Në njëfarë mënyre, Radio Televizioni Publik Shqiptar vazhdon të jetë jo më shumë dhe jo më pak se një “institucion i ndihmës sociale”. Administrata e RTSH-së, e drejtuar gjithmonë nga titullarë – militantë partish – të kujton një ushtri të shpartalluar të papunësh; një ushtri të lodhur të papunësh të cilët shoqëria jonë i paguan për punë që, ose bëhen keq a shumë keq, ose nuk bëhen fare. Më shumë se institucion, më shumë se një media e dështuar, më shumë se një shpërdorim, është një sfidë; sfidë  mizore ndaj shtetit dhe shoqërisë; një sfidë në të cilën ndodhnin dhe ndodhin çudira. Përfytyroni një “korridor” mediatik të paligjshëm bamirësie, dhe menjëherë do shëmbëlleni sysh RTSH-në. RTSH-ja është hapësira e braktisur, ku favoret për titullarët rrjedhin ujëvarë dhe paratë hidhen në lumë për asgjënë, ku ka babëzi dhe aspak disiplinë, ku ka abuzime por jo respekt për punën, për fondet publike; ku ka paaftësi, por jo menaxhim, frymë, vullnet të mirë apo ambicie, ku ka harbutëri, shkrehje, papërgjegjshmëri dhe aspak mision e vizion…

Me fjalë të tjera, njëherësh RTSH-ja vazhdon sot t’i ngjajë një kioske dhembshurie, ku qindra rroga, shërbime, dieta dhe shpërblime paguhen dhe përfitohen thuajse për asgjënë. 10 milionë euro shkojnë për të çdo vit nga buxheti i shtetit, për t’u prodhuar çfarë? Për të promovuar çfarë? Për të ngritur çfarë? Ky konstatim ngjan rebel, por është i vërtetë: Radio Televizioni Shqiptar është një kooperativë e dështuar dhe e shëmtuar! Askund tjetër nuk punohet kaq pak, nuk prodhohet kaq pak, askund tjetër nuk shpenzohen barbarisht së tepërmi kaq parà për asgjënë, dhe askund tjetër nuk digjet kaq shumë energji kundër thelbit publik të shtetit. RTSH-ja publike ngjan me një masakër financiare publike; një mal që nuk pjell dot as një mi.

RTSH-ja është një realitet gri, mes të cilit, ngritur lapidar, vazhdon këmbëngulëse një dilemë. A do të çohet kush mbi këtë situatë? A do të bëjë kush një sfidë, për ta ndryshuar këtë gjendje, a do ta shkundë kush nga themelet? Apo bastardimi i autoritetit dhe i misionit që duhet të ketë ky institucion, do të vazhdojë?!

Rënë në një audiencë qesharake, RTSH-ja sot është më larg se kurrë nga publiku. Më shumë se kurrë ky institucion nuk ka besimin e qytetarëve shqiptarë. Është e qartë që RTSH-ja, iu largua publikut për një arsye të qartë, që është njëanshmëria. Mungesa e paanësisë! Kapja! E shndërruar në një shtojcë të pushtetit, këtej dhe andej, i ka shërbyer verbërisht politikës, në misionin e saj të shkatërrimit të së vërtetës. Për vite me radhë, shkatërrimi i së vërtetës e ka ndarë me dhunë RTSH-në nga misioni i vet i mirëfilltë, që është shërbimi i shëndetshëm mediatik për publikun.

RTSH-ja, me një ndikim sublim në ndërgjegjen e kombit shqiptar, u largua vit pas viti nga e vërteta, duke e braktisur publikun gjatë tranzicionit. Është koha për drejtimin e kundërt. Koha për afrimin. Por, ndërsa largimi progresiv nga e vërteta është një proces i thjeshtë dhe spontan, rikthimi tek ajo, përkundrazi, është tejet i vështirë. Kjo për arsyen njëlloj të thjeshtë se në vitet e tranzicionit, shërbimi sistematik ndaj pushtetit i edukoi administratës drejtuese të RTSH-së një rutinë të shëmtuar dhe shkatërruese. Një rutinë, që vit pas viti, u shndërrua në një zakon të shëmtuar, në vijim të të cilit, kjo administratë i ka bërë dhe vazhdon t’i bëjë sa fresk politikës, aq dhe aleancë pushtetit. Në një vështrim, RTSH-ja i bëri kështu opozitë së vërtetës dhe së drejtës. Kjo e largoi përfundimisht nga publiku dhe nga interesi i tij…

Prandaj thuhet se në njëfarë mënyre, RTSh-ja ka tradhtuar shqiptarët për politikën… Që të marrë kthesën e ndershmërisë dhe të përparojë drejt misionit të vet real, duhet të ndryshojë. Të ndryshojë jo me deklarata boshe dhe propagandë mediatike pushtetarësh, por të riformatohet konkretisht. Të shkulet për t’u ringritur si një sfidë e re. Riformatim do të thotë një strategji e mbështetur nga një fushatë revolucionare njerëzish të rinj në themelet e këtij institucioni. Do të thotë krijimi në vazhdim i një stafi të ri, të frymëzuar, të talentuar, të motivuar, që do të synojë qasje të re drejt misionit, drejt së vërtetës, ndershmërisë, pa kompromise. Ky staf i ri duhet të krijojë një klimë të re mediatike, në pavarësi të plotë prej politikës, pushtetit dhe propagandës, larg mashtrimit, korrupsionit mediatik dhe manipulimit butaforik. Dhe pastaj punë, programe, projekte, përpjekje… Vetëm kështu RTSh-ja do të mund të krijojë besim duke përcjellë te shikuesit ndjesinë e të qenit “qytetarë të vlerësuar”.

