Vetëm pak ditë pas denoncimit të skandalit me rimbursimin e recetave të falsifikuara, prokuroria urdhëron arrestimin e 10 personave, mes të cilëve zyrtarë e pronarë farmacish. Nëpërmjet recetave fiktive, të dyshuarit kanë përfituar 1.5 miliard lekë rimbursime për barna të pashitura, të cilat janë pasqyruar në receta me vula mjekësh të falsifikuara. Nën hetim dhjetëra zyrtarë e farmacistë.  Të enjten vonë dhe të premten ka vazhduar edhe procesi i arrestimeve. Në pranga edhe Drejtori i Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Pjerin Xhuvani

Skandali i rimbursimit të recetave fiktive që i ka shkaktuar shtetit një dëm prej 1.5 miliard lekësh, është pasuar me të paktën 10 arrestime nga radhët e zyrtarëve dhe personave të përfshirë në superskemën e mashtrimit. Pronarë farmacish, drejtues teknikë si dhe zyrtarë të Fondit të Sigurimeve përfunduan në pranga pas një hetimi disajavor të Prokurorisë së Tiranës, e cila arriti të provojë abuzimet me rimbursimin e recetave fiktive.

Burime të policisë pohojnë se “Task Forcë” në Prokurorinë e Tiranës ka lëshuar 10 urdhër-arreste për personat e përfshirë në skemën e mashtrimit, të cilët dyshohet se kanë përfituar rreth 1.5 miliard lekë vetëm në një vit. Në fokus të hetimit janë katër farmaci, të cilat përgjatë vitit 2014 dhe muajve të parë të vitit 2015 kanë paraqitur për rimbursim me qindra receta të falsifikuara pranë Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Këto receta edhe pse kanë rezultuar të parregullta e me vulat e mjekëve të falsifikuara, janë rimbursuar nga ana e Fondit të Sigurimeve, i cili ka bërë pagesat në llogaritë e pronarëve të farmacive fiktive. Deri tani janë evidentuar të paktën 4 farmaci, të cilat nuk plotësojnë asnjë kriter për të ushtruar këtë veprimtari, e megjithatë kanë mundur të përfitojnë shumën e konsiderueshme të parave në formën e rimbursimit.

Skema është zbuluar fillimisht nga Njësia Antikorrupsion pranë Kryeministrit, e cila në bazë të informacioneve të mbërritura ka kryer një kontroll pranë Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Zbulimet e para ishin tronditëse, pasi pronarët e vetëm katër farmacive fiktive kishin përfituar shumën e konsiderueshme të parave nga zyrtarët e Fondit të Sigurimeve.

Hetimet e kryera nga njësia “Task Forcë” në Prokurorinë e Tiranës konstatuan se farmacitë janë në pronësi të vetëm dy personave, ndërsa në skemën e mashtrimit përfshihen drejtuesit teknikë të tyre, si dhe zyrtarët e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Dyshimet e para për abuzimin që kap vlerën e 1.5 miliard lekëve bien mbi zyrtarët e Fondit të Sigurimeve, të cilët jo vetëm kanë pranuar receta fiktive me vula mjekësh të falsifikuara, por kanë bërë rimbursimin e tyre në vlera të konsiderueshme. Prokuroria është treguar e rezervuar rreth detajeve të hetimit, por mësohet se gjithë abuzimet dyshohet se janë kryer përmes disa farmacive fiktive dhe recetave të falsifikuara.

Nga hetimet e deritanishme është arritur të provohej se skema e mashtrimit funksiononte në këtë formë: Farmacitë paraqisnin receta fiktive me vula mjekësh të falsifikuara pranë Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, i cili pa kryer asnjë verifikim mbi këto receta, kryente procedurat e rimbursimit dhe kalonte pagesat në llogaritë e subjekteve. Nisur nga ky zinxhir, prokuroria e ka patur më të lehtë të përcaktojë përgjegjësitë, të cilat nisin nga pronarët dhe drejtuesit teknikë të farmacive fiktive e përfshijnë edhe disa sektorë në Fondin e Sigurimeve.

Bëhet fjalë për sistemin e hedhjes së të dhënave, sektorin e pranimit, atë të kontrollit dhe sektorin e rimbursimit, për të cilat ka dyshime se janë përfshirë në skemën e mashtrimit me recetat e falsifikuara të barnave mjekësore. Edhe pse recetat kanë qenë fiktive dhe një pjesë e farmacive fantazmë apo të paregjistruara në QKR, pronarët e tyre sërish kanë përfituar paratë e rimbursimit, të cilat iu kanë kaluar në llogaritë e tyre bankare. Farmacitë që nuk kanë adresë, mësohet se janë rimbursuar në shumën e 55 milionë lekëve të reja nga buxheti i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, por këto ilaçe nuk janë shitur kurrë.

