitë diskriminuese ata qytetarë që janë të rregullt dhe shlyejnë detyrimet e tyre.

Po a dëgjon njeri vallë për këta? Me sa duket jo. Nuk dëgjoka as ky Lamja, që ka mbushur një enciklopedi me shkrime kritike, ndërkohë që sot po dëshmon se edhe qeveria ku po shkëlqen me detyrën e tij, është as më pak e as më shumë si ato rubrikat e tija me të cilat u bë popullor tek “qytetarët” e Shqipërisë. Ja se çna lektonte dikur në një nga këto “Shqipni tavolinash” zotëria: “Një vrimë në ujë do bënte Obama e Merkeli në Shqipëri, po të vinin vetëm me idera e vizione. Të mënçurit po i hodhe në mes të të marrëve, pa u dhënë edhe mjetin për t‘i zbatuar mënçuritë e tyre, nuk vlejnë një lek. Të gjejmë Obamat tanë këtu mes shqiptarëve dhe, në se ky popull s‘është ende në atë shkallë zhvillimi, se në vënd të Obamave zgjedh Salinjtë, oburra, të mos lodhemi së bëri detyrën tonë për t‘ia arritur asaj dite”(https://www.shqiperia.com/shqip/opiniona...). Po pse more zotëri i lëçitur, populli e ka fajin? Ti the që ne do jemi si Obama dhe populli klithi nga gëzimi e ta dha votën. Po ja që ti na dole Sali pa...

4 Komente

Do ishte interesante replika smiley Te shohim ç'do thote Lamja.

Po gjykohesh ne liri Pjer? Apo ke fituar pafajsine?

Ka vetem nje rast te ngjashem, Zimbabwe. 

legalizimet baraz me vota, vota baraz me pushtet, pushtet baraz me konsolidim statusi paraje e kaste, paraja baraz me ruajtje te metejshme pushteti, cdv. myllet cikli.

Kur vjen puna te ruajtja e pushtetit te gjithe behen salinj, apo cme ka dhe te njejten karizem e pompozitet, me nje petk me qytetar ndoshta.

Ky e shte sistemi sot per sot

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).