Asgjë nuk mund ta prodhojë më fort ndjesinë kolektive të të qenit “i vlerësuar” një populli, sesa e vërteta. Sesa thënia e së vërtetës. Publiku u largua nga RTSh-ja pikërisht për këtë gjë: sepse u mënjanua, u përjashtua, shpesh edhe barbarisht, nga e drejta për t’u informuar ndershmërisht, nga e drejta për të marrë pjesë, nga e drejta për t’u vlerësuar.

Ndërkaq, si çdo gjë që kërkon vullnet të fortë dhe të shëndetshëm, edhe ndryshimi i stafit drejtues e sidomos ndryshimi i perceptimit të këtij stafi për punën që duhet të bëjë, nuk është i lehtë. Këtë ndryshim e bën mjaft të vështirë edhe fakti se nevojitet një vendim politik i pushtetit për të mënjanuar vetveten; për të përjashtuar veten nga përfitimet që i sjell asaj varësia apo kapja e RTSH-së. Kjo është një sfidë më vete…

Por është e vetmja rrugë! Është drejtimi i duhur! Përndryshe RTSH-ja, në vend të një media të fuqishme promovuese vlerash publike, do vazhdojë të jetë pa fund një barrë e rëndë sociale e financiare në shpinën e shqiptarëve.

16 Komente

opo hiqeni, shkrijeni, RTSH... vetem Marash Mirashin dhe emisionin e tij famoz: "Hapesire e blerte", mos ma ngani!.smiley

E shkatrrun dhe TVSh- në smiley 

 

qekur kshu mo?

Ra Fasoni, 

Ra dhe Televizioni! 

Por i pari qe ra ish betoni!

Ra tropoxhoni, 

pa ra betoni. 

TVSH - ta ve shteti (eshte per ate tvsh-ne tjeter)

Po per disa punonjes te TVSH qe perdornin kamerat dhe studiot e TVSH per filmime dasmash ka per te thene gje ky ?

Po per Drejtorin e Pergjithshem te RTVSH qe shkon  e shoqeron pjesmarresen e festivalin europian se duhet me justifiku dietat qe kane marre e paret qe kane zgrap, tha gje ky ?

Kot me pyt po per Radion tha gje ky se mire per TV sikur e ka marre mundimin te thote ndonje gje?

Po per ato radiostacione qe rrijne e shperndajne valet e Radios ne gjuhen portugeze thote gje ky ? Po per trasmetuesit ne majat e maleve thote gje ky ?

 

uuuu plako jan ca kinez ne cerrik qe japin lajmet per europen se c'eshte nje antene e madhe atje qe i shkojne valet deri ne Brazil, mos me thuaj qe eshte nen mbikqyrjen e RTVSH?

 

po e tyre eshte dhe paguhet mjaft mire ai transmetim ne gjuhen kineze, jo se ka gje te keqe se mire bejne, dollare hyjne, por te heqin ate 1000-lekshin nga garazhet...

e 10-ne edhe nji gjo te mire qe kishim

E shkatërrun të pafetë, e shkatërrun smiley

TVSH - pjelle komuniste...pse qan fiqo

Nje here e nje kohe kur kryeministri aktual, humbi zgjedhjet lokale dhe me leket e Tomes vinte verdall neper bote se skishte cbente, erdhi njehere andej nga isha dhe un, dhe mblodhi ca shqiptar me nje salle, per te bere pak humor dhe gallate sic di vetem ai, normalisht per te kerkuar dhe voten per ne 2013.. dhe po na tregonte taksat qe paguajme cdo vit per RTVSH. Filloi te fliste qe e kishte fshire fare nga televizioni i tij etj etj,, dhe sec kishte nje plan per rimekembjen e RTVSH, duke then se sdo arrinte dot ta conte ne livelin e mediave te tjera private si psh "TCH" por do e sillte aty afer.. e ka njeri numrin e Edit ta marr iher ne telefon ta pyes iher per kete ceshtje ?

Ehhh cna u kujtun ca vite te shkuara me kete TVSh.....

Ishin vitet e para te demokracise, sa kishin fillu reklamat e para ne Tvsh se ai televizion ishte atehere. Drejtori i marketingut te Tvsh-së Bert Papa i cili mbante dhe nje detyr te dyte si drejtor ne Shik-un tropojs te atyre viteve. Dhe te takoje Bertin duhej te prisje me ore tek Pergola. Kur shfaqej Berti me pardesyne e tij meshini te zeze......fjalet e tij : s bohet gjo cuna ..skam minutazh ...me pas ato Spote rregulloheshin me nja ca Dollaro me 4shifrash...ehhh ckohe te bukra ...ishte Dollaro me shume atehere....Tvsh ky burim intelektual , kjo cerdhe e ndryshimeve...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).