Shkrimtari i librave për fëmijë flet për mungesën e anketimeve mbi leximin në Shqipëri, rolin që duhet të luajë shteti në nxitjen e dëshirës për të lexuar, si dhe për humbjen e traditës së rrëfimit të përrallës

Përtej çdo “pengese” që vjen prej zhvillimeve bashkëkohore, rrugëtimi jetësor e formësor i njeriut kalon përmes edukimit magjik të përrallave. Ato janë të parat që e ndihmojnë fëmijën të ndajë të mirën nga e keqja, të formojë personalitetin dhe karakterin e vet. Një fëmijë të cilit i lexohet, i kultivohet dëshira për të ditur gjithnjë e më tepër e natyrisht i zhvillohet aftësia për t’u shprehur gjithnjë e më cilësisht. Shpesh, vogëlushët paraqiten befasues, për sa i përket aftësisë së rrëfimtarisë.Prirja e tyre e natyrshme për të treguar atë që dinë, por, pse jo, edhe ndikimi i përrallave që u lexohen në mjedisin familjar, si edhe në kopsht, zhvillojnë tek ata elokuencën, sigurisht në përputhje me moshën.

Ajo që vihet re, me kalimin e kohës, është se fëmijët fillojnë dhe e braktisin leximin dhe kjo vjen për disa arsye, për të cilat ne kërkuam mendimin e shkrimtarit të librave për fëmijë, Viktor Canosinaj, i cili nis mendimin e vet me vendin që zë letërsia shqipe sot, duke u shprehur: “Në pamje të jashtme duket sikur letërsia shqipe, për fëmijë a të rritur, ka njëfarë zbatice, për shkak të përkthimeve pa fund. Në fakt, botimet e këtyre dy dhjetëvjeçarëve të fundit kanë qenë të shumtë, por letërsia shqipe është ende në një fazë kalimtare, pasi doli nga një periudhë e gjatë, kur shkruhej me një frymë krejt ndryshe.

Tani i përkasim një mjedisi global, ku duhet të gjejmë patjetër vendin që na takon dhe kjo nuk është fort e lehtë. Në këtë kuadër, kemi shumë prodhimtari, por jo dhe aq arritje cilësore. Gjithsesi, në Shqipëri nuk ka anketime zyrtare për nivelin e lexueshmërisë”. Lidhur me ndikimin teknologjik në edukimin e të rinjve shkrimtari shton: “Ne jetojmë në një epokë dixhitalizimi. Detyrimisht, kjo ka ndikuar, duke marrë pjesë të konsiderueshme nga koha e leximit. Fëmijët nuk lexojnë më si më parë. Më shumë priren drejt lojërave dhe shuarjes së kureshtjes në internet, në bashkëbisedime pa fund përmes celularit apo rrjeteve shoqërore në internet.

Bëhet fjalë për një betejë të gjatë, në të cilën unë shpresoj që leximi do të fitojë. Pa lexim, nuk ka kulturë, nuk ka shprehje. Është e provuar shkencërisht që një fëmijë që nuk lexon, nuk zhvillon dot aftësinë e të shkruarit. Duhet punuar që brezat e rinj t’i rikthehen leximit”. Lidhur me pretendimin se cilësia e botimit nuk është më e njëjta, Viktor Canosinaj pohon se cilësia është kriter kryesor dhe se, nëse nuk u ofrohen fëmijëve libra cilësorë, detyrimisht që do të krijohet një stepje.

Veçse shkrimtari problemin nuk e sheh te mungesa e veprave cilësore, qoftë te përkthimet, qoftë te letërsia e mirëfilltë shqip, mirëpo thotë se duhet punuar më tepër për njohjen e librit dhe kjo nuk arrihet me nismën e një apo disa individëve.Kjo është një detyrë shumëplanëshe, që ecën nëpër disa hallka, ku rolin kryesor duhet ta luajë shteti, nëpërmjet bibliotekave, aktiviteteve, festivaleve, panaireve, dhënies së çmimeve për ata që lexojnë më shumë, traditë që ka ekzistuar edhe më parë, thjesht, duhet rigjallëruar. Kurse lidhur me vendin që zë gjinia e përrallës sot në krijimtarinë letrare autori i librave për fëmijë, Canosinaj, sqaron se përralla si gjini letrare ka një tërheqje krahasuar me një apo dy shekuj më parë.

Për sa i përket ekzistencës së autorëve të mëdhenj për fëmijë, autori shprehet se është e pamundur të vijnë sot shkrimtarë të kalibrit të Andersenit. “Kjo lidhet me pamundësinë prej kohës në të cilën jetojmë. Shpërthimi i kësaj gjinie qe shekulli i 19-të, kur Vëllezërit Grim në Gjermani mblodhën gjithë fondin e mrekullueshëm të përrallave popullore, po kështu, në Francë e në Itali. Veçse këto përralla lexohen, por nuk tregohen më. Sot në Shqipëri rrallë mund të gjesh gjyshe që të rrëfejë e aq më pak mjeshtërisht. Përralla në Shqipëri është mbledhur, është rishkruar, edhe sot shkruhet madje, po kjo në gjuhën e studiuesve quhet gjuhë e kultivuar dhe nuk mund të krahasohet me përrallën e mrekullueshme popullore, e cila nuk po zhvillohet më”, thotë Canosinaj.

Humbja e traditës së rrëfimit

Shkrimtari citon Edit Durhamin, e cila thoshte një shekull më parë: “Shqiptarët jetojnë në një realitet magjik”, duke shtuar se 80% e planetit jetonte atëherë, ndoshta, në një realitet të atillë. “Përralla ishte argëtimi kryesor në kohën e lirë të një familjeje, sidomos gjatë dimrit. Sot jetojmë në një realitet krejt tjetër, tepër të ndryshueshëm, falë zhvillimit të shkencës dhe teknologjisë. Për rrjedhojë, hapësira për përrallën po ngushtohet. Prirja tani është më tepër drejt fantazisë sesa drejt përrallës, magjikes.

Ka mbetur fondi klasik, i mrekullueshëm, i përrallave ku përmenden Vëllezërit Grim, përrallat franceze, italiane, fond i cili botohet e ribotohet me përkthime të mrekullueshme, përshtatur në kinematografi dhe fëmijët e sotëm rriten me këto përralla, por, duke ndërhyrë vështirësitë e përballimit të së përditshmes, prindi e ka më të lehtë ta lërë fëmijën para televizorit apo kompjuterit sesa të merret vetë me leximin e përrallave. Për këto arsye po humbet tradita e rrëfimtarisë gojore.

Kështu krijohet edhe shkëputja e fëmijës nga magjia e dikurshme e përrallave. Edhe përralla, ashtu si gjini të tjera, është në një periudhë zbatice, tërheqjeje, rënieje të nivelit. E konkurrojnë lojërat, televizori dhe interneti. Megjithatë ajo vazhdon të shkruhet e të lexohet, por jo me të njëjtin interes”, përfundon shkrimtari.

4 Komente

Pjer, cilin nga keto objekte do blesh ti?

Ik mor trap. rolin qe dueht te luaje shteti thote palla. Aty e lash. idiot. Pseudo artist. Pff na mbyten morrat.

se paska lexu emigrantin kjo si duket.

ps: shteti ka rol te madh, ti lart. por atje ku jeton zoor se e kupton kaq. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).