Burg drejtorit Xhuvani e pronarit të një farmacie. Dosja e plotë e prokurorisë për 4 farmacitë

Dy arreste me burg dhe tre masa “arrest shtëpie” vendosi dje Gjykata e Tiranës për përgjegjësit e skemës së mashtrimeve me ilaçet, teksa prokuroria përshkruan rrethanat e rimbursimeve që shkaktuan miliona lekë dëm. Nga ana tjetër, Lëvizja Socialiste për Integrim vendosi të shkarkonte kreun e LSI-së së Elbasanit Pjerin Xhuvani, i cili është njëkohësish drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore të Tiranës, një prej të akuzuarve kryesorë. Ndërkohë, pronari i katër farmacive fiktive, Hysni Roci, e ka pranuar mashtrimin me ilaçet e rimbursueshme dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me drejtësinë, por me kushtin e lirimit të personave, emrat e të cilëve i ka përdorur në farmacitë e tij fiktive. Me anë të recetave të falsifikuara janë vjedhur vetëm në Tiranë rreth 500 mijë euro në 4 muaj.

Masat nga gjykata

Ditën e djeshme, Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë për 9 personat që janë akuzuar për skemën e ilaçeve. Kështu, masa “arrest me burg” është dhënë për Pjerin Xhuvanin, drejtor i Fondit Rajonal dhe administratorin e farmacive, Hysni Roci, të cilët konsiderohen si personat kryesorë të kësaj skeme mashtruese. Për tre punonjësit e fondit, Edlra Maraj, Keti Mahmutaj dhe Frida Lamçe, e njëjta gjykatë vendosi masën “arrest shtëpie”. Për katër drejtuesit teknikë të farmacive, togat e zeza vendosën “detyrim paraqitje”. Frida Lamçe, specialiste e kontrollit pranë Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor për Rimbursimin e Ilaçeve, nuk e përmbajti dot veten, duke derdhur lot në seancën gjyqësore, kur po fliste avokati i saj. Referuar palës mbrojtëse, punonjësja Lamçe ishte e detyruar të firmoste dokumentet. Sipas avokatit, eprorët e saj e kanë detyruar të firmoste, duke e kërcënuar me pushim nga puna. Frida Lamçe akuzohet për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre. Prokurori i çështjes i kërkoi gjykatës masën e arrestit 15 ditë burg për Frida Lamçen. Më tej, për t’u njohur me masën e sigurisë, u paraqit ish-drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore të Tiranës, Pjerin Xhuvani. Ai akuzohet për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre.

Skema e mashtrimit

Më 22 maj 2015, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal që bën fjalë për veprat penale të “Mashtrimit në subvencione”, “Falsifikimit të dokumenteve shëndetësore”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale” e “Shpërdorimit të detyrës”. Nga studimi i akteve rezulton se pranë Drejtorisë Rajonale të Fondit të Tiranës është paraqitur kërkesa për të lidhur kontratë me fondin nga subjektet farmaceutike Lundër, Bërzhitë, Nutrimed dhe Adelina. Punonjëset e Drejtorisë Rajonale të Fondit, duhet të zbatonin procedurën e përcaktuar në ligj dhe aktet nënligjore në fuqi për vitet 2014 e 2015. Sipas këtyre akteve parashikohet se kur subjekti farmaceutik paraqet kërkesë për lidhjen e kontratës, titullari i institucionit ngre grupin e punës të përbërë prej tre personash (jurist, farmacist dhe ekonomist). Ky komision ka për detyrë të verifikojë zbatueshmërinë e kritereve të lidhjes së kontratës e të shqyrtojë nëse farmacia ka plotësuar të gjitha kriteret. Një nga këto kritere është që farmacia të ketë jo më pak se 60 për qind të barnave të listës alternative të parë. Punonjësit duhet të shkojnë në vendushtrimin e aktivitetit të farmacisë për ta konstatuar këtë. Procesverbali i verifikimit nga grupi i kontrollit në terren bëhet pjesë përsëri e dokumenteve që do të shqyrtohen më pas nga komisioni, me qëllim lidhjen ose jo të kontratës. Nga këqyrja e praktikave dokumentare vihet re se titullari i institucionit ka lidhur kontratën me 4 farmacitë, në objekt hetimi, pa u zbatuar procedura e rregullt. Veprimet e Pjerin Xhuvanit, në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore janë identifikuar në vendimmarrjet për lidhjen e kontratave me farmacitë Bërzhitë, Lundër dhe Adelina. Nga hetimi ka rezultuar se komisioni është i përbërë prej Edlira Marës, Keti Mahmutajt dhe shtetasit E.C. në cilësinë e përgjegjësit të sektorit të rimbursimeve. Në të tria dosjet e këtyre farmacive, E.C. nuk ka dhënë mendimin e tij. I pyetur nga organi procedues ky shtetas ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni lidhur me këto praktika. Sipas akuzës, urdhrat dhe procesverbalet e saktësimit janë fiktiv dhe përmbajnë të dhëna të rreme në formë dhe përmbajtje. Në këto procesverbale të nënshkruar nga Frida Lamçe, Edlira Mara dhe F.B. pasqyrohet fakti se është kryer kontroll në vendushtrimin e aktivitetit, në prezencë të drejtuesve teknik Mimoza Tufi, Arens Spahiu dhe Adelina Manaj, dhe se në këto farmaci ndodhen gjendje 60 për qind të barnave. Nga hetimi ka rezultuar dyshimi se në këto farmaci nuk është kryer verifikim inventari. Nga këqyrja e dokumentacionit vihet re se farmacitë kanë depozituar numrat e llogarive bankare dhe vlera monetare e rimbursuar për periudhën 1 tetor 2014 deri më 31 mars 2015 prej 55 milionë, 941 mijë e 901 lekë të reja ka kaluar pikërisht në llogaritë e farmacisë Bërzhitë, Adelina, Nutrimed dhe Lundër. Prokuroria thotë se nga kontrolli i ushtruar nga Drejtoria Rajonale e Fondit dhe pyetja nga organi procedues i disa prej mjekëve që figurojnë, kanë lëshuar receta për pacientët, të cilat janë ekzekutuar më pas nga farmacitë për periudhën kohore 1 tetor 2014-31 mars 2015. Rezulton se këto receta nuk janë lëshuar nga mjekët përkatës.