Në të gjitha rastet bëhet fjalë për medikamente mjaft të shtrenjta, që variojnë nga 300 deri 800 mijë lekë të vjetra. Të njëjtat burime saktësojnë se janë falsifikuar vulat dhe firmat e rreth 80 mjekëve. Disa nga mjekët janë pyetur nga organi i akuzës dhe janë shprehur se nuk i kanë firmosur kurrë ato receta. Prokuroria në të vërtetë nuk ka gjetur asnjë lidhje mes tyre dhe skemës së ngritur.

Në këtë skemë dyshohet se janë përfshirë edhe zyrtarë të nivelit të lartë, të cilët po hetohen tashmë nga Prokuroria e Tiranës.

Të enjten vonë dhe të premten ka vazhduar edhe procesi i arrestimeve. Në pranga edhe Drejtori i Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Pjerin Xhuvani

 

Të ndaluar deri tani

P. Xhuvani, Drejtor i FDKSH

E. Mara, Juriste pranë Drejtorisë Rajonale të Fondit

K. Mahmutaj, Punonjëse pranë Drejtoria Rajonale e Fondit

H. Roci. Administrator i Farmacisë, Lundër

M. Tufi, Drejtuese teknike e farmacisë Lundër

N. Thanasi, Drejtues Teknik i farmacisë “Nutrimed”

A. Spahiu, Drejtues Teknik i farmacisë Bërzhitë.

A. Manaj, Drejtuese Teknike e farmacisë “Adelina”.

7 Komente

Nderkohe ai Zv/Drejtori nga fshati i Taulant Balles eshte ende i lire: Koncidence ? I think not.

Ne burg te shkojne te gjithe. 

Besoj se 1.5 miliard leke qe permend shkrimi i mesiperm duhet te jene te shprehura ne te vjetra. Dhe po te jete keshtu, i bie qe abuzimi apo vjedhja e konstatuar deri tani kap vleren e rreth 1.1 milion Euro. Nese jane lek te rinj i bie rreth 11 milion Euro. Pozitive eshte se kjo vjedhje u konstatua nga kontrolli i brendshem i qeverise dhe ishte kjo e fundit qe e denoncoje ne prokurori. Por, ajo qe me ben pershtypje per te keq eshte menyra shume e kollajt e vjedhjes. Pra, mjafton te dorezosh receten, ndoshta edhe nje kupon tatimor dhe hopa disbursohesh menjehere. Po dokumentin apo faturen qe farmacia vjedhese duhet te kete per keto ilace te blera nga depot farmaceutike pse nuk kerkohet ne dosjen per rimbursim psh? E them kete se sigurisht qe duhet te kete nje udhezim apo urdher te brendshem per menyren dhe dokumentat qe duhen pergatitur gjete procesit te rimbursimit. Ky udhezim eshte pergatitur ne qeverisjen e rilindjes apo ne ate te saliut? Nese eshte qe nga koha e saliut mundesia eshte teper e madhe qe eshte bere i tille qe te favorizoje vjedhjet dhe abuzimet. Mirpo, ne disa raste kam vene re (te pakten ne sektorin e bujqesise) qe udhezime skandaloze per tendera te bera ne kohen e qeverise birisha jane edhe sot ne fuqi. Kam frike se qellimisht nuk i shfuqizojne dhe ti ndryshojne pasi jane premisa per abuzime, apo per te favorizuar klientet e tyre. I bej thirrje kryeministrit te shikoje mire kete problem per sa kohe ka LSI-ne ne bashkeqeverisje.

eshte vjedhje qe as te sales nuk guxonin ta benin, sepse mundesia per tu zbulu eshte teper e madhe, per vete menyren si funksionon procesi qe ka shume hallka.

Kjo tregon qe ata qe bejne gjera te tilla, se pari kane guximin qe vjen nga mbeshtetja ne olimp, te zotat e pushtetit, dhe se dyti qe qeveria nuk kontrollon dot asgje dhe ka mungese aftesie e neps per korrupsion ne aparatin qeverises ne te gjitha hallkat.

Po mire kush e zbuloje kete skeme vjedhje?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).