Ajo që te Dante ishte një kapërcim i kufijve të artit, por një kapërcim që ta mundëson vetëm arti, ajo që te një poet si Uordsuorthi ishte një përplasje mes moralit dhe artit, për një sërë artistësh të mëvonshëm të shekullit XIX shndërrohet në një përplasje mes artit dhe paragjykimit. Le të ndalemi shkurtimisht te dy prej atyre artistëve: Vagneri dhe Dostojevski. Këtë herë përplasja nuk ndodh brenda veprës artistike, por përkundrazi mes veprës dhe deklaratave të artistit in propria persona ( të bëra si person i zakonshëm dhe jo si shkrimtar apo artist).

Janë tashmë të njohura traktatet antisemite të Vagnerit. Këto pikëpamje e bënë atë të pëlqyeshëm për nazistët dhe çuan në ndalimin e interpretimit të veprave të tij në Izrael. Por ndërkohë që nuk mund të thuhet se nuk kishte lidhje mes pikëpamjeve të tij për jetën dhe pikëpamjeve për muzikën, në muzikën e tij nuk mund të gjendet asnjë grimcë antisemitizmi. Kushdo mund të tregojë dhe njerëzit e kanë treguar se ndjenja e thellë e mallit për shpëtimin nga mëkati dhe e keqja në muzikën dhe libretet e tij, për shpëtimin nga telashet e kësaj bote, duket sikur vjen dhe ushqen klimën e idealizmit gjerman, i cili u bë një tokë pjellore për propagandën naziste. Dhe këtu mbaron gjithçka. Njeriu u paragjykua, muzika jo.

E njëjta gjë mund të thuhet për Dostojevskin, por meqë në këtë rast kemi të bëjmë me një shkrimtar, është e lehtë të vërehet se çfarë luhet me dallimin. Nëse lexojmë artikujt që shkrimtari botoi nëpër gazeta, një formë shkrimi që gabimisht çoi në etiketimin e tyre si “Ditari i një shkrimtari”, do të shohim se Dostojevski nuk ishte gjë tjetër veçse një vandak me paragjykime: antisemit i pandreqshëm dhe antikatolik; i prirur të promovonte idenë e një Serbie të Madhe Ortodokse me kryeqytet Kostandinopojën; i mbushur me një ndjenjë të thellë tmerri ndaj myslimanëve dhe turqve. Duke e lexuar Dostojevskin sot, e kupton lehtësisht atë që ngjau në Ballkan së fundi dhe pse Rusia mbajti atë qëndrim që mbajti. Si mundet vallë – pyesim ne – që një njeri me pikëpamje të tilla të jetë një romancier i madh? 

Përgjigjja është: thjesht ndodh. Të gjitha këto pikëpamje janë të pranishme në romane, por të vendosura në dialog me të tjerët dhe kështu nuk shprehin Të Vërteta, por vetëm dëshira dhe qëndrime njerëzore. Siç vë në dukje Bahtini, ajo që Dostojevski bëri në romanet e tij është se ai vuri përballë njëri-tjetrit paragjykimet, duke lejuar që zërat e fiksimit, çmendurisë dhe mungesës së tolerancës të hyjnë në dialog me njëri-tjetrin. Kështu lexuesi lejohet të mos mendojë se “Kjo është e vërteta”, por “Kështu qenka bota dhe krijesat njerëzore”. Nëse Dante kishte një këngëtar që e priste në breg (Kasela) për ta drejtuar, ne duhet ta ndajmë mendjen se nuk e kemi; këngëtari në breg është shndërruar në një nga djajtë e shumtë të Ferrit.

 

Përgatiti dhe përktheu: Viktor Canosinaj

Milosao

2 Komente

Ashtu de.

Kush jane ata paragjykuesa qe iu thafte goja paragjykuese lol

...Ndoshta disa nga ne mund ta kuptojne Vagnerin pasi dine historine e popullit gjerman, kemi lexuar edhe disa romane ku eshte mbeshtetur ai per hartimin e vepres se tij, dime edhe pikepamjet e tij qe i kemi lexuar ne kritikat e bera. Gjithashtu dime se Hitleri e beri muziken e Vagnerit muziken e preferuar te kohes se vet, sepse ne shume pjese te vepres se Vagnerit perfaqesohet pesimizmi i Shopenhauerit. Por te Vagneri ka edhe ane pozitive e revolucionare, prandaj njerezit tane qe merren me kulture, duhet te studiojne dhe t'i njohin mire keto gjera...

Veke Hoxha per Vagnerin

 

idrizi eshte i lutur te me korrigjoje nese kam harruar te kopjoj ndonje presje.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).