Katër farmacitë

Sipas dosjes së prokurorisë, më 13 qershor 2014, administratori i farmacisë Lundër, shtetasi Hysni Roci, ka depozituar kërkesën për lidhjen e kontratës me Drejtorinë Rajonale të Fondit si dhe ka depozituar formularin e vetëdeklarimit, kopjen e noterizuar të licencës së ushtrimit të profesionit, certifikatën e regjistrimit tatimor, kopjen e gentplanit të farmacisë dhe kopjen e noterizuar të anëtarësimit tek Urdhri i Farmacistit. Ndër dokumentet e tjera është dorëzuar dhe inventari i gjendjes fizike të barnave dhe lista me barnat që rimbursohen. Në dosjen e farmacisë ndodhet dhe procesverbali i po asaj date, i nënshkruar nga dy anëtarët e komisionit E. Mara dhe G.Mehmeti dhe nga drejtuesja teknike e farmacisë Mimoza Tufi. Brenda asaj date është nënshkruar kontrata tip F 2014, ku ndodhej nënshkrimi i Rocit si pronar, i Mimoza Tufit si drejtuese teknike dhe për Drejtorinë Rajonale nga titullari Pjerin Xhuvani. Referuar procesverbalit të sekuestrimit të 3 qershorit 2015, pranë Drejtorisë është sekuestruar dhe urdhri i Drejtuesit për ngritjen e grupit të punës për verifikimin e vërtetësisë së inventarëve të paraqitur nga farmacia, i përbërë nga shtetaset F.B, Frida Lamçe dhe Edlira Mara. Gjithashtu është sekuestruar dhe një procesverbal i qershorit të vitit të kaluar, sipas të cilit është pasqyruar fakti se nga kontrolli i gjendjes fizike farmacia ka rezultuar pa diferenca dhe se kishte 60 për qind të barnave të listës së rimbursushme. Prokuroria thotë se këto dokumente nuk ishin pjesë e dosjeve të farmacive, fotokopjet e të cilave ishin marrë më parë nga organi i akuzës. Kërkesën për lidhjen e kontratës farmacia Bërzhitë e ka bërë më 27 nëntor të vitit të kaluar dhe mban emrin e shtetases Hasime Tahiraj, si administratore. Bashkëngjitur kërkesës janë dokumente të ngjashme me farmacinë Lundër, pra praktikë rutinore. Procesverbali i 1 dhjetor të vitit 2014 është nënshkruar nga dy anëtaret e komisionit Edlira Mara dhe Keti Mahmutaj dhe nga drejtuesi teknik i farmacisë Arens Spahiu. Anëtari i komisionit E.C. nuk ka nënshkruar. Pavarësisht nga mosdhënia e mendimit nga ana e përgjegjësit të sektorit të rimbursimit, titullari ka marrë vendim po atë ditë, për lidhjen e kontratës, ku ndodhet nënshkrimi i H.T si pronar, i Arens Spahiut si drejtues teknik dhe për drejtorinë rajonale nga titullari Pjerin Xhuvani. Grupi që kontrollonte vërtetësinë e inventarëve përbëhej nga shtetaset F.B., Frida Lamçe dhe Edlira Mara. Nga kontrolli i gjendjes fizike farmacia ka rezultuar pa diferenca dhe kishte 60 për qind të barnave të listës së rimbursushme. Farmacia Adelina, gjithashtu ka paraqitur të njëjtin dokumentacion më 1 shtator të vitit të kaluar dhe mban nënshkrimin e shtetases Hasime Tahiraj, si administratore. Procesverbali është nënshkruar nga dy anëtarët e komisionit Edlira Mara dhe Keti Mahmutaj dhe nga drejtuesja teknike e farmacisë Adelina Manaj. Anëtari i komisionit E.C. nuk ka nënshkruar, por kontrata u firmos. Grupi i punës për verifikimin e vërtetësisë së inventarëve përbëhej nga shtetaset F.B, Frida Lamçe dhe Edlira Mara. Farmacia ka rezultuar pa diferenca dhe kishte 60 për qind të barnave të listës së rimbursushme. Farmacia Nutrimed e ka bërë kërkesën më 1 shtator 2014 dhe mban nënshkrimin e shtetases H.T. si administratore. Procesverbali është nënshkruar nga dy anëtaret e komisionit Edlira Mara dhe Keti Mahmutaj dhe nga drejtuesja teknike e farmacisë Adelina Manaj. Anëtari i komisionit E.C përgjegjësi i sektorit të rimbursimit, nuk ka nënshkruar. Në dosjen e farmacisë Nutrimed nuk ndodhet asnjë dokument që të pasqyrojë faktin se është iniciuar dhe kryer kontroll në vendushtrimin e aktivitetit të kësaj farmacie.

