Projektligji i ri i arsimit të lartë është përqafuar nga pothuajse pjesa më e madhe e drejtuesve dhe pedagogëve të universiteteve private, të cilët shprehen të kënaqur që do të përfitojnë para nga fondet publike, nëse marrin statusin e institucioneve të pavarura jo fitimprurëse. Por, ka edhe nga ata që nuk e mbështesin në të gjitha drejtimet projektligjin e ri, pasi gjykojnë se paçka se do të kenë përfitime nga buxheti i shtetit nëse do të plotësojnë kushtet e paracaktuara, ata do të heqin dorë nga gjithçka, nga pronësia, nga ai institucion dhe ajo sipërmarrje pas atij momenti do të jetë më tepër një pronë publike.

Por, ky nuk është i vetmi argument kundër që u diskutua dje në mbledhjen e Komisionit të Edukimit. Dy pika të tjera të kontestuara nga një pjesë e përfaqësuesve të universiteteve private janë edhe: Heqja e studimeve part-time dhe të pasurit të studimeve me kohë të zgjatur si edhe vendosja e një mesatareje dysheme si kusht për t’u pranuar në universitetet private. Pra, nga njëra anë privatët kërkojnë të trajtohen në mënyrë të barabartë me universitetet publike, ndërsa nga ana tjetër, kundërshtojnë faktin që për sa i takon mesatares privati si publiku do të ketë një mesatare dysheme për të nisur studimet e larta në një degë të caktuar. Rektori i Universitetit Europian të Tiranës e vlerëson projektligjin e ri në emër të institucionit që drejton, duke e konsideruar si një hap të rëndësishëm në drejtim të reformimit të sistemit të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, pasi rrit konkurrueshmërinë midis IAL-ve.

Pro miratimit të ligjit të ri u shpreh edhe rektori i universitetit “Marin Barleti”, Maringlen Spiro, i cili tha: “Nëse ne do të krijojmë ato struktura që parashikon ligji, kam bindjen se do të ketë një perspektivë të mirë për sistemin e lartë arsimor në vend”. Kapitulli 12 edhe në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Edukimit u kundërshtua fort nga Universiteti i Tiranës, ku rektori, Dhori Kule tha se nenet e tij janë antikushtetuese. “Mendoj se shumë investitorë, sipërmarrës privatë do mendohen shumë gjatë për ta kthyer në një status të tillë. Paçka se do të kenë përfitime nga buxheti i shtetit nëse do të plotësojnë kushtet, ata do të heqin dorë nga gjithçka.

Nga pronësia, nga ai institucion dhe ajo sipërmarrje pas atij momenti do të jetë më tepër një pronë publike”, shpjegoi rektori i universitetit “Bedër” (Hëna e Plotë), Ferdinand Gjana. Edhe rektorja e “Albanian University” shprehet kundër miratimit të projektligjit të ri të arsimit të lartë, pasi sipas saj: “Kemi një shtim të burokracisë së këtyre organizmave të cilat në një farë mënyrë e mbysin qoftë njëra-tjetrën, qoftë edhe lirinë akademike. Nuk parashikohet mësimi në distancë, në internet, si dhe është hequr nga ligji studimi part-time”.

2 Komente

ndonje koment do behet ketu! apo vari qillot!?

shtjelloje i her muhabetin...

masnej vijn opinionet

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).