 

 

LSI shkarkon nga funksionet politike ish-kreun për Elbasanin: mbështetje akuzës

Dje, Lëvizja Socialiste për Integrim është distancuar politikisht nga i akuzuari Pjerin Xhuvani. Ai mbante postin e drejtorit rajonal të Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në Tiranë dhe u arrestua pak ditë më parë si i përfshirë në skandalin e rimbursimit të ilaçeve. Vetë sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, në një prononcim për median nga selia e LSI-së, bëri publik vendimin e kryesisë së LSI-së duke i kërkuar prokurorisë hetim të plotë dhe tërësor të këtij skandali deri në fund. “LSI ka vendosur shkarkimin nga detyra e kryetarit të LSI-së së Elbasanit, Pjerin Xhuvani, dhe njëherësh e zhvesh nga të gjitha atributet e përfaqësimit të tij në çdo nivel apo strukturë të LSI-së, duke komanduar në përgjegjësinë e drejtimit të LSI-së së këtij qyteti, Edmond Haxhinaston”, -tha Rama. Më tej ai shtoi se LSI dënon me forcë çdo akt implikimi, abuzimi të cilitdo personi që rezulton i implikuar dhe inkurajon e mbështet me forcë prokurorinë të bëjë hetim të plotë me shumë përgjegjësi dhe tërësor të të gjithë të implikuarve në këtë skemë duke ndëshkuar me forcën e ligjit cilindo që rezulton i implikuar pavarësisht emrit apo pozicionit të tij në administratë.

9 Komente

eh, duhet edhe nje sforco tjeter, qe krahas largimit apo zbythjes se hajduteve te PD-se nga administrata shteterore, te largohen edhe felliqesirat e LSI-se, e kesaj bande tribale te neveriteshme.

Qeka Bashku me LSI ky Pishtari i Demokracise dhe themeluesi i deges se PDs ne Elbasan????????

Kete e paskan perjashtuar edhe nga Partia! smiley

Jam shume kurioz per mekanizmin qe perdoret ne gjithe kete mesele per perjashtimin nga Partia dhe pastaj lajmerimin e shtypit per kete mase te Partise, deri sa ky informacion vjen  ne veshet tane.

E pat thene dhe Kryetari Meta: 0 tolerance korrupsionit! 

 

Keta vjedhin kaq trashe dhe kaq shume sa ska njeri qe i mbulo. Ajo LSI paska qene koshere hajdutesh.  

kam nje si pershtypje te lehte, qe gjeja eshte me e zgjeruar se kaq, prandaj te mos behemi naive se qeveria u lodh tu luftu korrupsionin, ne nje administrate funksionuese do duhet te ishte kap nromalisht brenda muajit, jo pas 7.

tregu farmaceutik mbetet serish informal e tejet abuziv, dhe qeveriu nuk duket se ka ndonje ide si ta rregulloje.

Mire tiu bohet , ca ju kushtonte ta fusnit dhe Bacin ne skeme ?

“LSI ka vendosur shkarkimin nga detyra e kryetarit të LSI-së së Elbasanit, Pjerin Xhuvani, dhe njëherësh e zhvesh nga të gjitha atributet e përfaqësimit të tij në çdo nivel apo strukturë të LSI-së, duke komanduar në përgjegjësinë e drejtimit të LSI-së së këtij qyteti, Edmond Haxhinaston”, -tha Rama.

kjo eshte si me te perjashtu nga bordelloja per imoralitet.smiley

Gjera qe ndodhin ne shumicen e vendeve, nuk eshte noi çudi. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).